Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 4
  1. #1
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,955

    Gjuha letrare dhe sfera publike në Kosovë

    Gjuha letrare dhe sfera publike në Kosovë

    Shkruar nga Besnik Pula

    Gjuha letrare dhe linguistika

    Në të gjitha argumentet që gjuhëtarët kosovarë ngrisin në mbrojtje të gjuhës letrare në Kosovë, është e dukshme mungesa e një trajtimi substancial të raportit midis gjuhës së shkruar dhe gjuhës së folur. Mekanizmi, apo modeli teorik që mundëson këtë shkëputje të gjuhës nga realiteti i përditshëm njerëzor është te vetë akti inaugurues i shkencës së linguistikës që u bë gati para njëqind vitesh nga Ferdinand de Saussure. Saussure, gjuhën e trajton si një entitet të mëvetshëm, i prodhuar nga njerëzit por i kapshëm dhe i analizueshëm nga pikëpamja e logjikës dhe koherencës së vet të brendshme. Kjo pikëpamje strukturaliste mbi gjuhën (meqë gjuha trajtohet si strukturë në vete) vazhdon të dominojë në linguistikën shqipe, e cila vazhdimisht ruan ndarjen midis produktit të vet, gjuhës letrare, nga realiteti i gjuhës së folur në përditshmërinë njerëzore, e cila relegohet në kategorinë e gjuhës dialektore. Duke vazhduar të mos e pranojë faktin se gjuha letrare është sajesë e një grupi relativisht të vogël gjuhëtarësh, premisat strukturaliste në të cilat mbështetet linguistika shqiptare e bën të logjikshëm absurdin e konstatimit, që Migjen Kelmendi shpesh e vën në pah, se "gjuha është e mirë, njerëzit janë të këqij".

    E mbështjellur me petkun e kombëtarizmit, diskursi zyrtar i Tiranës e kishte përcaktuar gjuhën letrare shqipe si shenjë themelore të identitetit shqiptar. Duke e portretizuar punën e saj si vazhdim të një projekti që qe nisur nga rilindasit, linguistika shqiptare thirrej si në historinë ashtu dhe në shkencën për ta legjitimuar gjuhën letrare si pasqyrë të pakontestueshme të realitetit historik shqiptar. Deklarata e Aleks Budës, me rastin e konferencës "Gjuha letrare kombëtare shqipe dhe epoka jonë" të vitit 1984, e përmbledh këtë pikëpamje kur thotë se, "kushtet e reja e bënë të mundshme, madje të nevojshme, një politikë gjuhësore mbi baza shkencore, siç është politika e Partisë sonë, e cila nisi dhe çoi më tej tendenca e procese historikisht të paraformuara, në zhvillim dialektik midis traditës dhe risive, midis vazhdimësisë dhe zhvillimeve të reja cilësore". Duke e heshtur realitetin e kontestit midis variacioneve letrare në gjuhën shqipe, si dhe duke e shlyer përfundimisht nga kujtesa historike zhvillimin e gegnishtës letrare në periudhën e Zogut (për të mos thënë duke i margjinalizuar, izoluar madje edhe eliminuar fizikisht bartësit e gegnishtës letrare), linguistika shqiptare kështu e konsolidoi ideologjinë e gjuhës letrare, një ideologji e cila edhe sot, si një refleks intelektual, i del në mbrojtje gjuhës letrare sa herë që kontestohet hegjemonia e saj.
    My silence doesn't mean I am gone!

  2. #2
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,955
    Gjuha dhe dominimi

    Suksesi relativ i gjuhës letrare (e vendosjes së saj si të vetmës formë legjitime të të shprehurit në të shkruar) do të ishte i paimagjinueshëm pa aparatet burokratike të shtetit i cili, jo vetëm në përdorim zyrtar dhe përmes sistemit arsimor, por edhe në krijimin e vlerave kulturore përmes institucioneve kulturore, gjuhës letrare i dha një simbolikë të veçantë. Standardizimi dhe zyrtarizimi i gjuhës, siç argumenton sociologu Pierre Bourdieu, i jep gjuhës një vlerë të veçantë si kapital simbolik. Për Bourdieu-n, kapitali simbolik, sikurse kapitali ekonomik, është i distribuuar në mënyrë të jobarabartë në shoqëri që ka si pasojë krijimin e hierarkive. Në shtetin modern, institucionet kulturore dhe arsimore janë pika qendrore të prodhimit dhe përcaktimit të kapitalit simbolik. Kështu, përdorimi i gjuhës, i cili nga pikëpamja linguistike është një shkëmbim shenjash (fjalësh dhe konceptesh) me të cilat njeriu komunikon me njeriun, në realitetin shoqëror është mekanizëm për formimin dhe ruajtjen e relacioneve të fuqisë. Nëpërmjet të gjuhës zbatohet jo vetëm komunikimi mekanik por edhe dominimi shoqëror. Kështu, gjuha si kapital simbolik është mjet i dhunës, i një dhune simbolike siç e quan Bourdieu, me të cilën zbatohen dhe riprodhohen relacionet e fuqisë.

