Close
Faqja 0 prej 2 FillimFillim 12 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 19
  1. #1
    Paqe! Maska e Matrix
    Anëtarësuar
    02-11-2002
    Vendndodhja
    Në Zemrën e Hyjit!
    Postime
    3,123

    Dita kur Unë u kryqëzova

    Dita kur Unë u kryqëzova

    (Një rrëfim i pasionit të Krishtit, duke përfshirë ngjarjet në realitetin e dukshëm dhe të padukshëm)

    Gruaja e Pilatit po shihte një ëndërr të trazuar, të mbushur me imazhe të frikëshme ëngjëjsh dhe njerëzish të pafajshëm që shkojnë drejt vdekjeve të tyre.
    Juda po bënte rrugën e vet drejt pallatit të Makabejve, duke e sforcuar veten për të mos menduar se cfarë gjërash mund të blihen me tridhjetë monedha argjendi.
    Ishte tepër vonë dhe nëna ime, Maria, e ndjente zemrën të rënduar dhe të mbushur me shqetësim të thellë.
    Sipër, në një qeli në Fortesën Antonia, tre të burgosur, të lidhur me zinxhirrë të rëndë, rrinin zgjuar duke menduar se si mund të jetë atëherë kur gozhdët të përshkojnë duart dhe ti vdes nga mungesa e frymëmarrjes.
    -“Mushkonjat dhe mizat janë tmerri më i madh”, tha njëri prej tyre, duke thyer qetësinë e birucës. “Të paktën kështu më kanë thënë”
    “Nuk dëshiroj të dëgjoj për këtë”, u përgjigj tjetri.

    Duke ecur nëpër Luginën e Kidronit drejt Malit të Ullinjve, jo shumë larg prapa meje, Pjetri po mundohej të fshihte një thikë të vogël nën rrobën e tij.
    Një djalosh rreth shtatë vjec, duke mos qënë në gjendje të flinte, rrëshqiti jashtë shtëpisë dhe filloi të endej nëpër qytet, duke shpresuar të gjejë ndonjë prej dishepujve të mi. Ai kishte një pyetje të ngulur në kokën e tij: “Përse kjo natë është kaq e errët dhe ndjellakeqe?”
    Në vendin e rezervuar për guvernatorin e Galilesë, Herodi ishte jo vetëm zgjuar por dhe i dehur. E dija se përpara se kjo natë të mbaronte, unë do e takoja ate ballë për ballë. Unë e kisha frikë atë, ashtu si bora ka frikë tymin.
    Liderat judeas, të cilët jetonin më së shumti në pjesën lindore të qytetit, ishin mbledhur për të marrë një vendim në lidhje me mua. Ky vendim duhej marrë para se festivali i Pashkës të fillonte. Nqs Dielli do ngrihej në horizont, për këtë vendim do të ishte tepër vonë.
    Johebrenjtë, të cilët jetojnë më së shumti në pjesën perëndimore të qytetit, do përballen me të njëjtin vendim përpara drekës së po të njëjtës ditë.
    Pasi arrita në destinacionin tim, që ishte një kopsht ullijsh afër Malit të Ullinjve, ajo që më tërhoqi më shumë vëmendjen ishte aktiviteti i lartë në realitetin e padukshëm midis principatave dhe fuqive.

    Të pavetëdijshëm për tradhëtinë e kësaj nate, dishepujt e mi hynë në kopsht bashkë me mua, tek i njëjti vend ku unë vija shpesh për t’u lutur. Këtu, në këtë kopësht, unë do përjetoja momentet e fundit të lirisë që unë do të kisha përsa kohë do të isha në këtë tokë. Unë u gjunjëzova dhe pastaj u rrëzova përtokë. Dishepujt e mi filluan të luten me mua, por lutja e tyre shumë shpejt u bë e mundimshme dhe në fund ata ranë në gjumë.
    Përgjatë lutjes, fillova të qaja. Dhe kur fillova të qaj, një gotë u shfaq para meje.
    Ndonëse e dija prej shumë kohësh që kjo orë do të vinte, unë u zbrapsa, i tmerruar nga ajo që pashë.
    “At! Të lutem! Nqs është e mundur, gjej një mënyrë që unë të mos pij prej kësaj.”

    Por, ndërsa isha duke folur, gota erdhi akoma dhe më afër.




    (vazhdon)
    Ndryshuar për herë të fundit nga Matrix : 15-02-2006 më 05:25
    Krishti: Ne Qiell me lavdine Hyjnore, ne toke me perulesine e sherbetorit!

  2. #2
    Paqe! Maska e Matrix
    Anëtarësuar
    02-11-2002
    Vendndodhja
    Në Zemrën e Hyjit!
    Postime
    3,123
    Kapitulli 2

    Kupa e derdhi helmin e saj të ndyrë, derisa kutërbimi i përmbajtjes së saj mbushi erërat e tokës.
    Unë pashë se si mëkatet e bijve të Abrahamit rrëshqitën brenda në kupë. Unë pashë se si shekujt e tyre të rebelimit, idhujtarisë, incestit, vrasjeve, gënjeshtrave dhe mashtrimeve e gjetën rrugën për në atë kupë. Mëkatet e racës së hebrenjve u bënë një me atë kupë.
    Duart dhe fytyra ime filluan të kullonin gjak derisa toka përreth meje u njom.
    Unë vajtova sërisht. Thirra për clirim dhe bërtita: “Abba!At!”
    Trupi im filloi të dridhet dhe nuk mundesha ta kotrolloja. Po kështu dhe vajtimi im dhe thirrjet e terrorizuara.
    Asnjëherë, unë ose ndonjë qënie tjetër njerëzore nuk e ka njohur thellësinë e neverisë, ashtu sic e ndjeva unë kur pashë paturpësinë dhe poshtërsinë që u derdh në atë kupë.
    Unë do kisha vdekur me siguri, por dera e realitetit tjetër u hap dhe lejoi që një ëngjëll të vinte dhe të përkujdesej për mua. Imazhi i kupës u venit, por ai do kthehej sërisht. Kësaj rradhe, imazhet e saj do ishin akoma dhe më groteske.
    Duke u ngritur me shumë mundim në këmbë, e sforcova veten time për t’u kthyer tek dishepujt e mi. Duke qëndruar pranë tyre, e njoma tokën përreth meje me gjakun tim.
    “Ju nuk mund të rrini zgjuar asnjë natë me mua?” – pyeta ndërsa u nisa për t’u kthyer në vendin tim të lutjes.

    “At, lejoje edhe këtë!”

