Dy të vdekur në veri të Mitrovicës gjatë 24 orëve të fundit. Rasti i parë ka ndodhur pas një shpërthimi të një granate dore të hënën në orët e hershme të mëngjesit, ndërsa që një tjetër është gjetur i vdekur në banesën e tij, ka njoftuar policia në Mitrovicë. Zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Larry Miller, ka theksuar se pas shpërthimit përpara restorantit ‘Siena’ në rrugën ‘V. Cetkoviq’, policia ka gjetur një mashkull, i cili ishte i shtrirë në toke para derës kryesore të restorantit me lëndime serioze në pjesën e lartë të trupit. Sipas policisë, viktima 42-vjeçare është transportuar në spital, ku edhe është konstatuar se nga plagët e marra ka vdekur. Hetuesit e Stacionit Verior së bashku me hetuesit e Njësisë Regjionale të Krimeve dhe Njësia e KFOR-it për Deminim kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kishte ndodhur shpërthimi dhe kanë konstatuar se shpërthimi ishte shkaktuar nga një granatë e dorës M-75, e cila kishte shpërthyer shumë afër viktimës. Hetuesit besojnë se viktima e ka bërë vetë inicimin e detonimit, ndërsa që rasti mbetet nën hetime.