Close
Faqja 17 prej 206 FillimFillim ... 715161718192767117 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 161 deri 170 prej 2056
  1. #161
    i/e regjistruar Maska e Arb
    Anëtarësuar
    06-12-2002
    Vendndodhja
    Little Albania, NY
    Postime
    1,723
    Ibrahim Rugova ishte atdhetari dhe
    vizionari i papërsëritshëm


    Kryesia e Bashkësisë Shqiptare `Faik
    Konica` në Britani të Madhe, i shprehu
    ngushëllimet më të sinqerta për
    humbjen e hershme të Kryetarit Dr.
    Ibrahim Rugova, njeriut shumë të respektuar,
    humanistit të madh të përmasave
    botërore, arkitektit të shtetit të
    pavarur të Kosovës mbrojtësit të popullit
    të Kosovës, Familjes, Presidencës,
    Kryesisë së Kuvendit dhe të
    LDK –së, shokëve dhe kolegëve të Dr.
    Ibrahim Rugovës.
    “Vdekja e hershme e Dr. Ibrahim
    Rugovës është dhimbje, humbje e
    madhe për familjen Rugova, për
    shokët për vëllezërit e idealit, për qytetarët
    e Kosovës, për Lidhjen
    Demokratike të Kosovës dhe për popullin
    e Kosovës nga se humbi veprimtarin
    dhe atdhetarin e shquar
    demokrat, përkrahësin këmbëngulës
    të një shoqërie, të një Kosove dhe të një
    Shqipërie demokratike” – qe thënë
    para një motmoti në deklaratën dhe
    telegramin e kësaj Bashkësie.
    Dr. Ibrahim Rugova do të kujtohet si
    njeriu që iu përkushtua arritjes së
    pavarësisë së Kosovës me mjete paqësore.
    Në një farë mënyre, vdekja e tij i ngjan
    humbjes së një profeti: ai
    parashikoi me kohë një protektorat
    ndërkombëtar për Kosovën si hapi i
    parë drejt pavarësisë. Gjatë vitit 2005,
    Kosova hyri në një fazë të rëndësishme
    për përcaktimin e statusit të saj
    përfundimtar dhe ideja e Dr. Rugovës
    që ky status të jetë pavarësia ndodhet
    tani para një sfide.
    “Të jesh bashkëkohës dhe
    bashkëpunëtor i patriotit dhe atdhetarit
    të shquar, Ibrahim Rugova, i
    cili e flijoi shëndetin dhe rininë për liri
    dhe demokraci, është sa krenari, privilegj
    dhe mburrje po aq edhe obligim
    tepër i vështirë. Ngase Dr. Ibrahim Rugova
    ishte nga ata burra të mëdhenj
    shteti, të cilët u angazhuan me tërë
    qenien për çështjen e pavarësisë së
    Kosovës”, thuhej në këtë deklaratë.
    I matur në kuvendime e i qetë në
    bisedë me urtësinë e tij i bënte të tjerët
    ta dëgjonin me endje, por edhe kishte
    një dashuri, një mirëkuptim, një respekt
    të veçantë për t’i dëgjuar
    bashkëbiseduesit.
    Me të gjitha dhuntitë dhe virtytet e
    larta, që i kishte dhënë Zoti, Ai pati edhe
    mbështetjen e fuqishme nga familja
    dhe shokët e idealit për aspiratat e tij
    liridashëse.
    Me vullnetin dhe energjinë që
    kishte për punë dhe udhëheqje ishte
    i veçantë, ishte për Lakmi. Qëndrimet
    dhe parashikimi i tij ka krijuar bindjen
    e një vizionari që shumë herët kishte
    kuptuar peshën e kohës.
    Mërgimtarët Shqiptarë e në veçanti
    ata që patën rast të takohen me të e
    kanë për nder ta kujtojnë me respekt
    Dr. Ibrahim Rugovën.
    Sipas Kryesisë së kësaj Bashkësie
    mësohet se janë marrë të gjitha masat
    për të nderuar më tej jetën dhe veprën
    e Dr. Rugovës.

    Bashkësia Shqiptare `Faik Konica`
    në Britani të Madhe
    Talent wins games, but teamwork wins championships.
    Micheal Jordan

  2. #162
    i/e regjistruar Maska e Arb
    Anëtarësuar
    06-12-2002
    Vendndodhja
    Little Albania, NY
    Postime
    1,723
    Mungesa e Presidentit
    Ibrahim Rugova
    vërehet tek të gjithë


    Sot e një vit më parë të gjitha
    rrugët e qytetit të Prishtinës
    ishin të mbushura me
    njerëz, të cilët kishin ardhur
    pothuajse nga e gjithë bota
    për t’i dhënë lamtumirën e
    fundit Presidentit Rugova
    Liridona SHALA
    Albulena BLLACA
    Njëvjetorin e vdekjes së Presidentit
    Ibrahim Rugova e kujtojnë shumë
    qytetarë, kur qyteti i Prishtinës ishte
    vërshuar nga të katër anët e vendit,
    por jo vetëm nga vendi, për t’i dhënë
    lamtumirën e fundit Dr. Rugovës.
    Kishin ardhur edhe nga të gjitha trojet
    shqiptare, po ashtu nga mërgata vende
    të ndryshme të botës. Atëbotë,
    ndryshe nga ky vit, sikur edhe koha
    shprehte mllefin e saj për njeriun që
    ishte i dashur nga të gjithë. Edhe
    përkundër temperaturave mjaft të ulëta
    që mbretëronin, qytetarët nuk
    kishin të ndalur për t’i bërë homazhet
    njeriut që vazhdon të mbetet emblemë
    e Kosovës, për kontributin dhe punën
    që kishte bërë gjatë gjithë jetës së tij.
    Në njëvjetorin e vdekjes se tij, qytetarët
    janë ata që falsin më së miri për
    vlerat dhe mungesën e Rugovës.
    Veli Bytyqi: Nëse
    nuk ka të bëjë drejtpërdrejt,
    sigurisht
    vonesat ose prolongimi,
    dinamika
    që është dashtë të
    vendoset, vonesa e statusit, me siguri
    ka të bëj me vdekjen e Presidentit Rugova.
    Mosprania e tij ka ngadalësuar
    proceset e statusit dhe zhvillimet politike.
    Po të ishte gjallë Presidenti Rugova,
    do të ishte ndryshe, uniteti brenda
    subjekteve politike do të ishte shumë
    më i fuqishëm se që është sot.
    Megjithatë, konsideroj se po të ishte
    gjallë Presidenti Rugova, çështja e statusit
    tashmë do të ishte zgjidhur.
    Gjevdet Shushku: I
    ka munguar dhe
    vazhdon t’i mungojë
    mjaft dhe do ta
    ndjejmë gjithmonë
    mungesën e Presidentit
    të ndjerë, Ibrahim Rugova,
    sepse për këtë flasin vetë zhvillimet e
    fundit, gjë e cila është vërejtur pikërisht
    nga mungesa e tij.
    Ilmi Hashani: Vdekja
    e Ibrahim Rugovës
    na ka shtyrë pak
    mbrapa, por
    amanetet e tij do t’i
    çojmë në vend. Populli
    i Kosovës do të jetë i pavarur ashtu
    siç kishte dëshiruar edhe vetë presidenti
    i ndjerë.
    Zeqir Gashi: E gjithë
    merita për arritjet e
    Kosovës deri këtu
    ku jemi sot, është e
    tij, sepse Kosova
    është e lirë dhe
    shumë shpejt do jetë edhe e pavarur,
    e gjithë kjo është rezultat i punës së tij.
    Ka arritur atë që shumë vjet e kemi
    pritur, mirëpo mungesa e tij gjithmonë
    do të jetë e pranishme te ne.
    Milaim Janjova:
    Vdekja e tij ka
    ndikuar mjaft keq
    në shumë pozicione,
    prandaj pa
    dyshim që mosprania
    e tij na mungon mjaft. Sepse, Presidenti
    Rugova ka qenë iniciator i
    pavarësisë, por nuk do të thotë që me
    vdekjen e tij është shtyrë edhe statusi.
    Mehreme Syla:
    Mendoj se vdekja e
    presidentit ka qenë
    tragjike për gjithë
    vendin e në veçanti
    për ata që kanë qenë
    simpatizues të tij. Unë jam njëra prej
    tyre që kam qenë mjaft e motivuar
    pikërisht ta dua LDK-në, sepse kanë
    qenë vizionet e tij mjaft të qarta, të cilat
    kanë bërë që vendi ynë të jetë këtu ku
    është tani.
    Ismail Fazliu: Me
    vetë aktin që është
    bërë ndarja e partisë
    së tij, vërehet
    mungesa, së pari, në
    partinë e tij e po ashtu
    edhe në gjithë vendin, dhe në zhvillimet
    politike.
    Xhavit Shosha:
    Mungesa e tij vërehet
    në çdo aspekt.
    Ai ka qenë njeri i
    paqes e i tolerancës,
    ka qenë i mirë për të
    gjithë. Mendoj se nuk ka më asi presidenti
    si ai, vetëm një ka qenë dhe do
    të mbetet gjithmonë në zemrat tona,
    Dr. Ibrahim Rugova.
    Lulëzim Qerkini:
    Me siguri që
    mungesa e tij vërehet
    kudo në vend.
    Ai u nda nga ne
    vetëm fizikisht,
    sepse në zemrat tona është gjithmonë
    i pranishëm me fjalët dhe
    punët që ka bërë për vendin tonë.
    Iku në momentet kur më së shumti
    kishte nevojë vendi ynë, pikërisht
    në momentet kyçe për Kosovën. Ai
    gjithnjë është treguar një njëri i
    rëndësishëm dhe një politikan i
    zgjuar për vendin tonë, prandaj shpresoj
    se amaneti i tij do të jetësohet
    shumë shpejt.
    Imer Hashanaj:
    Është e pakontestueshme
    që mosprania
    e Rugovës
    mungon në politikën
    kosovare e
    gjithashtu atë shqiptare. Prandaj,
    për fat të keq, pas vdekjes së tij nuk
    ka mbetur tjetër politikan, i cili
    mund të kontribuojë aq sa ka kontribuuar
    ai.
    E vërteta është se Rugova qe 15 vjet
    ka udhëhequr një politikë, të thuash,
    të stabilitetit dhe një politike të urtë,
    sepse ne kemi qenë të shpërndarë
    si popull dhe ai punoi që të na
    bashkojë ne.
    Xhelal Qollaku:
    Vdekja e Presidentit
    Rugova vërehet
    tani dhe do të vazhdojë
    të vërehet edhe
    për shumë e
    shumë breza të ardhshëm. Sepse
    ishte dhe do të jetë gjithmonë i
    pazëvendësueshëm.
    Hazir Shala: Vetë
    prezenca e shumë
    njerëzve të politikës
    botërore, në
    rastin e vdekjes së
    tij, tregon se sa ka
    qenë i përkushtuar në ngritjen e
    çështjes së Kosovës anë e këndë
    botës.
    Vjosa Berisha: Së
    pari, partia e tij
    është përçarë pa
    presidentin e ndjerë
    Rugova. Duke
    u nisur që në partinë
    e tij vërehet mungesa e tij, po
    ashtu edhe populli e vëren
    mungesën e tij dhe e kujton me një
    respekt mjaft të madh.
    Blerina Maloku:
    Mungesa e tij vërehet,
    sidomos tani
    që partia e tij është
    ndarë në dysh, gjë
    kjo që flet qartë se
    sa ka qenë i rëndësishëm për vendin
    tonë. Është mirë që gjithë liderët
    tanë ta ndjekin rrugën e tij, rrugë e
    një vizioni të qartë.
    Besarta Aliaj: Mendoj
    që zhvillimi
    politik ka ngelur,
    duke pasur
    parasysh kontributin
    e Rugovës
    në zhvillimin e proceseve politike të
    vendit, mirëpo presim që politikanët
    e tjerë ta ndjekin rrugën e tij.
    Arif Kryeziu: Z.
    Rugova i mungon
    shumë popullit
    tonë dhe do t’i
    mungojë edhe më
    tej.
    Një politikan i tillë, siç ishte ai, kur
    merret parasysh se 90% e popullit
    kanë pasur besimin se ai ka qenë një
    njeri i besueshëm dhe shumë
    vështirë do të gjendet ndonjë tjetër
    që do ta zëvendësojë atë.
    Faton Abazi: Gjithsesi
    që i mungon
    popullit dhe vendit
    tonë dhe
    vështirë të gjesh
    ndonjë njeri që do
    të zëvendësojë atë. Sepse ai ka qenë
    një vizionar i lartë, një strateg dhe
    largpamës.
    Besartë Zeneli:
    Shumë gjëra ngërthehen
    në ngecjen
    e zgjidhjes së statusit,
    por po të
    ishte gjallë presidenti
    tashmë i ndjerë, sigurisht që
    do ta përshpejtonte procedurën e
    zgjidhjes së statusit.
    Resa Haxha: Natyrisht
    që vërehet
    mungesa e tij.
    Sepse po të ishte ai
    gjallë, deri më tani
    pavarësia do të
    ishte problem i
    zgjidhur.
    Këtë e them nga besimi i madh e
    po ashtu edhe nga përvoja e tij e gjatë
    në jetën politike të vendit tonë.
    Këtë më së miri e kanë treguar me
    praninë e tyre shumë njerëz të mëdhenj
    të jetës politike botërore, të cilët
    kishin ardhur për t’i dhënë lamtumirën
    e fundit.
    Hyzri Gashi: Jeta
    duhet të vazhdojë
    edhe pas vdekjes
    së tij, por është
    e qartë se ai njëri
    ka punuar shumë
    për këtë vend,
    kurse mungesa e
    tij është e qartë.
    Prioritet është vullneti i popullit
    që të arrihet ajo për të cilën kishte
    punuar aq gjatë edhe vetë Rugova, e
    të cilën edhe e kemi pritur aq gjatë.
    Lus politikanët tanë që po të ndjekin
    vetëm pak rrugën e tij.
    Shumë shpejt do të kurorëzohemi
    me pavarësinë e vendit tonë.
    Talent wins games, but teamwork wins championships.
    Micheal Jordan

  3. #163
    i/e regjistruar Maska e Arb
    Anëtarësuar
    06-12-2002
    Vendndodhja
    Little Albania, NY
    Postime
    1,723
    Ibrahim Rugova dhe Shqiptaret

    Me gjithsej tri fjali që shpjegonin
    dogmën e misionit
    të tij, ai nguliti në
    mendjen e shqiptarëve
    dhe Perëndimit, rrugën
    paqësore, shtetin e
    pavarur të Kosovës dhe
    vlerat perëndimore të
    shqiptarëve. Askush me
    kaq pak fjalë, kaq pak
    veprim dhe kaq pak
    shanse, nuk do të kishte
    arritur atë që arriti ai