    Kapitulli 3

    Kësaj rradhe nuk ishin shkeljet e bijve të Abrahamit ato që pashë, por ato të johebrenjve.
    Brenda në kupën ku derdheshin ndyrësitë, unë pashë mëkatet e gjithë paganizmit se si filluan të derdheshin, pashë idhujtarinë, blasfeminë, ndyrësinë dhe gjithcka që imagjinata pagane mund të përfshijë. Unë thirra: “Oh, cfarë egërsie ka njeriu kundër njeriut!”. Pashë betejat, luftërat, dhimbjet, tmerret dhe shkallëzimet e shthurrjes së paganëve.
    Të gjitha këto gjetën rrugën e tyre drejt kupës.
    Gjithë krimet e racës njerëzore, qofshin këta hebrenj apo johebrenj, u mblodhën në një vend dhe u zhdukën brenda asaj kupe.
    Gjithë ligësia priste që të përzihej me gjithë pastërtinë, gjithë mallkimet prisnin që të rrethonin gjithë drejtësinë, gjithcka që ishte e ndyrë priste që të asgjësonte të gjithë shenjtërinë. Gjithcka priste për mua që të merrja atë kupë.
    Gjaku tani po buciste rrjedhshem nga koka ime, fytyra, gjymtyrët e mia. Vetë forca e jetës sime po vraponte për t’i shpëtuar asaj që priste të bëhej një me mua. Oh, fatmirësisht, kupa u tërhoq edhe njëherë mbrapsht.
    Përsëri isha i etur për t’i parë dishepujt e mi. U përpoqa që të ngrihesha në këmbë, por u rrëzova menjëherë. Por, së fundmi, arrita tek ata. Duke i parë në gjumë, unë s’mund të bëja gjë tjetër vecse të vajtoja, ndonëse e dija që cdo pikë loti që derdhja mund të ishte pika ime e fundit.
    Vetëm me anën e ndihmës së ëngjëjve isha në gjendje që të kthehesha në vendim tim të lutjes dhe të përballoja atë që më priste. Sa të ndyra ishin veprat e popullit të zgjedhur të Zotit, sa të shëmtuara ishin veprat e johebrenjve, të gjitha u zbehën papritmas në prezencën e mëkatit që po shihja tani: mëkati i krijesave të rëna të realitetit tjetër. Ky moment mund të quhej tamam fillimi i dhimbjes.

    Dhe kështu, kupa u kthye sërisht.

    Kapitulli 4

    Hebrenjtë po, johebrenjtë po. Por, ah, mos vallë duhet të pi dhe mëkatet e realitetit tjetër?
    Asnjë pjesë e imja nuk mundej ta zotëronte pafundësinë e së keqes së mishëruar që po formohej tani para syve të mi. Pjesa ime nuk qënka që të pi vetëm padrejtësitë e bëra në realitetin e dukshëm, por edhe ato akte monstruoze të kryera në realitetet e padukshme.
    Kupa u drodh kur përmbajtjet e veprave të qytetarëve të mallkuar dhe të rënë të realitetit të padukshëm u derdhën brenda saj.
    Me tmerr të papërshkrueshëm, unë po shihja korrupsionin e frymërave të mallkuara, ndyrësinë e ushtrisë së rënë ëngjëllore, qelbëzimin e poshtërsisë së princave të humbjes – të gjitha rrodhën në përzierjen e neveritshme.
    “Oh, At!” thirra me dhimbje të papërshkrueshme, “nqs ka ndonjë mënyrë, të lutem largoje këtë kupë nga unë!”
    Më pas, me një dorëzim të frikshëm, thirra përsëri, « Por.. nqs jo... atëherë.. u bëftë vullneti yt...”

    “At, lejoje dhe këtë”

    Unë u shemba në tokë, e cila ishte shndërruar në një pellg me gjakun tim. Një engjëll u përpoq fuqishëm që të më shpëtonte nga vdekja, e cila mund të vinte nga carja e zemrës, ose nga dobësimi i trupit.

    Kapitulli 5

    Kupa u venit përsëri, dhe për një moment kujtova një ngjarje të ndodhur në përjetësinë e shkuar, në një kohë përpara krijimit. Kujtova një qengj – një qengj që ishte therrur.
    Ai u therr nga Ati im, në një kohë përpara të përjetshmëve. Unë isha ai qengj!
    Unë isha atëherë në Atin një ofertë e bërë para krijimit. Dhe tani, ajo therrje ishte gati që të bashkohej me realitetin fizik, të bashkohej me historinë, kohën dhe hapësirën.
    Për një moment, mendimet e mia ndaluan, si në përjetësi ashtu dhe në kopshtin e ullinjve. Gradualisht e gjeta veten time në këmbë, para njëmbëdhjetë dishepujve të përgjumur. Njëri prej tyre thirri në një ëndërr të keqe dhe më pas ra në një gjumë akoma më të thellë.

    Kapitulli 6

    Beteja e gjatë e dorëzimit kishte përfunduar. Ati im dhe unë ishim dakord me njëri-tjetrin.
    Mua m’u kërkua që të pija llumin e mëkatit universal. Unë kisha pranuar. Megjithatë, tmerri i saj ishte përtej asaj që mund të kuptojë raca njerëzore. Madje as vetë vdekja nuk e imagjinonte dot se cfarë më priste mua.
    Përsëri unë i mbijetova gjithë kësaj, me ndihmën e një ëngjëlli.


    (vazhdon)
    Ndryshuar për herë të fundit nga Matrix : 15-02-2006 më 14:56
    Krishti: Ne Qiell me lavdine Hyjnore, ne toke me perulesine e sherbetorit!

  3. #3
    Paqe! Maska e Matrix
    Anëtarësuar
    02-11-2002
    Vendndodhja
    Në Zemrën e Hyjit!
    Postime
    3,123
    Kapitulli 7

    Kajafa, prifti më i lartë, kaloi nëpër urën e gjatë dhe të ngushtë që lidhte Tempullin me rezidencën e tij. Kjo urë ishte ngritur me qëllimin e vetëm për t’u siguruar se prifti i lartë nuk do të prekte asgjë të papastër kur të kalonte nga Tempulli për në pallatin e tij. Kajafa ishte vecanërisht i kujdesshëm në këtë natë të vecantë sepse ora e Pashkës ishte shumë afër.
    I mbushur me priftëri dhe hije mbretërore, Kajafa zbriti nga ura dhe qëndroi në kalldrëmin me gurë të shkëlqyer. « Ku është Juda ? A është nisur ai ? » pyeti Kajafa.
    « Ai do arrijë këtu shumë shpejt, » u përgjigj një nga rojet e Tempullit.
    « A janë thirrur disa ushtarë romakë për të shoqëruar rojet drejt kopshtit?”
    « Po »
    « Thuajuni të gjithëve që ushtarët romakë duhet të mbajnë distancën e kërkuar nga ne »
    « A keni shpata, pishtarë dhe shkopinj ? »
    “Patjetër, kemi nga të treja” – erdhi përgjigjia
    “A jeni të sigurt se gjithë dishepujt e tij janë bashkë me të?”
    “Sipas informatave të fundit, po”
    Kajafa në fillim hezitoi, pastaj urdhëroi: “Vritini ata nqs rezistojnë”
    “Pasi Galileasi të jetë sjellë këtu, duhet të jenë të pranishëm ata që do të dëshmojnë kundër tij. A janë përgatitur ata ashtu si duhet?”
    “Në detajet më të vogla”
    “Atëherë, është koha që të ndizen llampat dhe pishtarët. Nisuni!”
    “Kur të arrijmë aty, si do jemi të sigurt se kush është Jezusi? Eshtë errësirë dhe ai nuk vesh asnjë veshje të vecantë”
    “Juda do ta puthë atë.”

