Analizë
Referendumi në Mal të Zi
Pavarësia e rreme
Si u aneksua Mali i Zi nga Serbia? Cili shqiptar ka votuar për këtë aneksim? Si u asimiluan malazezët? A kanë identitet ata? Pse nuk është serioz projekti i Gjukanoviqit për pavarësinë e Malit të Zi? A është bërë kushtëzimi i statusit të këtij vendi për shkak të Kosovës? Pse Mali i Zi nuk do të pavarësohet? Cilat do të jenë pasojat e kësaj për Kosovës?
Enver HASANI, profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare
Në librin e tij “Peacemaking 1919” (1933), Harold Nicolson - diplomat britanik i lindur në Teheran - ka përshkruar në detaje Konferencën e Versajës (1920) dhe sjelljet e mbretit Nikola të Malit të Zi, i cili po kalonte kohën vërdallë nëpër rrugët e Parisit duke pritur më kot rikthimin e mbretërisë së tij të humbur nga serbët. Mbreti Nikola, “vjehërri i Evropës” - siç e kanë quajtur disa diplomatë - nuk mund të besonte se mbretëria e tij, më e vjetër se Serbia, po gëlltitej nga serbët e kryeministrit Nikola Pashiq, të cilët kishin orkestruar një kuvend, gjoja për bashkëngjitjen vullnetare të këtij vendi me Serbinë dhe - pas kësaj - me Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene (të krijuar pas Luftës së Parë Botërore).
Ironia e politikës
Askund më mirë se në librin e akademikut malazez Mijat Shukoviç (“Podgoriçka Skupstina”) - botuar në Podgoricë më 1999 - nuk është shpjeguar kjo ngjarje. Ngjashëm - siç bënë pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë më 1991-1992 - serbët organizuan më 1918 një “Këshill” për të thirrur popullin malazez për t’u bashkuar me Serbinë. Njësoj dhe në mënyrë simultane kishin vepruar me Vojvodinën - gjë që pak dihet ndër ne - dhe pjesët tjera të Austro-Hungarisë (në Kroaci e Slloveni). Ky këshill serbo-malazez, me përkrahjen e ushtrisë serbe - që gjendej e ankoruar në tërë territorin e Malit të Zi, si një aleate e Fuqive të Mëdha të kohës - u ngarkua me thirrjen e një kuvendi, i cili në mënyrë “vullnetare” do të mundësonte “votimin” për bashkim me Serbinë. Në mesin e atyre që votuan ishte edhe një shqiptar: Mehmed Agë Batusha, si përfaqësues i pjesës së sotme të Dukagjinit - deri në lumin Drin (ish-“Metohija”) - e cila pas luftërave ballkanike i takonte Mbretërisë së Malit të Zi.
Në historiografinë e ish-Jugosllavisë aneksimi i Malit të Zi paraqitej si një akt i vullnetit të mirë, si një gjest i solidaritetit malazez me vëllezërit e tyre serbë - si bashkim i “dy syve të kokës së njëjtë”. Këtë sintagmë patëm rastin ta dëgjojmë për herë të parë më 1990-1991 nga kryetari i sotëm i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.
Çfarë ironie sjell politika - po ai Gjukanoviç i cili sot angazhohet, së paku formalisht, për pavarësimin e këtij vendi!?
