Close
Faqja 13 prej 13 FillimFillim ... 3111213
Duke shfaqur rezultatin 121 deri 129 prej 129
  1. #121
    Perjashtuar Maska e Ihti
    Anëtarësuar
    26-04-2002
    Vendndodhja
    NY
    Postime
    966
    Akoma s'e keni kuptuar ju o njerez?
    "nje kendez kendon ne kotec"
    Kjo vlen per Shqiptaret. Nuk mund ta ngrejne zerin gjithe gjelat. Vetem njeri. Saliu ka filluar te gdhendet, edhe pse jo sa duhet. Mos prisni qe ai te behet tjeter njeri, se nuk ka per te bere vaki.

    Per mua ai vazhdon te jete e keqja me e vogel.
    Summertime baby!

  2. #122
    Fierak 100% Maska e Ujku'80
    Anëtarësuar
    04-11-2002
    Vendndodhja
    Itali
    Postime
    584
    Kryeministri rrëfen shkakun e lënies jashtë kabinetit të Avokatit: Ngjela kishte borxhe nuk e bëja dot minister

    Ora 08:05
    Nga Armando Meta


    TIRANE (11 Prill)-Borxhet financiare kanë mbajtur Ngjelën jashtë qeverisë. Ky ka qenë argumenti me të cilin Kryeministri Sali Berisha ka mbrojtur pozicionin e tij politik përpara deputetëve të PD-së, për të mos përfshirë avokat Spartak Ngjelën në kabinetin qeveritar. Por këto akuza të Kryeministrit janë zhvlerësuar pak orë më vonë publikisht në seancën plenare të Kuvendit nga ana e Ngjelës. Ky i fundit ka deklaruar se nuk ka asnjë borxh financiar. “Për këtë mjafton të verifikoni deklarimin e pasurisë sime në Inspektoratin e Deklarimit të Pasurive”, - ka deklaruar Ngjela. Ajo që mbeti e pasqaruar nga Berisha në këtë mbledhje, ishte fakti nëse avokati i kishte këto borxhe kur PD-ja e kandidoi për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Apo borxhet dolën në skenë pas oponencës së tij?
    Mbledhja
    Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së, e cila zgjati afro 45 minuta dhe u zhvillua me dyer të mbyllura, Kryeministri Berisha ka vijuar spiralen e akuzave ndaj Ngjelës, në përpjekje për ta dërrmuar përfundimisht Avokatin nga pikëpamja politike. Në morinë e sulmeve ndaj Ngjelës, kuptohet se Kryeministri ka vendosur t’i japë dorën e fundit kompletimit të argumentave kundër Avokatit. Berisha përpara deputetëve të PD-së, nuk ka ngurruar të gërshetojë aspektet politike që çuan në marrjen e masave të ashpra kundër Ngjelës nga ana e tij dhe e kryesisë së PD-së, si dhe e akuzave për borxhe financiare, të cilat përgjithësisht janë pjesë e retorikës politike, me qëllim që të ngjisin në opinionin publik. Berisha ka deklaruar në grupin parlamentar të PD-së, se mospërfshirja e avokatit në kabinetin qeveritar, ka ardhur si rezultat i problemeve private financiare që ka Ngjela. Burime të besueshme brenda grupit parlamentar të PD-së, bënë të ditur se Kryeministri ka nënvizuar se nuk mund të fuste Ngjelën në qeveri, sepse ai nëpërmjet kësaj do të përpiqej të shlyente borxhet.
    Kundërvënia
    Pa i hyrë fare analizës për akuzat që Ngjela ka bërë ndaj Kryeministrit për shkelje të Kushtetutës dhe të lirive dhe të drejtave të njeriut për një seri projektligjesh të sjella në Kuvend, Berisha ka kundërsulmuar në grupin e PD-së, duke deklaruar se Ngjela në shumë raste ka dalë kundër vendimeve politike të grupit parlamentar të PD-së dhe projektligjeve të qeverisë”. Për të ilustruar këtë, Berisha ka përmendur ligjin “Për legalizimet” dhe moratoriumin “Për skafet”, të cilat janë kundërshtuar nga Ngjela. Këto dy ligje në realitet, si dhe disa projektligje të tjera të qeverisë, janë shpallur se cenojnë lirinë dhe të drejtat e njeriut edhe nga një numër shumë i madh organizatash të shoqërisë civile.
    Ngjela
    Por avokati i ka hedhur poshtë deklaratat e Kryeministrit për borxhe financiare. Ngjela deklaron se nuk ka asnjë borxh dhe gjithë ngrehinën e ngritur nga Kryeministri ndaj tij, e vlerëson si “nonsens të radhës”. Në një prononcim dhënë “Zërit të Amerikës”, Ngjela ka deklaruar se në gjithë këtë fushatë kundër tij, vihet re se ka humbje të ekuilibrave politikë. “Nuk e kuptoj çfarë injorance është kjo. Maxhoranca aktuale ka tre defekte, sepse ajo nuk do të funksionojë; kushtetutshmëria, parlamentarizimi dhe tregu i lirë”, - ka deklaruar Ngjela. Sipas tij, e gjitha kjo situatë e krijuar nga maxhoranca, do të cenojë zgjedhjet e lira, sepse reforma elektorale do të dalë “për faqe të zezë”. Ngjela deklaron se opozita po fiton pikë elektorale, sepse maxhoranca ka bllokuar tregun dhe shtetin. “Opozicioni ka pasur si favor antisistemin që reflekton për disa çështje maxhoranca”, - ka deklaruar Ngjela. (Gazeta Shqiptare/Balkanweb)