    Me këto fjalë, Kajafa u nis për t’u kthyer në pallatin e tij, por befas u kthye sërisht për të thënë:” Një pyetje të fundit: A është lajmëruar gjithë Sinedri?’
    “Po, madje janë duke ardhur. Vetëm dy prej tyre nuk ishim në gjendje t’i gjenim.”
    “Në rregull, ky nuk është problem. Vazhdoni!”

    Në atë moment Juda hyri në oborr.
    Dikush i thirri atij, “Ata po të presin. Shko tek ata urgjent. Ke për detyrë që t’i cosh në vendin e lutjes së tij dhe t’u tregosh se kush është Jezusi”.

    Kapitulli 8

    Unë e ndjeva se biri i humbjes sapo doli nga Jerusalemi dhe u nis drejt Malit të Ullinjve. Ai nuk ishte vetëm.
    “Ora e tyre ka ardhur,” pëshpërita. “At, unë e dorëzoj lirinë time, vullnetin tim, jetën time, dhe së shpejti... dhe frymën time.”
    Mbi të gjitha, kjo orë kishte kohë që ishte përgatitur.
    “At…Kupa. Unë do ta pij atë!”
    Engjëlli i mëshirës më ngriti përsëri në këmbë dhe u sigurua që unë isha në gjendje të ecja. Para se të largohej, ëngjëlli e fshiu me kujdes gjakun nga fytyra ime.
    “Unë duhet të shkoj i vetëm, ëngjëll i mëshirës së madhe; tani po të kërkoj të largohesh.”
    Engjëlli uli kokën dhe u bind, por jo pa protestuar dhe pa derdhur lotë: “Kur do të mbarojë kjo, Zoti im?”
    “Jo para se Jona të jetë cliruar” u përgjigja
    “Shpejt, tërhiqu” i thashë ëngjëllit për herë të fundit.
    Unë qëndrova drejt dhe fillova t’i flas Atit tim.

    Kapitulli 9

    “At, krijimi lulëzoi nga dora ime.
    Unë pikturova yjet. Unë i vendosa galaktikat në orbitat e tyre, dhe ato duke shkëlqyer në llambadarët e kupës qiellore, reflektonin lavdinë time.
    Unë shpërndava hekurin nën shtresat e tokës. Unë nxorra prej saj pemët që ato ta vishnin tokën me rrobën e smeraldtë.
    Mbi një pemë tani po vij, që racës së vjetër të Adamit t’i jap fund.
    Dhe krijimin ta sjell në faqen e tij të fundit.
    Vdekja, që ruhet e lidhur nga unë në kafaz, tani po përgatitet që të më sulmojë me inatin e saj të skëterrtë. Pasi ta kem pirë deri në fund gllënjkën e kupës që shkumëzon, mëkati do ta marrë shpagesën e tij finale”
    “Oh, At, që kur erdha në këtë tokë, unë jetova i kufizuar nga natyra e brishtë njerëzore. Derdhe mbi mua hirin tënd, tani që vdekja po bërtet për t’u lëshuar nga zinxhirët e saj”
    “At, përzjei lotët e mi me të tutë.”


    Pastaj shkova tek dishepujt e përgjumur dhe u thashë: “Ngrihuni. Unë duhet ta pi kupën.”.

    Kapitulli 10

    Ata u ngritën me mundim në këmbë dhe panë rreth e rrotull. Ata nuk po shihnin dikë që e njihnin.
    “Ku është Jezusi? Dhe, kush vallë je ti?”, foli Pjetri duke ju drejtuar krijesës të cuditëshme që qëndronte para tij.
    “O njeri, kush apo cfare je ti? A nuk je i tëri gjak? Apo je ndonjë i vdekur që ke ardhur të na vizitosh?”
    Në këtë moment, unë ju përgjigja: “Pjetër.”
    Pjetri vuri dorën mbi gojën e tij dhe bërtiti: “Zoti im! Oh, Zoti im, a je me të vërtetë ti? Ti je i tëri i mbuluar nga gjaku. Nuk e dalloj dot as fytyrën dhe as formën tënde”
    Jakobi dhe Gjoni po mundoheshin të gjenin fjalët për të shprehur tmerrin e tyre. Si mundet vallë një njeri të ketë ndryshuar kaq shumë brenda një ore? Ata nuk e dinin se pikërisht në atë orë, unë kisha fituar titullin e përjetshëm:

    Njeriu i Dhimbjeve


    Djersa ime, gjaku im dhe rrobat e mia ishin bërë një me formën time ta padallueshme.
    Dhe kështu ishte përmbushur profecia që unë i dhashë Isaias shumë kohë më pare:
    “Pamja e tij ishte e shpërfytyruar më tepër se e cdo njeriu tjetër dhe fytyra e tij ishte ndryshe nga ajo e bijve të njeriut” (Isaia 52:14).

    Duke e injoruar habinë e tyre, u bëra shenjë dishepujve të mi që të më ndiqnin. Ata fillimisht hezituan, por më pas më ndoqën.
    Gjoni nxitoi për të më ardhur pranë. “Unë pashë një ëndërr, pashë një ëngjëll. Apo e pashë në të vërtetë? Nuk e di nëse ishte ëndërr, apo nëse e pashë me të vërtetë atë krijesë të cuditëshme."
    “Eja, Gjon, ti do njohësh mjaft së shpejti. Dikush do të vijë brenda teje dhe do të të kujtojë ty për këtë moment.”

    Duke vënë re dritat e zbehta të pishtarëve të largët, Pjetri filloi të kërkojë thikën e tij. Ai nuk e dinte se njerëzit që mbanin pishtarët po kërkonin prenë, sikur ajo pre të ishte një kriminel.
    “Kush të jetë duke ardhur vallë këtu, në këtë orë?” pyeti Jakobi.

    Menjëherë pas kësaj, Gjoni e kuptoi se dikush po fshihej hijeve.
    “Gjon Mark! Cfarë do ti këtu? E di familja që je këtu?”
    “Nuk mund të flija” u përgjigj djaloshi. “Duke ardhur për këtu, pashë roje kudo. Mendova se ata po vinin për të kapur Zotin!” vazhdoi djaloshi i frikësuar.
    “Ata kanë ardhur tashmë këtu” u përgjigja unë “Ata kanë mbërritur tashmë tek Gjetsemani im. Por, secili nga ju, cdo njeri, gjithashtu do përballet një ditë me Gjetsemanin e tij.”
    “Tradhëtari im sapo mbërriti”.