    Mero BAZE

    Ibrahim Rugova mbylli të shtunën në
    mesditë, misterin e tij më të madh,
    jetën. Me gjithsej tri fjali që shpjegonin
    dogmën e misionit të tij, ai nguliti në
    mendjen e shqiptarëve dhe Perëndimit,
    rrugën paqësore, shtetin e pavarur
    të Kosovës dhe vlerat perëndimore të
    shqiptarëve. Askush me kaq pak fjalë,
    kaq pak veprim dhe kaq pak shanse,
    nuk do të kishte arritur atë që arriti ai.
    Miliona shqiptarë, që janë të prekur
    sot nga ky lajm, janë ende të shokuar
    nga pamundësia që patën për të konsumuar
    atë histori që Ibrahim Rugova
    prodhoi për kombin e tyre në 16 vite.
    Miliona ballkanas dhe evropianë, po
    ashtu do ta kishin të pamundur të
    besonin se një individ i vetëm, me
    vizionin e tij origjinal, do të prodhonte
    një histori të re për vendin e vet, duke
    mundur prodhimet shekullore të
    miteve dhe historisë së Ballkanit. Për
    16 vite jetë politike, ai ndërroi tërësisht
    raportet e Kosovës me fqinjët
    dhe
    Perëndimin, çmontoi një sistem të
    tërë që prodhonte histori, politikë dhe
    vizion negativ për shqiptarët.
    Kur ballkanasit e ish-Jugosllavisë,
    rrëmbyen armët dhe nisën luftërat për
    pavarësi në fillim të viteve ‘90-të,
    Ibrahim Rugova arriti të izolojë
    Kosovën nga konflikti i përgjakshëm,
    me një kurajo dhe vizion, i cili funksionoi.
    Ky vizion i dha Kosovës aleatë
    perëndimorë para fillimit të luftës, u
    dha shqiptarëve emër të mirë para përplasjes
    finale, i dha shoqërisë së
    Kosovës shanse për solidaritet para
    fillimit të masakrës dhe, mbi të gjitha,
    i dha një orientim të ri çështjes
    shqiptare në Ballkan, duke e reformuar
    atë nga një çështje e pambyllur
    e “Bashkimit Kombëtar”, në një çështje
    të formimit të shtetit të Kosovës si
    shtet i pavarur. Ky vizion, po ashtu, shpërbëhu
    në pak kohë mitet serbe për
    Kosovën dhe çliroi energji të reja edhe
    në Serbi, për të kuptuar se Kosova nuk
    është beteja e tyre për jetë a vdekje. Ai
    ndryshoi edhe historinë e tyre.
    Nuk jam i sigurt nëse shqiptarët e
    Kosovës e pranuan, si vizion, apo si
    opsion, projektin e Rugovës, por u pa
    qartë se në fund ata e pranuan atë si fat.
    Ai nuk jetoi gjatë, por pati aq kohë sa
    të vdiste i pajtuar me të gjithë ata që i
    janë zemëruar gjatë jetës për rrugën e
    tij. Dhe iku pak kohë para se sa shqiptarët
    ta prekin me dorë produktin e
    jetës së tij politike, pavarësinë e
    Kosovës.
    Nuk jam i sigurt se shqiptarët zgjodhën
    Rugovën në fillim të viteve ‘90-të,
    për t’i përfaqësuar, por jam i sigurt se
    Rugova zgjodhi rrugën e duhur për t’i
    shpëtuar shqiptarët dhe për t’i bindur
    ata për rrugën që duhet të ndiqnin.
    Ndaj ata e pranuan atë si një simbol.
    Paqja si fuqi
    Në mes të viteve ‘90-të, Ibrahim Rugova
    ishte i vetmi njeri i qartë për
    paqen që po prodhonte. Brenda LDKsë,
    brenda Kosovës, por dhe në
    Shqipëri, duket se kishte një lloj
    paqartësie për fuqinë e rrugës së tij.
    Kishte presion për më shumë veprim
    dhe, ndoshta, për organizime klandestine
    ushtarake. Në një prej qëndrimeve
    të tij të shkurtra në Shqipëri,
    në korrik të vitit 1995, e pyeta miqësisht
    Ibrahim Rugovën në Durrës,
    përse nuk u hapte rrugë elementëve
    më radikalë.
    Ishte një njeri që t’i zhvlerësonte të
    gjitha pyetjet pompoze dhe sidomos
    përpjekjen për t’i dhënë mend. Por
    atë moment u bë serioz.
    - Nuk mund të bëj ushtri në një vend
    të pushtuar, - tha. - Kemi zgjedhur
    rrugën tonë dhe do t’i mundim.
    Ngela keq nga serioziteti i tij. Dhe
    kisha një mister të madh se si ky njeri
    arrinte të bindte të huajt për këtë që
    thoshte. Iu luta të shpjegonte privatisht
    se si ua ekspozonte ai të huajve
    çështjen e Kosovës. Cili ishte fjalori?
    Cilat ishin faktet?
    Po më dëgjonte pa shumë bezdi dhe
    unë përfitova t’ia ilustroja pyetjen me
    takimin e para disa ditëve që kishte pasur
    me Sekretarin Amerikan të Shtetit,
    Uoren Kristofer.
    - Thjesht ua them. U tregoj që ka
    pasë masakra mbi popullsinë civile. U
    them që janë mbyllur shkollat dhe
    universitetet dhe ne i kemi hapur ato
    në shtëpi private dhe jemi vetorganizuar
    t’i paguajmë. U them se po
    kështu kemi hapur shtëpi shëndeti
    për shqiptarët, se janë të diskriminuar
    nga qeveria e instaluar serbe. Dhe
    u tregoj se kemi fuqi dhe ndërtojmë një
    shoqëri tonën, duke prezantuar rrugën
    paqësore.
    Në të vërtetë, për mua, ato ishin fjali
    të rëndomta, por misteri dhe simpatia
    që ato ngjallën në kancelaritë perëndimore,
    ishin të pashpjegueshme.
    Kancelaritë panë tek kjo filozofi e
    thjeshtë, mundësitë e një shoqërie për
    t’u vetorganizuar dhe sinqeritetin e
    një lideri pacifist. Këtë vizion nuk
    mund ta kishte kurrë një njeri normal,
    një shqiptar “me gjak” si gjithë të tjerët.
    Për këtë arsye them se Rugova ua imponoi
    si fat shqiptarëve këtë rrugë,
    rrugën me kosto më të lirë, për të prodhuar
    një histori të re të tyre. Kam frikë
    se askush tjetër nuk do të kishte zgjedhur
    atë rrugë që prodhoi fuqinë reale
    të shqiptarëve përmes paqes.
    Për të përmbysur historinë që serbët
    kanë prodhuar për shqiptarët në
    Perëndim, duhen qindra katedra historie.
    Opsioni i Rugovës i bëri të
    pavlefshme ato. Ai nuk prodhoi, por
    provoi se shqiptarët dinë të bëjnë një
    histori tjetër nga ajo që është thënë për
    ta.
    Për të përmbysur fuqinë diplomatike
    të ish Jugosllavisë në botë,
    duheshin me dhjetëra kancelari
    aleate. Ibrahim Rugova fitoi mbështetjen
    jo vetëm të miqve të kombit shqiptar,
    por përmbysi vizionin e miqve
    historikë të Serbisë për shqiptarët dhe
    Kosovën.
    Për të mundur Ushtrinë jugosllave,
    shqiptarët nuk do të mundin dot sikur
    të mobilizoheshin të gjithë si komb,
    por vizioni i Rugovës dhe aleancat e tij
    bënë që në dispozicion të kauzës së tij
    të vihej ushtria më e madhe e botës,
    NATO, e cila ishte pjesë e një prej tri
    fjalive të Ibrahim Rugovës për 10 vitet
    e para të tij.
    Sinqeriteti kundër ëndrrës
    së shqiptarëve për Bashkim
    Ibrahim Rugova është i pari që ka
    formuluar në mënyrë të sinqertë tezën
    për pavarësi të Kosovës. Prej Kongresit
    të Berlinit në shekullin e 19-të e
    deri në mes të viteve ‘70-të, ëndrra e
    shqiptarëve ka qenë bashkimi i
    Shqipërisë me Kosovën. Opsioni i
    pavarësisë së Kosovës shihej realisht
    si hipokrizi. Ibrahim Rugova është udhëheqësi
    i parë shqiptar që e ka këtë
    tezë të sinqertë. Ai e kishte të modeluar
    në vizionin e tij pavarësinë e
    Kosovës dhe punoi gjatë ta vizatonte
    atë për shqiptarët. Ka shumë histori
    vulgare me simbolet e tij, me gurët që
    dhuronte dhe flamujt që qëndiste, me
    himnet që prodhonte dhe traditat
    kosovare që donte të ringjallte, por kjo
    vinte pikë së pari se në atelienë e tij
    politike, modelohej sinqerisht një
    Kosovë e pavarur. Për shumë të tjerë
    në Shqipëri dhe Kosovë, ky është një
    opsion politik, por jo i sinqertë. Për
    Ibrahim Rugovën, ky ishte një opsion
    i sinqertë. Ai e respektonte Shqipërinë,
    por kurrë nuk bëri asnjë gjest
    që të provonte se ishte nën ndikimin
    e saj. Ai ishte një indipendentist
    natyral që reformoi platformën e
    shqiptarëve për Bashkim Kombëtar.
    Ai prodhoi një histori të re për çështjen
    shqiptare. Ai prodhoi Kosovën e
    pavarur dhe rikonfigurimin e interesave
    shqiptare në Ballkan.
    Vlerat perëndimore
    Rugova, po ashtu, prodhoi dhe një
    histori të re të lidhjeve shpirtërore të
    Kosovës me Perëndimin. Përkushtimi
    i tij ndaj vlerave kristiane të Evropës,
    toleranca e tij proverbiale ndaj kundërshtarëve
    dhe sinqeriteti i tij i pozimit
    para ikonës së Nënë Terezës dhe Papës,
    e ktheu çështjen e aleancës së
    Kosovës me Perëndimin, në një betejë
    të re të tij. Në asnjë shoqëri, imponime
    të tilla si ajo që Rugova i bënte
    shoqërisë së Kosovës, nuk do të
    kalonin pa probleme. Në asnjë shoqëri
    me shumicë myslimane, predikimet
    për konvertim në katolicizëm dhe
    shkuarja drejt rrënjëve kristiane të
    Evropës, nuk do të kishte kaluar pa
    probleme për një lider. Për Ibrahim
    Rugovën, këto kaluan jo vetëm pa
    probleme, por me një misticizëm, i
    cili ka çarmatosur çdo zë kundër tij.
    Ky dimension e bëri atë po ashtu një
    lider të pranueshëm edhe për qytetarët
    jo shqiptarë të Kosovës. Ai është
    lideri që e pranoi Kosova, që ai vizatoi
    në mendjen e tij.
    Talent wins games, but teamwork wins championships.
    Micheal Jordan

  4. #164
    i/e regjistruar Maska e Arb
    Anëtarësuar
    06-12-2002
    Vendndodhja
    Little Albania, NY
    Postime
    1,723
    Malli per Ibren

    Ose: malli për plakun e
    ri të epokës sonë të re –
    Dr. Ibrahim Rugovën


    Bajram SEFAJ
    I çmuari dhe fort i dashuri, vëlla Ibro!
    Unë nuk e zgjodha çastin për të shkruar
    këtë letër mallëngjimi, por ai me
    zgjodhi mua! Dhe, le të thuhet menjëherë,
    çast më i lig nuk mund të
    imagjinohej se që është ky! Kam
    shumë vështirësi, të papërballueshme
    dhe të pakapërcyeshme fare për ta
    shkruar këtë letër. Ashtu si prej kohësh,
    dëshiroja dhe ëndërroja ta
    shkruaja. Nga ajo mori pengesash që
    me dalin përpara në këtë synim e që
    bënë të hezitoj e të lejoj të parakalojnë
    një milion vjet pranë meje, si pranë
    një të vdekuri, pa ta shkruar këtë letër,
    me këtë rast, po i veçoj vetëm dy, kur
    janë më të mëdhatë dhe më të papërballueshmet.
    E para, respekti i lartë,
    dashuria e madhe dhe pikëllimi i thellë,
    që ndjej për Ty, Zoti President.
    Pengesa e dytë, sasi e madhe dhe
    kallaballëk mllefi, deri në shkatërrim,
    ndaj të gjithë atyre hasretxhijnve dhe
    shpirtligjve, kur aq pamëshirshëm e
    në mënyrë trupërisht spektakulare e
    kryeskandaloze, iu gëzuan fatit tënd të
    lig! Gëzimit për fatkeqësinë e tjetrit
    dhe kënaqësinë për vuajtjet e tjetrit, ti
    e di mirë, Ibro, i thonë Sadizëm! Zoti
    të ruajt prej të prekurve nga kjo dergjë
    e rëndë! Fati, njëmend, ishte i tillë.
    Por, sa më i egër dhe tragjik që shfaqej,
    në destruktivitetin e tij makabër, ai fat
    e çast, në anën tjetër, nxori në pah fisnikërinë,
    burrërinë, besnikërinë dhe
    trimërinë tende të pashoqe!
    Veprimi dhe qëndrimi yt burrëror,
    kur pa dy mendje, pa dilema dhe pa
    më të voglin hezitim e luhatje, gjete
    shtëpinë tënde, Kosovë! Shkove atje
    për të vdekur bashkë me anëtarin e
    fundit të familjes së madhe shqiptare
    të Kosovës, (zot shtëpie i së cilës je
    tani e njëmijë vjet!), kur automatikisht
    e përnjëherësh hyre në odën e
    burrave të pavdekshëm shqiptarë. Iu
    bashkove , kështu, plejadës së trimave
    më të shtrenjtë të kombit tonë, për të
    cilët janë thurur dhe këndohen legjenda.
    U bëre plak i ri i epikës sonë të
    re!
    Po qe se them se ke pasur një milion
    mundësi të ngelësh jashtë Kosovës,
    në vend të sigurt, komod e me beneficione,
    kjo do të ishte vetëvrasja
    (vetë) ime më banale. Shthurje e
    shkrirje e pamëshirshme e flakës së
    kësaj letre! Shumë herë, më mirë të
    menduar sesa të folur! Të realizuar. Je
    shkrimtar e filozof, i çmuari im, e beson
    dhe e njeh (mirë) këtë dhimbje të
    thellë!
    “E ti je me demande?”. E bëj pyetje,
    me ç’rrobë të zezë e çoroditëse tradhtie
    do të vishej qenia jote fisnike, sikur,
    përnjëmend, të ngjante ajo që kurrsesi
    nuk mund të ndodhte Ty, të ikje e rrije
    larg popullit tënd!
    Lehtë e kanë të tjerët, kur ti, në anën
    tjetër, nga diktatura fashiste ke kllapa
    në duar (pas shpine). Ke gojë të kyçur.
    Sy të mbyllur. Ke pranga në këmbë. Ke
    helm në gjak e në zemër të lënduar...
    Ke fëmijë e familje të kërcënuar me
    vdekje. E, si të vritet vdekja! Me jep
    përgjigje kush?
    Tash, keq, dhimbshëm e dhunshëm
    përnjëherësh, po e përfundoj këtë
    letër, kur dora e dridhur trishtimi nuk
    arrin dot ta shkruajë ndryshe, pos ashtu
    si dikton zemra (ime) e plasur!
    Më dhemb, po, po më djeg e më bluan
    fare, keqardhja për këtë vonesë të
    pafalshme mijëvjeçare! Kur, në anën
    tjetër, u kisha aq shumë zili kolegëve
    të mi, odës së madhe të burrave të
    dheut, brenda dhe jashtë mëmëdheut
    tonë, kur shkruan e folën, kur ngritën
    zërin e indinjatës së thellë, ndaj tërë
    tragjedisë që ndodh rreth teje! Veçmas
    ndaj trillimeve e cilësimeve pa fije
    hezitimi dhe tejet të pamatura, kur,
    në anën tjetër, dihet e njihet aq mirë
    veprimi yt fisnik.
    Ashtu sikurse jam i vonuar në çdo
    shteg të jetës, nga trungu i thatë i së
    cilës, kurrë nuk kam vjelë asnjë fryt të
    ëmbël, jam vonesëmadh edhe në
    shkrimin e kësaj letre. E shkruaj në
    çastin e ligë e të dhimbshëm, kur fotografia
    me portretin tënd, mbi tryezën
    time të “punës”, dot nuk me gjegjet: je
    apo nuk je më në jetë? Nuk me ngel,
    prandaj tjetër udhë, i dashuri Ibrahim,
    pos të fshij lot pikëllimi e të qes (ngjis)
    një varg të ri në poemën kushtuar Ty,
    që e kam nisur para shumë vjetësh,
    diku në mërgim. Diku në Parisin e rinisë
    sate. Kur ishe student (nxënës) i
    filozofit dhe mendimtarit francez të
    kohës, Roland Barthes, më të shquarit
    të epokës sonë. Autorit të veprës së
    madhe mendore, filozofike, shkencore...
    Fort e mirë po e shoh se poema ime
    nuk do të përfundojë kurrë. Vepra jote
    del e denjë për penda shumë herë më
    të mprehta e talente shumëfish më të
    mëdha se që është imtësia ime e imët!
    Sa më ka zënë malli, Ibro, të pimë
    bashkë nga një filxhan kafe në braserinë
    “Çarri”, në Prishtinë. E pastaj të
    nisim e të llafosim e të rrahim tema të
    letërsisë dhe të rrjedhave kulture në
    botën shqiptare dhe përgjithësisht.
    Sikur bënim shpeshherë, dikur. Të
    kujtohet, sigurisht! Qoftë edhe atëherë
    kur ishim bashkë, në emisionet e kulturës
    në gjuhën (tonë) shqipe të Televizionit
    të Prishtinës.
    Ibro, me prit se ja, po “...lidh mbathcat...”
    sikur na porosit i pavdekshmi
    varg kushtrimi i poetit Azem, e po vij.
    Erdha, ma kij besën!
    Talent wins games, but teamwork wins championships.
    Micheal Jordan

  5. #165
    i/e regjistruar Maska e Arb
    Anëtarësuar
    06-12-2002
    Vendndodhja
    Little Albania, NY
    Postime
    1,723
    Ne njevjetorin e vdekjes se Presidentit Rugova