    Ne gjithe keto vjet te qenies sse tij ne krye te PD doktori ka vepruar ne menyre krejt Diktatoriale kundrejt anetareve te tjere te partise(kujtojme rastet e Eduart Selamit, Genc Pollos etj...) prandaj eshte e qarte se kte natyre DIKTATORIALE doktori do ta kete dhe sot si ne PD ashtu dhe ne qeverisje.....
    Ndryshuar për herë të fundit nga Ujku'80 : 11-04-2006 më 09:57
    Liberté, égalité, fraternité

  3. #123
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    27-03-2005
    Postime
    926

    Mbytja e Titanikut dhe muzikantet tane

    E Diele, 09 Prill 2006
    Nga Fatos Lubonja

    Nderkohe qe i gjithe shtypi yne bubullonte e bubullon me ngjarjen e shekullit, duelin Berisha - Ngjela, mbushur me fotot e medha te protagonisteve e me komente gjithfareshe politikanesh e analistesh gjithfaresh mbi Berishen autoritar apo mbi pergjimin e pabese te Ngjeles, ne nje cep te vogel te nje gazete pashe nje lajm qe iku thujse pa u komentuar. Ishte nje deklarate e Guvernatorit te Bankes, Fullani, i cili paralajmeronte se vendi mund te perballet me nje krize shume te forte ekonomike per shkak te rritjes artificiale qe i ka bere krimi cmimeve te shitjes se ndertimit.

    Sipas guvernatorit (i mbeshtetur tek te dhenat e INSTAT), nderkohe qe kostoja e ndertimit eshte rritur shume pak gjate vitit 2005, cmimet e shitjes vazhdojne te kene ritme rritjeje shume me te medha. Me gjuhen e tregut ne kete rast thuhet se kemi te bejme me nje "kerkese" te forte, por problemi eshte se ku e ka burimin financiar kjo kerkese e forte. Sipas guvernatorit keto jane parate e krimit dhe te emigracionit. E nderkaq, lidhur me keto para, ne deklaraten e Fullanit thuhet: "Burime te tilla si te ardhurat nga emigracioni, apo nga aktivitetet te jashteligjshme vleresohen se jane resurse financiare te perkohshme, te veshtira per t'u parashikuar, nderkohe qe jane zerat kryesore qe financojne degen e ndertimit. Per rrjedhoje, nje renie e mundshme e shpejte e burimeve te siperpermendura do te sjelle kufizime te forta ne kerkese, por edhe ne deget e lidhura me te". (Panorama 7 prill 2006).

    Gjithe sipas guvernatorit, per sa kohe kerkesa do te vazhdoje te jete e madhe, gjithcka do te jete e qete. Por problemi do te vije kur kerkesa te zvogelohet. Pra, kur parate e paligjshme te frenohen dhe kur emigrantet te mos financojne me familjet e tyre. Ne kete rast, vlera e nje metri katror do te filloje te zbrese deri ne piken e kerkese - ofertes normale. Duke patur parasysh se nje page mesatare ne Shqiperi duke u bazuar edhe ne sektorin privat, sipas guvernatorit, eshte rreth 40 mije leke kuptohet se po te hiqen parate e pista, nuk mund te financohet kurre blerja e nje dyqani me nje cmim 3 mije euro/metri, apo e nje apartamenti me nje cmim 800 euro/metri. Per pasoje, ne rast te uljes se cmimit, te gjithe kolateralet e vendosura ne banka, qe sipas Fullanit, garantojne rreth 80 per qind te kredive, do te zhvleresoheshin. Po ashtu do te zhvleresoheshin edhe sektoret qe financojne, ose prodhojne per ndertimin qe eshte industria me e fuqishme ne vend. Ky do te ishte fillimi i nje krize ekonomike dhe financiare, qe, gjithe sipas guvernatorit, ndoshta do te krahasohej me ate te fundit qe ka kaluar Shqiperia. Dmth me ate te renies se piramidave.

    Zgjidhjen guvernatori nuk e jep, por lan duart duke thene se eshte urgjente te nderhyhet - duke na kujtuar nje larje duarsh te disa vjeteve me pare (1996) te nje tjeter guvernatori, Lunikut.

    Kush ka parasysh jeten e emigranteve te ndershem ne Perendim dhe njeheresh faktin se kostoja e jetes ne Shqiperi eshte, ne shume aspekte, e barabarte, ne mos me e shtrenjte, se ne Perendim e ka te qarte se te ardhurat nga emgracioni i ndershem nuk mund te jene kryesore per mbajtjen gjalle te kesaj industrie. Ato mund te vlejne per te mbajtur me buken e gojes te afermit e papune, por jo per te blere dyqane me 3000 euro metri katror e apartamente me 800 euro metri katror. Eshte evidente, prandaj, se fati yne eshte kryesisht ne dore te krimit e se, qe te mos pesojme krizen per te cilen paralajmeron guvernatori ne na duhet te lutemi nate e dite qe krimi te vazhdoje i qete aktivitetin e tij.