    (Vazhdon)
    Ndryshuar për herë të fundit nga Matrix : 18-02-2006 më 08:09
    Krishti: Ne Qiell me lavdine Hyjnore, ne toke me perulesine e sherbetorit!

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e marcus1
    Anëtarësuar
    21-03-2003
    Vendndodhja
    Greqi
    Postime
    2,574
    Dy mesazhe u fshine nga une sepse ishin krejtesisht jashte teme!
    Ndryshuar për herë të fundit nga marcus1 : 18-02-2006 më 08:44
    The experience of love, is not when you receive it, but when you give it! - Durin Hufford

  5. #5
    Paqe! Maska e Matrix
    Anëtarësuar
    02-11-2002
    Vendndodhja
    Në Zemrën e Hyjit!
    Postime
    3,123
    Kapitulli 11

    “Ushtarë romakë? Roje të Tempullit? Pishtarë? Fenerë? Një turmë me shkopinj?” pyeti Thomai me habi,
    “Dhe sa shumë që qenkan. Sa shumë pishtarë që ndricojnë në këtë errësirë të cuditëshme.”
    Turma eci drejt dishepujve të mi. Menjëherë dola para tyre.
    Juda, me sytë e ti të zinj që lëviznin me shpejtësi, po përpiqej të gjente mësuesin e tij midis dishepujve të tij. Papritmas, sytë e tij ndalën. Për një kohë të gjatë, ai s’bëri gjë tjetër vecse m’i nguli sytë. Me kujdes, erdhi pranë meje dhe ngriti një pishtar. “A je ti , Zot?”
    I sigurt tashmë se isha unë, u zgjat drejt meje dhe më puthi në faqe dhe në qafë.
    “Po më tradhëton me anë të puthjes, Judë?”

    AT, LEJOJE DHE KETE.

    Ushtarët ishin në kofuzion. Ata dinin thjesht se duhet të shihnin atë që Juda do të puthte. “Por, jo” menduan ata “me siguri është bërë nje gabim”.
    Turma kishte ardhur që të përballej me një profet, me dikë të gjatë, të fortë dhe sypatrembur. Por, këtë mbeturinë njerëzore, ata nuk ishin në gjendje ta njihnin.
    “Kë po kërkoni?” i pyeta unë.
    “Ne po kërkojmë Jezusin nga Nazareti,” tha njëri nga ushtarët, duke vazhduar që të kërkonte me sy në cdo fytyrë.
    “Unë jam Jezusi. Unë jam ai që po kërkoni.”
    Deri në atë moment, ushtarët nuk po i kushtonin rëndësi tmerrit të fytyrës sime. Befas, ata u penguan dhe u ngjeshën tek njëri –tjetri.
    Kapiteni i rojeve të Tempullit, duke ju kthyer disiplinës së tij, urdhëroi: “Sillni litar”

    Pjetri u turr drejt tyre.

    Kapitulli 12

    Duke nxjerrë një thikë nga rroba e tij, Pjetri u sul me egërsi. Ai i preu veshin një skllavi të pafat që ishte aty afër. Me shpejtësi, unë ja zëvendësova veshin. Kjo ndodhi aq shpejt sa asnjë nga ushtarët nuk pati kohë të reagonte.
    Engjëjt e mi e kishin rrethuar kopshtin e ullinjve dhe kishin nxjerrë shpatat e tyre. Unë i pëshpërita ushtrisë ëngjëllore:” Ju nuk keni punë të ndërhyni. Kthehuni në majat e kodrave dhe përgatituni që të riktheheni në realitetin tjetër me komandën time”.
    Atëhere unë i thashë Pjetrit: “Në rast se do të kisha nevojë për ndihmë, do t’ua kërkoja ëngjëjve të mi. Nuk është koha për betejë, por për kupën.”
    Atëherë unë vështrova në fytyrën e cdo njeriu nëpër të gjithë turmën.
    “Më keni ngatërruar me ndonjë hajdut? Ju keni ardhur të armatosur deri në dhëmbë? Me siguri, nuk po më kërkoni mua, por ndonjë armik të krisur të shoqërisë. Unë kam qënë me ju në Tempull haptazi, duke mësuar publikisht cdo ditë. Përse nuk më arrestuat atëherë?
    Po jua them unë se përse nuk më arrestuat deri tani. Sepse nuk ishte ora juaj. Tani është kjo orë, por është ora juaj e vetme.”
    Duke më vështruar me një urrejtje triumfuese, turma filloi të më rrethonte ndërkohë që të njëmbëdhjetë burrat u zhdukën nëpër natë. I fundit që u largua ishte djaloshi i vogël, Gjon Marku.

    Dhe tani, krijesa më e lirë që kishte ekzistuar ndonjëherë u lidh dhe u zhvesh nga të gjitha të drejtat dhe liritë.

    Unë u pëshpërita veshëve të padukshëm: “Errësirë, tani është ora jote. Unë jam lidhur. Unë jam në duart e popullit tim të zgjedhur. Së shpejti do të jem në duart e paganëve. Pas asaj, unë do e gjej veten në praninë tuaj, o qytetarë të ferrit. Momenti , për të cilin keni pritur kaq shumë, ka ardhur.”

    Por tani, unë isha në vendin më të rrezikshëm që mund të imagjinohet: Isha në duart e fetarëve.


    (vazhdon)
    Ndryshuar për herë të fundit nga Matrix : 20-02-2006 më 04:47
    Krishti: Ne Qiell me lavdine Hyjnore, ne toke me perulesine e sherbetorit!

  6. #6
    Paqe! Maska e Matrix
    Anëtarësuar
    02-11-2002
    Vendndodhja
    Në Zemrën e Hyjit!
    Postime
    3,123
    Kapitulli 13