    Ardhja dhe ikja e Prijësit


    Eshte teper veshtire te shprehet me fjale dhimbja dhe pikellimi per vdekjen e hershme te Presidentit Historik te Kosoves, Z. Ibrahim Rugova, e aq me veshtire te vihen ne pah me pak fjale, ne nje manifestim perkujtimor si ky I sotmi, vlerat e presonalitetit te tij prej intelektuali humanist, shkencetari erudit, politikani pragmatist dhe burreshtetasi e strategu vizionar.
    Ibrahim Rugova u shfaq ne Kosove si nje njeri i Duhur, ne nje kohe te Duhur, ashtu sic shfaqen nje here ne njeqind vjet ne Histori Njerezit e Medhenj. Dhe, ai iku, poashtu, sic ikin Njerezit e Medhenj nga kjo bote, I qete si nje Profet, duke e lene Kosoven, Dardanine e tij Antike, te lire dhe, ne prag te Pavaresise se shumepritur.
    Po, si u shfaq njeriu i Urte, pacifisti i shpallur nga Perendimi, dhe, sic tha me te drejte nje mik I tij keto dite, 'nacionalisti i kultivuar', Ibrahim Rugova?
    Pasi u shqua si nje personalitet I pashembullt kulturor, duke shenuar ne vitet shtatedhjete, nje kthese historike ne fushen e mendimit kritik letrar dhe artistik shqiptar, dhjete vjet me vone Ibrahim Rugova u ngrit ne skenen politike shqiptare te Kosoves, si nje ideolog vizionar, me nje platforme moderne politike, me Durimin si strategji dhe Pritjen si taktike, dy postulate qe e kane burimin tek tradita dhe etnopsikologjia shqiptare, e qe u bene te pranueshme nga bota demokratike Pernedimore.
    "U gjet", apo e gjeten shqiptaret Prijesin?
    "U gjet" dhe e gjeten shqiptaret Prijesin e vet. Nuk u gjet, rastesisht, ne krye te Lidhjes se Shkrimtareve te Kosoves, sepse ai aty vinte me nje bagazh kulturor e shkencor modern, si dhe me vyrtyte klasike morale shqiptare. Lidhjes se Shkrimtareve, qe ishte nje berthame kulturore per shume vjet, I kishte rene hise te behej edhe berthame politike. Ndaj, pikerisht ne zyrat e saj u krijua edhe nje Lidhje - Lidhja Demokratike e Kosoves.
    E gjeten shqiptaret Prijesin? E gjeten. Askush nga bashkethemeluesit e kesaj berthame politike nuk deshi ta merrte Misionin e Prijesit. Ishte I rende, ate mund ta bartte mbi shpatulla vetem ai qe kishte vendosur te mos terhiqej derisa te realizohej Misioni.
    Ky akt e kishte nje prelud. Gjashte muaj me pare, atehere kur lidershipi autonom shqiptar I Kosoves e kishte c'liderizuar veteveten, duke e "care lisin me pyka te bera nga trungu I tij", (natyrisht nen nje presion dhe shantazh te papare serb), Prijesi I ardheshem, pacifisti Ibrahim Rugova, do te jepte nje mesazh, jo shume pacifist:
    "Në qoftë se Serbia do të përpiqet përsëri të shtypë identitetin tonë kombëtar, atëherë do të ketë një kryengritje. Unë vetëm mund t'i paralajmëroj serbët: edhe ata janë një popull i vogël. Në të kaluarën sa herë që një popull i vogël është përpjekur të luajë rolin e një fuqie në Ballkan, kjo ka përfunduar me tragjedinë e tij", I pergjigjej Rugova vozhdit serb, me 26 qershor 1989, ne gazeten gjermane Der Spiegel, diten kur ai po I kercenonte shqiptaret qe nuk do t'I nenshtroheshin Beogradit.
    Ate dite Millosheviqi kishte mbledhur, sic thuhej, nje milione serbe ne Fushe - Kosove, ne kremtimin e 600 vjetorit te humbjes se Betejes se Kosoves. Asnje shqiptar I Kosoves nuk kishte dale ne rruge. Rrinin brenda shqiptaret, nderkohe qe jehona e brohoritjeve dhe kercenimeve nga serbet vendore dhe te ardhur nga Serbia shkonte deri ne qiell.
    Ibrahim Rugova me kete akt ishte bere Emblema e Kosoves.
    Tashti ishte hapur rruga. Pakkush mund ta kete ditur, ndoshta as ai vete, se kjo rruge do te ishte shume e gjate dhe e mundimshme, plot sakrifica, personale e kolektive, plot kthesa te papritura, me ngritje e renie, me ringritje dhe rirenie. deri ne zgripc te zhdukjes.
    Por Kosova do te behej, thoshte cdo dite Presidenti. Do te behej, sepse ishte "radha e popujve" te shtypur, sic tha nje tjeter mendje e ndritur shqiptare lidhur me Kosoven, ne prag te luftes.
    Jemi vete ne deshmitare per zhvillimet e mevonshme ne Kosove. I takon merita Presidentit Rugova, qe arriti te ruante qetesine, ne nje kohe qe ishte teper veshtire te ishe shqiptar I Kosoves, kur dinjiteti jo vetem nacional, por edhe njerezor po perdhosej cdo dite nga barbaria serbe.
    I takon merita Presidentit Rugova qe per nje decenie e organizoi nje rezistence paqesore aktive, duke refuzuar institucionet e regjimit serb dhe duke ngritur institucione paralele shqiptare, per te mbajtur gjalle jo vetem frymen e lirise, por edhe ekzistencen fizike te shqiptareve ne Kosoven e pushtuar.
    I takon merita Presidentit Rugova qe Kosova nuk u implikua ne lufterat midis republikave sllave, motra midis tyre, me gjithe peshperitjet bukur te zeshme te qarqeve te ndryshme qe te hapej edhe "Fronti I Jugut".
    "Ne e kemi vendin tone, Kosoven tone. Ne nuk duam lufte. Kosova duhet te mbrohet nga nje Force Nderkombetare. Kosova duhet te jete e lire dhe e pavarur". Kjo ishte motoja dhe mesazhi I perditshem I Presidentit Rugova.
    I takom merita presidentit Rugova qe arriti te internacionalizonte ceshtjen e Kosoves ne te gjitha qarqet politike nderkombetare dhe sidomos ne qendrat e vendosjes. Si nje politikan modern, ai nuk e kultivonte trillin e "gjetjes" se "miqve te armiqve te shqiptareve' per t'I sulmuar pastaj ata me retoriken boshe lideriste ballkanike. Ai e kishte prirjen pozitive te gjetjes se miqve, kudo qofshin ata, duke spikatur ne gjetjen e Mikes me te Madhe, SHBA-ne, vendin e Lirise, "shpresen e fundit te njerezimit", sic ka thene me nje rast per Ameriken Presidenti Abraham Lincoln.
    Presidenti Rugova i ishte mirenjohes, ne kuptimin proverbial, Amerikes, shpetimtares se Kosoves, pa I harruar asnjehere demokracite perendimore, vendet e Bashkimit Evropian, ato qe e ndihmuan dhe e po e ndihmojne kaq shume Kosoven.
    Nje tipar dallues qe e ka stolisur portretin moral te Presidentit Rugova dhe figuren e tij prej Trimi te Urte, eshte fakti se Rugova nuk iku asnjehere jashte vendit, por qendroi ne Kosove, ne zemer te saj, derisa u muar peng ne rezidencen e tij, nga Kasapi I Ballkanit. Akti I qendrimit te tij ne Kosove, bashke me familjen, do te te kete qene vendimtar ne pergjegjshmerine e tij per vendin dhe popullin e Kosoves, jo vetem ne kuptimin filozofik. E kemi degjuar vete pergjigjen e tij, kur dikush e nagcmonte pa te keq, "si guxonte te rrinte ne Prishtine e te fliste aq ashper kunder regjimit serb". "E kam tankun serb, jo me larg se dy-treqind metra larg shtepise, dhe nuk frikesohem. S'kam ku shkoj pertej shtepise sime. Ne po ndjekim politike paqesore, ndaj do ta fitojme lirine dhe pavaresine, sepse pavaresia eshte e vetmja zgjidhje per Kosoven. Ne do te fitojme", thoshte ai.
    Ai ishte I lidhur si Anteu mitik me Token e Tij. Toka, Guri, Shtepia, Miku - keto ishin Shenjat e Tij, Heraldika e Tij.
    Pse ishte I tille Ibrahim Rugova?
    Nuk mund te thuhet me saktesi cilet qene faktoret qe ndikuan ne krijimin e personalitetit te Ibrahim Rugoves. Mund te thuhet se jane dy faktore te nderlidhur, mbase vendimtare, qe kane ndikuar ne rrugen e tij jetesore, krijuese e politike: prejardhja familiare dhe formimi I tij kulturor perendimor.
    Si bir I babait dhe nip I gjyshit, qe te dy te pushkatuar dhe te masakruar nga ushtria cetnike serbe me maska partizane, ai nuk do te pushonte se kerkuari me mendje, dite e nate, varret e me te dashurve, varret qe s'arriti t'I gjente kurre. Ai do te burrerohej para kohe. Do ta "ruante" Nena, sic thuhet ne Kosove, per nenat qe rrisin femije jetime. Do ta rriste me vuajtje dhe besim se nje dite do t'I dilte Zot shtepise, pa e ditur se po e rriste nje djale qe kur do te behej burre, do t'I dilte Zot, jo vetem shtepise se tij, por Tokes se pushtuar e te lare me gjak, shekuj me radhe, Dardanise Antike - zemres se Ilirise, duke u bere Embleme e saj e perjetshme.
    Prijesi yne mbante emrin e nje Profeti dhe mbiemrin e nje Mali, bjeshkes qe takohet me Qiellin.
    Qofte I perjetshem kujtimi I Tij.

    Sinan Kamberaj
    New York, 21 janar 2007
    Talent wins games, but teamwork wins championships.
    Micheal Jordan

  6. #166
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    28-03-2003
    Vendndodhja
    Diku nëpër Botë
    Postime
    528



    Burrështetasi i parë i Kosovës
    Shkruan: Fatmir Sejdiu



    Vdekja e hershme e Presidentit Ibrahim Rugova në fillim të vitit 2006 ishte goditje e rёndё për popullin dhe institucionet e Kosovёs. Na la kur na duhej mё sё shumti për t’i dalë në krye procesit tё gjatё e tё mundimshёm historik për pavarësimin e Kosovës. Për njohjen ndёrkombёtare tё pavarësisë së Kosovёs, sepse, siç e kishte zakon të thoshte Presidenti ynë, Kosova është de fakto e pavarur nga qershori i vitit 1999.

    Si studiues i thellё i letërsisë e i kulturës shqiptare, Ibrahim Rugova ka lënë një trashëgimi që rri në themelet e dijeve tona. Rugova dijetar u bë udhëheqësi i rezistencës së popullit shqiptar të Kosovës me organizim të pashembullt që krijoi Lidhja Demokratike e Kosovës, që – si Lidhja Shqiptare e Prizrenit, për të cilën ai ushqente dashuri të pakundshoqe – të ndërtonte, tani me sukses të fundmë, bazat e shtetit të ri ndërsa rezistonte okupimin serb.

    Ibrahim Rugova u bë burrështetasi i parë i Kosovës, shenja mbrojtëse e shtetit në krye të të cilit qëndroi edhe në kohën kur njihej, por nuk pranohej si i tillë. Në kohë të vështira, Rugova me organizimin më sistematik e të qëndrueshëm që kishin ngritur shqiptarët në këto troje, me mekanizma institucionalë të votës demokratike, ndërtoi struktura të qëndrueshme tё Republikёs sё Kosovёs, qё ishin pjesё e veçuar e rezistencёs sё organizuar kundёr okupimit.

    Për të gjallë të vet, Ibrahim Rugova krijoi shumë miq të Kosovës e të pavarësisë sonë në të katër anët e botës. Prandaj, edhe nga bota e amshimit, Presidenti Rugova është sot engjëlli mbrojtës i Kosovës.

    Veprimtaria e Rugovës, si studiues i letërsisë e i kulturës shqiptare, si mendimtar i rrallë, me një filozofi të veçantë politike, si lider e burrështetas, të cilin e shquan urtësia dhe konsistenca, do të jetë objekt i studimeve të vazhdueshme në të ardhmen.

    Ky libër përmbledh një zgjedhje shkrimesh të Rugovës në rrjedhë kronologjike – kryesisht fjalime politike, por edhe kontribute të tjera të veprimtarisë së tij shtetërore – sikur edhe vlerësime që i bëjnë figurës së Rugovës personalitete nga vendi e bota. Është një pjesë e trashëgimisë dhe namit që ka lënë pas lideri ynë historik, të cilën e sjellim këtu me rastin e Ditës Përkujtimore, 21 janarit, kur mbushet një vit që kur ndërroi jetë.
    (Tekst hyrës në monografinë "Presidenti Rugova")

    Prishtinë 4 janar 2007

  7. #167
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    28-03-2003
    Vendndodhja
    Diku nëpër Botë
    Postime
    528

    Memento për Rugovën

    Shkruan: Sabri Hamiti



    I. BIOGRAFIA

    Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
    Ibrahim Rugova shkollën fillore e kreu në Istog, të mesmen e kreu në Pejë, më 1967. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe e kreu në Prishtinë. Gjatë vitit akademik 1976-77 qëndroi në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Doktoroi në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984. Në vitin 1996 Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Në fillim ishte redaktor në gazetën e studentëve Bota e re dhe në revistën shkencore Dituria (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Një kohë punoi edhe në revistën Fjala. Mandej, për afro dy dekada, Dr. Ibrahim Rugova veprimtarinë e vet shkencore e zhvilloi në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë. Një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës Gjurmime albanologjike të këtij Instituti. Me krijimtari letrare u mor që nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë.

    Ka botuar këto vepra:

    1. Prekje lirike, Rilindja, Prishtinë, 1971,
    2. Kah teoria, Rilindja, Prishtinë, 1978,
    3. Bibliografia e kritikës letrare shqiptare 1944-1974, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1976 (së bashku me Isak Shemën),
    4. Kritika letrare (nga De Rada te Migjeni), Rilindja, Prishtinë, 1979 (së bashku me Sabri Hamitin),
    5. Strategjia e kuptimit, Rilindja, Prishtinë, 1980
    6. Vepra e Bogdanit 1675-1685, Rilindja, Prishtinë, 1982,
    7. Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1986
    8. Refuzimi estetik, Rilindja, Prishtinë, 1987,
    9. Pavarësia dhe demokracia, Fjala, Prishtinë, 1991,
    10. Çështja e Kosovës, Dukagjini, Pejë, 1994,
    11. Kompleti i veprave të Ibrahim Rugovës në tetë vëllime, Faik Konica, Prishtinë, 2005



    Dr. Ibrahim Rugova më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare e cila kundërshtoi sundimin komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.
    Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK, nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes. Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja përmbyllën kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës. Deklarata e pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 24 maj 1992. Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh kryetar i Republikës së Kosovës. Dr. Ibrahim Rugova u rizgjodh kryetar i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998.
    Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës LDK-ja fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor të vitit 2000 si dhe n zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK fitoi edhe zgjedhjet e fundit nacionale më 2004.
    Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe u rizgjodh edhe më 2004.

    Çmimet dhe titujt ndërkombëtarë të Ibrahim Rugovës:

    1. Më 1995, Dr. Ibrahim Rugovës iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë.
    2. Më 1996, Dr. Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII, Sorbonë, Francë.
    3. Më 1998, Dr. Ibrahim Rugovës iu nda Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian.
    4. Në vitin 1999, Dr. Rugova mori Çmimin për paqe të qytetit Mynster, Gjermani, ndërsa u shpall qytetar nderi i qyteteve italiane: Venedik, Milano dhe Breshia.
    5. Në vitin 2000, Dr. Ibrahim Rugova mori çmimin për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrasco i Formiguerra” në Barcelonë, Spanjë.
    6. Në vitin 2004 Dr. Ibrahim Rugova u nderua me Çmimin e Evropës, Senator Nderi nga Fondacioni panevropian Coudenhove-Kalergi.
    7. U nderua gjithashtu nga Komonuelthi i Pensilvanisë (SHBA), “Mik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
    8. Më 2004, Dr. Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Tiranës.



    Dr. Ibrahim Rugova vdiq më 21 kallnor 2006 në Prishtinë dhe u varros në Bregun e Diellit me nderimet më të mëdha të popullit të Kosovës.



    II. KRITIKA

    1. Qarku i Prishtinës



    Ibrahim Rugova i përket brezit të 68-tës, dhe më tej Qarkut Kulturor të Prishtinës.
    Në fund të viteve gjashtëdhjetë të shekullit njëzet Prishtina u bë qytet universitar duke u prirë nga një lëvizje e fuqishme studentore e kulturore, që mblidhte për të parën herë të rinjtë e tokave shqiptare: në Kosovë e rreth Kosovës. Kjo lëvizje kulturore e intelektuale, krejt natyrshëm e bëri qendrën në Universitetin e Prishtinës, për ta shpërndarë ndikimin e vet çlirues edhe në shtresa të tjera të shoqërisë. Fuqia e kësaj lëvizjeje u përqendrua në kulturë e krijimtari, me artikulim më të fuqishëm në letërsi, me shenjën e fuqishme nacionale e autentike dhe me shenjën e modernitetit.
    Në këto vite Prishtina, si dhe gjithë Kosova, kishte një gazetë të përditshme, një revistë letrare, një radio, një shtëpi botuese në shqip. Lëvizja kulturore e intelektuale e përqendruar në brezin universitar e bëri gazetën e vet kulturore, revistën e vet kulturore dhe formoi shtëpinë e vet botuese. Kjo, në mënyrë të pashpallur, artikulonte alternativën e njëshit pushtetor në kulturë.
    Protagonist në të gjitha këto lëvizje kulturore e letrare, që përqendroheshin në Fakultetin Flozofik, ishte Ibrahim Rugova me krijuesit e brezit të tij studentë, kryesisht të gjuhës e të letërsisë shqipe. Tani më disa nga nismëtarët e këtij qerthulli kulturor e letrar janë ngritur në shkallën më të lartë në fushat e tyre krijuese në shqip. Njëri nga më përfaqësuesit është Ibrahim Rugova, me përcaktim kritik letrar e studiues i letërsisë dhe i kulturës shqiptare.
    Qerthulli kulturor i Prishtinës, që më vonë do të zhvillohet edhe në një kulturë letrare, në fillim të viteve shtatëdhjetë të shekullit njëzet kishte përqafur një program letrar e kulturor, qoftë pa e afishuar: të hyhet sa më thellë në njohjen trashëgimisë shpirtërore nacionale e në të njëjtën kohë të ketë një hapje ndaj kulturave të tjera perëndimore, sidomos të modernitetit të tyre.
    Ibrahim Rugova si krijues e kritik nuk u është larguar asnjëherë këtyre dy kërkesave të qerthullit kulturor të Prishtinës, për dy decenie të plota të krijimtarisë letrare kritike.