    Mirepo edhe aventurieri me i paturpshem e ka te veshtire te pranoje kete logjike. Jo me kot guvernatori thote se "eshte urgjente" te nderhyet. Sepse edhe sikur te ishte keshtu, pra se krimineleve shqiptare per hir te mbijeteses se Shqiperise do tu lihej aktivitet i lire trafiqesh e droge, pasojat e nje ekonomie te tille jane katastrofike sepse nje ekonomi i ndertuar mbi krimin jo vetem se pjell vetem krim te metejshem, padrejtesi, polarizim, pasiguri per te ardhmen dhe ate qe tashme e thone te gjithe se ka ndodhur ne Shqiperi: kapjen e shtetit, por e degradon tere shoqerine duke sjelle me ne fund edhe kolaps ekonomik.

    Ky pra eshte problemi me i madh qe ka vendi. Guvernatori paralajmeron se anija eshte e cpuar ne fund dhe duke futur uje pra duke iu afruar rrezikut te mbytjes. Mirepo nderkaq cfare po ndodh ne Shqiperi? Ajo cka po ndodh te kujton historine e mbytjes se Titanikut, kur, nderkohe qe transoqeaniku mbytej, kapiteni i dha urdher orkestres qe te vazhdonte te luante muzike ne menyre qe te mos krijohej panik. E ndersa orkestra luante valset e Shtrausit Titaniku mbytej. Kuptohet, tek ne nuk behet fjale per valse te Shtrausit as per lojen fisnike te asaj orkestre. Ne vend te valseve te Shtrausit muzikantet e orkestres sone vazhojne avazin e vjeter. Ata bejne zhurme me bilbila e buria e grushta e shqelma se kush te marre timonin e anijes. Kjo "muzike" e marrjes se timonit e transferuar se fundmi edhe brenda mazhorances, qe ndryshe perkthehet si lufte per pushtet e perfitime personale, shohim se amplifikohet ne televizione e gazeta nga gjithfare gazetaresh e analistesh qe per cdo gje flasin (vecanerisht kane merak autoritarizmin e Berishes) por vec per krimin e organizuar jo, duke terhequr vemendjen e njerezve nga problemi real qe ka vendi rreziku i mbytjes se anijes. Eshte nje orkester shume e pabese sepse nje pjese e muzikanteve tane duket se e bejne me vetedije kete loje duke e ditur se per ata do te kete barka shpetimi. Ashtu si shpetuan, madje dolen te pasuruar, edhe me 97-ten. Dhe pa care koken se cfare pasojash do te krijoje mbytja per te tjeret. Madje nje pjese duket se jane te vetedijshem se vetem mbytja e anijes mund t'i shpetoje. Kurse te tjere duken aq driteshkurter sa nuk u shohin syte pertej timonit te lakmuar dhe qejfit personal qe mund t'u krijoje ai packa se guvernatori i paralajmeron per mbytjen edhe te qejfit te tyre me mbytjen e anijes.

    Dhe si per cudi dhe moscudi nderkohe qe rreziku vjen e behet me i madh tingujt e kenges kakofonike "Ne lufte per timonin" te muzikanteve tane vijne e behen me shurdhues duke lene pak shprese se veshet e tyre te shurdhuar nga miopia e interesit personal jane ne gjendje te degjojne zerat qe u thone se perpjekja e perbashket per te mbyllur te carat ne fund te anijes eshte me e rendesishme sesa lufta per timonin e saj. E nderkaq, klasa e dyte dhe e trete ne fund te anijes, e lene ne terr dhe e pafuqishme per tu organizuar, duket se do te jete ajo qe do ta paguaje perseri me shtrenjte mbytjen e saj.

  4. #124
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Berisha-Ngjela, një dyluftim profesionistësh