    Një ushtar hyri në shkritoren e një hekurpunuesi.
    “Kam ardhur për gozhdët”
    “Po, sapo i mbarova. Ja shihi, janë ende të ngrohta. Në fakt ato ngjajnë më shumë me kunja se sa me gozhdë, ashtu sic i kerkuat vetë. Mos do përdoren për ndonjë kryqëzim?”
    “Tamam ashtu,” u përgjigj ushtari “Mua më duken mirë,” vazhdoi.
    “Sigurisht që janë mirë. Gozhdët që unë prodhoj këtu janë përdorur në qindra kryqëzime…. kryqëzime që do shtrihesin që nga deti deri në shkretëtirë…”
    “Por, unë kam një pyetje për ju,” vazhdoi ushtari. “Grupi i parë i gozhdëve u porosit nga romakët, por grupi i fundit u porosit nga Sinedri. Përse Sinedri? Kjo është e paligjshme. Sinedri nuk mund të vrasë askënd, sidomos me kryqëzim. Vetëm romakët mund ta bëjnë këtë. Sinedri nuk mund të urdhërojë një ekzekutim, aq me pak një kryqëzim.”
    “Oh, po, ata munden. Të paktën kur janë shumë të sigurt në vetvete,” u pergjigj hekurpunuesi.”Sot ata janë më se të vendosur.”
    “Unë po kështu kam nevojë për katër trarë horizontalë kryqesh”
    “Katër?”
    “Po. Tre për disa hajdutë dhe një për një njeri të quajtur Jezus. Ai është një lloj profeti lokal”
    “Jezus?”
    “Po”
    “A e dini se ai pretendon se është Biri i Perëndisë?”
    “I Perëndise? I cilës perëndi? Ne romakët kemi shumë”
    “Ne kemi vetëm një”
    “Një?”
    “Por atëherë si do e lejojë ai veten që të kryqëzohet nga krijesat e tij, në qoftë se është Biri i Perëndisë, ai që krijoi këtë hekur dhe që modeloi pemët ? Kjo është ajo se cfarë më shqetëson mua në lidhje me këtë njeri të cuditshëm. ”
    «Po, por kjo nuk e shqetëson aspak Sinedrin” ja ktheu ushtari duke u kthyer për të ikur
    « A do ju nevojiten trarë vertikalë për kryqet ? »
    “Jo. Ne mendojmë të përdorim një pemë kësaj rradhe. Njërën që është tek Mali i Ullinjve”
    Hekurpunuesi atëherë i ngarkoi trarët horizontalë në një karrocë.

    “I mallkuar është ai që varet në pemë” murmuriti i shqetësuar hekurpunuesi. “A është e mundur vallë që Biri i Perëndisë të varet në një pemë?”

    (Vazhdon)
    Ndryshuar për herë të fundit nga Matrix : 23-02-2006 më 05:26
    Krishti: Ne Qiell me lavdine Hyjnore, ne toke me perulesine e sherbetorit!

  7. #7
    Paqe! Maska e Matrix
    Anëtarësuar
    02-11-2002
    Vendndodhja
    Në Zemrën e Hyjit!
    Postime
    3,123
    Kapitull 14

    Rojet me nxorrën nga kopshti i ullinjve dhe më drejtuan tek shtëpia e Annasit, më të vjetrit prej kryepriftërinjve.
    Bijtë e Abrahamit po bëheshin gati për të më gjykuar.
    “I burgosuri u soll!” i raportoi dikush Annasit.
    Ashtu sic e prisja, dëgjova një shërbëtor të thoshte: “A është Jezusi kjo figurë e cuditëshme aty? Nqs po, atëherë përse duhet të merremi me të për ta gjykuar. Ai është pothuajse i vdekur.”
    Annasi rregulloi rrobat dhe erdhi afër meje. Ai e vëzhgoi me kujdes fytyrën time dhe mendoi me vete: “Eshtë vetëm një shëtitje e shkurtër që këtu deri tek vdekja e këtij njeriu”
    “Biri i Jozefit dhe i Marisë, përse u predikon njerëzve tradhëtinë dhe rebelimin? Cfarë u ke mësuar pasuesve të tu? – pyeti Annasi.
    Unë u përgjigja: “Ju nuk duhet të ma bëni mua këtë pyetje. Ju thjesht mund të pyesni ata që më kanë degjuar mua duke folur”
    Në moment, unë mora një goditje të fortë në gojë nga një roje i Tempullit. “Kështu i flitet Kryepriftit, kriminel?!”
    Ai roje nuk e dinte se pikërisht në atë moment, kishte goditur Kryepriftin e vërtetë!

    Fjalët e Kajafës, të thëna dikur, ende tingëllonin në veshët e Annasit:
    “Pasuesit e këtij njeriu shtohen dita-ditës. Do të vijë dita kur ai të përpiqet për të ngritur mbretërinë e tij në Izrael. Kur kjo të ndodhë, Roma do ta heqë statusin tonë si komb paqësor. Roma do ta shpërndajë Sinedrin, do t’i shtetëzojë pasuritë tona të shumta, dhe ushtarët e saj do të therrin mijëra njerëz. Do ishte shumë më mirë të vdiste një njeri në vend të të gjithëve.”
    Me këtë në mendje, Annasi më coi tek shtëpia e Kajafës, ku sinedri filloi të mblidhet bashkë me një numër të madh farisejsh dhe saducejsh.

    “Eja, në qëndër të sallës, o ti nga i cili dridhet gjithë Izraeli” – thirri njëri nga priftërinjtë. “Ai nuk duket kushedi se cfarë, apo jo? A e dëgjon ndokush këtë njeri?”
    “Mos e kanë goditur kështu ushtarët romakë? Ata nuk duhej të kishin bërë kështu, derisa ne të kemi mbaruar punë me të!”
    “Jo, aspak. Nuk e kanë goditur as romakët dhe as judenjtë,” u përgjigj njëri nga rojet e Tempullit.
    “Atëherë cfarë i paska ndodhur të varfrit?”
    “Nuk e di. Unë e kam parë këtë njeri dhe më parë, por sot nuk do e kisha njohur dot atë.’
    Kajafa bëri një pyetje të ngjashme: “A jeni të sigurt se ky është Jezusi?”
    Pasi u sigurua se isha Jezusi, i pëshpëriti njërit nga rojeve: “A i keni sjellë dëshmitarët?”

    Për një kohë të gjatë, Kajafa vazhdoi të më pyeste. E shihja në sytë e tij se ai ishte i shqetësuar në lidhje me suksesin apo dështimin e përpjekjes së kësaj nate për të më vrarë.
    Unë nuk po thoja asgjë.
    Dëshmitarët hynë brenda. Pas shumë dëshmive kontradiktore, Annasi rrëshqiti afër Kajafës dhe i pëshpëriti: “Ne nuk do mundemi kurrë që ta bindim Pilatin se ky njeri duhet dënuar me vdekje, me kaq pak fakte që kemi rreth tij. Cfarë të bëj me këta dëshmitarë që nuk dinë të thonë sic duhet ato që duhet të thonë?”
    “Ka dicka qe mund të bësh.”
    “Ma thuaj” – ja ktheu Kajafa
    “Vëreni atë në be!”- pëshpëriti një prift në veshin e tij.
    “Po sikur të gënjejë?” – kundërshtoi Kajafa
    “Ky njeri nuk gënjen.”. Kjo fjalë e shpoi Kajafën si shigjetë.

