Në Shqipëri edhe një herë tjetër është rishfaqur ndjeshëm kriza energjitike me ndërprerje të përditshme të rrymës elektrike për banorët, sidomos jashtë kryeqyetit.
Në shumicen e lagjeve të Tiranës energjia ndërpritet nga 2 deri 4 orë në ditë, kryesisht pasdite dhe në mbrëmje. Kurse në qytetet periferike, kriza duket se nuk është kapërcyer asnjëherë.
Vlora dhe Shkodra mbeten shembuj tipikë të gjendjes së mjerueshme të furnizimit me energji elektrike.
Përveçse gjatë gjithë paradites deri në drekë, energjia shpesh mungon me mënyrë kronikë edhe nga 2 orë pasdite.
Akoma më e rëndë dhe jashtë vëmendjes është gjendja në zonat fshatare.
Nga zyrtarët e energjisë dëgjohen fraza të përsëritura për ulje të nivelit të ujit në liqenet e veriut, për mospagesë masive të qytetarëve të faturave të energjisë elektrike dhe rregullisht premtime për blerje në tregun ndërkombëtar të sasive të energjisë.
Nga ana e tyre, banorët ankohen rregullisht se nuk kanë matësa të energjisë elektrike dhe se nuk binden të paguajnë fatura arbitrare.
Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, Pjetër Dema ka deklaruar para deputetëve një të vërtetë të thjeshtë: Korporata Elektroenergjitike Shqiptare e ka praktikisht të pamundur furnizimin pa ndërprerje me energji për konsumatorët.
Më pas, ai ka dhënë dorëheqjen duke mos u pajtuar me faturat aforfe që KESH u ka ngarkuar qytetarëve gjatë dy viteve të fundit.
15 vjet kriza dhe akuza të politikanëve kur janë në opozitë ndaj qeverive të radhës.
Rezultati i pamohueshëm dhe në dritën e diellit është se Shqipëria është dhe mbetet i vetmi vend në Europë ku vihet në pikëpyetje të përditshme, nëse do të ndizen dritat në shtëpitë e njerëzve.
Krijoni Kontakt