Bashkim Shala
Kostoja e udhëtimit me aeroplan ndërmjet dy kryeqyteteve është shtatë herë më e lartë se me autobus
PRISHTINË-KUKËS- Fluturimi me aeroplan Prishtinë-Tiranë e anasjelltas vazhdon të mbetet ende luks për shtetasit nga Shqipëria dhe shqiptarët e Kosovës. Kostoja mbi 7-fish më e lartë e fluturimit me aeroplan sesa ajo e udhëtimit me autobus, i bën shumë shqiptarë të Kosovës apo të Shqipërisë që të zgjedhin rrugën e gjatë e të vështirë të Kukësit për në Tiranë e anasjelltas, sesa t’i shkurtojnë vetes vuajtjet në gjysmë ore sa zgjat fluturimi Prishtinë-Tiranë. Aktualisht, në agjencinë MCM në Prishtinë, fluturimi më i lirë që mund të rezervohet për në Tiranë është 194 euro. “Çmimi më i lirë që kemi pasur për në Tiranë ka qenë 140 euro, por nuk ka shumë vende në atë klas dhe duhet rezervuar më përpara. Aktualisht për në Tiranë bileta kthyese është 194 euro, ndërsa për klasë më të lartë kushton 117 euro bileta njëkahshe”, - informon Vlora, agjente udhëtimesh në MCM. Shkak për çmimet e larta të fluturimeve për në Tiranë ajo konsideron se janë taksat e larta. Zyrtarë të agjencive turistike në Prishtinë bëjnë të ditur se vetëm taksat aeroportuale për fluturim njëkahësh për në Tiranë janë jo më pak se 40 euro, respektivisht 80 euro për biletë kthyese.
Taksat në Rinas
Çmimi më i lirë për fluturimin gjysmorësh për në Tiranë është 140 euro, që është më i shtrenjtë se sa i fluturimit për në Lubjanë, 159 euro, po të kemi parasysh se fluturimi Prishtinë-Lubjanë zgjat gati dy orë. “Fluturimi për në Tiranë është më i shtrenjtë, për shkak të taksave të larta të aeroportit të Rinasit, ndërsa çmimi i biletës nuk është i shtrenjtë”, - pohon Bardh Haziri, menaxher i zyrës së Albanian Airlines-it në Kosovë. Ai thotë se taksat në aeroportin e Tiranës paguhen të njëjta si për fluturimet gjysmëorëshe nga Kosova, ashtu edhe për aviokompanitë që organizojnë fluturime dyorëshe. Menaxheri i Albanian Airlines për Kosovën, thotë në vazhdim se ata tashmë kanë ulur çmimin 50 për qind dhe janë duke u përpjekur që ta zbresin edhe më shumë. Numri i udhëtarëve që udhëtojnë me Albania Airlines nga Prishtina për në Tiranë, sipas tij, është rreth 1 500 pasagjerë në muaj. Ai thekson një fakt tjetër pozitiv, që, sipas tij, Albanian Airlines që nga 25 dhjetori ka nisur fluturimet me avion të ri; British Airspace (jomboline) me 100 ndenjëse. Haziri thotë se çmimi i biletës prej 140 euro është fiks dhe jo promovues dhe se numri i ndenjësve që shiten me këtë çmim përbën pjesën më të madhe të vendeve në aeroplan. Ndërkohë, kompania ajrore shtetërore serbe, “JAT Air/ays” prej 11 janarit ka vënë në shitje 15 mijë bileta me çmime promovuese për periudhën prej 15 janarit deri më 25 mars. Çmimi i biletës kthyese nga Beogradi, Podgorica, Sarajeva, Lubjana, Shkupi dhe Tirana për në Frankfurt, Berlin, Dusseldorf, Romë, Pragë, Athinë, Shtutgard, Vjenë, Munih e Zurich do të kushtojë vetëm 99 euro. Ndërkaq, në linjat ndërmjet Beogradit dhe Shkupit, Ohrit, Sarajevës, Lubjanës, Tiranës dhe mes këtyre qyteteve përmes JAT-it, kushton vetëm 59 euro. Menaxheri i Albanian Airlines konsideron se kompanitë ajrore të rajonit, si JAT-i mund të bëjnë oferta të tilla meqë janë kompani shtetërore dhe shtetet e tyre i lirojnë ato nga taksat. “Por mendoj se JAT-i është kompani joserioze dhe ndodh që pasagjerët t’i lërë nga një javë nëpër aeroporte, për këtë edhe mund t’ia lejojë vetes atë çmim të ulët”, - u shpreh Bardh Haziri. Megjithatë, në shumë raste ka ndodhur që edhe Albania Airlines t’i lërë, në mos me ditë, të paktën me orë të tëra udhëtarët duke pritur nëpër aeroporte, qoftë në Prishtinë apo në Tiranë.
Krijoni Kontakt