Zvetënimi i diplomatëve
Pse njerëzit që na përfaqësojnë sot nëpër botë nuk janë aq cilësorë sa diplomatët e fillimeve të shtetit shqiptar. Pas debateve për emrat e ambasadorëve, kujtimet për brezin e shkëlqyer të diplomatëve të fillimit të shekullit të njëzetë. Ish-nëpunësit e Perandorisë Osmane, që mahnitën kanceleritë evropiane
Olimbi Velaj
Në një nga bisedat e Hitlerit me Ribentropin mbahet mend të jetë shënuar edhe kjo frazë: “ Takova sot një diplomat të madh të një vendi të vogël dhe një diplomat të vogël të një vendi të madh”. Diplomati i madh i një vendi të vogël ishte Rauf Fico, shqiptari që e kishte mahnitur Fyhrerin me erudicionin dhe elokuencën e tij të jashtëzakonshme gjatë paraqitjes së letrave kredenciale, ndërsa diplomati i vogël i një vendi të madh ishte ambasadori japonez i asaj kohe, që as mund të krahasohej me shqiptarin. Kjo është vetëm një nga copëzat e kujtimeve domethënëse për ata diplomatë të shkëlqyer, që pat nxjerrë Shqipëria në fillimet e shtetit. Përballë diplomacive të shteteve që kishin qindra vjet të konsoliduar, këta shqiptarë që vinin nga vendi i vogël karshi Italisë dhe fqinjë me Greqinë, mahnisnin sistematikisht kolegët dhe burrat e shteteve të epokës, kur i shërbyen vendit të tyre të vogël e pa zë në diplomacinë botërore.
Në po këtë vend, pas gati një shekulli tradite si shtet, diplomatët nuk shkëlqejnë më si dikur. “ Ka ikur koha e atyre burrave”, të thotë një nga nëpunësit e vjetër të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Shqiptarët e fillimit të mijëvjeçarit janë bërë më pragmatistë dhe më pak të kujdesshëm kur është fjala për përfaqësimin e vendit të tyre. Perandoria romake pati shumë perandorë nga Iliria dhe më tej akoma, perandoria osmane pati 36 vezirë shqiptarë. Konsuj dhe ambasadorë të panumërueshëm, nëpunës të lartë pa fund. Duket sikur ajo thënia “ turqit e pushtuan Shqipërinë për të ndarë pushtetin me shqiptarët”, është me vend. Në të vërtetë shumë nga dyert shqiptare- trashëguan në vite edhe nëpunësinë perandorake dhe traditën e përfaqësimit diplomatik për llogari të perandorisë.
Ethe emërimesh
Ndërsa nëpër korridoret e shkallët e ministrisë, mesoburrat e sapoemëruar ambasadorë venë e vijnë, duke bërë ecejaket e fundit para se të ikin për katër ose më shumë vjet larg Shqipërisë. Nëpër gazeta emrat e tyre lakohen pafund. Po aq lakohet e zgjedhohet tensioni mes pozitës e opozitës për “ ata që do na përfaqësojnë”. Emra të propozuar, që kanë kaluar seancat dëgjimore në ministri, por që rrëzohen në “ provimin” e komisionit të jashtëm parlamentar, të tjerë emra në vend të tyre që rinisin po të njëjtat përballje dhe presin në ankth deri në çastin e fundit, OK-in e presidentit. Burrat e grupit të fundit të emërimeve të ambasadorëve shqiptarë sapo kaluan “testin” e komisionit të jashtëm parlamentar dhe një firmë e presidentit do të vendosë për ta. Tashmë në qetësinë e triumfatorëve, ata bëjnë gati bagazhet dhe fiksojnë datat e mbërritjeve në rezidencat e përgjumura prej javësh. Në fakt në ministri të thonë se nuk kemi shumë rezidenca të blera. Nga 44 përfaqësi diplomatike që ka Shqipëria nëpër botë, vetëm gjashtë ambasada janë të blera si godina, të tjerat, të gjitha me qira. Aktualisht janë ambasadat në Athinë, Uashington, Nju Jork, Bruksel, Romë dhe Stokholm. “ Sigurisht që ka rëndësi edhe fakti se si është vetë godina e ambasadës. Edhe kjo është pjesë e imazhit”, thotë një nëpunës që nuk ka dëshirë të identifikohet.
