Ibrahim Rugova
Si e shkrova veprën për Bogdanin
1. Momenti
Puna rreth një teme mbi aspektin teorik të kritikës shqiptare prej fillimeve e deri sot, do të thotë gjatë hulumtimit të materialeve të ndryshme, të lëndës, duke i kërkuar rrënjët, fillet e kësaj kritike, më shpuri çështja te vepra e Pjetër Bogdanit, te Cuneus Prophetarum. E merrja me mend se ky dijetar yni s' do të ketë lënë pa folur diçka edhe për çështje të dijes letrare. Dhe njëmend, u habita, u befasova. Gjeta, se pos çështjeve të tjera filozofike-teologjike e filozofike-shkencore, fliste edhe për metaforat, për tropologjinë dhe për figurat e ndryshme të retorikës, si dhe për disa aspekte të poetikës. Mirëfilli u entuziazmova dhe iu ktheva punës, që këtë intuicion dhe entuziazëm ta kthej në argument dhe në vlerësim, shkurt, në njohje të veprës. Pra, më ngjau ashtu siç e përshkruan entuziazmin e vet Lasgush Poradeci, para dyzet vjetësh. E kisha lexuar edhe më parë tekstin e Lasgushit, po e merrja si entuziazëm rasti, edhe pse i besoja atij, kulturës, maturisë dhe mendjes së tij, si entuziazëm përballë një poezie të mirë, me ç' rast, vërtet i dha disa mendime e vlerësime shumë të qëlluara, e mua m'u ngjall ky entuziazëm përballë një filozofie dhe dijeje të madhe, të themi olimpike, që thuhet në vlerësimet e veprave të klasikës. Sepse veprat e mëdha, në kontakt të parë sjellin njëfarë magjepsjeje, e cila është rezultat i leximit, apo siç e thotë Bogdani, rezultat i shqisës (në vështrim të termit si ndijesi apo si kuptim), apo si rezultat i procesit sensitivo-semantik, si bazë e çdo procesi dhe akti të njohjes. E s'ka gjë më mirë se kur entuziazmin e arsyeton vepra, do të thotë kur atë e kthen në racionalitet për t'u bërë i pranueshëm, që subjektiviteti të marrë formën e "objektivitetit". Dhe kjo është rruga, në këtë fushë, prej idesë-intuicionit e deri te kritika për veprën.
2. Metoda
Rëndom për të bërë një vështrim a studim të plotë të veprës duhet hulumtuar e vështruar drejtpërdrejtë gjenetikën e tekstit, me qëllim që të bëhet një paratekst më i pasur, që gjithsesi do të ndihmojë në kuptimin e analitikës së tij. Por për ndërtimin e një parateksti (avant-texte) të tillë për veprat e letërsisë sonë të vjetër paraqiten vështirësi të shumta: së pari ende nuk janë hulumtuar dokumentet kryesore, pra baza dokumentuese thuajse mungon, e ajo që ekziston, është parciale, kryesisht komentuese, jo in extenso, në tërësinë e dokumentit apo të pjesës së komentuar, së dyti këto vepra gjenden shumë vështirë, pos në qendrat evropiane, pra nuk i kemi në qarkullim si botime. Me ekzistencën e tyre, së paku do të krijoheshin mundësi që të jenë në qendër të opinionit dhe të interesimeve të tjera.
Kështu gjenetikën e tekstit të veprës së Bogdanit, e ndërtuam kryesisht në bazë të literaturës ekzistuese, e jo të hulumtimeve burimore, sepse ajo ende njihet pak. Prandaj ky paratekst më shumë do të shërbejë si informacion në planin e përgjithshëm të vështrimit, po megjithatë mund t'i sjellë disa të dhëna që nuk janë theksuar në historiografinë letrare. Ne u përcaktuam që më shumë të ndalemi në poetikën, vërtet në analitikën e tekstit të veprës.
Duke pasur parasysh modelet e përgjithshme në studimin e letërsisë së kësaj kohe, në mesin e të cilave shquhet ai i Robert Curtiusit, Letërsia evropiane dhe mesjeta latine, që njëkohësisht është vepër me karakter të pasur filologjik në stilin gjerman: dokument e analizë, pastaj librin e Roland Barthesit Sade, Rourier, Loyola, i bazuar në studimin struktural letrar dhe atë të D. Lihaçovit, Poetika e letërsisë së vjetër ruse, vendosëm që për bazë metode të marrim dhënien e informacionit sa më të madh nga vepra, duke e vendosur në kontekste teorike të kohës dhe të rezultateve të sotme teorike-letrare. Pra këtë kompromis metodologjik e bëmë të shtyrë edhe nga fakti se vepra njihet fare pak në opinion dhe, po të vepronim thjesht në planin e një analize a interesimi special, problematika e veprës do të mbetej vetëm në kontekst. Një analizë e tillë do të ishte e mundur po të ekzistonte më parë ndonjë vështrim, së paku paraqitës i kësaj vepre. Por gjithnjë kemi bërë përpjekje që plani paraqitës të jetë më i thelluar e më qenësor e të argumentohet përmes analizës së brendshme të veprës, të lihen në kontekst me kohën e vet ato ide dhe probleme, e njëkohësisht të shihet mundësia e aktualizimit, në të vërtetë e rishqyrtimit e rivështrimit të tyre në kontekstet bashkëkohëse, apo përmes një deduksioni, të nisemi nga kontekstet e kritikës dhe të teorisë së sotme. Pra, kemi bërë herëherë një modernizim terminologjik e disiplinar, me qëllim që ato ide dhe probleme, përmes mediumeve të studimit të sotëm letrar e filozofik, të jenë më të qarta, duke mos humbur nga esencialiteti i vet.
Me vetëdije të plotë se vepra e Bogdanit është një vepër mjaft e pasur me çështje dhe probleme të fushave të ndryshme të dijes, ndërmorëm këtë hap, që nga vokacioni kritik dhe teorik letrar t'i sinjalizojmë disa momente më të rëndësishme e më qenësore të kësaj vepre, së paku të heqim vëmendjen për interpretime më të gjera e më të thelluara në të ardhshmen. Këtë e bëmë duke u nisur nga mendimi se më mirë është të bëhet ajo që mund të bëhet, se sa të priten "kushte", "mundësi" e ditë më të mira për një studim ideal të kësaj vepre dhe të veprave të tjera të traditës sonë klasike, pra vendosëm të bëjmë këtë vështrim, që mund të jetë kontribut real për një studim “ideal”. Shkurt, le të merret kjo përpjekje si version e mundësi leximi dhe e komentimit të kësaj vepre të madhe të letërsisë sonë.
Me këtë rast e përdorëm botimin e reprintuar të Munihut që doli më 1977 e që është reprint komplet i botimit të parë të vitit 1685 dhe botimin e pjesës së parë të veprës më 1943. F$< Me këtë rast e falënderoj antikologun Dr Zef Mirdita i cili më siguroi shumë materiale për Bogdanin dhe kohën e tij.
Njëherësh e falënderoj Myzafere Mustafën dhe Dr Anton Berishën për inkurajimin dhe ndihmën profesionale e kolegiale që më dhanë gjatë punës në këtë libër.>
Kështu për këtë rast dhe për raste të tjera të këtilla, le të na shërbejë këshilla e autorit të ri e të vjetër të Falstaffit: Torniamo all’ antico, sara uno progresso: T’i kthehemi të vjetrës (antikës), se do të jetë një progres. <$FThënie e Shakespeareit (Shekspirit) cituar sambas Gérard Genette, La rhétorique restreinte në Communications, Paris 1970, nr. 16, f. 170. Falstaffi, është njëri nga personazhet më të njohur të Shekspirit që del në skenë te Henriku IV dhe te Gratë e Uindzorit. Si model për këtë presonazh Shekspirit i shërbeu kapiteni anglez Falstoolf (Sir John, 1378-1459). > Por, para se të hyjmë në gjenetikën dhe në analitikën e tekstit, le të ambientohemi pak me atmosferën e gjuhës e të stilit të vjetër shqiptar në pjesët vijuese…
Prishtinë, gusht 1981
Krijoni Kontakt