    2. Profili i kritikut

    Pak nga miqtë e tij e dijnë që Ibrahim Rugova në moshën e re shkollore ka shkruar lirikë dhe ka përkthyer poezi. Mirëpo emri i tij letrar publik është bërë i njohur me shkrimet letrare në rubrikën “Zenite letrare” të përhershme në revistën Fjala. Tekstet, që rimerrnin në një lexim krejt subjektiv e të lirë, vepra të shkrimtarëve botërorë e shqiptarë, lexoheshin me mallin e leximit të letërsisë së vërtetë. Këto shkrime Ibrahim Rugova, pas një rileximi redaktues, i botoi në librin Prekje lirike. Vetë titulli përcakton natyrën e shkrimeve estetike-poetike, që nuk i iknin lirizmit të interpretim. Mendoj që ky ishte një revolt kundër shkrimeve kuaziobjektive që shkruheshin për letërsinë duke zbritur më shpesh në një sociologjizëm vulgarizues.
    Në librin e dytë Kah teoria, të botuar shtatë vite më vonë, e gjejmë Rugovën në skajin tjetër të diskursit kritik. Tashmë ai, gjithë dijen e madhe letrare, gjithë mjeshtërinë e shkrimit kritik të argumentuar, e çon kah qëllimi suprem: të artikulohet në nivelin më të lartë teorik letërsia si krijimtari individuale e veçantë, e ndryshme nga të tjerat, që duke pasur praktikë origjinale të krijimit, kërkon edhe kritere të vetat të interpretimit. Tashmë, revolta lirike e librit të parë kthehet në sistem vetanak të mendimit e të argumentimit.
    Dy polet kritike, të shfaqura në dy librat e parë, e kanë përcaktuar fuqishëm gjithë krijimtarinë kritike të Ibrahim Rugovës në vitet shtatëdhjetë e tetëdhjetë të shekullit njëzet. Ky ndikim në një anën ka prodhuar një diskurs kritik të çlirshëm, shpesh me gjuhë konotative, madje në nivel të metaforës, për t’u kurorëzuar me trajtën e eseut e të kritikës interpretuese; kurse në anën tjetër ka prodhuar diskursin kritik të argumentuar duke e ngritur në nivel të abstragimit teorik, madje krejt në teori të letërsisë e të kritikës; por gjithmonë me kërkesën për kultivimin e temave abstrakte në shqip, nëpërmjet rindërtimeve terminologjike.
    Dy libra të ngjashëm, përmbledhje esesh e kritikash, kapin tekstet kritike të Ibrahim Rugovës të viteve shtatëdhjetë në Strategjia e kuptimit dhe të viteve tetëdhjetë në Refuzimi estetik. Sharmi themelor i shkrimeve kritike, që korrespondojnë në radhë të parë me librat e botuar gjatë këtyre viteve dhe me autorët kryesisht të brezit të tij, është se janë shkruar rëndom si kritika të para (punë tepër e vështirë në interpretimin e vlerësimin e letërsisë) duke prodhuar edhe mendimin e parë publik për veprat, e njëkohësisht duke krijuar aureolën e kritikës së respektueshme.
    Në shkrime të tjera, në këta libra, Rugova lëshohet ngadalë në kohë për të studiuar formacione artistike e doktrina letrare shqiptare, po ashtu autorë të njohur të traditës; ashtu edhe fenomene letrare, kryesisht kritike të modernitetit evropian.
    Dy libra të tjerë, tani monografikë, që provojnë deri në skaj fuqinë krijuese e intelektuale të Ibrahim Rugovës janë Vepra e Bogdanit dhe Kahe e premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983. Në të parin bëhet interpretimi i fuqishëm i tekstit bogdanian në librin e parë origjinal shqip Çeta e profetëve, duke analizuar të gjitha aspektet e strukturat e tekstit bashkë me domethënien e tij. Rugova këtu ribën gjenetikën dhe bën analitikën e veprës së autorit të madh të vjetër shqiptar, duke e parë atë të njënjëshëm, nëpërmjet temave, strukturave letrare, domethënieve nacionale; duke analizuar sistemin e plasat e tij. Studiuesi, i formuar me dijet moderne letrare, dëshmon që teksti bogdanian nuk është dëshmi por është një qenie e gjallë kulturore, madje bashkëkohëse, një vlerë që jeton. Vepra shpejt u bë paradigmë e studimeve shqiptare, jo vetëm bogdaniane.
    Mirëpo, projekti më i ndërliqshëm e më i rëndësishëm studimor i Ibrahim Rugovës mbetet monografia për kritikën shqiptare. Ky libër është dhe kurora kritike e tij. Aty gjejmë një sistematizim të mendimit kritik shqiptar që lidhet me letërsinë dhe kritikën letrare, dhe më thellë një vetëdije kulturore të shqiptarëve. Idetë themelore, duke u fiksuar nga Barleti deri te autorët bashkëkohorë, janë trajtuar jo si rend kronologjik i shfaqjeve, por si vlera në një sistem të sprovuar të mendimit letrar. Rugova lucid këtu informon, analizon, interpreton. Vepra merr vlerën e një projekt-enciklopedie për kritikën letrare shqiptare duke u bërë, që nga shfaqja, një pikë reference e pakalueshme në këtë fushë.
    Përfundimisht Ibrahim Rugova është një kritik modern që teorinë e ndërton si majë që del nga interpretim i tekstit letrar, kurse vlerësimin e bën si një përqasje me universalitetin e krijimit letrar. Kjo të shpie nga qerthulli i letërsisë kombëtare në universumin e literaturave të tjera.
    Një të tillë sprovë e kishte nisur Rugova në shkrimin për rrënjët e degët letrare, pra për trashëgiminë origjinare dhe shpërndërrimet e mëvonshme duke sjellë në relacion krijues Shqipen, Aristotelin e Xhojsin. Kjo aventurë krijuese ishte ndërprerë përnjëherë. Dhe kjo duhet të quhet humbje për kërkimet në letërsinë shqipe.
    Konteksti sociokulturor, thoshim më parë, por rrethanat nacionale, do të themi tani, e bënë apo më saktë e detyruan Ibrahim Rugovën, që nga njeriu meditant të kalojë te njeriu militant. Për të parin menduam e shkruam, për të dytin shkruajmë në vijim.
    E mbyllim këtë pjesë me një metaforë: Prekje e Gurit. Brezat e idealistëve (nëse mbeten gjallë) do të tregojnë a u formësua guri nga prekja dhe për sa kohë ndodhi kjo.



    III. POLITIKA



    1. Presidenti / Kryetari

    Ibrahim Rugova hyn tepër vrullshëm në politikën e Kosovës duke dalë në ballë të lëvizje për pavarësinë e Kosovës dhe duke e bërë legal vullnetin politik të popullit të saj.
    Ai e legalizoi dhe legjitimoi në mënyrë institucionale këtë vullnet nëpërmjet zgjedhjeve parlamentare e presidenciale dhe nëpërmjet Referendumit popullor për pavarësinë.
    Po këtë legjitimim ai e mori me votë demokratike si kryetar i LDK-së (1989) dhe si President i Republikës së Kosovës (1992).
    Veprimet politike institucionale të Rugovës krijuan sistemin e mbrendshëm të mbështetur në solidaritet e në mirëkuptim për të siguruar mbijetesën së mbrendshmi dhe respektin së jashtmi për organizimin shoqëror e politik dhe prijësin e saj.
    Ibrahim Rugova u pranua si përfaqësues autentik i Kosovës në të gjitha zyrat e mëdha në Evropë e në Amerikë, pa marrë parasysh që në mënyrë zyrtare nuk u pranuan zgjedhjet e tij.
    Vetë Rugova e dinte që rruga e pranimit ndërkombëtar është e ngadaltë, sidomos derisa të sigurohet pushteti real në Kosovë. Ai kishte përsëritur shpesh gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar: “Ne këmi pushtetin moral”. Puna ishte që të ushtrohej pushteti faktik. Insistimi i Rugovës për disiplinë shtetërore para popullsisë, duke kërkuar jetë institucionale, është keqkuptuar, madje nënvlerësuar jo një herë nga kundërshtarët e tij të ngutshëm në LDK apo në Kosovë, që preferojnë përmbysjet rrënjësore para evolucionit. Këto mendime kanë pasur edhe jehonat e veta para faktorëve ndërkombëtarë.
    Po vota e popullit, vota qytetare, katër herë me radhë, madje në rrethana krejt të ndryshme politike, ka legjitimuar Rugovën edhe kryetar të LDK-së edhe President të Kosovës. Ky fenomen ka prodhuar përgjithmonë dy konsekuenca a mësime historike për Kosovën:

    1. Udhëheqësi autentik mund të dalë vetëm nga vota e lirë e qytetarëve, dhe kjo është fuqia e këtij udhëheqësi.
    2. Përgjithnjë Kosova ka pranuar dhe krijuar traditën që ky vend nuk do të pranojë asfarë autoriteti të udhëheqësit të pazgjedhur. Kjo, më në fund, është fitore e demokracisë në Kosovë.

    Tashmë është fakt e histori që Ibrahim Rugova mbetet Presidenti historik i Kosovës dhe promovuesi i madh i lirisë, i pavarësisë e i demokracisë së Kosovës.

    2. Shqiptari

    Rugova është një nacionalist i kulturuar. Pra, është shqiptar, në kuptimin rilindës të fjalës. Kjo del natyrshëm nga e kaluara e tij familjare e personale dhe nga formimi kulturor, letrar e historik. Premisat e këtij kualifikimi mund të lexohen në veprat e tij kulturore e kritike, ashtu dhe në veprimet e tij politike.
    Promovimi i politikës së tij nacionale, që në fillime, është bërë në bashkëbisedim, marrëveshje, e dialog me politikën institucionale të Shqipërisë. Se ai është një pionier i pluralizmit poltik, por para së gjithash institucionalist, prandaj nocionin e partive e përdorte përherë në shumës. Por, është e dukshme që preferenca e tij është partia (partitë) demokratike dhe për shumë vite në politikën shqiptare Rugova e Berisha kanë përbërë një binom. Kjo dhe për pajtimin e përbashkët që komunizmi ka dëmtuar tragjikisht kombin shqiptar dhe botën shqiptare.
    Prandaj, politika moderne shqiptare do të rimerrej duke u ringjallur në të gjithë parametrat nacionalë, tani në rrethanat aktuale politike ndërkombëtare, nëpërmjet integrimeve kombëtare e evropiane.
    Komunikimi pa paragjykime ndërmjet shqiptarëve që kanë jetuar të ndarë përdhunshëm, për Rugovën është alfa dhe omega e rinjohjes së thellë deri në identifikim, deri në unifikim. Këto komunikime marrin të gjitha trajtat sociale, ekonomike, kulturore, politike.
    Kur komunikimi me Shqipërinë ishte gati i ndaluar, Rugova fliste si duhet të shkohet në Tiranë, qoftë për të pirë një kafe një paradite. Po më thellë kërkonte, me përsëritje të palodhura, çeljen e udhës Prishtinë – Durrës, si arterie të bashkimit fizik e shpirtëror të shqiptarëve. Vizionet nacionale të Rugovës për komunikimet e integrimet shqiptare janë në proces dhe të pakthyeshme.
    Vetëm se në këtë udhë ka etapa, të cilat duhet të kalohen me mend e durueshëm. Vetëm njohjet i mundin paragjykimet, vetëm arsyeja i vë në disiplinë emocionet e zjarrta. Këto duhet të kenë qenë grindjet e mbrendshme vullkanike, që më në fund e dogjën dhe poqën Rugovën, nacionalist të kulturuar.

    3. Politika

    Rugova pacifist në Kosovën që i del tymi, në mesin e Ballkanit që nis për të satën herë kasaphanën. Ky është një absurd, kanë bërtitur me zë të lartë disa nga kundërshtarët e tij politikë. Kurse është admiruar për qëndrimin e tij në të katër anët e botës.
    Rugova si individ ka qenë trim, nuk i është frikësuar gjakut e as vdekjes. Çështja është që ai nuk ka preferuar kryengritjen a betejën, por ka kërkuar e synuar fitoren. Filozofinë e heroikës shqiptare, qoftë ajo skenderbejane, ai është munduar ta përkthejë në një qëndresë moderne për të ruajtur substancën, pra në një rezistencë politike me premisa të humanizmit e të lirisë njerëzore universale. Në këtë mënyrë do të fitoheshin miqtë e kauzës së lirisë së Kosovës.
    Sloganet e tij për pajtim të brendshëm, për durim, për solidaritet, për mirëkuptim, për dialog e për mirësi, që duken si moralizim në fatkeqësi, në të vërtetë janë përftime racionale duke njohur gjendjen e mbrendshme dhe rrethinën e Kosovës. Duke njohur gjendjen e popullit të robëruar në kapërcime të mbijetesës.
    Rugova ka njohur egërsinë serbe ndaj Kosovës, e cila është përsëritur ciklikisht në historinë e përgjakshme të vendit. Ai e ka artikuluar me zë të thekshëm para opinionit ndërkombëtar, që më 1989, se “serbët po vijnë të hakmerren”. Po duhej kohë, qëndresë, organizim e substancë, po ashtu dhe një rezonancë ndërkombëtare për një luftë e rezistencë me armë, një luftë të akceptueshme nga miqtë e kauzës së lirisë së Kosovës.
    Prandaj, Rugova është pararendës i UÇK-së dhe pasues i saj. Ky është rezonim i popullit të Kosovës, që mbas çlirimit, e zgjodhi për dy mandate me votë për President të vendit.
    Programi i tij politik e nacional për Kosovën e pavarur e demokratike, në të vërtetë u bë program i qytetarëve të vendit, për të marrë formën e testamentit politik, të cilin e tha deri në ditët e fundit të jetës: “Një Kosovë e pavarur e demokratike e inkuadruar në Bashkimin Evropian e në strukturat euroatlantike, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është vullneti i popullit dhe do të qetësojë këtë pjesë të Evropës e të botës”.
    Po është ky një vullnet i popullit, një përkatësi kulturore-historike dhe një miqësi-përkatësi politike.
    Qysh tani po duket që trashëgimia politike e Rugovës, në të vërtetë testamenti i tij politik, është vizioni i këtij vendi për të ardhmen.



    4. Besimi

    “Jam një mysliman simbolik” i deklaron Rugova një gazetari të huaj.
    “Lidhja jonë (LDK) është e fortë e nuk shprishet sepse bazohet në besim”, ka përsëritur ai shumë herë.
    Këto dy formula të Rugovës, që krijojnë një fundament të filozofisë së jetës e të shoqërisë, kanë qenë keqkuptuar madje edhe nga dijetarët e dinjitarët shqiptarë, keqkuptime që kanë shkuar deri në format ekstreme të përfundimit: Rugova është konvertuar fshehurazi!
    Rugova besonte në zot, këtë e ka shprehur me shkrim në dy formula poetike të falënderimit për lirinë dhe për jetën. Rugova kishte besim në njeriun dhe gjithë vepra e tij në fakt është një adhurim për njeriun. Mirëpo, Rugova dallonte në thelb religjionin nga feja, besimi.
    Çështjen mund ta shohim më të kapshme po të shoqërohemi me filozofin e sociologun Zhak Derrida (një hebre algjerian me shtetësi frënge), veprën e të cilit Rugova e ka njohur mirë.
    Religjionet e librit, religjionet abrahamike (ibrahimike): hebre, krishterë, mysliman, kanë një bazë apo një trung të përbashkët (besimin në një zot). Dallimet janë të fushës së kulturës e të historisë. Mirëpo asfarë raporti social nuk është i mundur pa besim. Nuk mund t’i drejtohesh tjetrit, çfarëdo religjioni të ketë, çfarëdo gjuhe a kulture, pa kërkuar që të ketë një besim. Ky besim është kredia për dialog dhe komunikim social. Sa më i fortë të jetë ky besim lidhja, marrëveshja e mirëkuptimi janë më të forta.
    Këtë fenomen Rugova e shihte si cilësi e vlerë humane (njerëzore) dhe vlerë e domosdo kombëtare. Prandaj, Rugova i pranonte si festa shpirtërore njësoj Krishtlindjet e Bajramin, si kulturë e histori të besimit njerëzor e kombëtar. Pra jo (vetëm) religjioni, po (më fort) besimi merr vlerën unifikuese universale.



    5. Elipsat

    Është e habitshme se si një njeri që bëhet prijës i një lëvizjeje politike, madje i një populli, të përdorë një retorikë kaq të ngushtuar, ashtu si Rugova. Edhe më tepër ai nuk e ngrit asnjëherë zërin dhe flet me të njëjtin tonalitet si në një bashkëbisedim ashtu para turmave të dhjetëra mijëra njerëzve.
    Mesazhi i tij, qoftë politik, kombëtar a social është më tepër sugjerues e sugjestionues se sa i zhvilluar apo i sqaruar nga argumente të racionalitetit. Shprehjet e tij marrin formën e elipsës, qoftë kur artikulon një empiri e përvojë jetësore të sojit tradicional kanunor: “Të gjallët me të gjallët”, “Shtëpia nuk mbahet pa miq”; qoftë kur jep fakte jetësore konkrete: “Pas lufte të gjithë jemi më pak”, “Falë zotit e NATO-s Kosova është plot”; qoftë kur përmend qëllime e parime politike: “Në Ballkan të gjithë popujt janë të vegjël njësoj”, “Kosova e pavarur do ta qetësojë këtë pjesë të Evropës e të Botës”, “Pavarësia e Kosovës është kompromisi shqiptar”.
    Kjo do të thotë që elipsa e tij nacionale, politike apo humane, përherë mbulon aq sa zbulon. Kjo është një formë e preferuar e komunikimit tradicional në Kosovë, prandaj gjuha e tij, që merr trajtën e formulës dhe duke u përsëritur merr karakterin e lutjes, bëhet lehtë e kapshme për të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare të Kosovës.
    Kjo mënyrë komunikimi e Rugovës, me ithtarët e vet e me qytetarët, është bërë efikase dhe e dashur, gjuhë identifikuese. Në një anë jep mesazhin themelor të pastër e të saktë pa zhurma retorike dhe në anën tjetër i jep mundësinë bashkëbiseduesit për të imagjinuar mesazhin e vet plotësues.
    Duke pasur për bazë këtë mënyrë të komunikimit Rugova është cilësuar në mënyrë të saktë nga shumica: Ai thotë fjalë të buta, po ka qëndrime të forta. Kjo mënyrë komunikimi si dhe një mall për jetën autentike e komunikimin autentik, i ka shtyrë të tjerët ta quajnë “Kolosi i brishtë” apo “Gandi i Kosovës”.

