Laudatio për Presidentin Ibrahim Rugova
Shkruan: Bardhyl S. METAJ
Moto: “Përkundër paraqitjes së tij të butë, të thelluar në mendime – imazh të cilin e kultivon gjatë prezentimeve të tij – Ai (Rugova) konsiderohet, ndërkaq, shumë kokëfortë dhe i palëkundshëm në atë që e ka përcaktuar për qëllim dhe cak të njohur të tij...; Dr. Rugova, nuk preokupon vetëm fantazinë e bashkëkombësve të tij, ai ka irrituar edhe shumë bashkëbisedues perëndimorë - ngase synonte që nga fillimi i veprimtarisë së tij politike një status të njëjtë të Kosovës me atë të Sllovenisë dhe Kroacisë...ndërkohë që, qëllimi dhe strategjia e bashkëbiseduesve të tij perëndimorë, ishte (gjatë-kohë) ruajtja e ish-Jugosllavisë!” (Süddeutsche Zeitung)
„Süddeutsche Zeitung”: “E çuditshme! Në Kosovë ishte edhe dikush –apojo? Ishte edhe një personalitet - i cili paraqiste figurën Qendrore të Kosovës! Dhe i cili nuk mungonte asnjëherë, në asnjë fotografi nga Kosova, në asnjë lajm e pankartë të demonstratave Kosovare...Po sot, ku është Dr.Ibrahim Rugova, Gandi i Ballkanit dhe Presidenti i shqiptarëve të Kosovës?”... Ai i cili qysh atëherë, më 1991, kërkonte një protektorat të OKB-së dhe prezencë të NATO-s në Kosovë...një demilitarizim të Kosovës...një Kosovë të Pavarur dhe Neutrale...”dhe ku është personaliteti, i cili gjatë Procesit të Dejtonit, tentonte që t’i mobilizonte për çështjen e Kosovës fuqitë e Mëdha Perëndimore...dhe të cilit, Amerikanët, qysh atëherë (Konferenca e Dejtonit) i premtuan – se fill pas “Konferencës së Dejtonit”, ”do të jeni Ju Kosovarët, çështje qëndrore në agjendën e Perëndimorëve (...),
“Ku është Dr. Ibrahim Rugova, Gandi i Ballkanit dhe Presidenti i shqiptarëve të Kosovës?”, shpaloste dilemat dhe pyeste plot brengë e përditshmja autoritative gjermane “Süddeutsche Zeitung”, në komentin qendror të saj, të shkruar nga nënkryetarja e Bundestagut (Parlamentit) gjerman, Dr. Antje Vollmer!
Duke portretizuar figurën e Presidentit të Kosovës, të cilin së fundi edhe Reuters, sikurse edhe çdo agjenci e gazetë ditore apo javore, radio e televizion ndërkombëtar e vendor - në lajmin trishtues mbi sëmundjen e tij rëndë, e portretizojnë, si ikonë (“leitfigur”) e simbol të luftës së kosovarëve për Pavarësi – Zonja Antje Vollmer, shkruan më tutje: ”Përkundër paraqitjes së tij të butë e të thelluar në mendime – imazh të cilin e kultivon gjatë prezantimeve të tij – Ai (Rugova) konsiderohet, ndërkaq, si shumë kokëfortë dhe i palëkundshëm në atë, që e ka përcaktuar për qëllim dhe cak të njohur të tij...është shumë karizmatik, flet me zë të ultë dhe duket pothuajse i marrshëm dhe i largët... pothuaj edhe qiellor, të lë përshtypjen sikur të ishte nga një botë tjetër...por, njëkohësisht, shumë i fuqishëm, gjithherë i pathyeshëm dhe i pa zbrapshëm në synimet e tij...”.