Pas integrimit të Malit të Zi në Mbretërinë Serbe, e pastaj në Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene, fuqia e serbëve qe koncentruar në asimilimin e malazezëve, detyrë që nuk doli e vështirë - krahasuar me përpjekjet e tyre në botën shqiptare. Fillimisht rrënuan autoqefalinë e Kishës së Malit të Zi, ndërruan tërë historinë e pas vitit 1878, Njegoshin e shpallën serbin më të madh, gjuhën e tyre si një dialekt të vrazhdë të gjuhës serbe (ngjashëm, siç pati sugjeruar pa asnjë hezitim Vuk Karaxhiqi në mesin e shekullit 19-të). Ky identifikim - i Malit të Zi me Serbinë - shkoi aq larg sa që intelektualët e politikanët e shquar malazezë e patën të vështirë të gjejnë dallimet reale mes serbëve e malazezëve, të kulturave e të historive të tyre. Tim Judah - historian e gazetar i njohur - në veprën e tij “The Serbs” (1997), citon disidentin e njohur malazez Milovan Gjilas (bashkëpunëtor i ngushtë i diktatorit komunist Tito), t’i ketë thënë Titos se malazezëve nuk u duhej republika, meqë - gjithnjë sipas Milovan Gjilasit - ata ishin të njëjtë me serbët - “dy sytë e kokës së njëjtë”. Diktatori Tito thuhet t’i ketë thënë Gjilasit se nëse malazezëve nuk po iu dashka republika e re, atëherë një gjë e tillë i duhej atij, për nevojat e manipulimit të brendshëm, me qëllim të mbajtjes së pushtetit. Se Tito kishte qenë i tillë, një mjeshtër për manipulim të pushtetit, Milovan Gjilas e pohon në librin e tij, “Tito: The Story From Inside” (1968).
Shpërbërja e ish-Jugosllavisë
Shpërbërja e ish-Jugosllavisë, më 1991-1992, doli si pasojë e rrënimit të të gjithë parametrave gjeostrategjikë, që kishin bërë të mundur jetën e atij shteti - gati për një shekull. Manipulimet e brendshme të pushtetit qenë bërë të pamundshme, kështu që ardhja e Milosheviqit në pushtet, më 1986, e gjeti njeriun e përshtatshëm për t’i dhënë verdiktin e fundit atij shteti, krijesës së fundit të sllavëve të jugut (me përjashtim të bullgarëve). Pakkush ka pritur që malazezët e Gjukanoviqit do të optonin për pavarësi e sovranitet të plotë. Në fakt, ka qenë Momir Bulatoviq, president i Malit të Zi në atë kohë dhe kundërshtar i mëvonshëm i Milo Gjukanoviqit, ai që në Hagë do të deklarojë se Mali i Zi duhej të pavarësohej sikur ish-republikat tjera jugosllave. Por, ky deklarimi i tij u bë vetëm njëherë (shtator 1991). Çdo gjë kaloi në harresë.
Kur malazezët filluan, si një popull i vogël, të ndienin tërë barrën dhe pasojat politike që po i bartnin - duke mbrojtur një popull të madh, serbët - përkatësisht kur po vërenin se ishin futur në vorbullën e realizimit të projektit imperial serb, Milo Gjukanoviq dhe një elitë - atëherë e papërfillshme malazeze - ngritën zërin kundër kursit aktual të Podgoricës zyrtare të udhëhequr nga Momir Bulatoviq dhe shokët e tij.
Kjo, megjithatë, ishte tepër vonë. Mali i Zi ngadalë po futej - me dëshirë ose jo - në vallen që dirigjohej nga diktatori serb Milosheviq. Shikuar në retrospektivë, ndarja e “njërit sy nga koka”, në atë kohë, do të kishte përfunduar në një konflikt të brendshëm me serbët, ku malazezët pa asnjë dyshim se do të kishin dalë humbës.
Pikërisht për këtë, Milo Gjukanoviq, politikani më i suksesshëm i ish-Jugosllavisë, zgjodhi rrugën e frustrimit gradual dhe të gjatë të serbëve dhe të vet Milosheviqit; rrugën e hapave të vegjël dhe të ngadalshëm, aq sa - deri më 1997, dy vjet pas Marrëveshjes së Dejtonit - nuk do të vërehet nëse ishte ose jo kundërshtar i Milosheviqit dhe klikës së tij në Beograd.
Arritja e Marrëveshjes së Dejtonit, më 1995, krijoi kushtet optimale për Gjukanoviqin për t’iu kundërvënë Milosheviqit dhe për të ndjekur një rrugë më të distancuar nga Serbia.