    6. Shenjat

    Duke i prirë lëvizjes politike e kombëtare për Kosovën e pavarur e demokratike, pra Kosovën si entitet politik – shtet, Rugova kishte menduar domosdoshmërinë e shenjave identifikuese të këtij shteti së mbrendshmi e së jashtmi.
    Projekti i tij, sado i bërë me mend e mençuri, qoftë duke i shpalosur tepër kujdesshëm si shenja të tij, të prijësit, hasi në reagim joracional të shqiptarëve, jo vetëm në Kosovë po edhe në Shqipëri, ose me rebelim ose me përqeshje. Do thoshin se po nënçmonte flamurin kombëtar, të tjerë se po krijon shenja personale. Vetëm të diturit e të diturit politikisht e panë largpamësinë e Rugovës, që projektonte shenjat e domosdoshme të shtetit të Kosovës e pranë tij e ruante flamurin kombëtar.
    Përkrah flamurit, që stamponte vetvetiu edhe stemën, Rugova propozoi himnin e Kosovës, një këngë plot kumbim të kryengritësve të Kosovës.
    Mbasi, flamuri e himni duhet të përmbajnë identitetin historik, kulturor e kombëtar të një vendi, zgjidhjet e Rugovës për shenjat e Kosovës janë të studiuara.
    Flamuri ka yllin e Davidit e emrin e Dardanisë, gjithnjë duke ruajtur shqiponjën dykrenare në fushën e kuqe: për të shenjuar antikitetin historiko-kulturor të trollit të Kosovës dhe shenjat përdalluese të flamurit historik të Skënderbeut.
    Kënga popullore “Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë” u propozua për himn të Kosovës, duke ndjekur një traditë që këngët kushtrimore apo marshet të bëhen himne, që është një skemë universale. Pokështu, për të theksuar kryengritjen si shenjë karakterizuese të ekzistencës shqiptare, që shkon përtej një kohe, dhe për të promovuar kryengritjen e revoltën për liri si hyrje universale në qytetërim modern.
    Janë qytetarët e Kosovës, që do ta aprovojnë këngën kombëtare të vendit (himnin) dhe flamurin, mirëpo për të gjallë të tij e mbas shkuarjes së tij, zgjidhjet e Rugovës për shenjat e shtetit të Kosovës janë të dashura për shumicën e qytetarëve.



    7. Pamja

    Rugova ka pasur pamje dhe stil. Pamja (imazhi) i tij për dy decenie është bërë lehtë e njohur për shqiptarët dhe të tjerët kudo ku ka shkuar.
    I drejtë në ecje, me një hap ritmik pak të zgjatur (trashëgimi e malësorit), me shtatin të drejtuar edhe kur është ulur.
    Veshja me ngjyra të errëta, trikoja e kuqe, kravatat kryesisht me nuanca të kuqe, një thjeshtësi që tregon shije e elegancë do të thoshte Faik Konica. I hajthëm do të thuhej gati dandy. Po ajo që kudo e ka bërë të veçantë ka qenë shalli i tij i mëndafshtë i lidhur në mënyrë të veçantë rreth qafës. Ky shall i tij është mitizuar qoftë duke u interpretuar si derivimi botës së tij poetike të hershme, qoftë i interpretuar si derivim i shallit tradicional rugovas për lindje, për jetë e për vdekje.
    Është e veçantë që këtë pamje të Rugovës e kanë akceptuar admirueshëm edhe ata që janë veshur në saten e mëndafsh edhe ata që nuk i janë shkoqur zhgunit.
    Ai ishte për të gjallë një ikonë e Kosovës, së mbrendshmi e së jashtmi.
    I donte dhe i jepte me elegancë aristokratike dhuratat. Dhuronte libra por më shumë gurë, kristalet e Kosovës (më shumë të huajve) për të dëshmuar kujdesin po edhe pasurinë e vendit.
    Një manierë mbretërore po hynte në lojë padiktueshëm në gjestin e tij. Kjo u duk më së forti në pritjen që i rezervoi Leka Zogut I kur po e dekoronte me medaljen e Lidhjes së Prizrenit. Në pamjet e në gjestet e marrje dhënieve të dy burrave ka qenë pak e vështirë të veçohet cili është pretendenti për mbret e cili princi i kurorëzuar.
    Rugova mbreti i pakurorëzuar.

    8. Miku
    Ibrahim Rugova duhet me zemër e me mendje.
    Po e them në të tashmen, se më vjen vështirë të flas në të kaluarën për mikun e prijësin Ibrahim Rugova.
    Rugovën e njoha dhe u bëmë miq gati para katër deceniesh. I kishte flokët e gjatë e kaçurrel, që i binin mbi ballë; ishte poet e kritik letrar. Krijuam miqësi krijuese, saqë edhe shkruam libra bashkë. Këtë ndjenjë pajtimi e kuptojnë vetëm krijuesit, që mund të krijojnë një qerthull, madje një shkollë.
    Para rreth dy deceniesh Rugova e la në plan të dytë meditimin krijues për t’u bërë në rend të parë veprues politik. Dhe prapë duhej të ishim bashkë. Rugova si prijës politik i Kosovës, më vonë edhe President i saj, u bë promotori i lirisë dhe i pavarësisë së saj. U bë Presidenti i gjithë neve dhe unë për vete e kisha edhe mik edhe Kryetar.
    Ai mbërriti, më fort se çdokush tjetër, që t’i dëshmojë botës se Kosova është Evropë gjeografikisht, historikisht e kulturalisht, dhe do të bëhet Evropë edhe politikisht, duke u integruar.
    “Një Kosovë e pavarur, demokratike, e integruar në Bashkimin Evropian e në NATO, në miqësi të përhershme me SHBA-të, do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës”.
    Kjo formulë, është një program politik e nacional i Ibrahim Rugovës dhe i Kosovës. Se ai ishte stilist, por fliste pak, për të punuar shumë.
    Ibrahim Rugova u pohua, u kontestua dhe u ripohua fuqishëm për të gjallë të tij, duke mbijetuar dy decenie dramatike politike të vendit tonë. Rrallë ka personalitet që i mbijeton këto faza për së gjalli.
    Nuk kam qenë parashikues, por vrojtues i fenomenit, kur e kam quajtur Kryetar Historik të Kosovës, me çka tashmë pajtohen të gjithë.
    Tani, cila është trashëgimia e Ibrahim Rugovës në Kosovë?
    Toleranca, e jo egoizmi i çfarëdo lloji. Durimi e jo sedra jonë e hollë tradicionale. Trimëria e jo azginia, sepse e para e ka përcaktuese urtinë (mendjen), kurse e dyta shpërthimin e pamatur.
    Ibrahim Rugova ishte tolerant, i durueshëm, trim i urtë. Ai e kishte mirësinë e Naimit dhe revoltën e furinë e Fishtës, ndoshta të dyjat të gjetura bashkë me herët te Pjetër Bogdani, me të cilin është identifikuar në jetë e në vepër.
    Prandaj, është shpifje e madhe t’i mveshet atij e thëna që: të paditurit janë më besnikë, kurse të diturit janë më lojatarë. Ai e çmonte punën dhe konkurrencën që sjell vlerën, e jo llafologjinë e mediokritetin. Është punë tjetër që, duke kërkuar bashkëpunim me të gjithë, kërkonte të zbulonte e të ngjallte më të mirën te secili njeri, sepse në udhën për fitore të përbashkët nuk kishte njeri për të humbur.
    Kështu e tha ai, si prijës e si misionar i lirisë së vendit të tij. Në figurën e tij ishte dhe është vullneti i popullit, i cili nuk mundet asnjëherë.

    9. Ikona

    Ibrahim Rugova për të gjallë ka mbijetuar të gjitha sprovat e individit krijues e veprues në shoqërinë shqiptare. Kështu ai hyri në vallen e krijimit të modelit të krijuesit, që bëhet prijës kulturor e politik, madje prijës shpirtëror. Në këtë vështrim, ai u bë model i prijësit të popullit e të vendit të robëruar dhe i obsesionuari i lirisë.
    Pra, për të gjallë, Rugova kishte provuar pohimin, madje adhurimin, mandej kudërshtimin e mohimin, për të arritur në fund ripohimin, madje adhurimin e sërishëm. Kjo është një histori e re në shoqërinë e Kosovës dhe në botën shqiptare të modernitetit. Prej këndej identifikimi me gjestin e tij ishte më tepër se empirik dhe besimi në të (si çdo besim) ishte përtej reales. Njerëzit i janë falur e përfalur atij pa ngurrim.
    Këtë marrje e dhënie me njerëzit, më tepër në fushën shpirtërore sesa në fushën praktike, Rugova e mbante me gjeste e shenja të vetat, që shpejt bëheshin edhe shenja të të tjerëve. Në këtë mënyrë, komunikimi që shkon kah identifikimi, nga fusha shpirtërore kaloi në fushën ikonografike.
    Rugova, mengadalë, nga prijësi u kthye në figurë të identitetit kulturor, politik e shpirtëror të Kosovës në botën shqiptare dhe përtej saj, në rajon e gjetiu.
    Rugova, tanimë, është ikona e pavarësisë së Kosovës. Ata që do të punojnë për këtë qëllim do ta kenë parasysh pamjen e tij apo në zemra dashurinë e tij.
    Ai, kolosi i brishtë, është rritur në përmasat e babait, kurse babai pothuaj kurrë nuk i shtrohet vështrimit kritik të trashëgimtarëve.

    10. Trashëgimia

    Shuarja e Ibrahim Rugovës më 21 kallnor 2006 në Prishtinë dhe qindra mijëra njerëz që, në dekadën e fundit të këtij muaji të acartë, kishin pushtuar Prishtinën për të nderuar prijësin dhe për t’ia dhënë lamtumirën, kanë dëshmuar që ai nuk ishte më vetëm Presidenti (historik) i Kosovës, po mbi të gjitha udhëheqësi shpirtëror i një populli.
    Ky fenomen, që atë ditë, ka shtruar çështjen e trashëgimisë së tij politike dhe pyetjen si u krijua kjo trashëgimi.
    Përgjigja themelore mund të gjendet nëse mund t’i përgjigjet pyetjes si ndodhi që një intelektual, një akademik me pamje të brishtë e delikate, të dalë në krye të një lëvizjeje të madhe popullore. Kjo mandej do të shtrojë pyetje të tjera për të kërkuar përgjigje të reja, që do t’i japë koha në vijim, ashtu dhe njëmendësia shqiptare e Kosovës.
    A erdhën shqiptarët në nivelin që të kurorëzojnë udhëheqës njeriun e dijes e të shpirtit, përpara njeriut të veprimit?
    A ndërroi pamja tradicionale karakterizuese e shqiptarëve nga njerëz kryengritës në njerëz që krijojnë paqen?
    A ishte kjo strategji e vetme, që duke njohur rrethanat kulturo-historike, një popull të robëruar e kishin mësuar se si të gjendet rruga kah liria, me më pak flijime?
    Ndoshta përgjigja ndodhet vetvetiu në natyrën dhe në programin e lëvizjes për pavarësinë e Kosovës, një vizion që mbështetet në realitet. Formulimi kundërshtues ndoshta më së miri shpërfaq një ide të lirisë e të bashkimit shqiptar, që është idealiteti, të përkthyer në kompromisin shqiptar të pavarësisë së Kosovës si realitet.
    Strategu dituror Rugova, duke i prirë lëvizjes dominante shqiptare, në të njëjtën kohë e maste fuqinë dhe qëndrueshmërinë, substancialitetin për të kapur zgjidhjen më të mirë. Në këtë formë ai u jepte fuqi lëvizjes së vet dhe individëve duke vlerësuar sa më realisht mundësinë dhe fuqinë e tyre konkrete e jo virtuale, ideale.
    Prandaj, ai, edhe pse prijës, u bë i ngjashëm politikisht, për të mos thënë identik, me anëtarët, individët e lëvizjes së tij dhe qytetarët. Prandaj, lidhja e tij me ta ishte një lidhje e besimit dhe identifikimit; si do të thoshin latinët: të ngjashmit duhen ndërvete.
    Rugova shkoi një hap më tutje: këtë vullnet e përktheu në zë institucional, për të krijuar vetërespektin së mbrendshmi dhe respektin së jashtmi, për lëvizjen e programin e tij.
    Lëvizja e fortë e Rugovës, një lëvizje nacionale, po e shfaqur me fjalor modern politik të kapshëm për gjuhën diplomatike botërore, aq sa e forcon atë së mbrendshmi, për aq ia rriti atij autoritetin së jashtmi.
    Në këtë mënyrë Ibrahim Rugova u bë figura më e njohur e Kosovës në botën ndërkombëtare të të gjitha kohëve. Ai u bë përfaqësuesi më i pranueshëm që artikuloi vullnetin e një populli të shtypur për liri dhe këtë artikulim e bëri me durim, me maturi e finesë.
    Tani që ai nuk është më, trashëgimia e tij politike është një program që pret të bëhet vepër, jo vetëm për ta bërë Kosovën shtet, por për të bërë vend demokratik e të shanseve të barabarta. Trashëgimia politike rugoviste ka parasysh që në Ballkan edhe në shtetet e pavarura do të jetë e pranishme, madje e gjallë, lufta ndërmjet satrapëve e demokratëve. Kjo madje është provuar në mënyrë të egër në tri përmbysjet historike shqiptare të shekullit njëzet.
    Trashëgimia politike e Rugovës do të kërkojë, që përfundimisht pësimet të bëhen mësime, po para së gjithash që mësimet të parandalojnë pësimet. Programi i tolerancës, përballë egërsimit politik apo social, sado pedagogjik e naimian, mbetet modern dhe rugovian edhe për shqiptarët dhe Kosovën në shekullin XXI.
    Mbrojtja është sulmi më i mirë.



    [b]IV. KUJTESA[//b]


    1.

    Si të flas për mikun kur nuk mund ta pranoj shkuarjen e tij?
    Si të flas për krijuesin kur nuk janë shpaluar të gjitha idetë e tij?
    Si të flas për prijësin kur vijon vizionin i tij?
    Pra duhet të flas për Ibrahimin, për Ibrahim Rugovën e për Rugovën. Për tri Unë që bëjnë Një.

    2.

    Ibrahimi (se ne miqtë e kemi thirrë gjithnjë Ibrahim) nuk e ka njohur babën që ia kanë pushkatuar kur ishte foshnjë; iu ka përkushtuar dashurisë së nënës dhe është rritur me kodin e fisit, gjakut.
    Në shkollë shkon në moshë më të madhe se shokët dhe përgjithnjë mbetet një kokë më i lartë se ata. Prej këtu hija që të luajë mësuesin e tyre, që nga fillorja deri në studime.
    Ai mblodhi myshkun e malit për të blerë libra dhe preu drurin e malit për të bërë libra. Se kishte ngritur kultin e dijes e libri mbeti përgjithmonë burim i dijes së tij. Pra ai foli pak e njësoj lehtë si për pjekjen e bukës, si për pimjen e ujit, si për dhimbjen e zemrës. Gjithnjë i dashur, madje i dashuruar; tepër i butë për t’u pushtuar, tepër i çiltër për t’u mundur.
    Kishte fjalë të pakta e të rralla me shumë asociacione, por kurrkush nuk ka mundur t’i bëjë rezistencë sidomos heshtjes së tij.
    Ndoshta ka qenë i bërë për t’u adhuruar sidomos nga kundërshtarët e tij, që i ka mundur me buzëqeshjen e tij. Ky është paradoksi i parë i madh, por mos të harrojmë që jemi në botën shqiptare.

    3.

    Ibrahim Rugova ka nisur krijimin letrar me lirika intime meditative, kurse shkrimin kritik me një portret të Ismail Qemalit. Ka përkthyer përvajshëm vjershat e Jeseninit. E ka njohur e dashur prozën e Dostojevskit, mandej poezinë e Bodëlerit e prozën e Prustit, mandej prozën e Kafkës e në fund Xhojsin.
    Sa për letërsinë shqipe, ajo është djepi në të cilën është rritur. Një herë duke e lexuar me dashuri, herën tjetër duke e studiuar me përkushtim. Ai nëpërmjet empirisë personale mbërrin te metoda, simbas rendit: prekje lirike, kah teoria deri te refuzimi estetik. Prandaj metoda për të është jo doktrinë, por disiplinë për të provuar hapur kërkimin letrar empirik.
    Kërkimi i tij letrar nis nga bashkëkohësia për të shkuar më thellë në të shkuarën. Nga krijuesit e brezit të vet ai arrin te Anton Pashku e Ismail Kadare, nga këta te Naimi e Fishta e nga këta te Pjetër Bogdani, madje në fund te Gjon Buzuku. Jo vetëm se interpretimi shkon pas letërsisë, po pse letërsia është kulturë e trashëgim dhe duhet të shkohet nga degët te rrënjët. Ky është paradoksi i madh i dytë. Prandaj studimi i tij Vepra e Bogdanit (ndoshta kryevepra e tij) e lexon një tekst të kaluar si një tekst të tashëm.
    Kjo lidhje e degës me rrënjën, e modernitetit me lashtësinë, provohet në sprovimet e tij të fundit: e kena (e qenmja) shqiptare e gjetur tek Zgjimi i Fineganit i Xhojsit ndërlidhet nëpërmjet shqipes me koncepte të Homerit e të Aristotelit.
    Projekti i tij i pambaruar, mbetur në nivel të skicës, ka të bëjë me antikitetin arkishqiptar.
    Po përsëris: Ibrahim Rugova metodën e shihte si strukturim të shumë zërave, të polifonisë.

    4.