    Berisha-Ngjela, një dyluftim profesionistësh


    Alfred Cako*

    Këto ditë jemi njohur me një konflikt ekzistencial midis Berishës dhe Ngjelës, dy hierarkëve të lartë të mazhorancës së sotme. Në fakt, ky konflikt kishte mbi 5-6 muaj që ekzistonte në gjendje të fshehtë, po të marrim parasysh përmasat e sotme pas zbardhjes së një bisede gjysmë informale të regjistruar nga “askushi”. Kjo është një betejë politike ku ndoshta të dy luftojnë me moton “t’i fitoj ose t’i humb të gjitha”, ose thënë ndryshe, për jetë a vdekje, në kuptimin politik, pasi në rast kthimi prapa të Berishës do të ndodhte një efekt domino edhe me figura të tjera në PD, në raport me autoritetin e tij 15- vjeçar, nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, reperkusionet ndaj Ngjelës në rast humbjeje të tij në këtë betejë janë lehtësisht të parashikueshme. Objektivi i Berishës është heqja e spaletave institucionale partiake si dhe të kryetarit të Komisionit të Ligjeve në Parlament të Ngjelës, ndërsa objektivi i këtij të fundit është ruajtja e pozicionit të tij të tanishëm (lojë në mbrojtje) dhe dobësimi gradual i pozicionit politik të Berishës duke pritur në një të ardhme më të përshtatshme më së paku largimin e tij nga kreu i Qeverisë, pse jo dhe nga kreu i Partisë. Të dyja këto në funksion të kapjes të një pozicioni të rëndësishëm prej Ngjelës në një qeveri të re të kësaj mazhorance, ambicie të cilën ai nuk e ka fshehur, përkundrazi si një perëndimor e deklaron si qëllimin më të lartë për të cilën ai ka zgjedhur dhe profesionin e politikanit. Edhe pse më brilant se sa në “amvonën” e Parlamentit, Ngjela nuk mund të ishte si magjistrat i qeverisë. Për realizimin e objektivit të dytë (largimi i Berishës nga kreu i PD-së), përkundrazi, Ngjela, në emisionin e fundit “Shqip”, nuk guxoi të mëtonte ambicien më të lartë partiake dhe këtë dorashkë ia hodhi si sfidë pozitive, me shumë marifet, B. Topit në shkëmbim të një mbështetjeje që i kërkoi këtij të fundit si pagesë paraprake për t’i dalë në mbrojtje në betejën për shkarkimin e tij. Ajo që duhet të mos harrojmë ta përmendim, është fakti që të dy protagonistët janë tepër të zotë në artin e politikës dhe demagogjisë kur është e nevojshme. Ndoshta Berisha, edhe pse është si një Zeus përballë Ngjelës dhe duket i sigurt nga “rrufetë” që ka në dorë, ai e ka kuptuar që për herë të parë po lufton me një profesionist të nivelit të vet, por që nuk ka mjetet e tij. Ndoshta edhe Ngjela ka besim si një David te gurët në “hobet” e veta.
    Berisha ka gjasa që ta fitojë përkohësisht këtë betejë duke e shkarkuar Ngjelën nga të gjitha funksionet që përmendëm, ashtu siç ka bërë rëndom në 15 vjet me kundërshtarët e vet, në radhë të parë, për faktin se ai ka shumicën e “ushtrisë” së anëtarësisë me vete, ushtri, e cila është në thelbin e vet e tëhuajtur jo vetëm me Ngjelën, por edhe me çdo drejtues tjetër që nuk do të kishte bekimin e Berishës. Madje disa ish-kundërshtarë të Berishës që ndodhen të rikthyer në Parlament, kanë qenë më tepër dhe kundërshtarë të Ngjelës dhe mezi presin t’i kthejnë “reston” këtij të fundit që me ta pati bërë real-politikë. Ngjela, si ithtar i ligjit hebre të taljonit, ndoshta nuk do të mund t’i kryqëzonte ata me fjalën e tij. I vetmi shans që Ngjela mund të mos bjerë, do të ishte votimi i fshehtë me kuti si në forumet partiake, ashtu dhe në Kuvend. Ndoshta beteja për procedurën do të jetë e lidhur me fatin e këtij dyluftimi, pasi procedura mund ta shkëpusë Berishën nga toka e tij e “ushtrisë” dhe ekspozimin e tij të pambrojtur përballë rrethit të vet elitar, ashtu si Cezarin me miqtë e Brutit. Për sa i përket procedurës për forumet partiake, pothuaj nuk ka gjasa të ndodhë një votim i fshehtë. Mbi të gjitha, nëse Ngjela do të humbiste edhe në “tapetin” e kutisë në PD, kjo do të rriste shumë autoritetin e Berishës në të gjithë opinionin e gjerë publik. Për sa i përket mënyrës së votimit në Parlament, Ngjelës mund t’i vinte në ndihmë debati i ashpër dymujor parlamentar për këtë çështje dhe afrimi që ka ndodhur drejt një konsensusi pozitë-opozitë për rastet e votimit me kuti dhe interpretimit që mund t’i bëhet rregullores së Kuvendit për emërimet dhe shkarkimet që janë në kompetencë të Kuvendit. Berisha, duke qenë kryeministër dhe kryetar i PD-së, do ta kishte të lehtë të arrinte një “konsensus”, në rast të një votimi të hapur, nga ndërthurja e elementëve bindës, - për shkak të nevojës për qeverisje (që do të thotë se përfytyrimi i të ardhmes politike të një mazhorance pa një Berishë “strong” mund të jetë anarkik sipas kësaj qasjeje)- dhe elementëve hipokritë për shkak të frikës prej “rrufeve” të kryeministrit. Në këtë rast, këta të dytët nuk do të pranonit të ekspozoheshin si kundërshtarë të tij në një betejë kaq vendimtare. I vërtetë mund të supozohet fakti se ndoshta, për herë të parë, kryeministri dhe kryetari i PD-së ka toleruar kaq gjatë një vartës që t’i prishë “muret e kalasë” së tij politike jo natën, por ditën me diell. Edhe pse në thelb po dukej sikur konflikti midis këtyre dy mjeshtrave politikë po përvijohej për shkaqe parimore, në fakt, brenda tij ka pasur thellësisht edhe shkaqe personale të shkaktuara nga mosplotësimi i ambicies të S. Ngjelës për të qenë pjesë e ekipit qeverisës. Tashmë dihet se emblema e fitores më 3 korrik ka pasur si heraldist KOP-in. Ka shumë njerëz afër politikës që arsyetojnë se nëse Ngjela do të ishte anëtar i ekipit qeverisës, ai sot do të ishte apologjeti më i fortë i ngërçeve, në të cilat është gjendur qeveria këto 6 muaj, ngërçe në të cilat kontributin më të madh, fshehur dhe hapur, e ka dhënë Ngjela duke u bërë, për hir të së vërtetës, një “gozhdë për sharrën” e veprimtarisë 6-mujore të qeverisë.
