Presidenti Rugova u nderua me mirënjohje nga Këshilli i Qytetit të Nju Jorkut
Këshilli i Qytetit të Nju Jorkut e ka nderuar presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, me një mirënjohje të veçantë për përkushtimin e tij në afirmimin e parimeve të demokracisë dhe për udhëheqjen e tij politike frymëzuese. Me rastin e pranimit të mirënjohjes, presidenti Rugova tha se ky është një nder i madh për të dhe për popullin e Kosovës, si dhe është shenjë e përkrahjes së pavarësisë e demokracisë së Kosovës.
Këshilli i qytetit të Nju Jorkut kishte autorizuar Elmi Berishën, përfaqësues i presidentit Rugova në zyrën e senatorit Bob Dol në Nju Jork, që t'ia dorëzonte këtë mirënjohje presidentit Rugova. Në letrën e nënshkruar nga kryetari i Këshillit të qytetit të Nju Jorkut, Gifford Miller, ndër të tjera thuhet se Ibrahim Rugova është prani dinamike në jetën intelektuale dhe shoqërore të vendit të tij, Kosovës.
Është dijetar i letërsisë, studiues dhe pikëvështrimet depërtuese të dr. Rugovës si dhe përkushtimi i tij ndaj çështjeve të drejtësisë sociale kanë qenë më rëndësi themelore për zhvillimin dhe pavarësinë e Kosovës. "Jemi shumë krenar që nderojmë dr. Ibrahim Rugovën për kontributet të qëndrueshme për jetën politike të vendit të tij, Kosovës, si dhe për arritjet dhe karakterin e tij në jetë që pasqyron më të mirën tek njerëzit"thuhet në letrën e Këshillit të qytetit të Nju Jorkut.
RTK
Krijoni Kontakt