    Rugova këtë metodë e kishte për bazë kur kaloi nga krijuesi te vepruesi, atëherë kur u bë prijës i lëvizjes kulturore e politike për lirinë, pavarësinë e demokracinë e Kosovës. Dhe këta zëra, kjo trini është një dhe u bë e kapshme e funksionale për një popull të tërë: që nga ai që ndien, deri te ai që mendon dhe analizon. Dhe ky është paradoksi i madh i tretë.
    Përndryshe si mund të shpjegohet, që një njeri që nuk ka asfarë instrumenti tjetër, pos besës së fjalës, të ngjallë forcën dhe vetërregullimin e një populli të dërmuar nga egërsia e dhuna e tjetrit.
    Interpretimi i këtij fenomeni si pacifizëm klasik është moskuptimi dhe gabimi më i madh, sepse te Rugova kishte vdekur pacifizmi që ditën kur e la krijimin e iu vu veprimit. Çështja kishte të bënte me taktikën e strategjinë për të shpëtuar një popull dhe për ta çuar deri te liria duke ringjallur besimin në vete
    Sepse Rugova tha:
    1. “Do ta bëjmë pajtimin e brendshëm”, duke njohur mëritë, sedrën dhe egërsitë shqiptare;
    2. “Në Ballkan popujt janë përafërsisht të njëjtë (si numër)”, për të theksuar baraspeshën në rajon;
    3. “Kosova e integruar në BE e NATO me miqësi të përhershme me SHBA”, për të theksuar një të kaluar e një vizion si domosdoshmëri.
    Në këtë vështrim trinomi; liri, demokraci, pavarësi për Kosovën, me një pamje ndërkombëtare, në të vërtetë ishte një program i ndërmjetëm nacional, dhe i akceptueshëm nga të tjerët. “Pavarësia e Kosovës i qetëson shqiptarët dhe rajonin”, ishte formula e fundit e Rugovës, një nga ato thëniet e tij të përsëritura, që dikur kanë marrë trajtën e lutjeve, apo të fjalëve të urta, që lindin si mbetje esenciale fjalësore mbas një ndodhie a një tregimi.
    Trashëgimia e tij politike mbetet të sprovohet rëndë në rrafshin e jetës reale në Kosovë.

    5.

    Mbasi Ibrahimi është njeriu e miku, Ibrahim Rugova është shkrimtari e Rugova është prijësi politik; cili është personaliteti kulturor e historik që e bën një këtë trini?
    Vetë kam shkruar që Ibrahimi është një Njeri, mandej kam shkruar që Ibrahim Rugova është promovues i modernitetit në letërsinë e në kulturën shqiptare, mandej pata shkruar që Rugova është presidenti historik i Kosovës. Kurrkush hapur deri më sot nuk i ka kundërshtuar këto pohime.
    Po të përdornim metodën rugoviane për të, do të thonim që në fillim Rugova ishte Vetvetja. Më thellë bëhet i ngjashëm me Ismail Qemalin që ngriti flamurin. Edhe më thellë i ngjashëm me Naimin që predikonte mirësinë universale në një situatë të egërsimit e i ngjashëm me Fishtën në përmbysjen e së keqes për hir të humanitetit e të idealizmit kombëtar. Dhe së fundmi i ngjashëm me Pjetër Bogdanin (autorin e personalitetin e tij të preferuar), që bashkonte predikimin e mirësinë, rebelimin e përkushtimin për lirinë.
    Rugova, si Bogdani, pushon në Prishtinë, në Bregun e Diellit, i mbështjellë me flamurin e vet, të Dardanisë antike.
    Një nxënës i tij indirekt, së voni e ka quajtur shekullin tonë shekull të Rugovës. Do të jetë fat për Kosovën e për shqiptarët nëse shekulli XXI është shekull i Rugovës.
    Mbasi ai u bë ikona e tolerancës, e lirisë dhe e pavarësisë për Kosovën dhe për Botën që e njohu.

    6.

    E përmenda në fillim dhe po ritheksoj në fund që nuk pretendoj të them të vërtetat absolute (që nuk mund t’i përthekoj), por mund të them vetëm të vërtetën time dhe dëshminë time.

    7.

    E vërteta e dëshmia për mikun vjen gjithmonë nga zemra.


    (Marrë nga monografia "Presidenti Rugova, që sapo doli nga shtypi)

  8. #168
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    28-03-2003
    Vendndodhja
    Diku nëpër Botë
    Postime
    528

    Rugova: idealiteti e vizionariteti

    Shkruan: Mr. Vehbi Miftari


    A mund të shkruhet për idealitetin e një njeriu nëse teksti nuk e përfill edhe një lloj vizionariteti të tij? Por, a mundet po kështu të shkruhet për vizionaritetin e tij, sado i dukshëm dhe i pashembullt të jetë ai, pa e përfillur përmasën e idealitetit, jo vetëm të atij personal, por, mbi të gjitha madje, përmasën e idealitetit kolektiv, ose të kolektivitetit si masë për drejtpeshimin substancial a etnik? Dhe, në fund, sikur na mëson historia e filozofisë, a mund të shkruhet për idealitetin e vizionaritetin e një njeriu a të një epoke pa e përfillur dimensionin paksa utopik të tyre?
    A mund të shkruhet, pra, për idealitetin e dr. Ibrahim Rugovës, njeriut që i lidhi nyje të kaluarën dhe të ardhmen e shqiptarëve në një të sotme e cila, sipas shën Augustinit është vetëm një moment i cili përfshin gjithë përmasën historike, sikundër që përfshin po ashtu edhe të ardhmen e njerëzimit? Dhe më tej, çfarë mund të shkruhet pra për idealitetin e dr. Rugovës nëse atë nuk e shohim si një moment fati historik, i cili është sjellë për të ndërlidhur rilindjen e historisë mijëvjeçarë, para së gjithash në trajtë të mendësisë së tejbartur për nacionin, me përmasën e pritshme të saj në një projekt të pamatshëm për shpëtimin e etnisë?
    Më duket se kjo përpjekje për të ndërlidhur atë që quhet epokë e dr. Rugovës (vitet 1989-2006) si një moment i lëvizshëm, i papërfillshëm ndonjëherë, por i papërsëritshëm në asnjë aspekt, me projektin për të hetuar vizionaritetin e një figure po ashtu të papërsëritshme politike, sikur është ajo e dr. Rugovës, është esenciale për të kuptuar drejt jo vetëm filozofinë e tij politike, por edhe madhështinë e një projekti nacional, i cili mbështetet në rikrijimin e traditës dhe në aplikimin e saj si normë për të projektuar kodet nacional brenda bashkësisë së vlerave universale, ose ballafaqim të kodeve të esencialitetit me kodet e ekzistencialitetit, përkatësisht alteritetit me universalitetin. Sprovë e këtij shkrimi mbetet përpjekja për të argumentuar se projekti nacional i dr. Rugovës, duke kaluar nëpër të gjitha hallkat e idealitetit, mbetet megjithatë sprova më realiste për të ndërtuar shtetin e ri (të vjetër) të Dardanisë antike.
    Dhe, në fund, çfarë mund të shkruhet për njeriun i cili për të gjallë të tij është cilësuar herë si “monument kulture dhe historie të shqiptarëve” (S. Hamiti) e herë tjetër si “profet i sjellë enkas për të zgjidhur fatin e shqiptarëve” (Mari Fransua Allen) - në njërën anë, por i cili për të gjallë të tij e ka njohur mohimin, njësoj si Krishti, për shkak të moskuptimit a të keqkuptimit të herahershëm - në anën tjetër?
    Mbase pikërisht këtu duhet të nisë kërkimi.



    1. Idealiteti kulturor / “Idealiteti” politik

    Idealiteti i dr. Rugovës, nis si idealitet kulturor, brenda qarkut kulturor të Pirshtinës, i cili lidhet me emra të shquar të kulturës e të letrave, dhe kapërcen në idealitetin politik të fundviteve ’80, i cili është po kështu produkt i këtij qarku. “Krijuam një rreth të mendimit të hapur ndaj tendencave të reja... ishte një grup pak i fortë, jo nacionalist (i hapur ndaj botës), por modern, me një orientim nacional” (Çështja e Kosovës).

    Studimi i veprës së Pjetër Bogdanit e shndërroi përmasën e ideales në vizion e Rugovës për të tashmen e të ardhmen e shqiptarëve, kurse figura e tij shkencore e letrare në udhërrëfyes intelektual për të njohur dhe për të përdorur vlerat e mirëfillta kulturore nacionale në shërbim të krijimit të një platforme politike. Kapërcimi është ndoshta krejtësisht i pahetueshëm, por po kështu ai është pjesë e komunikimit intensiv të një elite kulturore e intelektual me historinë e me traditën nacionale, si dhe e përfshirjes së saj brenda një projekti të politikës nacionale.
    Arqipeshkvi i Shkodrës është figura mishëruese kulturore e intelektuale, letrare po se po, të dr. Rugovës dhe unë hedh tezën time këtu se identifikimi me një kulturë e cila i kërkon rrënjët e veta në kodet biblike është tezë intelektuale e cila i ka shërbyer si taban filozofisë politike të dr. Rugovës, veçanërisht në të është mbrujtur modeli i përfaqësimit brenda sistemit filozofik, të cilin e synonte veçan dr. Rugova.
    Ky model përfaqësimi kishte gjenezën në formulën bogdaniane: nga antikiteti (si zanafillë e mendimit racional), përmes mendimit teologjik në një filozofi racionaliste dhe humaniste.
    Kushdo që do ta shqyrtojë modelin politik të dr. Rugovës, sot ose nesër, do të ballafaqohet më këtë linjë të përfaqësimit dhe çfarëdo kërkimi në esencën e papërsëritshme të këtij modeli do të kalojë nëpër këto shkallë. Idealiteti i tij politik është produkt i mendimit intelektual dhe ky mendim është sprovë për të njohur përmasën e idealitetit dhe të humanitetit në një teori që bart parimin moral të njohjes së lirisë universale.
    Kapërcimi, veçse, është i shkallëshkallshëm:

    1. Bogdani i Rugovës mbyllej si kërkim në vitin 1981, kur hapej perdja e zymtë e ndjekjeve për shkak të përkatësisë etnike a kulturore dhe kur zërat për njohjen e lirisë së individit shtoheshin. Kalojeni lapsin nëpër kohë dhe ja ku do të shfaqet modeli i urtësisë teksa bluan nëpër mendje renë e tymtë të autoblindave. Identifikimi me objektin e studimit, ndonjëherë është jo vetëm shenjë e kërkimit, por edhe e sprovimit të modeleve nëpër kohë. Kjo është kthesa e madhe, por që prek vetëm intelektin.
    2. Interesimi për njohjen e teorisë së pushtetit dhe veçanërisht e raportit mes strukturës intelektuale dhe pushtetit, nën influencën e teoricienit Roland Barthes, përbënin natyrshëm premisën e veprimit të tij politik. Krijohej dalëngadalë premisa edhe për hapje jo vetëm ndaj kulturës nacionale, por edhe ndaj pjesëmarrjes aktive në një projekt nacional politik. Kjo është pika e dytë e kthesës nga idealiteti kulturor bë vizionaritet politik. Tashmë ajo nënkupton veprimin, por, sikur e thotë vetë dr. Rugova, intelektuali është mbështetja e fundit e popullit dhe ai po hynte në politikë “për të mbrojtur”: “Pozita e intelektualit inspiron një lloj koncepti të punës politike: duhet të jetë i rregullt, për të favorizuar shansin, por nuk duhet të rrijë e të presë që të bëhen ndryshime me mrekulli”.
    3. Tradita nacionale e shqiptarëve në idealitetin e dr. Rugovës e mbështet identitetin kolektiv. Një tip i ekzistencës kulturore qe krijuar qysh me Lidhjen e Prizrenit, dhe tradita e kultivimit të saj ka vazhduar deri më sot. Teoria e urtakut duket të ketë mbijetuar edhe para ngarendjeve të nxitësve të marathonomakut ndër shqiptarë dhe njeriu meditans duket të ketë qenë shtyllë e veprimit për çfarëdo lloj njeriu militans.
    Nuk më duket reale asnjë lloj përpjekjeje për “prerje” mes asaj që mund të quhet produkt i intelektualizmit politik të fillimviteve ’90, të identifikuar me figurën e Rugovës, dhe veprimit politik të fundviteve ’90. Është normale që teoria gjithnjë e nënkupton veprimin, prandaj çfarëdo përpjekje për ta cilësuar lëvizjen politike të viteve ’90 si lëvizje të papërfshirë nga veprimi është i papeshë.
    Doktrina e dikurshme politike është u materializua në rezistencë kolektive, si produkt i intelektualizmit dhe i përfshirjes së tij në krijimin e vizionit politik.
    Kjo përbën pikën e tretë të kapërcimit nga modeli i përfaqësimit intelektual në modelin e veprimit politik dhe asnjë shfletim i historisë nuk mund të mos e hetojë këtë ndryshim. Gjithë ç’ka ndodhur pas këtij akordimi të mjeteve politike dhe kapaciteteve intelektuale në shërbim të krijimit të vizionaritetit politik do të jetë pjesë e një filozofie politike të papërsëritshme në Evropën e shekullit të XX.
    4. Në vitin 1980, kur po përfundonte librin “Strategjia e kuptimit”, Rugova mbase pahetueshëm po i hapte dyert e konsolidimit të një mendimi bashkëkohor për atë që njihej si vdekje e kuptimit. Përtej monopolit ideologjik të këtij kuptimi, ai gjente thellësinë e kuptimit të lirë, i cili, i hetuar brenda kontekstit politik në të cilin e nisi veprimtarinë politike dr. Rugova, po sidomos artificin e filozofisë së tij politike, përkthehet në strategji kreative vetjake, e mbështetur në parimin e kuptimsisë përtej ideologjisë dhe e mbështetjes së vlerave dinamike, si pjesë të procesit. Refuzimi estetik, libri tjetër i tij, tashmë e gjen të artikuluar kërkesën për të ndërlidhur rolin e politikanit me “fuqinë e lirisë”, të thelluar nëpër katedrat universitare, një shteg për kapërcimin nga niveli i intelektualizmit pasiv në fytyrë politike aktive. Kjo përbën shkallën tjetër jo vetëm të angazhimit të tij politik, por edhe të formës së përfaqësimit të vizionit të tij të ardhshëm politik për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
    5. Me përmasën e përkushtimit ndaj vlerave intelektuale, me fuqinë e maturisë dhe të disiplinës Rugova imponohej ngadalë por qartë në gjirin e intelegjencisë së Kosovës, duke ndërtuar qysh në fillimet vlerën e ilustrimit. Ky lloj emenacioni kulturor ndikoi paskajshmërisht shumë në emancipimin e një klase të intelektualëve në Kosovë, përkundër që pozita e tij prej ilustruesi mbetej disi e paqartë, paradoksale mbase, diku në tehun mes traditës dhe modernes. Prej këtej mbase edhe gjykimet për përkatësinë evropiane të shqiptarëve, si dhe për përkatësinë religjioze të tyre, duke krijuar lidhjen mes tabanit etnik dhe atij kulturor, të trajtuar deri në imtësi, për të nxjerrë përfundimin për kulturën e hershme shqiptare si kulturë të krishterë dhe evropiane, si dhe për modifikimet e saj nga shtysa historike, me produkt “islamin simbolik” për një pjesë të madhe të popullit të saj.
    Sidoqoftë, pikërisht kjo pozitë “paradoksale” ka krijuar sensin e tij të idealitetit kulturor që i kapërcen përmasat e vetvetes dhe shndërrohet në vizion me premisa të pastra politike. Kjo, mbase, është pika vendimtare e kapërcimit nga idealiteti kulturor në përmasën e angazhimit politik, duke krijuar paraprakisht tharmin e një projekti të saktë politik.

    1. Vizionariteti përmbi idealitetin

    Përkatësia ndaj kulturës shqiptare ishte e mbrujtur në rrënjët familjare, por po kështu edhe në historinë e saj. “Ekzistonte një kult “spontan” i kulturës shqiptare në familje, i mbështetur në kulturën orale, në glorifikimin e figurave të mëdha historike”.
    Por, cila është “prerja” mes kulturës dhe veprimit politik të dr. Rugova. Si shpërfaqet idealiteti i tij kulturor, përmasa e kulturës personale dhe familjare, si dhe dija e vjelë në universitete të ndryshëm, veçanërisht tezat për lidhshmërinë e intelektualizmit modern dhe strukturave të pushtetit, mësime të nxjerra nga teoritë strukturaliste, ose “infektimi” me demokracinë, sikur e quan vetë?
    Nëse kemi parasysh formimin e tij kulturor dhe intelektual, kapacitetin e tij enorm për të ndërlidhur traditën me vlerat universale, koncepcioni konstruktiv politik i tij mbështet jo vetëm në teoritë, por edhe në rrjedhën historike të përfaqësimit të kërkesave nacionale, në të cilën, së paku nga shekulli XIX, tradita nacionale e mbështet identitetin kolektiv. Për ilustrim, vetëm po nënvizoj se filozofia politike e viteve ’90 në Kosovë, edhe pse e lindur në kohën e dhunës së skajshme, nuk pati tjetër mundësi veçse t’i kthehej traditës së mirë të popullit të vet, krahas koncepteve liridashëse, për të cilat përpiqej e tërë bota e qytetëruar. E rëndësishme në gjithë këtë proces ishte se njëri nga kodet nacionale të shqiptarëve, kodi eternal prodhoi lirinë e brendshme, të domosdoshme për një vizion politik i cili do të ndërtohet përmbi traditën nacionale, por i cili do të artikulohet si kërkesë politike duke u ballafaquar në modernistet. Këtu ndodh kapërcimi i madh, prandaj këtu vetëm po veneroj se në projektin politik të dr. Rugovës kjo përbën esencën e madhe të ikjes nga idealiteti në vizionaritet (...).