    Nga ana e tij, Ngjela ka pasur një performancë të shkëlqyer në realizimin e figurës së vet politike. Me një karrierë në periferi të qarqeve më të larta politike të vendit, duke filluar nga Byroja Politike e PPSH-së (Ngjela nuk është i saktë kur përsërit si një katekizëm se “kam 30 vjet opozicion”, pasi ai dhe familja e tij ishin pasojë e ëndrrave alucinante të diktatorit Hoxha me miqtë e vet, pasi u mbarua “mishi” i antikomunistëve në vitet 70, çka i ktheu shumë komunistë të goditur në disidentë, pra jo kundërshtarë të regjimit, por të subjekteve nominalë që drejtonin PPSH-në e asaj kohe), në “shkollën” e burgjeve, ku ai thuhet se ka mbajtur një qëndrim dinjitoz, profesionist në hapat e para drejt ideve politike për një shtet të demokracisë së tregut. Është fakt që s’e mohon dot askush që në thelb, Ngjela ka qenë koherent në pozicionin e vet liberal në raport p.sh me koherencën e një virtuozi tjetër të majtë bashkëvuajtës si F. ubonja. Këto parime që Ngjela i axhustoi dhe përsosi pranë antikomunistëve të burgosur, i galvanizoi me artin e të bërit politikë mbas viteve 90, kur ai do të hynte në Luna Parkun e politikës dhe pas kësaj trend-i i tij është zhvilluar në krah të figurave më të spikatura të PD-së. Edhe pse stili i Ngjelës në marrëdhënie me njerëzit është cinik dhe më i pakujdesshëm se ai i Berishës, përsëri nuk ka ndonjë shqiptar që të vërë në dyshim aftësitë hipnotizuese dhe pse jo, edhe qeverisëse, të Ngjelës, aftësi që ai i ka demonstruar edhe në vitin e mbrapshtë ’97. Por z. Berisha mund të mos ketë dashur ta përzgjedhë si anëtar të kabinetit të vet jo vetëm për konsumimin e tij, se sa për shkak se Ngjela mban mbi fanellën e vet blu një emër dhe jo një numër.
    Në bisedën me gazetarët e ftuar në emisionin “Shqip”, Ngjela u përpoq, nga ana e vet, të dërgonte disa mesazhe, pa bojë simpatike, dhe të ftonte disa grupime politike të nuancuara pranë PD-së për t’i rekrutuar si pjesë e lëvizjes së vet, më së pari për t’i përdorur si mburojë në përplasjen e parë. Lëvizja e tij është e segmentuar në kohë dhe në hapësirë. Ai e di se me moshën që ka nuk mund të presë si një vdekatar i rëndomtë. Ai e di se fati ka favorizuar gjithmonë guximtarët. Të gjithë e vumë re se pas veshjes në Parlament me vellon e mbrojtjes së interesave të pronarëve legjitimë, në emision Ngjela u përpoq të ndillte pas tij procesionin e ish-të burgosurve politikë, të cilëve, për hir të së vërtetës, u është topitur tehu i shpatës së ’92-shit. Gjithashtu, pozicioni antipunist i Ngjelës i shkon për shtat idesë së tij për t’u bërë nukli i të gjithë të pakënaqurve jokomunistë deri në vitet 90 dhe që nuk janë pak në gjirin e strukturave të PD-së. Këtyre kontigjenteve nga poshtë ai iu paraqit si një ylber që ndodhet fare pranë tyre. Si karrem për të ofruar pranë dy objektivave të vet elitën e PD-së, Ngjela bëri gati një ofertë të hapur për vazhdimin e bashkëpunimit të mëtejshëm me disa figura kryesore të kësaj partie brenda dhe jashtë qeverisë, për ta mbështetur paraprakisht kundër kërkesës së Berishës ndaj tij. Në përpunimin e opinionit publik shpeshherë, krahas argumenteve të diskutueshme për mënyrën se si po drejton qeveria, Ngjela, ndoshta pa të drejtë dhe në mënyrë të rrezikshme, ka shfrytëzuar origjinën fetare të drejtuesve të ndryshëm të PD-së, duke u përpjekur pa të drejtë të marrë timonin e një perëndimori. Fakti se jo i gjithë lidershipi i PD-së nuk këndon kolindet me Ngjelën në Kishën Ortodokse nuk tregon se ata nuk janë euroatlantistë. Ai nuk duhet të harrojë se Shqipërinë e shkëputën nga Turqia dhe formuan si shtet të gjithë shqiptarët e bashkuar. Akti i parë i madh i perëndimorizimit të shqiptarëve ka qenë krijimi i alfabetit latin më 1908-ën në Manastir nga M. Frashëri dhe Gj. Fishta. Duke vazhduar mund të themi se ndoshta ka pasur një kontradiktë, (deri diku edhe për shkak të politikave polarizuese dhe boshllëqeve sociale prej qeverive të majta më ’97-’05-ën), midis shpalljeve të liberalëve të rinj (sot këshilltarë, shumica e të cilëve këshillohen nga kryeministri) dhe KOP-it para fushatës elektorale për një shtet neoliberal (sot tipik walfare state madje në ndonjë rast më majtas se principet e Kejnsit), pra konservator, dhe mjaft ligjeve që shkojnë kundër kësaj fryme, të cilat deformojnë sidomos tregun e lirë, ngërçe, të cilat i ka kapur me të drejtë z. Ngjela. Gjithsesi, një dobësim i të ardhurave të përgjithshme dhe si rezultat edhe i shpenzimeve është shkaktuar nga lufta kundër ekonomisë së zezë dhe asaj gri sesa nga deformimi i tregut (dihet se ulja e informalitetit prej 47%, ulja e remitancave dhe mosrritja e investimeve formale ka shkaktuar dobësimin e fuqisë së tregut, ç’ka e ka vënë re Ngjela). Në këtë drejtim, liberalizimi dhe ngritja e të ardhurës për frymë që kërkon Ngjela, me çdo çmim, mund të rrezikonte në drejtim të kundërt me ligjet tradicionale të kapitalizmit dhe do të rrezikonte të sillte superklasën ekonomike blu në drejtim të PD, ashtu siç ndodhi me PS, dhe fenomenin e kapjes së shtetit, pra e kundërta e demokracisë që kërkon Ngjela. Për sa i përket hartimit të ligjeve prej qeverisë, natyrisht që ato nuk mund të vijnë si iniciativa në kundërshtim me Kushtetutën dhe qeveria do të kishte nevojë për një ekspertizë ligjore më profesioniste. Në këtë drejtim, Ngjela është përpjekur, siç thotë ai, ta mbajë Shqipërinë në shinat e një republike parlamentare dhe të mos lejojë krijimin e një republike qeveritare.
    Për ta mbyllur, ndoshta kronika “Ngjela”, mund të mos bëhet “kronika e një vrasjeje të paralajmëruar” politike. PD-ja nuk do të fitojë nga ky debat edhe nëse do të respektojë rregullat minimale të lojës, debat që, siç e thamë, po luhet nën parimin loss-loss dhe që mund të fitohet për momentin nga Berisha. Në të ardhmen kjo betejë që s’ka gjasa të përfundojë, madje mund të shndërrohet ne një betejë pa fitues, për shkak të mazhorancës së brishtë. Fitues i vërtetë do të jetë opozita. Megjithatë, të gjithë jemi të një mendjeje se të dy janë profesionistë të vërtetë në raport me publikun. Politika po bëhet zanat.