    Pas kësaj, Kajafa mori frymë thellë, dhe duke folur me zë të lartë në mënyrë që ta dëgjonin të gjithë, shpalli: “Unë të ve ty në be, para Zotit të gjallë, që të na thuash nëse ti je Krishti dhe Biri i Perëndise!”
    Para se të përgjigjesha, unë pashë rrotull sallës nëpër fytyrën e cdo prifti, rabini, skribi, fariseu dhe saduceu që ishte i pranishëm. Pashë tek Kajafa dhe më pas tek rojet e Tempullit. Të gjithë ishin nervozë. Më pas i ngrita sytë drejt kodrave më të afërta ku qëndronin dhjetë mijë ëngjëj qiellorë, secili duke mbajtur dorën mbi shpatë dhe duke pritur vetëm një fjalë prej meje.
    “Ai është vënë në be. “ – pëshpëriti njëri nga ëngjëjt
    “A do ta zbulojë më në fund se kush është ai? “ – pyeti një tjetër.

    Më në fund, sytë e mi ndeshën përsëri sytë e kryepriftit. Me një qetësi që kishte qënë e imja përgjatë gjithë përjetësisë, unë thashë ato fjalë të ndaluara:

    UNE JAM

    “Për më tepër, “ – vazhdova – “po vjen dita kur ju do ta shihni Birin e Njeriut duke u kthyer këtu me ëngjëjt e tij, duke zbritur në një re lavdie.”

    Një ëngjëll pëshpëriti: “Zot, shpejtoje atë ditë!”
    Menjëherë sapo dëgjoi fjalët e mia, Kajafa kapi rrobën e tij dhe e shqeu atë. Me një inat të shtirrur, ai filloi të thërriste:
    “Blasfemi! Kush ka nevojë për më shumë prova? Ky Galileas dëshmoi kundër vetes së tij! Ai blasfemoi kundër Zotit tonë. Ai e shpalli me vetë gojën e tij dënimin e vet me vdekje. Ky heretik është saktësisht ashtu sic e besonim ne, një njeri i padenjë për të jetuar.”
    Kajafa u kthye dhe ju adresua Sinedrit. “Unë kërkoj vendimin tuaj. Për vete, jam i sigurt se ky Nazareas nuk duhet ta ngrysë ditën e sotme. Zoti është me ne. Unë do doja ta shihja të vdekur këtë njeri përpara se të fillojë Pashka,” u betua ai.

    Qetësisht, unë ju fola ëngjëjve, “Kthehuni tek realiteti juaj”. Unë nuk do i shihja më ata deri sa të dëgjoja kërkëllimën e një guri që rrotullohej duke u larguar.

    Kjo sprovë vazhdoi gjithë natën.
    Ishte ora 5:00 e mëngjesit.




    Kapitulli 15

    Kur vendimi po shpallej, dicka tjetër po ndodhte afër kodrave të Jerusalemit. Një prift i vetmuar po ngjitej në njërën nga majat e Tempullit. Kur ishte aty lart, ai u kthye nga lindja dhe kërkoi nëpër horizont. Para tij shtrihej oborri i Tempullit, i mbipopulluar nga pelegrinë në pritje, ndërkohë që ata që kishin arritur më vonë, po shtynin njëri-tjetrin drejt 24 portave të oborrit të Tempullit.
    Prifti po vazhdonte të studionte peisazhin, duke u sforcuar të shihte drejt shpateve të Malit të Ullinjve, përmes fushave të hapura, drejt Betanisë dhe përtej.
    Prifti vështronte se si udhëtarë të tjerë që kishin ardhur përmes detit, po nxitonin drejt Jerusalemit, përmes portave perëndimore. Ai u kthye sërisht nga lindja. Për një moment, qëndroi pa lëvizur. Pas kësaj , prifti thirri me zë të lartë: “Dielli i Mëngjesit!”
    Nga poshtë, një prift tjetër i thirri atij: “Deri sa larg mund të shihet drita e mëngjesit? Deri në Hebron?” – erdhi pyetja tradicionale.
    “Po” – erdhi përgjigjia – “Deri në Hebron”
    Turrma poshtë filloi të duartrokasë.
    Rreshtat e priftërinjve, në unison, ngritën trumbetat e argjendtta dhe e mbushën ajrin me tingujt e brirëve të shenjtë. Pelegrinët që rrinin poshtë, bërtitën nga gëzimi.
    Sakrifica e mëngjesit, që ndiqej rregullisht cdo ditë të vitit, filloi. Një qengj i vogël, cohej në një sahan të artë me ujë, për të pirë për herë të fundit, dhe më pas cohej në altarin e sakrificës.
    Ashtu si qengji që lidhej në altar, ashtu dhe duart e mia u lidhën.
    Me vështirësi dëgjova vendimin e Sinedrit: “Sipas ligjit Hebraik, ky heretik duhet të vdesë”.
    Ata nuk mund ta kuptonin se ky vendim ishte marrë kohë më parë, në përjetësinë e shkuar.
    Me ngritjen e diellit dhe përfundimin e sakrificës së mëngjesit , Festivali i Pashkës filloi. Ai do mbaronte në ora 6 pasdite.
    Në këto dymbëdhjetë orë, qengji i pashkës duhej të therrej. Po kështu, njerëzit dhe principatat qiellore e dinin se unë duhej të vdisja para asaj ore.
    Unë kisha vetëm nëntë orë për të jetuar. Këto do të ishin orët më të tmerrshme që mund të kishte jetuar një njeri.

    Ishte ora 6 e mëngjesit.

    Kapitulli 16

    “Gillefa! Blasfemues!” – filluan të më thërrisnin.
    Sinedri, si një trup i vetëm, filloi të më mbulojë me pyetje. Unë nuk ju përgjigja asnjërës prej tyre.
    Më në fund, marrja në pyetje përfundoi. Në këtë kohë, më kthyen përsëri tek rojet e Tempullit.
    Vrasja me anë të torturës së ngadaltë, filloi.
    “Ushtarët tuaj duhet ta dinë se ky njeri duhet të vdesë para se të bjerë nata, “ urdhëroi Kajafa, “Goditeni këtë njeri dhe goditeni sa më fort. Nuk dua të tregoni asnjë keqardhje. Sigurohuni që ai të duket më i mjerë sec duket tani. Kur të mbaroni së kamzhikuari, cojeni tek Pilati.”
    “Unë mendova se atë e kishin goditur tashmë, “ murmuriti njëri nga rojet.
    Papritur, unë u godita nga një goditje e tmerrshme që më rrëzoi zvarrë përtokë. Më pas erdhi një goditje tjetër, dhe më pas një tjetër.