Politika e tillë e Gjukanoviqit demanton dukshëm dhe hapur të gjithë ata që ndër ne e paraqesin Malin e Zi si një shoqëri tribale, e organizuar sipas sistemit fisnor. Këtë logjikë dhe pasqyrë për malazezët e kanë krijuar serbët që nga dita kur aneksuan shtetin e Mbretit Nikola, duke i paraqitur shtetasit e tij si një popull jopunëtorë, tribal me mentalitet dhe të paaftë për të jetuar pa ndihmën nga jashtë. Puna e parë që patën bërë serbët më 1918 ka qenë rrënimi i elitës politike, ushtarake e kulturore të Malit të Zi, duke ua ndaluar hyrjen në atdhe të gjithë atyre që kundërshtonin aneksimin e dhunshëm të Malit të Zi më 1918.
Gjukanoviq nuk është i besueshëm
Projekti i pavarësisë, i identifikuar me Milo Gjukanoviqin, megjithatë, nuk është serioz dhe i besueshëm për disa arsye. E para, vetë ideja e projektit nuk është e tij. Si i tillë, projekti ka lindur si një reagim i Gjukanoviqit ndaj politikës së Milosheviqit, pas arritjes së Marrëveshjes së Dejtonit, me qëllim të vetëm luftimin e kundërshtarëve të tij politikë - si ata që ishin pro pavarësisë, që nga fillimi (një pakicë kryesisht e tubuar rreth liberalëve), ashtu dhe atyre që ishin kundër saj - dhe për integrim e identifikim të plotë me Serbinë (Momir Bulatoviq dhe rrymat tjera proserbe).
Shumë vonë, tepër vonë, Gjukanoviq ka kuptuar se restaurimi i pavarësisë dhe sovranitetit të Malit të Zi nuk duhet të jetë një projekt politik momental dhe reagim spontan ndaj Serbisë. Kjo shihet nga diskursi i tij politik, i cili pavarësinë dhe sovranitetin e Malit të Zi e përdor vetëm pas arritjes së Marrëveshjes së Dejtonit.
Arsyeja e dytë është fare pragmatike. Asnjë mysliman normal, që jeton në Sanxhak, nuk do të votojë për ndarjen e korpusit nacional mysliman në dysh (edhe më shumë se që është ndarë pas vitit 1991-1992). Përveç myslimanëve, një numër shumë i madh i malazezëve jeton në Serbi dhe kanë të drejtën e votës. Ai numër mund të jetë tejet i madh, i mjaftueshëm për të penguar arritjen e përqindjes 55 pro pavarësisë dhe sovranitetit të këtij vendi. Votimet e kaluara tregojnë se Milo Gjukanoviq dhe partia e tij kanë fituar me një dallim fare të vogël, kurse vetë vota për të, në të njëjtën kohë, nuk do të thotë se ka qenë votë për pavarësinë e sovranitetin e Malit të Zi.
Shansin për pavarësi të plotë dhe sovranitet Gjukanoviq e ka humbur më 2002, përfundimisht, kur ka pranuar Marrëveshjen për Union Shtetëror Serbi-Mali i Zi (MUSH), ose “Solania”, siç quhet kjo zakonisht. Arritja e kësaj marrëveshjeje, pa kuptuar fare dhe pavërejtshëm, ka radikalizuar faktorin serb atje, ka krijuar hapësirë të mjaftueshme për të çimentuar bindjen në Mal të Zi, sipas së cilës Serbia është aleat natyror dhe shpëtimtar i malazezëve dhe se pa të ky vend nuk mund të ekzistojë. Pavarësia nga Serbia dhe manovrimi të cilin Mali i Zi e ka treguar - e dëshmuar gjatë kohë së sanksioneve dhe deri në luftën e Kosovës (1992-1999) - i takon së kaluarës dhe njerëzit më shumë janë të prirur të besojnë se ka qenë rezultat i veprimeve mafioze dhe të paligjshme të Qeverisë së Gjukanoviqit, sesa ndonjë meritë e tij si lider politik e nacional.
Dilemat pas 21 majit
Këtë të diele malazezët votojnë pro ose kundër pavarësisë së këtij vendi. Polarizimet e shoqërisë malazeze janë të mëdha. Këtë e thonë të gjitha analizat e kryera në terren. Ky polarizim - dhe “ndihma serbe” ngjashëm si më 1918 - e bëjnë të pamundur dhe joreale fitoren e opsionit për pavarësi të Malit të Zi. Kur kësaj i shtohen edhe zërat që flasin për bisedime sekrete e negociata të Gjukanoviqit me Koshtunicën në Romë të Italisë, për modalitetet e jetës së përbashkët pas 21 majit 2006, atëherë del e qartë se Gjukanoviq ka filluar të kthehet në origjinë, në Beograd - aty ku nisi karrierën e tij politike.
Tani që ka arritur të dobësojë dukshëm kundërshtarët e tij, Gjukanoviq e ka fare të lehtë mbijetimin politik edhe sikur të dështojë referendumi për pavarësi (sado që ai vetë ka thënë se do të tërhiqej nga politika në rast të tillë). Humbja e referendumit për pavarësi, përkundrazi, hap shtigje të reja për rifreskimin e karrierës së tij politike. Pas të dielës, Gjukanoviq do të jetë lideri i cili do ta lusë popullin e vet për qetësi, për ruajtje të gjakftohtësisë dhe do të kërkojë ridefinimin rrënjësor të unionit aktual shtetëror me Serbinë - diçka që pajtohet edhe vetë Solana, sepse kështu si është, ka telashe në funksionim - me një premtim të sërishëm për bashkëkombësit e vet se ripërsëritja e referendumit është e drejtë e patjetërsueshme e banorëve të këtij vendi. E, kjo ripërsëritje mund të bëhet vetëm me Gjukanoviqin në krye të politikës.
Lideri malazez do të kërkojë qetësi dhe gjakftohtësi nga malazezët, edhe në rast të fitores së referendumit për pavarësi. Këtë ai do ta bëjë në emër të ruajtjes së qetësisë në shtëpi, duke shtuar argumentin e qetësisë në rajon dhe më gjerë, dhe duke kërkuar sërish ridefinimin e statusit të këtij vendi karshi Serbisë. Edhe për këtë pajtohet Solana. Por - në të dy rastet - fjala nuk është për pavarësimin dhe bërjen shtet sovran dhe të pavarur të këtij vendi, por për ridefinim të raporteve aktuale shtetërore Mali i Zi - Serbi. Si i tillë, ky proces, në asnjë variant, nuk mund të prodhojë ambasada e konsullate të këtij vendi, ushtri të Malit të Zi dhe, mbi të gjitha, subjektivitet të plotë dhe sovran malazez.
E tërë kjo, sigurisht, ka pasoja të rënda për Kosovën dhe statusin e saj final. Kur ua kam thënë këtë liderëve tanë, më 2002 - ditën e lidhjes së MUSH-it - ata ma kthenin: “Ajo është punë e dy shteteve tjera, që nuk i intereson Kosovës”.
Si atëherë, ashtu dhe sot, kam qenë dhe jam i bindur se kushtëzimi i statusit të Malit të Zi, sipas kushteve dhe procedurave të MUSH-it, është bërë për shkak të Kosovës e jo për të penguar pavarësimin e Malit të Zi. Pavarësia dhe sovraniteti i këtij vendi asnjëherë nuk ka qenë projekt serioz, popullor dhe që ka pasur përkrahjen substanciale malazeze, së paku jo në kohën sa ka qenë në pushtet Milo Gjkukanoviq, politikani më i suksesshëm i ish-Jugosllavisë. Sukses në politikë nuk do të thotë vetëm realizim i pavarësisë dhe sovranitetit, sepse ai projekt mund të mos jetë kurrë serioz në sytë e qytetarëve të vendit të caktuar. Besoj se ky ka qenë rasti me Malin e Zi dhe këtë Gjukanoviq duket ta ketë lexuar me kohë dhe saktësisht - që nga fillimi i karrierës së tij politike.
Krijoni Kontakt