    *Ish- deputet 2001-2005

    10/04/2006
    KATEGORIA: Analiza.Shekulli
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  5. #125
    Fierak 100% Maska e Ujku'80
    Anëtarësuar
    04-11-2002
    Vendndodhja
    Itali
    Postime
    584

    Ngjela nuk ka borxhe

    Inspektorati i Deklarimit dhe Kontrollit të pasurive rrëzon deklaratën e Berishës se avokati ka probleme financiare

    Laskaj: Ngjela nuk ka borxhe

    “Subjekti Spartak Ngjela nuk ka diferenca në burimet e pasurive si dhe deklarata e tij e pasurisë është e vërtetë”

    Ened Janina

    TIRANË- Spartak Ngjela, ish-kryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, nuk i ka borxhe personave të tretë. I vetmi “borxh” që ka avokat Ngjela është një kredi prej pesë milionë lekësh te Banka Italo- Shqiptare, të cilën e ka marrë për të blerë shtëpi. Ky fakt është pohuar nga ana e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Inspektorët e ILDKP-së kanë verifikuar deklarimin e pasurisë së bërë nga subjekti Spartak Ngjela dhe në fund të këtij procesi kanë deklaruar se deklarimi i tij është i saktë dhe se nuk është gjetur asnjë tepricë e pajustifikuar parash. Ky kontroll është ushtruar më datë 10 shkurt të këtij viti dhe i ka kaluar për miratim edhe kryeinspektores Fatmira Laska. “Në përfundim të raportit arritëm në konkluzionin që subjekti Spartak Ngjela nuk ka diferenca në burimet e pasurive si dhe deklarata e tij e pasurisë është e vërtetë”, - thuhet në raportin e përpiluar nga ana e ILDKP-së.
    Pasuritë
    Në formularin e deklarimit të pasurisë, të përpiluar nga ish- kryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, avokat Ngjela disponon një apartament banimi me vlerën dhjetë milionë lekë, të cilin e ka blerë 50% me një kredi prej pesë milionësh që ka marrë në Bankën Italo- Shqiptare, ndërsa pjesën tjetër me të ardhurat e aktivitetit të tij si avokat. Përveç shtëpisë, Ngjela disponon edhe një studio legale avokatie, konsulence dhe finance, me të ardhura vjetore prej 5,5 milionë lekësh. Në formularin e plotësuar prej tij në vitin 2003 është shënuar se kjo studio legale është blerë për një vlerë prej 12 milionë lekësh. Ndërkohë, avokati ka deklaruar në formularin e tij edhe pronësinë e një autoveture me vlerë 1,6 milionë lekësh. Kjo veturë me targa “TR 10-88 J”, është blerë nga të ardhurat e tij personale gjatë punës si deputet dhe nga studioja legale. Pas plotësimit të këtij formulari, Spartak Ngjela është takuar me inspektorët e ILDKP-së. “Nga kontakti me subjektin Spartak Ngjela rezultoi se mjeti me targë TR 42-95 D është sekuestruar nga autoritet greke për mungesë dokumentacioni para datës 31 dhjetor 2003”, - thuhet në raportin e bërë nga ana e inspektorëve të ILDKP-së.
    Verifikimi
    Të gjitha të dhënat e deklaruara nga ish- kryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Spartak Ngjela, janë verifikuar me imtësi nga ana e Inspektoratit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive. Kështu, inspektorët kanë kryer një kontroll aritmetik dhe logjik në lidhje me këtë deklarim pasurie. Pas kësaj ka filluar procedura e verifikimit dhe saktësimit të të dhënave të deklaruara në formularët e deklaratës së pasurisë së deputetit Spartak Ngjela dhe të familjarëve të tij. “Nga korrespondenca me ZQRRPP-në, DPSHTRR-në, AKP-në. Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, Bankën e Shqipërisë dhe të gjitha bankat e nivelit të dytë rezultoi se subjekti Spartak Ngjela nuk disponon pasuri të tjera përveç atyre të deklaruara në deklaratën e pasurisë deri në datën 10 shkurt të këtij viti”, thuhet në raportin përfundimtar të ILDKPS-së. Ndërkohë, në këtë raport përmendet fakti se nuk është ushtruar kontroll vetëm në Bankën Credins. Më pas ky raport i është dorëzuar për miratim vetë inspektores së Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive, Fatmira Laska. Konkluzioni përfundimtar i këtij raporti është se subjekti Spartak Ngjela nuk ka diferenca në burimet e pasurive si dhe deklarata e tij e pasurisë është e vërtetë.