Një pjesë e diplomatëve të karrierës kanë mbetur në po ato vende ku ishin. Ndërsa një pjesë tjetër, ku hyn edhe 20 përqindëshi i emërimeve do të jenë të rinj. Por në shtetin që po vjetërsohet tashmë, nëse i referohemi kohës së krijimit, rotacioni politik risolli edhe një herë në skenë debatet për ata që do na përfaqësojnë jashtë, për dinjitetin e përfaqësimit. Në po këtë kohë ridalin në vëmendjen e të gjithëve karrierat e shkëlqyera të diplomatëve të mëdhenj, që do t’i kishte zili çdo vend i botës. Në nivelin e qytetarëve të thjeshtë prezantimet publike, lajthitjet dhe lapsuset e njerëzve që mëtojnë të na përfaqësojnë jashtë, kanë një shije të hidhur. Në Shqipërinë e fillimit të shekullit të njëzetë nuk kishte kurrë dilema si ato të sotmet për përfaqësimin diplomatik. Madje krijimi i shtetit shqiptar erdhi sidomos falë përpjekjeve të atyre diplomatëve që kishin lindur në këto vise dhe që duke ndërthurur kapacitetin e tyre, njohjet personale dhe rrethanat historike, arritën të imponoheshin. Puna e pionierëve të diplomacisë shqiptare s’ka të krahasuar.
Më dyer mbyllur
Sot, pas afërsisht një shekulli shqiptarët në botë nuk gjejnë tek ambasadat atë përkushtim dhe bashkëpunim, që gjenin në fillimet e shtetit shqiptar. Në vendet e migracionit më të madh të shqiptarëve, shtetasit ndjehen shpesh si jetimë. Ndodhin vrasje, dhunime, grisje sistematike pasaportash, keqtrajtime psikologjike dhe fizike të të gjitha llojeve, por ambasadat tona nuk i dëgjojnë dhe nuk reagojnë ndaj këtyre gjërave. Shpesh të qenit ambasador konsiderohet si një kohë e mirë vakance dhe bërje punësh personale. Ambasadat rrinë me dyer dhe veshë mbyllur përpara përgjegjësive që u ngarkon vetë ligji. Ndërsa në radhët e ambasadorëve dhe të atyre që mëtojnë të bëhen ambasadorë ka mjaft syresh që të dekurajojnë.
Ambasadorët e dikurshëm
Uran Asllani është një kimist i vjetër, që tani nuk di më se nga anon formimi i tij. Tek bisedon me të, të duket se ke përpara një historian të shtetit shqiptar. Por nuk është ashtu. Burri që merret në fakt me profesionin e tij, e ka “ të lindur” prirjen për t’u marrë me historinë e diplomacisë sonë. Ai është pinjolli i një familjeje që në breza kanë qenë nëpunës perandorakë. Është djali i Fuat Asllanit, njërit prej ministrave të Jashtëm të Shqipërisë së kohës së Zogut. Ai tregon se përmbi të gjitha ajo kohë kishte edhe kushtet për të pasur një kastë diplomatësh të shkëlqyer. Tregon se si Austria ishte direkt e interesuar dhe se ajo sponsorizoi deri edhe kthimin me vapor në atdhe të secilit nëpunës shqiptar të perandorisë osmane. U dha nga 50 lira për kokë vetëm për udhëtimin. Kështu shpjegohet pse Ismail Qemali e “kishte të lehtë” barrën që mori përsipër. Nga viti 1913 deri më 1920 në Shqipëri u kthyen shumë njerëz me karriera të spikatura.
I pyetur për imazhin e diplomatëve dje dhe sot, Urani vë pak buzën në gaz dhe thotë se është pak e ngatërruar kjo punë, se…asokohe të gjithë ishin të shkolluar jashtë dhe të gjithë kishin standardet e kolegëve të tyre në vendet më të fuqishme. E nis nga i ati, dikur ministër i jashtëm. “ Ai bënte pjesë në të vetmen qeveri ekstraparlamentare, siç është quajtur ndryshe, ose kabineti i dojçkulturës. Ishte periudha e Vjenës, …të gjithë të arsimuar në Vjenë…”, thotë Urani. Ai kujton se sa shumë nëpunës të shkëlqyer kishin në dispozición në fillimet e shtetit shqiptar, kryeministrat. Ishte një kohë e artë. Një kohë që nuk po mundet dot të përsëritet…
Retrospektivë
Në drejtorinë e arkivit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, drejtorja Pranvera Dibra saktëson në vija të përgjithshme një kronologji të diplomacisë së shtetit shqiptar dhe njëkohësisht vendosjen e legatave të huaja këtu.
Fillimet e diplomacisë së shtetit shqiptar datojnë pas 9 nëntorit 1921 kur Konferenca e Ambasadorëve përcaktoi statusin dhe kufijtë e Shqipërisë.
Britania e Madhe qe e para që njohu Shqipërinë. Ambasadori Harry Eyres u caktua nga Foreign Offiçe më 1920 në Shqipëri si konsull pa portofol e më pas, më 14 janar 1922 u emërua ambasador në Shqipëri. Më 7 nëntor të po atij viti ministri i jashtëm anglez i dërgon një telegram urgjent dhe i kërkon këtij të informojë qeverinë shqiptare se qeveria angleze e njihte Shqipërinë de jure dhe de facto. Për këtë gjë Londra njofton Parisin , Romën, Beogradin dhe Athinën. U sugjeron atyre të ndërmarrin të njëjtat hapa. Edhe qeveria italiane e franceze, bëjnë të njëjtën gjë.
Më 28 mars 1922 Mehmet Konica, që njihej për orientimin e tij anglo-amerikan, ngarkohet për të paraqitur letrat kredenciale në Londër.
Periudha intensive e diplomacisë kanë qenë vitet ’22 - ’23, vitet më dinamike të njohjes së marrëdhënieve nga shumë vende të tjera.
Mehmet Konica ka qenë ambasadori i parë shqiptar, në Londër, ai ishte ministër në qeverinë e 1920-ës.
Pas luftës së Parë Botërore, pas Konferencës së Paqes në Paris më 1919 nuk pati një zgjedhje për Shqipërinë, por ajo shpëtoi nga copëtimi.
U pranua në Lidhjen e Kombeve, por nuk pati as kufij, as status. Ishte “shtet tampon”, siç e cilësojnë historianët.
Konferenca e paqes në Londër, e 9 nëntorit 1921 vendosi që Shqipëria të ishte e pavarur, me kufijtë e vitit 1913.
Dhe më 1925 u shqyrtua përfundimisht.
Në 6 muajt e qeverisë së Nolit s’pati ndryshime. Rikthimi i Ahmet Zogut u quajt vazhdimësi.
Në vitet ’25-’28 është koha e republikës.
Ndërsa gjatë kohës së monarkisë pati ndryshim ambasadorësh.
Qeveria e Vlorës me delegacionin e saj pranë Konferencës së Ambasadorëve në Londër mbahet edhe si filluesja e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe si pika e nisjes së historisë diplomatike të shtetit shqiptar. Diplomati pranë Ismail Qemalit, ishte Rasif Dino. Në po atë delegacion që ai e kryesonte, ishin anëtarë Fillip Noga, Mehmet Konica e Sotir Kolea.
Më pas në kohën e Princ. Vidit, qeveria e Turhan Pashë Përmetit ishte vazhduesja e kësaj fillese. Në qershor 1914 Turhan Pasha dërgoi dy diplomatë, në Vjenë Syrja Vlorën dhe në Romë Eqrem Libohovën. Të dyja përfaqësitë ishin me rezidencë. Dhe po më 25 dhjetor 1918 në qeverinë e Turahan Pashës vijoi kujdesi për diplomacinë. Ai vetë kishte qenë 30 vjet ambasador i Turqisë. Konferenca e paqes në Paris pas Luftës së Parë Botërore, ishte sërish një shpalosje e diplomacisë shqiptare. Delegacióni përbëhej nga imzot Luigj Bumçi, Mehmet Konica, Mit’hat Frashëri, Medí Frashëri dhe nga dr. Mihal Turtulli.
Shërbimi diplomatik i rregullt daton me qeverinë e Sulejman Delvinës. Kongresi i Lushnjës: në qeverinë e parë kombëtare, ministri i jashtëm ishte Mehmet Konica dhe asokohe Shqipëria kishte dy përfaqësi diplomatike, konsullatë në Bari dhe legatë në Romë. Lec Kurti ishte konsulli shqiptar në Bari dhe dr. Nikollë Kasneci në Romë.
Gratë dhe diplomacia
Asnjë grua nuk mbahet mend të ketë qenë diplomate në fillimet e shtetit shqiptar dhe as fill pas Luftës së Dytë Botërore. Kushtetuta e parë, e vitit 1946 sanksionoi për herë të parë të drejtën e votës për gratë. Por janë vitet ’60 ato kur në Ministrinë e Punëve të Jashmte del tek –tuk ndonjë emër femre nëpunëse e ministrisë. Sadushe Agolli, Shpresa Fuga, Tatiana Hanaj, Milka Frashëri dhe Svjetllana Sallabanda janë ato pak ferma që kanë punuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme në fillimet e viteve ’70.
Ministrat e jashtëm të shtetit shqiptar
04.12.1912 - Qershor 1913 Ismail Qemali
Qershor 1913 - 24.01.1914 Myfit Libohova
17.03.1914 - 20.05.1914 Turhan Permeti
28.05.1914 - 03.09.1914 Preng Bib Doda
25.12.1918 - 29.01.1920 Myfit Libohova
30.01.1920 - 14.11.1920 Mehmet Konica
19.11.1920 - 01.07.1921 Iljaz Vrioni
11.07.1921 - 06.10 1921 Pandeli Vangjeli
16.10.1921 - 06.12.1921 Pandeli Vangjeli
07.12.1921 - 12.12.1921 Fan Noli
12.12.1921 - 24.12.1921 Xhafer Villa
24.12.1921 - 02.12.19222 Fan Noli (ai dha dorëheqjen para se të merrte funksionet si ministër i Jashtëm, këto funksione u morën nga Xhafer Ypi)
02.12.1922 - 25.02.1924 Pandeli Evangjeli
30.03.1924 - 27.05.1924 Iljaz Vrioni
16.06.1924 - 23.12.1924 Sulejman Delvina
24.12.1924 - 05.01.1925 Iljaz Vrioni
06.01.1925 - 31.01. 1925 Gjergj Koleci, (ai nuk e mori këtë post, këtë detyrë e mori përsipër Myfit Libohova).
01.03.1925 - 23.09.1925 Myfit Libohova
28.09.1925 - 10.02.1927 Hysen Vrioni
12.02.1927 - 21.10.1927 Iljaz Vrioni, * - 10.05.1928 Iljaz Vrioni
11.05.1928 - 01.09.1928 Iljaz Vrioni
05.09.1928 - 13.01.1929 Iljaz Vrioni
14.01.1929 - 05.03.1930 Rauf Fico
06.03.1930 - 11.04.1931 Rauf Fico
20.04.1931 - 07.12.1932 Hysen Vrioni
11.01.1933 - 06.10.1935 Xhafer Villa
21.10.1935 - 07.11.1936 Fuat Asllani
09.1.1936 - 02.04.1939 Ekrem Libohova
09.04.1939 - 12.04.1939 Mihal Sherko
12.04.1939 - 02.12.1941 Xhemil Dino
03.06.1939 Aktiviteti i marrëdhënieve me jashtë u mor përsipër nga Ministria e Jashtme italiane
05.11.1943 - 06.02.1944 Mehmet Konica
06.02.1944 - 17.07.1944 Bahri Omari
17.07.1944 - 28.08.1944 Ekrem Vlora
06.09.1944 - 29.11.1944 Ibrahim Biçakçiu
27.05.1944 - 22.10.1944 Omer Nishani,
22.10.1944 - 10.01.1946 Omer Nishani
11.01.1946 - 18.03.1946 Omer Nishani
22.03.1946 - 30.06.1950 Enver Hoxha
05.07.1950 - 23.07.1953 Enver Hoxha,
23.07.1953 - 19.07.1954 Behar Shtylla
20.07.1953 - 21.06.1958 Behar Shtylla
22.06.1958 - 17.06.1970 Behar Shtylla
17.06.1970 - 29.10.1974 Nesti Nase
29.10.1974 - 26.12.1978 Nesti Nase
27.12.1978 - 30.06.1982 Nesti Nase
30.06.1982 - 22.11.1982 Reiz Malile
23.11.1982 - 21.02.1987 Reiz Malile
20.02.1987 - 21.02.1991 Reiz Malile
22.02.1991 - 09.05.1991 Muhamet Kapllani
09.05.1991 - 05.06.1991 Muhamet Kapllani
05.05.1991 - 06.12.1991 Muhamet Kapllani
18.12.1991 - 11.04.1992 Ilir Boçka
11.04.1992 - 11.07.1996 Alfred Serreqi
11.07.1996 - 12.04.1997 Tritan Shehu
12.04.1997 - 25.07.1997 Arjan Starova
25.07.1997- 2001 Paskal Milo
2001 - Korrik 2002 Arta Dade
Korrik 2002 - Korrik 2003 Ilir Meta
29.12.2003 - 12.09.2005 Kastriot Islami
12.09.2005 - Besnik Mustafaj
ABC nr.22-Olimbi Velaj
06.02.2006
Krijoni Kontakt