    Unë ju nënshtrova të gjithë asaj që vazhdoi. Një kryqëzim është, në fund të fundit, një kryqëzim.
    Më pas rojet e Tempullit, si një trup i vetëm filluan të më pështynin.
    Më pas nje goditje, më pas një goditje tjetër.
    Korridori u mbush me qeshje tallëse që u ndoqën nga një “keqardhje” tallëse.
    Kur kjo nuk po i zbaviste më, më lidhën sytë.
    Përsëri u godita me një grusht dhe më pas me një tjetër.
    “Profetizo, Bir i Perëndisë. Na thuaj emrin e atij që të goditi. Na thuaj po ashtu kush do të të godasë tani”

    Skena të turpshme mbushën dhomën. Litari i lidhur rreth duarve të mia u fiksua pas një unaze të vënë në mur. Rrobat e mia u zhveshën.
    Goditja filloi.
    Kamzhikët pasonin njëri-tjetrin dhe kurrizi dhe këmbët e mia u skuqën nga gjaku. Më pas lëkura ime filloi të rripet.
    Shumë shpejt, që nga qafa deri në këmbë, s’isha gjë tjetër vecse një copë mishi i rrjepur.
    Kur, më në fund, e prenë litarin, goditja dhe pështyrjet vazhduan.
    Ashtu si Kajafa urdhëroi, nga plagët e mia të hapura, që arrinin deri në kockat e mia, gjaku derdhej lumë. Fytyra ime e ënjtur ishte prerë dhe tharë. Dukesha shumë më pak se një qënie njerëzore.

    Kur u shtriva në dysheme, dëgjova Sinedrin duke komplotuar për lëvizjen tjetër që do të bënin. “Ne duhet ta cojmë këtë blasfemues tek Pilati, në mënyrë të tillë që ai të urdhërojë ekzekutimin e tij të menjëhershëm.” – përfunduan ata.
    Mua më tërhoqën zvarrë dhe me cuan përballë tyre dhe ata filluan të më pyesnin përsëri. Ata shpresonin të gjenin një akuzë më të rëndë kundër meje. Asnjë prej tyre nuk mendonte për gjendjen time torturuese. Përgjigjia e vetme që u dhashë ishte e njëjtë me përgjigjen e fundit: “Ju do të më shihni të ulur në anën e djathtë të Zotit. Që aty unë do të rikthehem mes reve.”

    Gjithë Sinedri vendosi se duhej të kishte përforcime në numër dhe se ata duhej të shkonin të gjithë së bashku tek rezidenca e Pilatit. Unë u detyrova t’i ndjek i lidhur me vargonj.

    Unë u gjykova nga judenjtë. Tani po shkoja për t’u gjykuar nga paganët.

    (Vazhdon)
    Ndryshuar për herë të fundit nga Matrix : 25-02-2006 më 11:51
    Krishti: Ne Qiell me lavdine Hyjnore, ne toke me perulesine e sherbetorit!

  8. #8
    Paqe! Maska e Matrix
    Anëtarësuar
    02-11-2002
    Vendndodhja
    Në Zemrën e Hyjit!
    Postime
    3,123
    Kapitulli 17

    Dhe si Sinedri doli jashtë nëpër rrugët e Jerusalemit, ata u përplasën disa herë me mure njerëzish që ishin duke festuar dhe kishin bllokuar rrugët. Rojet shtynin me forcë turmën derisa arritën më në fund tek Fortesa Antonia.
    “Qengji im. Shiheni qengjin tim, “ thërriste një fëmijë. “Prifti nuk gjeti asnjë të metë tek ai”.
    Ngado që hidhja sytë njerëzit mbanin nëpër shpina qengja të bardhë borë. Lumenjtë e bardhësisë rridhnin vrullshëm drejt Tempullit. Gjithcka që më rrethonte s’ishte vecse bardhësi pastërtie.

    Kur një fëmijë i hodhi sytë në fytyrën time, ai thirri i tmerruar dhe u largua i terrorizuar.

    AT LEJOJE DHE KETE

    Papritmas dëgjova një zë që nuk vinte nga kjo botë:
    “Biri im, ti u gjykove nga populli im i zgjedhur. Dhe u hodhe poshtë prej tyre. Ti u hodhe poshtë prej hebrenjve fillimisht. Gjithmonë ata janë të parët. Pas pak castesh ti do të gjykohesh nga racat e johebrenjve. Duke bërë kështu, ti do të përmbushësh gjithë mallkimin e racës së Adamit. Pas kësaj, do të vijnë ato krijesa që jetojnë në vendet e padukshme. Kështu gjithë gjykimi do të jetë i plotë dhe shpëtimi do të jetë i skajshëm.”

    Zëri u venit kur ne arritëm tek pallati i Pilatit. Sinedri u ndal tek oborri i jashtëm i Pilatit në mënyrë që të mos e ndotte veten.
    Unë mendova:”Më arrestuan pa pasur asnjë shkak, më gjykuan ilegalisht, më mbuluan me dëshmi të rreme, tani po komplotojnë vrasjen time, dhe e gjithë kjo nuk e ndotka Sinedrin?! Kështu është me fetarët!”

    “Përse ma sillni këtë njeri? Merreni dhe gjykojeni sipas ligjeve hebraike!”
    “Ne e duam atë të vdekur dhe ju e dini se vetëm një romak mund të urdhërojë dënimin me vdekje të dikujt”
    “Cfarë krimi ka kryer?” pyeti Pilati me padurim.
    “Ai pretendon se është një mbret. Po kështu ai i nxit njerëzit që të mos paguajnë taksat e tyre.”

    Pilati, ky njeri supersticioz, dëgjoi vetëm fjalën “Mbret” dhe kështu më ftoi brenda në pallatin e tij.
    “A je ti një mbret?”
    « Unë jam. Sidoqoftë, mbretëria ime nuk mund të shihet. Ajo është lart, në një vend ku cdo gjë është e padukshme. Por megjithatë unë jam mbret dhe erdha në këtë planet pikërisht për këtë qëllim. »

    Megjithëse duket e cuditëshme, i vetmi person që do të mundohej të më shpëtonte nga vdekja ishte një guvernator pagan.


    Kapitulli 18

    Në orët që vazhduan, pesë herë u mundua Pilati që të më shpëtonte prej Sinedrit. Duke dëgjuar akuzat e tyre se unë kisha nxitur trazira në Galile, Pilati pa një mundësi. Sytë e tij vezulluan :
    « Galile ? A është ky një galileas ?”.
    Pilati ju kthye njërit prej ndihmësve të tij:
    ” A është Herodi në Jerusalem, në rezidencen e tij?”
    “Po, është.”
    “Ah, ha! Horri i horrave. Me sa di unë, ai është gjithë kohës i dehur! Cojeni këtë njeri menjëherë tek Herod Antipasi. Lërjani atij që të flasë me këtë galileas. Jam më se i sigurt se Herodi duhet ta njohë këtë njeri. Kush e di ! Mbase ai e di se si është e vërteta ! »

    Me zhgënjimin total të Sinedrit, unë u shoqërova me shpejtësi për tek Herodi, guvernatori i Galilesë.
    Për mua ishte e vështirë që të qëndroja përballë këtij njeriu. Ati i tij, Herodi i Madh, kishte cuar mijëra foshnja në vdekje gjatë kohës së lindjes sime. Dhe vetë ky Herod urdhëroi prerjen e kokës së kushëririt tim Gjon.

    “Unë kam dëgjuar se ti je një magjistar; madje kam dëgjuar se bën dhe mrekullira. Ja pra, më jep një shenjë!”