“Për dhe rreth tij, bashkohen e ndahen shpirtrat dhe mendjet”, vazhdon komentin dhe portretizimin nënkryetarja e parlamentit gjerman. “Por autoriteti i tij (Rugovës) njëkohësisht është garanci - e një dhjetëvjetëshi të pacifizmit e mosdhunës së shqiptarëve të Kosovës, të cilët, tradicionalisht janë çdo gjë tjetër - por jo edhe pacifistë! Dr. Rugova, nuk preokupon vetëm fantazinë e bashkëkombësve të tij, por ka irrituar edhe shumë bashkëbisedues perëndimorë! Ai synonte, që nga fillimi i veprimtarisë së tij politike, një status të njëjtë të Kosovës me atë të Sllovenisë dhe Kroacisë...ndërkohë që, qëllimi dhe strategjia e bashkëbiseduesve të tij perëndimorë, ishte (gjatë kohë) ruajtja e ish-Jugosllavisë...”
Kështu shkruante nënkryetarja e Parlamentit Gjerman, qysh më 19.06.1999, në një editorial të saj të botuar në të përditshmen autoritative gjermane „Süddeutsche Zeitung”, shkrim ky që në të vërtetë sublimon e përmbledhë ate që po emitojnë të gjitha mediat për personalitetin e Presidentit Rugova, pas mesazhit të tij drejtuar popullit të Kosovës dhe opinionit ndërkombëtar.
Vetëm pak ditë më vonë, do t’i jepet nderi nga Qeveria Gjermane, pikërisht kësaj zonje që më 15 gusht 1999, t’i dhurojë Presidentit të Kosovës, z. Ibrahim Rugova, çmimin e mirënjohur ndërkombëtar gjerman për tolerancë, të qytetit Münster - me ç’rast ajo do të shtrojë dilemën me të cilën, fatkeqësisht, po ballafaqohemi ne Kosovarët sot:
Posibiliteti i mungesës së tij në jetën politike të Kosovës.
Mungesa eventuale e personalitetit të tij, i cili autoritetin e tij politik ndërkombëtar dhe kombëtar e ka krijuar ekskluzivisht duke ndërtuar e promovuar identitetin politik-shtetëror kosovar, si dhe duke ruajtur e ndërtuar “unitetin dhe konsensusin demokratik e institucional” të Kosovës e Kosovarëve – por, pa sulmuar në asnjë rast, asnjërin prej oponentëve të tij jo të paktë politik, në Kosovën e 16 viteve të fundit, nuk ka sesi të mos vërehet e ndihet.
Personalitetit të tij duhet t’i falënderohen në heshtje, ndoshta edhe publikisht, edhe shumë “publicistë”, “analistë”, “ekspertë”, e një dorë politikanësh kosovarë, të cilët duke kritikuar Rugovën, më të drejtë e pa të padrejtë, me vend e pavend...kanë krijuar njëfarë soj profili identifikues politik. Pa këtë parashenjë - anti-Rugovë - një pjesë syresh zor se do të kishte apo do të ketë çfarë t’i thotë a sjell politikës kosovare në të ardhmen e saj.
Në përfundim të kësaj që po e quajmë “Laudatio për Presidentin Ibrahim Rugova”, më duhet të shtoj se, marshi i tij në historinë diplomatike shqiptare, veçanërisht historinë e Kosovës, e ka forcën e fenomenit i cili ndanë historinë e Kosovës – në dy pjesë...në atë para dhe pas tij.
Nuk jam i sigurtë, ndërkaq, nëse njerëzit e mëdhenj i bëjnë Kohërat e Mëdha, apo anasjelltas, Kohërat e Mëdha i nxjerrin në sipërfaqe njerëzit e mëdhenj, por e di se Presidenti Ibrahim Rugova është krijues e bir i Kohërave të Mëdha... pjesa e tyre më e devotshme dhe më origjinale.
Urimeve të shumta të cilat po i arrinë Presidentit Rugova i bashkohet edhe ekipi i gazetës JAVA. Ndoshta këtë e shpreh mirë edhe Kryeministri i sapozgjedhur i Shqipërisë, Dr. Sali Berisha: “Ndihma e Zotit, guximi me të cilin ju po i qëndroni sëmundjes, mbështetja dhe përkujdesja e madhe familjare dhe më gjerë, mjetet e shkëlqyera të mjekimit, misioni i madh që keni për të përmbushur, kemi bindjen se të gjitha këto së bashku do ta mposhtin këtë proces dhe shërojnë atë".
7 shtator 2005
Zürich
Krijoni Kontakt