    Pasuria e Spartak Ngjelës:

    Formulari A 1
    Apartament banimi me vlerë 10 milionë lekë, i blerë me kredi me vlerë 5 milionë lekë në Bankën Italo- Shqiptare dhe pjesa tjetër e të ardhurave nga aktiviteti i tij si avokat.

    Formulari A 2
    Autoveturë me vlerë 1,6 milionë lekë nga të ardhurat personale.

    Formulari A 4
    Studio legale avokatie, konsulence dhe finance. me të ardhura vjetore 5.5 milionë lekë.

    Formulari A 6
    Të ardhurat nga paga 1 387 000 lekë

    Formulari 8
    Kredi për blerje banese me vlerë 5 milionë lekë në Bankën Italo- Shqiptare




    12/04/2006
    Liberté, égalité, fraternité

  6. #126
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,039
    Postimet në Bllog
    22
    Kryeministri, i pyetur dje dje në “Opinion” për borxhet që ka deklaruar për Ngjelën, u përgjigj se nuk mbante llogaritë e familjes së tij

    Berisha: Ngjela jashtë grupit të PD

    “Spartak Ngjela është i ngrirë dhe ngrirjet nuk “shkrihet” kollaj. Bëri vetëvrasje politike”

    N. Përndoj

    TIRANË - Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar dje se avokat Spartak Ngjela nuk është në grupin parlamentar të PD-s, pasi është ngrirë në të gjitha funksionet partiake. Pozicioni do të mbetet i “ngrirë” për shumë kohë. Në mënyrë figurative, Berisha citoi dje ne emisionin “Opinion” në TV Klan të gazetarit Blendi Fevziu se Ngjela është i ngrirë dhe ngrirjet nuk “shkrihet” kollaj. Berisha është pyetur gjatë dje lidhur me këtë çështje, duke filluar që nga fakti nëse Avokati duhet të merrte një ndëshkim të tillë. “Ndonëse kishte një funksion të marrëdhënieve publike që nuk përputheshin me deklaratat e tij, ai duhej të largohej nga ai pozicion. Ajo ç’ka nuk mund të pranoj është bllokimi i komisionit të ligjeve duke përdorur pushtetin e dhënë nga PD si kryetar dhe ka qenë ky shkaku për të cilin unë i kërkova dorëheqje. Në rast se integriteti i tij do të ishte qoftë edhe minimal, dinjiteti i tij kërkonte që të jepte dorëheqjen dhe të mbronte parimet për të cilat u qëndron. Mirëpo i mungoi, midis dinjitetit, njërëzores, politikës, liberales, ai zgjodhi çimkën”,- tha Berisha edhe pse nuk citoi saktësisht nëse kishte prova për këtë gjë. Berisha tha në përgjigje te pyetjeve se në mënyrë të përsëritur gjatë kontakteve me të, ia kishte bërë të qartë një gjë të tillë. “Në mënyrë të përsëritur dhe ia kam bërë të qartë. Politikani përpunon platformën e tij dhe e paraqet ose largohet nga ajo platformë. Por mes këtyre ai zgjodhi në të shëmtuarën, më primitiven, më të padenjën. Ai bëri një akt që unë asnjë njeriu nuk do t’ia induktoja”, tha Berisha. Kreu i ekzekutivit shtoi se ai ndëshkoi veten me një xhest te tillë. “Unë nuk mund të hyj në shpirtin e tij. Se çfarë e shtyu atë të vendosë çimkën nën pallton e tij, kur në një bisedë ku ai mund të më kërkonte procesverbalin e mbledhjes..... Unë do ta bëja këtë ... Ai i zgjodhi vetë të gjitha problemet”, tha Berisha

