Vendi ynë, i rrethuar nga virusi H5N1. Gripi mund të vijë nga Greqia, Jugosllavia dhe Rusia
Eglantina Bardhi
Shqipëria kërcënohet nga gripi i shpendëve H5N1 dhe rreziku vjen nga shpendët shtegtarë. Këtë e deklaroi zv/ministri i Mjedisit, Taulant Bino, i cili theksoi se në lagunën e Shkodrës, Ohrit dhe Prespës mund të vijnë shpendë të egër shtegtarë që mbartin virusin H5N1. Bino shpjegoi se lëvizjet e shpendëve nga vendet e ftohta drejt vendeve të ngrohta kanë nisur me kohë e për pasojë këta shpendë mund të vijnë në Shqipëri nga Greqia, Jugosllavia, Rusia dhe Kroacia. Ndërkohë, Bino tha se në të gjitha lagunat ka grupe veterinarësh që zhvillojnë kontrolle të shpeshta për të parandaluar rrezikun që i kanoset edhe vendit tonë. Gjithashtu mjekët bëjnë të ditur se në rast të shfaqjes së këtij virusi QSUT-ja dhe Instituti i Shëndetit Publik disponojnë medikamentin tamiflu. Megjithëse deri tani nuk është konfirmuar në vendin tonë asnjë rast i virusit vdekjeprurës H5N1, Shqipëria mbetet e rrethuar nga vendet ku virusi po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha.
Virusi në Evropë
Gripi i shpendëve ka prekur vendet evropiane, madje edhe vendet fqinje dhe kjo përbën një rrezik të madh për vendin tonë. Kështu, autoritetet kanë konfirmuar praninë e tipit vdekjeprurës të gripit të shpendëve H5N1 në Itali, në Greqi dhe në Bullgari. Ndërkohë, ministri italian i Shëndetësisë tha se autoritetet kishin gjetur dy mjellma të ngordhura pas infektimit me virusin në tre rajone të vendit, në Pulia, në Kalabri dhe në Siçili. Ndërsa zyrtarët grekë thanë se analizat laboratorike në Britani konfirmuan se mjellmat e ngordhura që u gjetën pranë Selanikut në fillim të javës ishin gjithashtu viktimë e epidemisë vdekjeprurëse. Zyrtarët e Bashkimit Evropian thonë se në laboratorin britanik u konfirmua gjithashtu prania e virusit edhe në mjellmat e egra që u gjetën javën e kaluar në veri të Bullgarisë. Zyrtarët në Rumani njoftuan për raste të reja të dyshuara si grip shpendësh në Deltën e Danubit.
Italia
Raste të virusit vdekjeprurës janë konfirmuar në Italinë Jugore si dhe në Greqi e Bullgari. Ndërkohë, autoritet bëjnë të ditur se e gjithë Italia e ka përqendruar vëmendjen te Lojërat Olimpike Dimërore në veri të vendit, në jugun italian raste të gripit të shpendëve janë konfirmuar në tre rajone: Kalabri, Pulia dhe Siçili. Këto janë rastet e para që njoftohen në Itali. Pas informimit që i bëri kabinetit lidhur me gjendjen, ministri i Shëndetësisë së Italisë, Francesco Storace, konfirmoi se virusi vdekjeprurës ishte gjetur te mjellmat. Ai tha se rajoni i prekur më shumë tani për tani është Siçilia, ku problemi duket më i përhapur. Ndërkohë, Storace tha se vazhdon të ndryshojë numri i mjellmave që janë gjetur të ngordhura. Deri tani, sipas tij, 17 mjellma kanë ngordhur në tre rajone të Italisë së jugut, shumica prej tyre si pasojë e variantit H5N1 të virusit. Ai tha se testimet ishin bërë në një laborator në qytetin verior të Padovës dhe se vazhdojnë analizat e mëtejshme. Storace tha gjithashtu se sëmundja ka ardhur ndoshta nga zogjtë shtegtarë dhe është shkaktuar nga moti i ftohtë në Ballkan dhe në veri të Evropës. Ndërkohë, ai bëri të ditur se nuk ka infektime në njerëz.
Rreziku
Ekspertët theksojnë se virusi po përhapet nga një vend te tjetri nga zogjtë shtegtarë, duke u bërë një rrezik serioz për të gjitha shtetet. Të ndodhur në këto rrethana, zyrtarët botërorë të shëndetësisë po përpiqen për të ndaluar një epidemi globale. Ndërkohë, Juan Lubroth, një zyrtar i lartë i shëndetit të kafshëve në Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, tha se për njerëzit rreziku i transmetimit të sëmundjes do të ishte përmes shpendëve shtëpiakë. Ai tha se, nëse shpendët mbahen në mjedise të hapura në kontakt me zogjtë e egër të infektuar, mundësia e transmetimit të sëmundjes do të jetë më e madhe. Gjithashtu, Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se nga gripi i shpendëve kanë vdekur të paktën 88 vetë në Azi dhe Turqi që nga viti 2003. Pothuajse të gjitha vdekjet, sipas tyre, janë të lidhura me kontaktet me shpendët e infektuar, por ekspertët shqetësohen se virusi mund të ndryshojë dhe të shndërrohet në një formë që përhapet lehtë midis njerëzve.
Shenjat e sëmundjes
Simptomat e gripit të shpendëve fillimisht janë të ngjashme me ato të gripit të zakonshëm. Por komplikacionet pulmonare si insuficenca akute pulmonare apo insificenca kardiorespiratore e menjëhershme janë karakteristike të tij. Zogjtë e infektuar e përhapin virusin nëpërmjet pështymës së tyre, sekrecioneve të hundës e feçeve. Mendohet që shumica e rasteve në njerëz vjen si pasojë e kontaktit me shpendët e infektuar apo sipërfaqet e kontaminuara. Specialistët, së fundi kanë vërejtur që në vendet e prekura, virusi ka kaluar nga njeriu te njeriu, por pa e kaluar një njeri të infektuar. “Duke qenë se virusi nuk qarkullon te njerëzit dhe mbrojtja imunitare është e pakët, në këtë mënyrë mund të fillojë pandemia, por askush nuk mund ta parashikojë se kur mund të ndodhë”, - theksojnë specialistët.
Çfarë është gripi i shpendëve
Gripi i shpendëve është një virus që shkaktohet nga viruset e gripit të shpendëve apo zogjve. Këto viruse qarkullojnë në mënyrë natyrore të vazhdueshme midis zogjve. Zogjtë e egër i mbartin viruset në zorrën e tyre, por zakonisht nuk sëmuren prej tyre. Megjithatë, ky lloj gripi është mjaft ngjitës midis zogjve dhe kur përhapet te disa shpendë shtëpiakë si pula, rosa dhe gjeli detit shkakton sëmundje të rënda deri në ngordhjen e tyre. Sipas specialistëve të OBSH-së, ky lloj gripi nuk prek zakonisht njerëzit, por që nga viti 1997 dhe sidomos vitet e fundit janë venë re raste në njerëz, kryesisht në Azi. Ata vërejnë nëntipe të virusit A të gripit, të cilat dallohen nga njëri-tjetri në bazë të disa proteinave sipërfaqësore (hemaglutinina, HA dhe nuraminidaza NA). Specialistët numërojnë rreth 16 nëntipa të ndryshme HA dhe 9 për NA të gripit A, duke theksuar se janë të mundshme mjaft kombinime të tyre. “Çdo kombinim është një nëntip i ri.
Pra kur flasim për grip të shpendëve i referohemi këtyre nëntipeve A që vazhdojnë të qarkullojnë te zogjtë”, -thuhet në raportin e OBSH-së, ku shtohet se kur flasim për viruse gripi tek njerëzit i referohemi atyre nëntipave që zakonisht përhapen dhe ndodhin te njerëzit. Sipas raportit, ka vetëm tre nëntipa deri tani të njohur për njerëzit që janë H1N1, H1N2 dhe H3N2, ku mendohet se një pjesë gjenetike e tyre vjen nga virusi i zogjve. Pra kanë qarkulluar në zogj dhe më pas janë adaptuar në njerëz. Viruse A të gripit ndryshojnë vazhdimisht dhe kohë pas kohe ato adoptohen të infektojnë lloje të tjera si derrat dhe më pas njerëzit, pra të përhapen midis njerëzve apo më saktë nga njeriu te njeriu.
Krijoni Kontakt