Berisha: Çështjen çame do e çojmë në Bruksel
Reagon edhe ish-kryeministri Meta: Shteti shqiptar të ndihmojë çamët në zgjidhjen ligjore
Qeveria shqiptare prononcohet kundër vendimit për përvetësimin e pronave të sekuestruara gjatë Luftës, nga ana e shtetit grek, pas vendimit që ka marrë për këtë çështje Gjykata e Lartë e shtetit fqinj. Kryeministri Sali Berisha rriti shpresat e komunitetit çam se mund të kenë mbështetjen e shtetit shqiptar në “betejën” e tyre për të marrë pronat e veta, të mbetura në Greqi pas dëbimit masiv të popullsisë çame nga trojet e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore.
E drejta ndërkombëtare
“Çështja çame nuk është mbyllur me vendimin e Gjykatës së Lartë të Greqisë, pasi e drejta ndërkombëtare del mbi çdo vendim të gjykatave të një shteti”, ka theksuar dje, kryeministri Berisha. Ai është pyetur në lidhje me qëndrimin e Qeverisë që drejton në lidhje me prononcimin e gjykatës së lartë greke, e cila jep lejen për shitjen dhe tjetërsimin e pronave të sekuestruara në vitin 1940 dhe për të cilat nuk është interesuar pronari i ligjshëm, të paktën për 20 vjet. Kreu i Qeverisë është shprehur në këtë mënyrë, por nuk ka dhënë detaje nëse do të ketë një ndërhyrje të shtetit shqiptar pranë Athinës për këtë çështje apo jo.
Shoqata “Çamëria” kërkoi një ditë më parë ndërhyrjen e shtetit shqiptar për këtë vendim të padrejtë siç e cilësuan ata të Gjykatës së Lartë greke për përvetësimin e pronave çame. Madje, sipas kreut të shoqatës “Çamëria” ky vendim është vazhdim i veprimeve në kuadër të “Megalo-idesë” greke. Komenti i kryeministrit Berisha duket se ka të bëjë më së shumti, me besimin se apelimi i vendimi në Gjykatën e të drejtave të Njeriut, në Strasburg, do të vendosë në vend drejtësinë për çështjen çame. Sa për veprimet e Tiranës zyrtare, ai nuk ka detajuar qëndrimin, edhe pse shpeshherë është thënë se miqësia mes dy vendeve varet mjaft prej emigrantëve shqiptarë në Greqi, dhe zgjidhjes së çështjes çame.
Reagimi i Metës
Kryetari i partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Ilir Meta dhe ish-kryeministër i vendit që hapi zyrtarisht negociatat për zgjidhjen e çështjes çame, reagoi dje, ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë greke për shitjen dhe tjetërsimin e pronave që i janë sekuestruar “armiqve” të Greqisë. “Çështja e pronave të çamëve duhet të zgjidhet në frymën e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit me Greqinë si vend fqinj dhe patner i rëndësishëm i Shqipërisë, ashtu siç e parashikon edhe Traktati i Miqësive midis dy vendeve.
Përsa i përket vendimit të fundit të Gjykatë së Lartë të Greqisë, mendoj se kjo çështje vazhdon të mbetet një çështje ligjore, e cila duhet zgjedhur në përputhje me legjislacionin ndërkombëtar. Shteti shqiptar duket të ushtrojë detyrimet e tij ndaj shtetësve dhe bashkkombasve të vet, për t’i ndihmuar ata në realizimin e zgjedhjes ligjore të kësaj çështje në instancat kombëtare dhe ndërkombëtare”, theksoi Meta.
Sipas vendimit të Gjykatës greke, shteti grek ka të drejta të plota dhe rrjedhimisht mund edhe të shesë tokat çame, në rast se pronat mbetej për 20 vjet e pashfrytëzuar nga pronarët. Kthimi i pronave të çamëve deri tani, është penguar nga i ashtuquajturi ligj i luftës që ngrinte pasuritë e “armiqve” të Greqisë dhe nuk lejonte kthimin e tyre në duart e pronarëve të ligjshëm.
PRESS - Gazeta Balkan
Krijoni Kontakt