    Kështu, raporti midis gjuhës letrare dhe gjuhëve "dialektore", që linguistika paraqet si një ndarje binare midis formës "korrekte" dhe formave "jokorrekte" të shprehjes, gjithmonë sipas kritereve të vetëcaktuara dhe vetëshpallura të linguistikës, në realitetin shoqëror si konsekuencë ka përforcimin e dallimit midis atyre që "flasin drejtë" dhe atyre që "flasin keq". Ky dallim nuk është thjesht arbitrar por, siç ilustron Bourdieu, mbështetet në raporte të caktuara shoqërore midis klasëve dhe grupeve dominante në shoqëri karshi klasëve dhe grupeve të margjinalizuara. Përcaktimi i standardit gjuhësor kurrë nuk është arbitrar as pasojë e një procesi të natyrshëm historik, siç ka dëshirë ta prezentojë linguistika, por rezultat i një përpjekjeje (jo gjithmonë koshiente as të planifikuar) për solidifikimin dhe zyrtarizimin e pozitës dominante të një klase dominante, në kuadër të një sistemi të centralizuar politik, ekonomik e kulturor.

    Që të kuptohet funksioni i gjuhës si kapital simbolik është me rëndësi që t'i shmangemi analizave tekstuale/strukturaliste të gjuhës, të tilla çfarë bën linguistika shqiptare, dhe të theksohet roli i gjuhës në raportet e përditshme njerëzore. Projekti i gjuhës letrare shqipe dhe i asnjë gjuhe tjetër të standardizuar, nuk ka qenë i tillë që të përcaktojë vetëm mënyrën e drejtë të të shkruarit, por edhe të të folurit. Si i tillë, reprodukimi i gjuhës letrare gjatë të folurit shërben si përcaktues i pozitës së folësit në shkallët e hierarkisë klasore. Reprodukimi jo vetëm gramatikor, por edhe frazelogjik e theksor i folësve të klasës dominante shndërrohet në objektiv të atyre që aspirojnë pozitë më të lartë shoqërore. Reprodukimi i tillë i gjuhës, që për klasën dominante është "i natyrshëm", meqë ai prodhohet dhe riprodhohet në mjedisin shoqëror të tij, është ai që synohet nga pjesëtarët e klasës menjëherë nën të. Kështu p.sh., Bourdieu vë në pah tendencën e pjesëtarëve të klasës së mesme në Francë të jenë më koshient që e folura e tyre të puqet sa më mirë me standardin se sa në klasën dominante, pjesëtarët e së cilës flasin më me lehtësi dhe pa bërë përpjekje koshiente për vetëkorrigjim. Kështu, përdorimi i caktuar i gjuhës gjatë të folurit, i cili nuk është gjithmonë koshient por rezultat i mënyrës së socializimit të individit, shërben si shenjë dalluese midis pjesëtarëve të klasës dominante, të cilët janë bartësit e kapitalit simbolik të gjuhës së standardizuar, dhe klasëve të margjinalizuara të cilat duhet ta aspirojnë por asnjëherë ta arrijnë në plotësi kapitalin simbolik që e ofron gjuha standarde.
    My silence doesn't mean I am gone!

  3. #3
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,955
    Gjuha letrare dhe hierarkia gjuhësore në Kosovë

    Paradoksi që vërehet në Kosovë është dualiteti që ekziston midis hegjemonisë së gjuhës letrare në mediumet publike në një anë, dhe hierarkive gjuhësore në realitetin e përditshëm në anën tjetër. Historikisht, gjuha letrare shqipe arriti të etablohet si gjuhë e përgjithshme administrative dhe kulturore vetëm gjatë viteve 1970, paralelisht me mëvetësimin politik të Kosovës dhe rritjes sasiore dhe cilësore të institucioneve kulturore dhe arsimore shqipe në Kosovë. Megjithëse brenda disa dekadave gjuha letrare arriti të bëhet e vetmja gjuhë legjitime në shkrim, ajo asnjëherë nuk u përvetësua nga klasa dominante në Kosovë si gjuhë e saj. Në vend të kësaj, brenda klasës dominante në Kosovë u kultivua varianti i shqipes që Rexhep Ismajli e quan "gegnishte e kulluar", një "dialekt" me të cilin shprehet klasa dominante dhe përmes të cilit pjesëtarët e kësaj klase dallohen nga shtresat margjinale. Mjedisi ku u prodhua ky variant gjuhësor, i cili, meqë nuk ishte i shkruar e i standardizuar, asnjëherë nuk u zyrtarizua, ishte Prishtina si lokalitet ku ishin të centralizuara jo vetëm aparati politik-burokratik por edhe institucionet e prodhimit kulturor, si dhe vend ku ishin takuar e ngjeshur variacione të ndryshme regjionale të shqipes së folur në Kosovë. Hierarkia gjuhësore, e krijuar në këtë mjedis në bazë të shtresimeve të reja politike e socioekonomike, funksionon në marrëdhëniet e përditshme në mënyrë gati të pavarur nga gjuha e shkruar. Nga mënyra e të folurit (një e folur që aspak nuk përkon me standardin letrar), dikush përcaktohet se është apo jo "katun(d)ar", kjo e fundit një term pezhorativ që ka më pak të bëjë me vendbanimin e dikujt se sa me pozitën e tij shoqërore. Pra, sipas terminologjisë së Bourdieu-s, gjuha në kontekstin kosovar, edhe pse jo në formë të shkruar, megjithatë është formë e kapitalit simbolik dhe shenjë dallimi.

    Ky zhvillim i ndarë dhe paralel i gjuhës së folur dhe gjuhës së shkruar ka si rezultat edhe ruajtjen e një dualiteti midis realitetit të përditshëm (të marrëdhënieve dhe raporteve të përditshme shoqërore) dhe realitetit tekstual (realitetit zyrtar, që jepet në mediume). Këtë realitet nuk mund ta mohojnë as linguistët kosovarë, të cilët jetojnë në universin e strukturuar dhe logjik të gjuhës letrare vetëm në tekst dhe në konstruksione letrare, por jashtë kësaj bote të imagjinuar nuk ndjehen të ngushtuar që në gjuhën letrare të komunikojnë me nënën, vëllaun ose kusheririn. Kështu, p.sh., ndërsa në Shqipëri gjuha letrare është vazhdimësi e gjuhës së folur të një kategorie të caktuar aktorësh shoqëror, në Kosovë ajo është gjuhë tekstuale, zyrtare, pa referencë në të folurën e asnjë grupi shoqëror.
    My silence doesn't mean I am gone!

  4. #4
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,955
    Gjuha letrare si gjuhë e autoritetit

    Në Kosovë, gjuha letrare, si gjuhë e dokumenteve administrative, e gazetarisë dhe e letërsisë, e politikanëve dhe e njerëzve të dijes, luan rolin e një gjuhe të kumtit apo të shpalljes, e një gjuhe të autoritetit (politik, moral, shkencor). Gjuha letrare dikton jo vetëm kornizat e shprehjes legjitime gramatikore dhe drejtshkrimore, por edhe të kornizave konceptuale, sinjifikuesve dhe sinjifikimeve, që janë të vlefshme për definimin e realitetit zyrtar, që gjithmonë është një realitet tekstual (dmth., i bazuar në tekst). Gjuha letrare nuk është thjesht formë e shprehjes por një diskurs që përcakton suazat dhe limitet e atyre që mund të thuhen dhe atyre që duhet të heshten, asaj që pranohet si e vërtetë aksiomatike (p.sh. "shqiptarët janë popull i lashtë") dhe asaj që është refuz (p.sh. "kosovarët janë komb"). Gjuha është mjeti themelor me të cilin njeriu i jep kuptim realitetit të vet; me gjuhën letrare në Kosovë, në vend se gjuha e tekstit ta pasqyrojë realitetin organik që shfaqet e zhvillohet në gjuhën e përditshme të folur, gjuha zyrtare, e sajuar mekanikisht brenda kornizave të gjuhës letrare, gjithmonë duhet ta pasqyrojë një realitet mekanik që shfaqet në tekst. Pra diskursi publik kosovar, i kufizuar nga strukturat shprehëse të gjuhës letrare, nuk është i kufizuar vetëm për nga fjalori, por edhe nga numri i koncepteve ndërsubjektive që ajo mund të pasqyrojë në mënyrë legjitime në tekst. Si krijesë që burimin e ekzistencës së vet e ka në tekst e jo në një realitet shoqëror, gjuha letrare në Kosovë, duke treguar se si duhet e si nuk duhet të shprehemi, njëkohësisht vepron duke treguar edhe çka mund dhe çka nuk mund të shprehet.