    Unë i largova sytë që andej.
    “Unë mund të të liroj,” shfryu Herodi.
    Unë përsëri ja largova sytë.
    Herodi u zhgënjye.
    Ai mezi kishte pritur deri atëherë që të më takonte.
    “Ma hiqni sysh këtë. Nuk dua të harxhoj më kohë me këtë, megjithëse pretendon se është mbret”

    Sapo dëgjoi se unë pretendoja të isha mbret, një ushtar vendosi një rrobë të purpurt mbi shpatullat e mia. Ata filluan të tallen dhe të fishkëllejnë duke thirrur: “Mbreti! Mbreti i Judenjve!”
    Kur kjo nuk ishte më zbavitëse për ta, më shoqëruan për t’u kthyer sërisht tek Pilati.

    Duke dalë për në rrugë, dëgjova Herodin që po thërriste:
    “Thuajini Pilatit që ky njeri nuk ka bërë asgjë të keqe!”

    Duke më parë sërisht, Pilati shpalli. “Herodi ra dakord me mua që ky njeri është i pafajshëm!”
    Duke kërkuar sërisht për një rrugëdalje, pa nënvleftësuar vendosmërinë e liderave fetarë për të më vrarë, Pilati deklaroi: “Unë do t’i jap këtij njeriu një të rrahur të mirë dhe më pas do ta liroj”
    Kjo i tërboi liderat akoma më shumë. Akuzat e tyre kundër meje u shkallëzuan më tepër. Në mezin e gjithë këtyre akuzave kundër meje, qetësia ime e habiste Pilatin. Turma po i afrohej Pilatit gjithnjë e më shumë. Në këtë moment, një roje i dorezoi Pilatit një mesazh nga gruaja e vet.
    “Mos i bëj asgjë të keqe këtij njeriu të pafajshëm. Unë kam vuajtuir shumë në ëndërr për shkak të tij.”
    Akoma dhe më i vendosur se më parë, Pilati provoi dhe një mundësi tjetër.
    “Unë do liroj një njeri për ju. Kë dëshironi, një vrasës dhe kryengritës kunder Romës, apo mbretin tuaj?”
    Pilati u pre nga habia kur dëgjoi përgjigjen e fetarëve dhe moralistëve: “Na jep Barabën!” u përgjigjen ata sikur të ishin një.
    Pilati mori frymë thellë dhe mendoi me vete: “Me siguri, nqs i nxjerr jashtë të dy njerëzit dhe populli sheh kriminelin e vrazhdtë dhe trupin e goditur dhe të enjtur të këtij të mjeri, Sinedri do të zbutet”

    Unë isha plotësisht i vetëdijshëm se tani isha në gjyq para principatave të dukshme. Njerëzit e zgjedhur duhet të më dënojnë dhe më pas dhe paganët. Pas kësaj duhet të qëndroj para një gjyqi tjetër dhe të hidhem poshtë dhe aty.

    Baraba ngriti një grusht të shtërnguar. Pilati e kapi krahun e tij dhe thirri: “A doni që të liroj Barabën, apo Jezusin që quhet Krisht?”

    Njëri nga priftërinjtë thirri: “Barabën! Liro Barabën!”
    Pilati thirri gjithë inat: “Smirë!Gjithë kjo s’është vecse smirë! Unë ju them se ky njeri nuk ka asnjë faj!”
    Liderat u përgjigjën në korr:” Ky njeri duhet të vdesë. Cdo njeri qe pretendon se është Bir i Perëndisë duhet të vdesë!”
    Duke qënë i vetëdijshëm se nuk kishte të bënte me një njeri të zakonshëm, Pilatin kur dëgjoi fjalën Zot, e zuri paniku.


    (Vazhdon...)
    Ndryshuar për herë të fundit nga Matrix : 27-02-2006 më 15:55
    Krishti: Ne Qiell me lavdine Hyjnore, ne toke me perulesine e sherbetorit!

  9. #9
    E gjeta dje tek rremoja per te gjetur dhe vendosur ne rregull disa gjera

    Krishti i kryqezuar mbi boten

    Ti kujton se eshte pikture, gjithcka ndodhi.
    Ngre syte drejt qiellit
    Dhe s'sheh gje tjeter vec vetes.
    Pasqyre e madhe,
    Te sheh edhe zemren.
    Ate zemer ku gozhda njerezore
    Mbretheu Hyjnine.
    Por ti s'e beson.
    "Se ti s'mund te kesh bere keq!"
    Por ne zemren tende rrjedh gjak.
    Rrjedh gjaku yt.
    Rrjedh gjaku i atij, te kryqezuarit.
    E megjithate ti s'e beson.
    "Sepse ti s'mund te kesh bere keq!"
    Ti ngrite doren kunder vetvetes
    Duke u kryqezuar ne zemren tende.
    Por jo i vetem
    Ne shpirtin dhe trupin tend te kryqshem,
    Ti, kryqezove Hyjnine.
    E prape ti s'e beson.
    "Sepse ti s'mund te kesh bere keq!"
    Dhe qielli, pasqyre e madhe
    Ne zemren tende,
    Te shfaq ate qe ti s'e beson.
    Nje bote te kryqshme.
    Nje hyjni te kryqezuar.

    Nuk e dija qe e kisha bere kaq te bukur (sa e levdoj veten! )
    Te shpëtohesh do të thotë të transformohesh prej Perendise, të ribëhesh ashtu siç Ai donte që ne të ishim që nga fillimi!

  10. #10
    Paqe! Maska e Matrix
    Anëtarësuar
    02-11-2002
    Vendndodhja
    Në Zemrën e Hyjit!
    Postime
    3,123
    Faleminderit moter Manulaki per poezine.

    Do doja te beja vetem nje "korrigjim" te vogel tek ajo.

    Ti thua se ishin gozhdet njerezore ato qe mberthyen Hyjnine.

    Kjo eshte e vertete kur e shohim nga Plani njerezor.

    Por nqs e shohim nga Plani Qiellor, ishte Dikush tjeter Ai qe kryqezoi Krishtin.
    Kjo permendet dhe tek Zbulesa:

    ...Dhe do ta adhurojnë të gjithë banorët e dheut, emrat e të cilëve nuk janë shkruar në librin e jetës së Qengjit, që ishte vrarë që nga krijimi i botës....

    Zbulesa 13:8

    Pra, Krishti (Qengji) eshte kryqezuar qe nga krijimi i botes. Pra, jo nga duart njerezore, por nga duart e Atit. Ajo qe ndodhi ne vitin 33 ishte thjesht ekzekutimi ne kohe i asaj qe ishte vendosur ne perjetesi.
    Krishti: Ne Qiell me lavdine Hyjnore, ne toke me perulesine e sherbetorit!

Faqja 0 prej 2 FillimFillim 12 FunditFundit

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •