Ekipi Negociator i Kosovës ka vendosur të dielën që një delegacion i Kosovës të udhëtojë më 20 shkurt në Vjenë.
Atje do të mbahet takimi i parë i drejpërdrejtë mes Prishtinës dhe Beogradit për çështje që kanë të bëjnë me statusin.
Në mbledhjen e thirrur nga kryetari i sapozgjedhur i Kosovës, Fatmir Sejdiu, negociatorët kosovarë i thanë 'po' takimit për decentralizimin, në kuadër të bisedimeve statusore.
Drejtuesi i Ekipit Negociator, Fatmir Sejdiu njoftoi për miratimin e dokumentit të decentralizimit, i cili do të shërbejë si platformë e palës kosovare.
"Por për momentin," tha presidenti Sejdiu "ende nuk është vendosur se kush do ta drejtojë delegacionin".
"Është çështje e mëvonshme përcaktimi i ekipit i cili do të shkojë, do të merret një vendim dhe do të njoftoheni me kohë".
Në kohë
Kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi tha se pala kosovare nuk është vonuar në përgatitjet për takimin e Vjenës.
Ai theksoi se grupet punuese tashmë kanë kryer punën e tyre në hartimin e dokumentit për decentralizimin, i cili përjashton mundësinë e krijimit të komunave të pastërta etnikisht.
"Grupet punuese në të gjitha fushat i kanë kryer punët me kohë dhe besoj se do t'i kemi në kohën e duhur të gjitha dokumentet e duhura.
Në Vjenë do të shkojë ekipi i përgatitur dhe mendoj se e mbizotërojmë procesin ashtu si duhet dhe ashtu si është në interes të Kosovës", tha kryeministri Kosumi.
Në takimin e Grupit Negociator të Kosovës nuk mori pjesë kryetari i Kuvendit, Nexhat Daci, siç u tha per arsye objektive.
Unitet
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, Hashim Thaçi është shprehur shumë i kënaqur me takimin e fundit të Grupit Negociator.
Ai tha se negociatorët kosovarë janë unikëgrupi si i tillë po funksionon siç u shpreh ai "shkëlqyeshëm".
"Ka një unitet shumë funksional, jemi dakorduar të gjithë që data 20 shkurt të jetë data kur duhet të mbahet takimi në Vjenë...
Unë jam shumë optimist se ky bashkëpunim shumë i ngushtë do të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe do të jemi të përgatitur që të përshpejtohet zgjidhja e statusit politik për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës", tha zoti Thaçi.
Për kryetarin e partisë së dytë opozitare ORA, Veton Surroi, Grupi Negociator i Kosovës për statusin ka hyrë në një dinamikë shumë më të madhe të punës.
"Niveli i unitetit, niveli i bashkimit i manifestuar në këtë mbledhje premton për një dinamikë të atillë që delegacioni i Kosovës të diktojë ritmin e negociatave," tha zoti Surroi.
Takimi i Vjenës ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ishte planifikuar të mbahet më 25 janar, por ai është shtyrë për shkak të vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova.
Krijoni Kontakt