Ibrahim Rugova, një njeri që do t’i mungojë Kosovës
nga Bernard Kouchner
Le Monde, 24.01.2006
Përkthyer nga frëngjishtja
Oiseau en vol
Ibrahim Rugova, 61 vjeç, i mbiquajtur "Gandi i Ballkanit", ka vdekur. Tymues i madh cigaresh në një vend ku të gjithë pinë duhan, ai është dorëzuar nga një kancer mushkërish. Në këtë drejtim, kisha dështuar për ta bindur. Ai ishte i veshur gjithmonë me një kostum të errët, kafe ose gri, këmishë të bardhë dhe kollare, dhe në qafë mbante gjithmonë një shall mëndafshi. Mbi rrafshin e Kosovës dhe në malet përreth, ky njeri ishte unik. Ai mendonte dhe shprehej si një intelektual dhe i vinte neveri ta nxirrte veten përpara. I urrente mbledhjet publike ku ai shprehej ka karizmë, me zërin e butë dhe arsyetimin e një profesori të formuar në Sorbonne. Ai u ngjitej si me përtesë atyre viseve të ashpra dhe fshatrave pa ndonjë hir të veçantë, duke preferuar më mirë zyrën e shtëpisë së tij të madhe në lagjet e pasura të Prishtinës. E urrente dhunën dhe mendonte që diskutimi, e vetmja udhë e suksesit, mbetej gjithmonë i mundshëm.
Në Ballkan, trimëria në gjendje bruto, guximi heroik apo shtazor, shprehja masive, fizike e angazhimit shprehen në secilin prej gjesteve të njerëzve. Për të shkuar në treg apo parkuar makinën e tyre, ato ecin njëlloj sikur të shkonin në flijim. Në Kosovë, thuhet që fëmijët mësojnë të njohin vetëm një frikë : frika për të treguar frikën. Njerëzit e Ballkanit, me psikizmin e modeluar nga shekuj të tërë betejash, përpiqen për ta treguar gjithmonë këtë guxim dëshpërues që shtyn për ta kërkuar rrezikun apo për ta krijuar atë me sfida të pakuptimta. Në këtë kontekst burrërie, teoria e jo-dhunës, ajo të cilën Ibrahim Rugova e zbatonte papushim dhe qetësisht, shfaqej si një strehë qesharake, në mos zhvleftësuese. "Ibrahimi", siç të gjithë e quanin kështu, ishte një pacifist i paepur dhe koka e tij prej profesori Nimbus, një buzëqeshje aq e sjellshme saqë ai dukej madje si në turp, e rëndonte rastin e tij.
Në Kosovë, një hendek i tërë i ndan ata që morën armët dhe ato të cilët përdorën metoda më të buta, më moderne, më mediatike. Hashim Thaçi, shef i UÇK së ngelur në opozitë, ushtari Ramush Haradinaj, i bërë kryeministër, dhe plaku Ibrahim Rugova simbolizonin zgjedhje që qenë për një kohë të gjatë të pathjeshtueshme tek njëra-tjetra. Ky dallim mbetet shumë i madh sot, në momentin ku nën kujdestarinë e Finlandezit Martti Ahtisaari, fillojnë diskutimet ndërmjet Serbëve dhe Kosovarëve në lidhje me statusin përfundimtar të provincës.