    Në përdorimin e saj në Kosovë, gjuha letrare përkufizon momentet dhe hapësirat ku fillon jeta publike/zyrtare dhe ajo personale/private. Dhe ky dualizëm nuk është thjesht mekanik -- duke e ndarë jetën publike dhe atë private gjuhësisht, bashkëjetesa e dy trajtave dhe universeve gjuhësore krijon edhe distancën shoqërore midis tyre. Kodi i gjuhës letrare është kod i një gjuhe të teatralizuar të "fytyrës publike", që dallon nga kodi lingual i jetës jashtë institucioneve zyrtare. Fytyra publike është fytyrë e dinakërisë, e aftësisë për ta thënë "atë që duhet me e thanë", atë që kërkohet nga një autoritet më i lartë (qoftë ai politik apo moral). Ajo që thuhet në sferën publike përmes gjuhës zyrtare dallon jo vetëm nga mënyra e thënë por edhe për nga përmbajtja nga ajo që thuhet në marrëdhëniet private si brenda familjes dhe rrethit të ngushtë shoqëror. Gjuha letrare kështu funksionon si shenjë ndarëse midis realitetit zyrtar dhe realitetit të jetuar; momenti dhe hapësira që kërkon shprehjen në gjuhën letrare është momenti dhe vendi ku shprehja është e disiplinuar dhe e kontrolluar nga vetë folësi, e rutinizuar dhe e parashikueshme për nga forma dhe përmbajtja. Kështu p.sh. kur dëgjon deklaratat që politikanët kosovarë bëjnë në televizion e gazeta, e sheh se ato nuk dallojnë shumë nga njëra-tjetra; njëkështu kur lexon krijimtarinë letrare në Kosovë, e sheh se proza dhe poezia kosovare është pak a shumë e njëtrajtshme. Gjuha letrare po ashtu e cakton burimin e autoritetit simbolik jashtë Kosovës -- meqë gjuha "e drejtë" flitet vetëm në Shqipëri, mimika jo vetëm tekstuale por edhe fonetike e folësve të caktuar shqiptarë është një aftësi e domosdoshme për cilindo kosovar që ka nevojë profesionale për përdorimin publik të gjuhës, që e folura e tij të pranohet si legjitime dhe autoritative. Në të gjitha këto aspekte, projekti ambicioz i gjuhës letrare në fund ka çuar në kolonizimin e sferës publike në Kosovë, duke e cunguar dhe kufizuar rolin e saj.

    Këto të përshkruara më lartë janë vetëm disa nga aspektet shoqërore të rolit të gjuhës letrare në Kosovë. Padyshim se, që të kihet një pasqyrë më e plotë e asaj që ka bërë gjuha letrare në Kosovë i domosdoshëm është një shqyrtim më i thellë sociologjik. Nuk mjafton pohimi se gjuha letrare në Kosovë nuk ka nxënë rrënjë sa duhet -- një gjeneratë e tërë është rritur me gjuhën letrare dhe ajo vazhdon të ketë këtë rolin e gjuhës zyrtare, e një gjuhe të autoritetit i cili sot është një autoritet që është zbehur dukshëm. Gjuha letrare në Kosovë jo vetëm se ka shkaktuar një margjinalizim kulturor të kosovarëve karshi shqiptarëve të Shqipërisë, ajo po ashtu ka varfëruar diskursin publik për shkak të përjashtimit të jetës dhe realitetit shoqëror nga gjuha e sferës publike. Kjo ndarje po ashtu përbën një forcë konservatore. Përderisa gjuha përcakton kufirin midis sferës private dhe sferës publike, vështirësohet çfarëdo reforme shoqërore. Diskursi zyrtar, i shprehur në gjuhën letrare, përbën shtresën izoluese që neutralizon çdo ndërhyrje diskurzive nga sfera private në atë publike dhe anasjelltas. Liria nga nënshtrimi padyshim kërkon një çlirim nga nënshtrimi gjuhësor. Derisa njerëzit në Kosovë janë në shërbim të gjuhës e jo anasjelltas, kjo është e parealizueshme.

    Botuar te Java, janar 2003
    My silence doesn't mean I am gone!

Tema të Ngjashme

  1. "Revolucioni vonuar" dhe Ahmet Krasniqi
    Nga Brari në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 214
    Postimi i Fundit: 20-09-2018, 13:55
  2. Fatmir Limaj
    Nga ARIANI_TB në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 295
    Postimi i Fundit: 07-02-2015, 16:09

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •