Per brarin
A kemi pasur vërtet ushtarakë?
MERO BAZE
Një shoqatë ushtarakësh të liruar, po mban nën presion për disa muaj qeverinë Berisha, lidhur me disa përfitime financiare që ata duhet të marrin për shkak të profesionit të tyre si ish ushtarakë. Për hir të së vërtetës, PD-në, qysh kur është krijuar, e ka ndjekur beteja publike me ish-ushtarakët. Kur kishte dy muaj që ishte krijuar, u ndesh me ta tek Shkolla e Bashkuar në një përpjekje për grusht shteti prej tyre, pas rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës. Pas vitit 1992, kur u deshën të nisnin reformat në ushtri, u ndesh me armatën e atyre mijëra oficerëve, që duhet të shkonin në lirim, për shkak të kushteve të vendosura për ristrukturimin e ushtrisë. Në vitet 1995-1996, shumica e këtyre ish-ushtarakëve, u gjendën të punësuar në firmat piramidale dhe PD-së iu desh të ndeshej realisht me ta në vitin 1997, si udhëheqës të protestave të armatosura. Realisht ata e fituan këtë betejë, duke shënuar kështu dhe betejën e vetme që kanë bërë si ushtarakë gjithë jetën në Shqipëri, betejën për të rrëzuar me dhunë institucionet dhe për të shkatërruar ushtrinë shqiptare. Pas vitit 1997, shumica e këtyre ushtarakëve u risistemuan në punë në çfarëdo pozicioni, sipas kontributit që kishin dhënë në trazira, që nga mësues e deri tek komandantë. Tani që reformat drejt NATO-s u intensifikuan, shumica e tyre janë sërish të papunë, disa për shkak të aftësive të kufizuara, disa për shkak të moshës. Por indoktrinimi i tyre ideologjik i bën ata sërish njerëz aktivë. Kanë disa muaj që turmat e tyre na zënë rrugët nëpër Tiranë, na zënë ekranet dhe faqet e gazetave dhe na flasin për disa merita që shqiptarët as i kanë njohur, as kanë dëgjuar ndonjëherë. Flasin se janë pjesa më dinjitoze e shoqërisë shqiptare. Në të vërtetë, kjo është një gënjeshtër e madhe. Ata janë pjesa e shoqërisë shqiptare që ka qenë më e privilegjuara në diktaturë. Kanë qenë njerëzit që kanë pasur të garantuar punën, rrogën e lartë, shtëpinë, arsimimin e familjes dhe punësimin e familjes. Asnjë kategori tjetër e shoqërisë komuniste shqiptare nuk e ka pasur këtë privilegj. Për 50 vite komunizëm nuk iu ra fati të bënin asnjë betejë dhe të provonin dinjitetin e tyre. Beteja e tyre e vetme ishte ajo e vitit 1997, kur shumë prej tyre, nga jashtë gardheve të reparteve dhe, të tjerë, nga brenda reparteve, shkatërruan atë mbetje të ushtrisë shqiptare, duke i hequr çdo të drejtë asaj të quhet ushtri dhe, për më tepër, me dinjitet.
Thonë se meritojnë të paguhen, se kanë kontribuar për atdheun. Kjo, po ashtu, është një gënjeshtër e madhe. Nëse ka kategori shoqërore që jo vetëm nuk ka kontribuar, por e ka rrjepur ekonominë e vendit tonë, është ushtria. Marrëzia e saj e fundit e komunizmit ishte harxhimi i milionave për bunkerët. Ata vetëm sa e kanë varfëruar ekonominë e vobektë shqiptare dhe, të mësuar me privilegje të pafundme, nuk e kuptojnë dot se mund të jetojnë njësoj si qytetarët e tjerë në liri.
Ka dhjetëra kategori sociale të persektuara realisht dhe të shfrytëzuara nga komunizmi. Janë të persektuarit realë në burgjet komuniste që kanë punuar gjithë jetën pa marrë asnjë pare dhe ende nuk u kanë kthyer mundin e tyre. Janë pastaj njerëzit e lirë të Shqipërisë të asaj kohe, që i kanë dhënë Shqipërisë shumë herë më tepër se kanë marrë. Janë minatorët që kanë punuar nën tokë dhe po vdesin nga sëmundjet profesionale, që nuk kanë asnjë status. Janë metalurgët e Elbasanit, që po shuhen një nga një më shpejt se furrnaltat që ngritën. Janë zona të tëra malore që janë shkretuar nga ndryshimi i destinacionit të shoqërisë së tregut në Shqipëri. Është një Shqipëri e tërë që ka nevojë të kompensohet për atë që ka hequr nga regjimi komunist, elitë dhe siguri e të cilit ishin këta ushtarakë. Tashmë në rrugë janë vetëm këta, në emër të interesave të tyre sociale. Kjo është një ironi e madhe. Ata nuk i zbut shteti social i Sali Berishës, por shteti socialist i Enver Hoxhës. Ata nuk duan para, nuk duan pensione. Ata duan parajsën që humbën me ikjen e regjimit. Ata mund të tolerojnë vetëm një regjim të përafërt me të, si ky që iku, një regjim që i bën të ndihen në pushtet.
Litari jashtë që kanë lënë duke ikur socialistët, me pensionet e tyre, është në të vërtetë një motiv për të imituar lavdinë, që ata i njohin vetes si luftëtarë kundër qeverive të PD-së. Pas atyre do të kemi shoqatën e ish oficerëve të Sigurimit, të cilët ndoshta do të kërkojnë pension të përjetshëm për shkak të profesionit. Dhe, po t’i krahasosh me këta të ushtrisë, ata realisht kanë pasur më shumë punë dhe tension në profesionin e tyre. Të gjithë këta na flasin në emër të ushtarakëve që nuk i kemi pasur kurrë, në emër të atyre që nuk i vumë kurrë në provë për të mbrojtur dinjitetin e Shqipërisë. Dhe për turp të kësaj qeverie, e cila përfaqëson pjesën jokomuniste të shoqërisë, dhuratat e para financiare po ua ndan atyre që vazhdojnë të qajnë parajsën e komunizmit.
Krijoni Kontakt