I zgjedhur president i Kosovës, ai zinte zyrën e madhe staliniane me mobilje prej druri të errët që kishte qenë e imja, pas asaj të qeveritarit serb, në "government building". Por ai i priste gjithmonë vizitorët e tij në shtëpinë e madhe të familjes që mbizotëronte në rrugën Germia. Kopshti dhe kati i parë ishin të zëna nga rojet e sigurisë. Ibrahim Rugova i priste miqtë e tij në katin e dytë dhe u printe atyre në një dhomë pritjeje, nën shqiponjat me dy krena të flamurit të Kosovës, të skicuar nga ai vetë për të shmangur ngjashmërinë me flamurin shqiptar, të cilin askush nuk e donte. Dy foto të mëdha e paraqisnin atë me Madeleine Albright dhe me presidentin Clinton. Dhoma ishte e mbushur plot me trofe. Drejtori i tij i kabinetit, i zgjuari Skender Iseni, ishte gjithmonë aty. Pinim një gotë, dhe buzëqeshnim për kohërat e bukura të shkuara, atë të vizitës sime të parë, më 1991 në kohën e klandestinitetit dhe të rezistencës pasive ndaj Slobodan Milosheviç, kur Ibrahim Rugova, për shkak të këmbënguljes, kishte arritur të sajonte një administratë shqiptare të nëndheshme, shkolla nëpër bodrume dhe klinika nëpër parkinge. Përmendnim vendimet politike që do të merreshin për provincën, dialogun e nevojshëm me Serbët, partizan i së cilit ishte Ibrahim Rugova dhe , çështje thelbësore kjo, kushtin e Serbëve të mbetur në Kosovë, gjithmonë të kërcënuar në mos të dhunuar. Ibrahim Rugova ishte në një mendje me indinjatën tonë. Ai që i cili qe aq kohë të gjatë një shënjestër, që kaloi disa tentativa vrasjeje, pranonte gjithmonë për tu shkuar tek koka e shtratit viktimave sebe dhe të merrte qëndrim për respektimin e të drejtave të njeriut. Sigurisht, kjo nuk ishte e mjaftueshme për t’i ndaluar teprimet e dhunës.
Pas hyrjes së fillimit, Ibrahim Rugova e shoqëronte rregullisht të ftuarin e tij në zyrën ngjitur, me tavolina të mbuluara me minerale në ngjyra të ndezura të nxjerrura nga toka e Kosovës, në minierat e Trepçës. Ai dhuronte një copë shkëmbi guri, një gjurmë argjendi në gur, simbol të këtij vendi të ashpër dhe masiv, pa butësi as ngrohtësi, ku këngët e gjestit zëvendësonin gjithmonë këngët e dashurisë.
Bashkësia ndërkombëtare nuk bashkohet kurrë më mirë sesa përpara fatkeqësisë. Ne e kishim harruar paksa Kosovën, përpjekjet diplomatike, vuajtjet e lindura nga regjimi i jashtëzakonshëm i vënë në vend nga Milosheviçi dhe që ngjante me apartejdin. Ne i kishim humbur nga vështrimi qindra mijërat e Shqiptarëve të dëbuar nga rajoni nga partizanët e Slobodan Millosheviçit, luftën ajrore që ne bëmë atje, rindërtimin e filluar, fitoren e demokracisë, zgjedhjet e suksesshme dhe ecejaket e vetë Shqiptarëve. Kosova pësonte një eklips indinjate. Vdekja e Ibrahim Rugovës, president pa pallate dhe pa komb, luftëtar idesh, luftëtar i paqes, një njeri këmbëngulës dhe vetmitar i cili e përcolli popullin e tij drejt një të ardhme që nuk mund të jetë tjetër përveçse më i mirë, na kujton angazhimin dhe premtimet tona.
Pa atë, pa ngulmimin e tij të sjellshëm, pa këmbënguljen e refuzimit të tij, nuk do të kishte sot as Kosovë as shpresë lirie për këtë provincë serbe. Ai ishte një erudit, me dëshirë autokrat, i paparashikueshëm dhe i lakueshëm njëkohësisht, një njeri dialogu, një luftëtar i vendosur, mjaft popullor dhe megjithatë i veçuar, gjithmonë i sjellshëm, që ndrojtja, kultura e thellë dhe vetëpërmbajtja e tij e sillnin nganjëherë mjaft kokëlartë. Kjo është që pranë tij kalonte butësisht Historia.
Bernard Kouchner jep mësim në CNAM,
themelues i Médecins du monde,
ai ka qenë përfaqësues i lartë i Kombeve të bashkuara në Kosovë.
Krijoni Kontakt