Ministri i Jashtëm i Unionit Serbi-Mali i Zi Vuk Drashkoviq ka mbetur i zhgënjyer nga takimet që ka pasur në Uashington me ligjvënësit dhe me nënsekretarin e Shtetit Nikolas Bërns. Madje, siç pohon edhe vetë Drashkoviq, Bërns i ka thënë atij se "qëndrimet e Beogradit për Kosovën janë joreale dhe se dëmtojnë realizimin e asaj që është reale".


Por,eas edhe nga takimet tjera Drashkoviq, si është shprehur vetë, nuk bart "mesazh optimiste". Sipas tij, Haga është pengesë e pakapërcyeshme në përfshirjen e Beogradit në Partneritetin për Paqe, në NATO dhe se rrezikohen bisedimet për stabilizim-asociim, ndërsa një pozicion shumë i dobët i Beogradit është rreth Kosovës. "Gjithkund bëhet vërejtje, ndërkaq Bërns këtë e ka nënvizuar posaçërisht, se disa kërkesa dhe qëndrime tona me rastin e bisedimeve për statusin e ardhshëm të Kosovës janë joreale dhe se dëmtojnë realizimin e asaj që është reale", është shprehur Drashkoviq, njofton BBC. I pyetur të sqarojë se çfarë konkretisht pala amerikane e konsideron joreale në kërkesat e Begradit, Drashkoviq ka thënë se "joreale janë të gjitha ato që nuk respektojnë një nga parimet nga kryesore të Grupit të Kontaktit, se në asnjë rast nuk ka kthim në gjendjen para vitit 1999". "Në të vërtetë konsiderohet se këto negociata në një pjesë kanë përfunduar ende pa filluar", është shprehur Drashkoviq.


RTK 03/02/2006 14:16:43