    III. Rugova / Rugovizmi

    Ibrahim Rugova e lexonte shumëfish sfidën e antikitetit, besonte në traditën e popullit të vet dhe e ndërtonte modernitetin e tij përmes rikrijimit të shenjave nacionale. Ishte i papërsëritshëm në aftësinë për të gjykuar jo vetëm momentin politik, por edhe vizionin për të ardhmen. I palëkundur nga vendosmëria për të përshkruar të ardhmen, si dhe në vizionin e tij për shtetin e ardhshëm të Dardanisë - Kosovës, shenjat e të cilit i shpaloste me pasion, ai jo rrallë u keqkuptua ose nuk u kuptua. I “humbur” brenda këtij vizionariteti, ai u akuzua ndonjëherë për humbjen e baraspeshës me realitetin politik, por besimi që krijoi te njerëzit e tij e shpëtoi nga çdo kundërshti. Duket, ai ishte një hap para të tjerëve ose para kohës. Kundërshtarët e tij gjenin tek ai modeluesin kryeneç të vizionit politik, por nuk arrinin t’ia kundërvënin asnjë model. Vitet e lulëzimit të tij të madh mbeten gjithsesi vitet 1990 – 1996.

    Fytyra e tij ngjan sot me atë të profetit, të cilin fati ua solli shqiptarëve, po ai fat a fatum që ua mori atë ende pa e përmbushur projektin për pavarësinë e vendit të tij. Sidoqoftë, ai mbetet përjetësisht simbol i paqes dhe i pavarësisë së Kosovës, njeri i pakontestueshëm në vizionaritetin politik, kundërshtar ndër më të respektuarit që një rival politik mund ta ketë përballë, sfidues i historisë e i kulturës jo vetëm të popullit të vet, modelues i pashembullt në hartën politike evropiane, jokonvencional gjithsesi, njeri i letrave e i dijeve, i cili kapërcimin në politikë e bëri sikur ai të shënjonte përgjithnjë kthim nga vetvetja, njeri, pra, që e bart sikur kryqin shenjën e sakrificës për t’i promovuar vlerat e demokracisë universale. (Pjesë nga një punim më i gjerë)



    Prishtinë, nëntor 2006

  9. #169
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    28-03-2003
    Vendndodhja
    Diku nëpër Botë
    Postime
    528

    Tekste të Dr. Rugovës

    Ibrahim Rugova
    Xhojsi, Shqipja, Aristoteli




    1.Rasti i kërkimit:
    Hodgarti

    Në punën kërkimore – shkencore, dendur ndodhin momente rasti, që e shtyjnë më tej dhe e pasurojnë këtë punë. E sidomos kjo ngjet në qendra të pasura me literaturë e dokumente, prandaj po e përshkruajmë rastin tonë. Në kuartin latin të Parisit, ku gjenden librari të shumta e dyqane të ndryshme të librit, bir Sorbonës plakë, siç thonë frëngët, njeriu tret ditën me të shpejtë mbas librave. Dhe kështu një ditë të nxehtë korriku të këtij viti, duke i ecur libraritë në Bulevardin Sen – Mishel, (Saint Michel), për të blerë ndonjë libër, në librarinë e përgjithshme “Zhozef Zhiber” (Joseph Jibert), ku shiten libra në shumë gjuhët e botës e ku ishte edhe një stendë për fjalorët shqip, po që nuk kishte më, ndeshëm disa libra për Xhojsin, në biografinë e njohur të Riçard Ellmanit dhe në një libër tjetër: Mathew Hodgart, James Joyce a student’s guide, London…, 1978, 1983 (Metju Hodgart, Xhejms Xhojsi, doracak për studentë). Përkundër faktit se Xhojsin e doja si shkrimtar, ngurroja të bleja këtë libër, meqë nga bursa ime modeste për kushtet e atjeshme të akorduar nga Bashkësia Krahinore e Shkencës, të cilës i jam mirënjohës, mundohesha të kurseja diçka edhe për librat më të rinj e aktualë në fushën e teorisë letrare. Por në shfletim e sipër duke u matur ta blej a jo, Hogarti njoftonte se Xhojsi në veprën e tij të fundit Fennegans Wake kishte përdorur fjalë e shprehje shqipe, e kjo më bëri të vazhdoja më tej çështjen e kërkimit për këtë argument, çfarë nuk del farë pune e vështirë në Paris, meqë ka mundësi të shumta për zënien e informacionit shkencor. Këtë punë e vazhduam në Bibliotekën Kombëtare (Bibliotheque Nationale) dhe Qendrën Kombëtare Zhorzh Pompidu (Centre Nationale Culturel Georges Pompidou), që në formë të popullarizuar i thonë Bobur (Beabourg), më shkurt në Bibliotekën publike të informacionit të kësaj qendre, ku mundësia e informimit kulturor e shkencor është e organizuar në formë dhe me mjete më moderne të informatikës dhe punës së drejtëpërdrejtë me librin.

    2. Xhojsi, Irlanda, mërgimi

    Duke pasur parasysh opinionin e gjerë lexues të së përditshmes sonë, po i sjellim disa njoftime më të përafërta. Xhjems Xhojsi, njëri ndër shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit tonë lindi më 1882 në Dablin të Irlandës. Më 1898 ai e fillon Kolexhin Universitar në Dablin, e më 1902 ai vendos të mërgojë. Së pari do të vendoset në Paris, ku do të jetojë në mjerim material, e më 1905 do të bëhet profesor i anglishtes në Trieshtë të Italisë. Një vit më vonë do të përfundonte librin me tregime Dablinasit (Dubliners), që do ta botojë, pas shumë përpjekjesh më 1914. Më 1915 burgoset me kusht në Trieshtë dhe po atë vit merr autorizimin për të hyrë në Cyrih të Zvicrës. Më 1917 do të botojë romanin Portreti i artistit të ri (Portrait of artist as young man), pastaj Exiles (Mërgimet), 1918 dhe një vit më vonë do të kthehet përsëri në Trieshtë. Më 1922 e boton Uliksin (Ulisses) në Paris dhe po atë vit e fillon romanin tjetër Finnegans Wake në Paris, ku do ta përfundojë e botojë më 1939. Në prag të Luftës së Dytë, në situatën e rëndë të luftës në Evropë, Xhojsit i lejohet të hyjë në Zvicër në Cyrih, ku më 13 janar të vitit 1941, pas një operacioni të shpërthimit të ulçerës (të thatit) në lukth, vdes.
    Mbas këtyre të dhënave mund të themi se Xhojsi gjithë jetën e tij e kaloi në mërgim, e në Irlandë për herë të fundit ishte më 1912. Në të gjitha veprat e tij, Dablini dhe Irlanda, ishin tema qëndrore dhe lajtmotiv i përhershëm. Raporti i tij me atdheun ishte i fuqishëm dhe u ngrit në shumë plane në veprën e tij në kuadër të historisë së njerëzimit. Irlanda vend i perëndimit të diellit, siç i thonë evropianët e kontinentit, pati një histori të rëndë. Së pari ishte e populluar, me keltë e galë, një shekull para epokës së re. Më 795 u shtrua para barbarëve: danezëve, saksonëve, normanëve që e shkretëruan vendin. Më 1534 aty rikthehen anglezët e vendosën me dhunë, duke shkretëruar edhe më shumë vendin dhe kjo do të zgjasë deri në kohën tonë. Në shekullin XIX me ngritjen e lëvizjes kombëtare për çlirim nga anglezët, Irlanda bie në një greminë më të madhe nga represionet e përgjakshme të Anglisë, nga deportacionet dhe uria, deri më 1918 kur shpallet Republikë, por pa u stabilizuar deri më 1949. Kështu më 1840, Irlanda kishte tetë milion e gjysmë banorë e nga dhuna e angleze popullsia e saj u përgjysmua dhe sot numëron katër milionë e diçka banorë, siç vëren njëri nga studiuesit e tij frëngë, Zhan Pari (Jean Paris). Kështu në historinë evropiane Irlanda njihet si një vend martirologjik në luftën e gjat për liri e pavarësi si dhe vend mitik.
    Në kushte të tilla historike, Irlanda nuk mundi të zhvillojë si duhet kulturën e vet. Pos në mesjetë që Evropës i dha Skot Erigenin e të tjerë, ajo ruajti traditën e vet gojore të pasur dhe në shekullin e XIX e XX i dha botës shkrimtarë të mëdhenj si Suiftin, Le Fanu, Jejtsin, Sheun, Xhojsin, Beketin e të tjerë. Po ashtu, pos traditës folklorike, përmendet shpirti ironik irlandez i prirur për humor e sarkazëm, mbi të cilin, thonë, bazohet humori i njohur anglez.
    Xhojsi mërgoi në Evropë i shtyrë nga imperializmi anglez, nga hierarkia kishtëtare dhe nga gjendja e rëndë, për të realizuar ëndrrën e tij krijuese, po në të gjitha veprat e tij Dablini dhe Irlanda mbetën epiqendër. Mërgimi i tij shpirtëror dhe fizik, ishte martirizim për veprën e tij, me të cilën e madhëroi atdheun e tij dhe e pasuroi historinë në përgjithësi me përvojën historike të popullit të vet. Ai duke realizuar këtë temë të përjetshme, përmes formësimit plot inovacione letrare, kërkonte gjetjen e ligjeve të historisë dhe të artit në përgjithësi.

    3. Fenegan Ueik

    Këtu nuk po ndalemi shumë të vlera e veprave të Xhojsit, po vetëm po theksojmë se me Uliksin, duke zbatuar një procedim të ri, që i themi modern, ai e çrregulloi kritikën dhe opinionin e kohës. Duke lidhur parabolikisht kornizën antike të Odisesë të Homerit me bashkëkohësinë, përmes teorive moderne shkencore e filozofike, ai solli një model të ri romani. Këtë e thelloi me romanin e tij të fundit Fennegans Wake, në të cilin punoi plot 17 vite me radhë. Të gjithë romanin e realizoi simbas konceptit filozofik të Xhanbatista Vikos, filozofit italian mbi ciklesinë në zhvillimin historik të njerëzimit me identifikimin e historisë së kombeve të ndryshme. Cikli i parë ka të bëjë me kohën e zotrave në shoqërinë primitive; koha e dytë (II) është koha e heronjve, karakterizuar me ngjarje revolucionare dhe e treta është koha e popujve, si konsekuencë përfundimtare e nivelizimit të ndikimit në revolucione. Në veprën e vet Xhojsi bazuar në Vikon nxjerr katër faza që lidhen me fatin e njerëzimit, shoqërive: teokracia, aristokracia, monarkia dhe anarkia. Këto faza ndërrohen me saktësi simbas rendit kozmik pas të cilave vjen ringjallja e shoqërive. Një si kthim i përjetshëm një si fillim i përjetshëm. Pos konceptit kryesor të veprës, Xhojsi zbatoi edhe teorinë e kohës si të Frojdit, Jungut, Ajnshtajnit duke krijuar një roman të ndërdijës po me theks të madh ironik mbi fatin e kombeve dhe të njeriut në histori të përshkuar me epizëm të thellë. Duke u marrë me konceptin e përgjithshëm të histories, Xhojsi këtë e realizoi përmes përdorimit të shumë gjuhëve në veprën e tij, që përmes një universi shumëgjuhësor të paraqes universin njerëzor e kombëtar të popujve të ndryshëm. Kështu në këtë vepër ai përdori fjalë e shprehje nga rreth 50 gjuhë e dialekte të ndryshme indoevropiane e të tjera. Përdorimi i këtyre fjalëve e shprehjeve në origjinal, siç vërejnë studiuesit, këtë vepër në shumë vende e bën të vështirë për kuptim e përkthim, prandaj në kohën e fundit u botuan mjaft studime për praninë e këtyre gjuhëve në vepër dhe për aluzionet e ndryshme. Titullin e veprës Xhojsi e mori nga një baladë ironike irlandeze me titull Finnegan’s Wake, e konstaton Hogarti dhe shton se apostrofi në titull të baladës është korrekt po në libër jo. Titulli na tregon se ka të bëjë me zgjimin, vigjilimin e Fineganit, po rëndomë nuk po përkthehet, e kështu vepruam edhe ne.
    Pos konceptit filozofik mbi historinë, Xhojsi në këtë vepër inkuadroi personazhe, ide, mite e koncepte nga kulturat e shumë popujve. Duke u bazuar në librin e Xhems A. Athertonit, (James A. Atherton), Librat te Ueiku (The books of the Wake), Nju Jork, 1959, 1974, del se Xhojsi ka përdorur dorëshkrime të ndryshme të vjetra, shkrimtarë irlandez, Suifti, pastaj Levis, Karrol, etër të kishës: Augustinin, Sh. Jeronimin, T. Akuinin e të tjerë. Nga librat e shenjtë: Dhjatën e vjetër, Dhjatën e re, liturgjitë, Librin e vdekjes të egjiptasve të vjetër, Kuranin e të tjera. Kështu studiuesit nxorën me qindra aluzione gjuhësore, historike, filozofike, letrare, kulturore e të tjera nga Finegani.

    4. Fjalë e shprehje shqipe

    Fjalët e shprehjet e gjuhëve të ndryshme te Finegani i bënë studiues të kulturave përkatëse, kurse ato shqipe i bëri xhojsologu i njohur Prof. Metju Hodgart që përmendëm më sipri. Që më 1964 ai botoi një studim me titull Word Hoard (Albanbian, Kiswahili and Basque). (I.1.1 – 5;1.2.9-10). Pastaj, më vonë më 1978 rezultatet e veta për gjuhën shqipe i jep edhe në librin që e përmendëm më lart në f. 136 dhe 143. Hodgarti konstaton se Xhojsi fliste frengjishten, gjermanishten dhe italishten, pjesërisht norvegjishten e latinishten klasike dhe greqishten e vjetër, por ai përdori fjalë edhe nga hebraishtja, arabishtja e kinezishtja, si gjuhë të mëdha kulturore, po me të njëjtën masë edhe nga shqipja dhe armenishtja. Ne nuk patëm mundësi ta kemi studimin e veçantë të Hodgartit që e botoi më 1964, që me siguri flet më gjerësisht për këtë çështje.
    Një punë më të madhe në drejtim të nxjerrjes dhe të evidencimit të fjalëve dhe të shprehjeve nga gjuhët e ndryshme dhe të gjitha aluzioneve të tjera te Finegani e bëri Prof. Roland Makhag (McHugh) në veprën Anëshkrime nga Finegan Uelk (Annonations to Finnegans Wake), London and Henley, 1980. Libri i Mekhangut në mënyrë të hollësishme i nxjerr të gjitha shprehjet e fjalët dhe aluzionet e tjera me referenca të verifikuara në 628 faqe sa ka edhe vetë romani i Xhojsit. Vetëm me këtë libër analitik romani i Xhojsit bëhet më i lexueshëm dhe do të jetë udhërrëfyes për përkthyesit e ndryshëm që t’u ikin gabimeve të ndryshme kuptimore e gjuhësore.
    Në bazë të Mekhagut dhe të krahasimit që bëmë me botimin e romanit në anglisht, botim i vitit 1975 të Londrës, del se Xhojsi përdori rreth 70 fjalë e shprehje shqipe. Në vazhdim po i japim këto fjalë simbas interpretimit të Mekhagut. Në fq. 110, Xhojsi përdori këto fjalë shqipe: ultë–low, naltë–high, (I) madh-big, verdhë-yellow, tambel-milk, trandafili-rose, me kene-if, seeing that, Zot-God, bojë-kolor, prandverë-spring, prill-aprill, kishë-church, sahat-hour; f. 111: sermë-silver, zog-young, leter-paper; fq. 112: copë-piece, ar-gold, lumë-river, me fol- to speak, falemi nderës-thank you, ari-bear, nadje-morning (in the), kapak kapak-litle by little, minzë pupil of eye, plak-old, smut-sick, mollë-aple, vogel-small; f.114: Nemc-Austrian, German, bukur-beautifull, rahat-quiet si zbërthim i emrit të Bukureshtit, mal-mountain rrënjë për Malësinë, vet-person, hangër-to eat, sot-today, ftohtë-cild, qiri-candle, karrigë-chair, odë-room, darkë, supper, dinner; ve, voe-egg, gotë-glass, tumbler, raki-brandy, portokal-orange, bukë-bread, sofer-table, moter-sister, bir-son, nip-nephew, mbesë-niece. Në f. 284: hapni-open; në f.343: zotni-sir, popo-alas, shpirt-spirit, shpirtua-match, schrepes.match, duhan-tabacco, (from Arab duhan, smok), allafranka-European, allaman-german) f. 344: akshan-morning, altipalter-revolver, me marrues, me shkewer, me gnaas, me fiet, f.350: nji herë, dy herë, tre herë.