    Përfshirja nê qeveri.
    Kryeministri Berisha u pyet dje edhe për kritikat që herë pas here ia janë adresuar atij lidhur me mospërfshirjen e Ngjelës në qeveri. “Ai në qeveri nuk u përfshi dhe iu afrua një post parlamentar. Unë jam i detyruar në kompozimin e qeverisë të përllogaris shumë faktorë. Ngjela nuk përshtatej me ato kritere që unë kisha përcaktuar. Unë s’dua të bëj profetin. Por u provua qëndrimi im sepse votoi kundër moratoriumit të skafeve. Qëndrimi ndaj moratoriumit të skafeve ishte fondamental. Ai faktoi se unë ndahem nga një gjë shume madhore me të”, - tha Berisha, i cili u pyet jo pak lidhur me deklaratën e tij të para pak ditëve në mbledhjen e grupit parlamentar se nuk kishte pranuar ta emëronte Ngjelën, për shkak të borxheve financiare të ketij te fundit. “Nuk merrem me llogaritë e asnjërit. Ai nuk mund të ishte ministër për një seri faktorësh dhe rrethanash që nuk ia vlen të ndalesh....... Unë nuk mbaj librin e llogarive të shtëpisë sime e jo më të Ngjelës”, - tha ai. Berisha u pyet gjithashtu edhe për faktin nëse largimi i Ngjelës është një rikthim i metodave të vjetra të largimeve ne PD. “Ka të bëjë vetëm me një gjë. Vendimi im para shqiptarëve se nuk do të bëjë kompromis me krimin kaq është e tëra”, tha Berisha, i cili u pyet sërish se çfarë lidhje kishte Ngjela me krimin dhe korrupsionin. “Në këtë përpjekje të madhe, shoqëria shqiptare nuk e ka kaq të shkurtër rrugën e çlirimit përfundimtar nga kthetrat e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por siç kam përsëitur në qëndrimet e mia vazhdoj të qëndroj i palëkundur në këtë përpjekje”,- u përgjigj Berisha.

    Sharkimi
    Kryeministri Sali Berisha u pyet gjithashtu nëse e përligjte shkarkimin e Ngjelës me regjistrimin e bisedës dhe se a kishte fakte për këtë të fundit. “Politika ka 2 natyra, me moral dhe amorale. Unë u përkas atyre që konsiderojnë ndershmërinë si politikën më të mirë. Të tjerët ndjekin të kundërtën e saj. Meqënëse e ke dëgjuar me vëmendje bisedën po të konstatosh unë i kërkova dorëheqjen. Unë nuk dija se ai kishte çimkën. Nuk më shkonte ndër mend. Pasi refuzoi dorëheqjen, referuar në nenin 81 të statutit, i komunikova të drejtën e kryetarit për masën e pezullimit nga sekretar i marrëdhënieve publike dhe vendimi për ta shkarkuar nga kryetar i komisionit të ligjeve. Ngrirja i erdhi nga çimka. Unë hetim nuk bëj. Është një amoralitet i madh të regjistrosh tjetrin pa i thënë. Nga liberal të shndërrohesh në njeri të padukshëm nuk është një zgjidhje e përshtatshme”,- u përgjigj Berisha. Ndërsa lidhur me pyetjen nëse Ngjela do të mund të kthehej dikur ne strukturat e PD-së, Berisha saktësoi se nuk ishte ai që do të përcaktonte kthimin apo moskthimin e Ngjelës. “Mendoj se vrasja është morale, se si do të dalë Ngjela nga ai sipral që futi veten nuk e di. Ai ka bërë një vetvrasje morale, të pashembullt në 15 vjet”,- tha ai.

  7. #127
    Pak retrospektive per Spartak Ngjelen, qe deri me sot ka nderruar disa parti, duke nisur nga partia kristiano-islamike me Edi Ramen ne vitin 1991.

    Nje çimke e gjetu "gabimisht" ne xhepin e tij e largoi ate nga PD dhe me pas dhe nga parlamenti, per te mberritur ne nje zjarrdhenes te demonstrates antiligjore te 21 janarit 2011.

  8. #128
    Ishte i mire atere, po tani eshte i poshter.

    Jane te gjithe lekista. Partia s'a shume rendesi. Kalojne nga komunist, ne socialist, ne demokrat pa problem fare.

  9. #129
    … ßriläntě … ΅ Ø λŁŁї Ϊм Maska e [Perla]
    Anëtarësuar
    07-09-2006
    Vendndodhja
    Aconteceu !!! Estava escrito assim...
    Postime
    6,577
    Citim Postuar më parë nga Qyfyre Lexo Postimin
    Ishte i mire atere, po tani eshte i poshter.

    Jane te gjithe lekista. Partia s'a shume rendesi. Kalojne nga komunist, ne socialist, ne demokrat pa problem fare.
    Ne fund te fundit te gjithe komuniste kane qene, keto te tjerat jane trajta te shformuara
    Un amigo verdadero es algien que cree en ti aunque tu hayas dejado de creer en ti mismo.

Faqja 13 prej 13 FillimFillim ... 3111213

Tema të Ngjashme

  1. Hipertensioni: tensioni i larte i gjakut
    Nga Mimi_1 në forumin Mjeku për ju
    Përgjigje: 28
    Postimi i Fundit: 01-04-2013, 21:23
  2. Analiza dhe komente për zgjedhjet lokale, 18 shkurt 2007
    Nga Dr Rieux në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 230
    Postimi i Fundit: 11-04-2007, 16:14
  3. Ofertat me te reja per pune
    Nga ganoid në forumin Ekonomi & biznes
    Përgjigje: 27
    Postimi i Fundit: 21-01-2005, 13:30
  4. UNMIK-u dhe KFOR-i kanë pezulluar aktivitetet e TMK-së jashtë vendit
    Nga mani në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 14
    Postimi i Fundit: 11-05-2003, 17:04

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •