Divorcet në Tiranë, shumë edhe prej dhunës
Klodian Rado
Shumë prej divorceve në vendin tonë rezulton të bëhen si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj bashkëshortes. Ndonëse jo gjithmonë kjo dhunë bëhet publike. Sipas studimit të Qendrës për Nisma Ligjore Qytetare, bazuar në analizën e vendimeve civile e gjyqësore të Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, shumë prej rasteve të zgjidhjes së martesës bëhen për shkak të dhunës. “Vetëm në vitin 2004, nga 688 çështje të gjykuara për zgjidhje martese, në 38 çështje është evidentuar dhunë, ndërsa 24 të tjera janë përfaqësuar nga Qendra Avokatore e Grave”, - thuhet në studim.
E njëjta situatë konstatohet në të gjithë pesëvjeçarin e marrë në shqyrtim, ku viti 2003 paraqitet me numrin më të lartë të divorceve të bëra në Tiranë. Shumë prej rasteve, edhe këtë vit, ndarjet kanë qenë si pasojë e dhunës. Shkaqet e zgjidhjes së martesës në të cilën është evidentuar dhunë, janë nga më të ndryshmet. Në studim, mes shkaqeve, theksohet mungesa e njohjes reciproke të palëve, mospërputhja e karaktereve dhe vështirësitë ekonomike të familjes, qofshin këto financiare apo edhe të banimit. Por gjithmonë duke iu referuar studimit, shkak për të tilla raste janë bërë emigracioni dhe mendësitë e ndryshme të bashkëshortëve për familjen.
Janë gjykuar në vitin 2004
Civile gjithsej 5 273 çështje
Zgjidhje martese 688 çështje
Evidentuar dhunë 38 çështje
Përfaqësuar nga QAG 24 çështje
• Mungesa e njohjes reciproke të palëve.
• Mospërputhja e karaktereve të tyre.
• Vështirësitë ekonomike të familjes, si ato financiare, ashtu edhe ato të banimit.
• Mendësitë e ndryshme të bashkëshortëve për familjen.
• Emigracioni.
Shoqëria civile
Problemet e ndryshme të shoqërisë shqiptare dhe sidomos dhuna në familje, nuk mund të zgjidhen pa një pjesëmarrje aktive jo vetëm të shtetit, por edhe të shoqërisë civile. Për rolin e kësaj të fundit në Shqipëri, autoritetet e BE-së kanë theksuar në mënyrë urdhëruese se “Shqipëria duhet të bëjë përpjekje të mëtejshme për të nxitur zhvillimin e shoqërisë civile në vend, me qëllim që organizatat e shoqërisë civile (OJF-të, organizatat profesionale, unionet e tregtisë, grupet e punës etj.) të luajnë rolin e tyre në shoqërinë shqiptare, veçanërisht duke kontribuar për hartimin e politikës, duke mbështetur luftën kundër korrupsionit, duke mbrojtur interesat kolektive, duke monitorur zbatimin e politikës dhe duke ofruar shërbime për popullsinë.
Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet zhvillimit të shoqërisë civile jashtë Tiranës”. Në këtë prizëm në Shqipëri janë ngritur një sërë organizatash jofitimprurëse për qëllime sociale nga më të ndryshmet. Lidhur me dhunën në familje aktualisht funksionojnë disa qendra për asistencë dhe suport ndaj viktimave të dhunës, si ndaj të miturve ashtu dhe ndaj grave. Nga pikëpamja e shoqërisë civile, një rol mjaft të madh kanë luajtur Qendra Avokatore për Gratë, Qendra për Nisma Ligjore Qytetare apo edhe qendrat për mbrojtjen e të miturve.
Krijoni Kontakt