Me pak shkurtime, shkrimi me poshte ka per titull :
"Jam një disidente e islamit", dhe eshte shkruar nga Ayaan Hirsi Ali, e ftuar ne Berlin me 9 shkurt, ku ajo ka mbajtur nje diskutim te zjarrte.
Le Monde, 15 shkurt 2006
(...) Më lejoni të kap dhe një herë historikun e kësaj çështje. Autori i një libri për fëmijë mbi profetin Muhamet nuk arrinte të gjente një ilustrues. Ai ka deklaruar që vizatuesit e censuronin veten nga frika se mos pësonin dhunë nga ana e myslimanëve, për të cilët është e ndaluar për këdo të paraqesë Profetin. Jyllands Posten ka vendosur të hetojë mbi këtë çështje, duke çmuar – dhe me të drejtë – që një auto-censurë e tillë ishte bartëse pasojash të rënda për demokracinë. Ishte detyra e tyre prej gazetarësh kjo që për të kërkuar dhe publikuar vizatime të profetit Muhamet. (...)
(...) Kjo nuk është një çështje race, ngjyre apo tradite. Kjo është një përplasje idesh e cila kapërcen të gjithë kufinjtë dhe racat.
Përse unë ? Jam një disidente, siç ato të pjesës lindore të këtij qyteti që kalonin në Perëndim. Edhe unë kam kaluar në Perëndim. Jam lindur në Somali dhe e kam kaluar rininë time në Arabinë Saudite dhe në Kenia. Kam qenë besnike ndaj rregullave të vendosura nga profeti Muhamet. Siç mijëra vetë që kanë manifestuar kundër karikaturave daneze, kam besuar për një kohë të gjatë që Muhameti ishte i përkryer – që ai ishte i vetmi burim i së mirës, i vetmi kriter për të ndarë të mirën dhe të keqen. Më 1989, kur Khomeiny ka lëshuar një thirrje për të vrarë Salman Rushdie ngaqë kishte fyer Muhametin, mendoja që ai kishte të drejtë. Nuk mendoj më kështu.
Mendoj që Profeti e ka patur gabim të vendosë veten dhe idetë e tij përsipër çdo mendimi kritik.
Mendoj që profeti Muhamet e ka patur gabim t’ua nënshtrojë femrat burrave.
Mendoj që profeti Muhamet e ka patur gabim të dekretojë që homoseksualët duheshin vrarë.
Mendoj që profeti Muhamet e ka patur gabim të thoshte që duheshin vrarë ata që ndërronin fenë.
Ai e kishte gabim të thoshte që shkelësit e kurorës bashkëshortore duheshin fshikulluar dhe vrarë me gurë, dhe që vjedhësit duhet t’i kishin duart e prera.
Ai e kishte gabim të thoshte që ata të cilët vdesin për Allah do të shkojnë në parajsë.
Ai e kishte gabim të pretendonte që një shoqëri e drejtë mund të ndërtohej mbi idetë e tij.
Profeti bënte dhe thoshte gjëra të mira. Ai nxiste mëshirën dhe përkujdesjen kundrejt të tjerëve. Por unë them që ai ishte i parespektueshëm dhe i pandjeshëm kundrejt atyre që nuk ishin në një mendje me të.
Mendoj që është mirë të bëhen vizatime kritike dhe filma mbi Muhametin. Është e nevojshme të shkruhen libra mbi të. Dhe e gjitha kjo thjesht për edukimin e qytetarëve.
Nuk kërkoj të fyej ndjenjën fetare, por nuk mund t’i nënshtrohem tiranisë. Të kërkosh që burrat dhe gratë që nuk pranojnë mësimet e Profetit të mos e vizatojnë atë, kjo nuk është një kërkesë për respekt, por për nënshtrim.
Unë nuk jam e vetmja disidente e islamit, ka mjaft të tillë në Perëndim. Dhe nëse ato nuk janë me roje para e mbrapa, ato duhet të punojnë me identitete të rreme për tu mbrojtur nga sulmet. Por ka të tillë dhe në Teheran, në Doha dhe Riyad, në Amman dhe në Kajro, si dhe në Khartoum dhe Mogadiscio, Lahore dhe Kaboul.
Disidentët e islamizmit, siç ato të komunizmit dikur, nuk kanë bomba atomike, as ndonjë armë tjetër. Ne nuk kemi paratë e naftës siç Saudianët dhe nuk djegim as ambasada as flamuj. Ne refuzojmë të përfshihemi në një dhunë të çmendur kolektive. Veç kësaj, ne nuk jemi aq të shumtë dhe ne jemi tepër të shpërndarë për tu kthyer një kolektiv çfarëdo qoftë. Nga pikëpamja elektorale, këtu në Perëndim, ne nuk jemi asgjë.
Ne kemi veçse idetë tona dhe ne nuk kërkojmë gjë tjetër përveçse mundësinë për t’i shprehur ato. Armiqtë tanë do të përdorin nëse e nevojshme dhunën për të na bërë të heshtim. Ato do të përdorin manipulimin ; ato do të pretendojnë që ata janë plagosur për vdekje. Ato do të thonë ngado që ne jemi qenie mendërisht të brishta që nuk duhen marrë seriozisht. Kjo nuk është diçka e re, partizanët e komunizmit i kanë përdorur gjerësisht këto metoda.
Berlin është një qytet i shënuar nga optimizmi. Komunizmi ka dështuar, Muri është shembur. Edhe pse sot gjërat duken të vështira dhe të ngatërruara, jam e sigurtë që muri virtual ndërmjet të dashuruarve të lirisë dhe atyre që bien pre e joshjes dhe rehatisë së ideve totalitare, pra dhe ky mur, do të zhduket një ditë.
________________________
Ayaan Hirsi Ali, me origjinë somaliane, është deputete në Parlamentin holandez, anëtare e partisë liberale VVD. Skenariste e filmit Submission, që u bë shkak për vrasjen e Theo Van Gogh nga një islamist në nëntor 2004, ajo jeton sot nën mbrojtje policore.
Mendimi im vetjak eshte qe vetem besimi laik, ose laiciteti, mund te sjelle tolerancen dhe harmonine fetare. Me besim laik kuptoj qe besimi te ngelet nje çeshtje krejt e brendshme ndaj ndergjegjes se dikujt. Vetem nje i krishtere laik, e nje musliman laik, vetem keta kane mundesi te bisedojne dhe te merren vesh me njeri-tjetrin, te tjeret jo. Nje i krishtere fanatik dhe nje musliman fanatik, keta nuk kane asnje gjase tjeter perveçse per t'i thyer hundet njeri-tjetrit.
Krijoni Kontakt