    5. Aristoteli përmes shqipes

    Pos fjalëve që i dhamë, Xhojsi përdori edhe një formulë-shprehje shqipe, që mund të merret si aluzion i drejtpërdrejtë me teorinë e Aristotelit të trajtuar në Poetikë. Në kapitullin V të pjesës së parë të romanit Xhojsi flet për konceptin e librit dhe nuk pajtohet me pikëpamjet e Poetikës së Aristotelit me “të besueshmën e pamundshme, po me të pabesueshmen e mundshme”, sepse pajtohet me mendimin e Sër Xhon Mejhafit (Sir John Mahaffy) prift i Trinity College të Dablinit se “e mundshmja është e pabesueshme dhe e pabesueshmja e pakapërcyeshme” (the possible was the improbable and the improbable the inevitable” (fq. 110). Duke folur për këtë problem teorik e estetik, Xhojsi e fut proverbin shqiptar “me ken a mos me ken Zot”. Po e japim në vazhdim: “Po që se prifti proverbial i kishës sonë të shenjtë e zhvillon këtë (teorinë e Aristotelit, vër. jonë) në atë me ken or not me ken Zot (nënv. në), kjo është çështja ( To be or not to be, that is the question ) do t’i kishte vënë gishtat kah thembra, e ne do të përcaktoheshim për një sekeuencialitet të të pamundshmeve të pabesueshme, edhe pse duhet e pamunshme që dikush, pasi të ketë bërë një grusht shpëtimi mbi syzheun e Aristotelit apo të Biblës, do të lënte brengën e do të gëzohej për largimin e tërësishëm të paragjykimit të shënimit të vet…” (110). Këtë konstatim të priftit irlandez që e përfill Xhojsi, Hogarti thotë se ka të bëjë me një Letër të zbuluar të lidhur me Hen-in, i ngjashëm me papirusin grek, që është i lexueshëm në vend e i shkruar nga mërgimtarët irlandezë në Boston Mass., e i përkrahur nga një Father Michael, me çfarë Xhojsi përcaktohej për teroinë e lajtomotivit. Kjo do të thotë se Xhojsi ishte për konceptin ontologjik të artit e jo për atë mimetik të Aristotelit. Kështu problemin themelor to hen, qenien që në filozofi njihet si to On, prej nga edhe ontologji e lidh me të parin. Lidhur me këtë, në gjendjen e tashme të hulumtimit të problemit mund të themi disa mendime. Shprehjen shqipe, Xhojsi e përdor ndoshta nga goja e priftit të përmendur irlandez, apo këtë e gjen të përafërt në pikëpamje fonetike e semantike me atë greke: to hen – me ken në formë të shqipes së vjetër, pastaj ai e përdori këtë shprehje duke i ditur afritë fqinjësore kulturore midis grekëve e ilirëve-shqiptarëve në antikë, si dhe praninë e Aristotelit në viset ilire dhe se kishte jetuar atje dhe kishte lindur në zonat që kufizonin me ilirët pastaj disa doke ilire i përmend në Poetikë. Përkthyesi i romanit të Xhojsit në frëngjisht Filip Lavrenj (Philippe Lavergne) shprehjen shqipe e përktheu me “me ditë – pa ditur” (savoir – sans – savoir). Na duket se këtë ai e bën duke u nisur nga një term i Aristotelit te Poetika “Ekhein” që përkhtyesit e përkthejnë herë si “me qenë” e herë si “me pasë” dhe “me dijtë”, simbas përkthimit frëng me tekst original: La Poetique, Paris, 1980. Këtu po e ndërprejmë këtë problem, se duhet studiuar më shumë, që lidhet me çështjen e ilirizmave në greqishten e vjetër, te autorët antikë, të cilin e shtronte Çabej, po po kënaqemi me faktin se Xhojsi e inkuadron shqipen në zgjidhjen e çështjeve qëndrore filozofike e estetike, si një gjuhë të vjetër indoevropiane. Njëherësh do thënë se Xhojsi aluzionet e romanit të tij nuk i bënte kalimthi, po në formë të argumentuar dhe mjaft me përgjegjësi.
    Këtë aluzion të Xhojsit, na e përforcon edhe një mendim i De Radës i cili te “Fiamuri Arbërit” më 1884 në nr. 11 botonte artikullin “E kjena ej e Me-kjena tek te Gjarat e Jetës” ( Il reale e l’ideale nele representazionni del Mondo – Realja dhe idealja në reprezentimin e botës), si vazhdim i estetikës së tij e që lidhet me teorinë e “Poetikës|” së Aristotelit. Te Aristoteli e gjejmë këtë term si “medenia, medena, meden”, që përkthyesit e poetikës në frëngjisht e përkthejnë si “mosgjë, kurrgjë” etj., që korrespondon me kuptimin e termit të De Radës dhe të shqipes. Po tashpërtash po e lëmë edhe këtë supozim që do thelluar.

    6. Malësia te një libër para 1500-shti

    Te Finegani, f. 114 Xhojsi e përmend toponimin etnopsikologjik shqiptar Malësi: “Neve nuk na duhet të na pengojë të shënojmë se më shumë se gjysma e linjave, që shkojnë veri-jug në drejtimin e Nemcës (Gjermanisë) e të Bukarahast (Bukureshtit), si dhe ato që shkojnë nga Perëndimi në kërkim të Malazies e të udhës Bulgarad, fort mirë bën të krahasohen me shkrimin (shqipen) e inkunabulave tjera, po kjo i përman pikat e veta kardinale, përkundër të gjithave”. Kjo dëshmon se Xhojsi fjalët dhe shprehjet shqipe i kishte marrë nga libra të vjetër. Termin Malësi që e jep në origjinal, siç thotë edhe Mekhag që e identifikonte të gjuhës shqipe, Xhojsi e kishte nxjerrë nga inkunabula, pra libratë e epokës së parë të aplikimit të shtypit, para vitit 1500. Pra mund të jetë ndonjë libër i shkruar në shqip apo në gjuhë tjetër, ku përmendet në origjinal Malësia, që ne nuk e njohim në historiografinë tonë. Kjo mbetet çështje që do kushtuar vëmendje në të ardhshmen.



    7. Një tabllo antike shqiptare



    Po në faqen 114, Xhojsi na jep edhe një skenë, apo tabllo etopsikologjike shqiptare, që e inkorporon në logjikën e romanit. Personazhit të romanit, që do të përkujtojë të kaluarën i duket vetja si në skenën shqiptare, i cili vetë në odë të ftohtë sheh dritën e qiriut në karrigë, darkën me vezë nga Shqipëria, një gotë raki, një portokall, me pak bukë rreth sofrës, që i rikujton daljen nga gjiri i ëmbël i motrës (nënës, në kuptimin e parë indoevropian mater në shqip, vër. jonë.), mënyrë si na rrëfente, për çdo kohë e çdo vend, neve, bijëve, e bijave, nipave e mbesave... Pra kjo është një ndër tabllotë antike shqiptare, që simbas traditës në mbrëmje mbas darkës, përmes traditës gojore, rrëfehej e kaluara para më të rinjve. Kjo tabllo na aludon identifikimin e traditës së irlandezëve të Xhojsit me atë shqiptare.
    Në faqen 281 Xhojsi sjell një citat nga veprat e dijetarit frëng Edgar Kuinesë (Edgar Quinet) Hyrje në filozofinë e historisë së njerëzimit (Introduction a la philosophie de l’historie de l’humanite) lidhur me kontinuitetin historik e ekzistencial të popujve: “Sot si në ditët e Plinit e të Kolumelit, zymbylat i duan në Gali, mimozat në Iliri, margaritat mbi gërmadhat e Namantias; e përderisa rreth tyre qytetet i ndërruan zotërinjtë dhe emrat, që shumë prej tyre u kthyen në mosgjë, se civilizimet u lënduan e u shkatërruan, gjeneratat e tyre të vuajtura i mbijetuan kohërat e u vazhduan njëra - nga tjetra deri te ne, të freskëta e të gëzuara si në ditët e betejave”. Këtë konstatim të Kuinesë, Xhojsi e merrte si ironi me historinë. Në faqen 509 Xhojsi përmend edhe njërin nga zotrat e panteonit mitologjik romak me origjinë nga ilirët e Liburnisë, Liburnin (Liburnus), që e njihnin si zot të kënaqësive pasionale. Po shtojmë se këtë zot nuk e njohim në historiografinë ilire, deri tash po e sjell Xhojsi.

    Në fund
    Dhe tash në mbarim të këtij artikulli, nuk po i përsërisim ato që i shqyrtuam kalimthi, po vetëm po shtojmë se vepra madhore e Xhojsit Finnegans Wake, e cila me poetikën dhe tematikën e vet e pat tronditur botën intelektuale, sa që e quajtën vepër “rebele”, “të pakuptueshme” e të tjera, e nderon kulturën dhe historinë tonë. Siç thamë edhe më sipri, disa hipoteza që i shtruam rreth aluzioneve të Xhojsit lidhur me gjuhën dhe kulturën tonë, duhet të rrahen më tej nga studiues të fushave të ndryshme, sepse shkrimtarët e mëdhenj japin ide e sugjerime, që i ndihmojnë edhe fushës shkencore. Disa nga këto çështje do të thellohen më tej nga autori i këtyre rreshtave, në ndonjë vend tjetër me karakter më argumentues, por kësaj here deshëm t’i njoftojmë lexuesit e të përkohshmes sonë të nderuar me praninë shqiptare në veprën e Xhojsit. (1985)

  10. #170
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    28-03-2003
    Vendndodhja
    Diku nëpër Botë
    Postime
    528
    Ibrahim Rugova
    Refuzimi Estetik




    1. Përkufizimi

    Refuzim do të thotë të mos pranosh, të mos pranosh atë që të imponohet, e kjo varet nga qëndrimi personal dhe nga ai i përgjithshëm. Refuzimi më real është ai që mbështetet në bindjen, e bindja në argument, apo në temë thënë me terminologji antike greke. Gjithsesi do thënë se refuzimi realizohet në aporinë e pazgjidhshme të raportit trikotomik imponimi-pranimi-refuzimi. Njeriu, fundamentalisht është i lidhur, apo i mbërthyer në këtë apori, sepse vetë jeta dhe aktet e veprimit të tij përbehen nga këta anëtarë të raportit. Ne gjithnjë duhet të aprovojmë apo të refuzojmë diçka, e në suboardinacion këto dalin nga imponimi. Me fjalë të tjera, çështja e refuzimit mund të shtrohet e të kuptohet si gjest i përditshëm. Dhe jeta gjithnjë zhvillohet brenda kësaj aporie, apo kështu zhvillohet refuzimi në jetë. Duke e kuptuar si gjest individual, refuzimin e gjejmë edhe në sferat më intime të jetës së njeriut: në gëzim, në hidhërim, në dashuri. Nga ky fundus subjektiv filozofik bartet edhe në jetën kolektive, ku individi gjithnjë gjendet midis pranimit dhe refuzimit personal e kolektiv. Në procesin kolektiv vendos bindja e individit, formimi i tij familjar, shoqëror e intelektual. Si në planin individual, e më shumë në atë kolektiv, imponimi është një akt represiv, apo opresiv, sepse del nga një rend, sistem gjërash, siç konstaton. R. Jakobsoni. Dhe ne, përmes refuzimit, çlirohemi nga opresioni apo biem viktima të tij, bëhemi robër të tij. Njeriu në këtë plan ka vetë dy zgjidhje, thjesht e shkurt: po e jo, por rrugët e realizimit dalin të ndryshme. Refuzimi ngrihet kundër imponimit kur ai është represiv, kur insiston domosdo, pa bindje në pranimin e një diçkaje. Rëndom njeriut i ofrohen gjëra të ndryshme në planin individual dhe kolektiv: i imponohen nga grupet e ndryshme individuale, profesionale pastaj nga pushteti dhe nga sistemet e ndryshme të botës moderne. Këto janë imponime më të rënda, sepse bëhen në emër të një diçkaje të përgjithshme, sepse pushteti i grupeve, i individëve zakonisht përfaqëson të përgjithshmen, apo popullin, po të thuhej me zhargon politicist.
    Duke pasur këto parasysh, do konstatuar se njeriu në jetën e tij, në jetën kolektive gjithmonë gjendet midis përfaqësueses dhe ekzistueses. Dhe imponimi bëhet më i ndërlikuar kur gjendet në kuadër të përfaqësueses, sepse njeriut ekzistuesja i largohet për disa shkallë. Apo thënë me terma më konkretë dhe më të afërmë: raporti midis të vërtetës dhe të vërtetës së përfaqësuar. Mbi këto baza fundamentale ngrihet pushteti individual e kolektiv dhe kur realizohet më mirë apo në të mirë të njeriut ky raport, atëherë kemi një liri më të madhe apo thënë me terminologji filozofike e sociale, kemi një demokraci. E demokracia më e mirë është ajo kur nuk e imponon përfaqësuesen, po e ofron përfaqësuesen dhe ekzistuesen. Këtu lind edhe një faktor tjetër në zgjidhjen e aporisë imponim-pranim-refuzim, lind problemi mjaft human i zgjidhjes së lirë (fr. choix libre, ingl. Liberaly choice). Zgjedhja e lirë kupton përcaktimin e individit në formë të lirë, mundësinë që ai të zgjedhë midis të imponuares dhe refuzimit. E këtë njeriu e arrin përmes formës së plebishitit individual, referendumit individual dhe kolektiv. Në planin individual ky plebishit zhvillohet në vetë individin kurse në atë kolektiv del më i ndërlikuar dhe plebishiti mbi çështje të përgjithshme shoqërore, historike, politike e kulturore zhvillohet në formë më të ndërlikuar: mbi individin bëhen opresione të ndryshme nga grupet dhe nga pushteti të pranojë formën e imponuar, çfarë lidhen me interesa kombëtare, ideologjike, sociale, shtetërore e të tjera. Zakonisht, këtu mundësia e zgjedhjes së lirë, thuajse gjithmonë del e manipuluar, sepse interesat e ndryshme e mbysin zgjedhjen e lirë, pra individin, e pa individin nuk ka kolektivitet stabil e të drejtë. Pastaj për të arritur një pranim më të aprovueshëm, individi apo kolektiviteti deklarohet përmes consensusit, bashkëmendimit të palëve të kundërta e të ndryshme. Për të realizuar më mirë plebishitin, më parë duhet dhënë argumente të arsyeshme për të bindur apo për të refuzuar kundërshtarin siç thoshte Ciceroni, simbas ligjeve apo artit retorik. Pos plebishitit apo referendumit ku merret parasysh mendimi i shumicës, përmes consensusit arrihet një baraspeshë midis mendimit të të gjithë faktorëve të vendosjes së lirë, sepse ndonjëherë edhe mendimi i shumicës, nën faktorët manipulues mund të jetë i gabueshëm. Mundësinë më të madhe të manipulimit e largon consensusi, ku vërtetohet barazia e përbërësve të një strukture, sistemi, apo kolektiviteti.

    2. Karakteri, natyra i/e letërsisë

    Mbas këtyre mendimeve mbi aporinë e refuzimit në planin e ekzistencës njerëzore, të qenies së njeriut, të qeniesimit të tij dhe të formave të vendosjes, të përcaktimit në raportet kolektive e individuale, po e shikojmë këtë apori edhe në planin e artit, të letërsisë: si e zgjidh ajo këtë. Po së pari të themi diçka për karakterin e letërsisë. Me qenë se edhe letërsia si fryt i realitetit, siç thoshte R. Barti në ligjëratën e tij inaugurale në College de France në janar të vitit 1977, në prani të shumë intelektualëve frëngë si M. Fuko, Klod-Levi Stros e të tjerë gjendet në aporinë e imponimit-refuzimit. Karakteri apo natyra e letërsisë dihet që prej kohësh: ajo përmban në vete dhe realizon humanitetin në mënyrë më burimore, autoktone në raport me botën dhe me njeriun. Në estetikë, në filozofi dhe në shkencën e letërsisë, është shfaqur teoria mbi autonominë, mvetësinë e letërsisë, artit, që ishte më shumë aktuale në vitet 50 dhe 60, në kohën e të ashtuquajturës "luftë e ftohtë" midis fuqive të mëdha dhe popujve të vegjël. Më vonë shfaqen problemet e heteronimisë, me vështrim se letërsia varet edhe nga raportet shoqërore e të tjera.
    Teoria e autonomisë së letërsisë, historikisht, bazën e ka në teorinë mbi "kullën e fildishtë" të simbolizmit, si shenjë e veçimit të poetit nga jeta, nga shoqëria, që më vonë bëhet teori e pavarur estetike. Karakteri i letërsisë kupton realizimin e njeriut në gjendje burimore, po këtë e bën me mjete të veta. Çdo gjë e realizon me matjen e artit të vet siç janë paraqitja, formësimi i jetës me gjuhë të njeriut në nivel artistik, pa farë imponimi, vetvetiu, letërsia me qenien e saj i kundërvihet imponimit të çfarëdo lloji. Çështjen e refuzimit të letërsisë do shikuar në raportin letërsia-shoqëria apo politika.
    Kështu refuzimi del si njëri nga aktet e mundshme të letërsisë. Ajo jo vetëm që i kundërvihet imponimit, po edhe e refuzon atë, nuk e pranon atë. Kështu kemi refuzimin me heshtje dhe refuzimin aktiv në planin jetësor. Letërsia i ka këto dy forma, po refuzimi më i madh i saj është refuzimi me qenien, me karakterin e saj, që ne e quajtëm refuzim estetik. Për dallim nga refuzimi politik, ideologjik e anatemist apo relegjioz, që ka pasoja konkrete në praktikën jetësore, e që realizohet me mjetet e pushtetit të çfarëdo forme, individual e kolektiv apo të atij individual që emblemohet si kolektiv thuajse gjithmonë ngjet kështu, refuzimi estetik realizohet me mjetet e letërsisë. Refuzimi estetik realizohet në formë të drejtpërdrejtë me mjete letrare që njihen prej kohësh, siç janë satira, sarkazmi, grotesku apo ironia e angazhimi në kohën moderne, e në formë tjetër fundamentale realizohet, kur letërsia me vetë praninë e realitetit në vete dhe të realitetit të vet refuzon imponimin. Në njëfarë dore ky mund të merret si refuzim filozofik apo ontologjik, sepse me vetë qenien e saj krijon kontemplime dhe konotime të shumta, që përgatisin vetëdijen, shpirtin dhe mendjen njerëzore në jetë për çështje të ndryshme. Përmes refuzimit estetik, pa deklamim të theksuar dhe pa mjete të shoqërisë, politikës, letërsia refuzon duke ignoruar dhe forcuar dignitetin, si kategori të përgjithshme.
    Refuzimi hyn në kategorinë e estetikës negative, siç cilësohet estetika filozofike e Schellingut në kontekst tjetër që përmes dhënies, formësimit të kategorive të ndryshme, bën mohimin, negacionin e atyre kategorive që nuk mund të ngriten në dignitetin e njeriut dhe të jetës. Me një fjalë, bën shkëputjen e kategorive përmes qensimit, ekzistimit të vet. Edhe në planin sociologjik çështja e refuzimit letrar merret në formë më prakticiste, ku kërkohet të dëgjohet zëri i idesë shoqërore, de facto, të përfaqësuesit të shoqërisë, pushtetit, në veprën letrare. Ky zë, gjithnjë del i dështuar, sepse realizohet më shumë me mjete shoqërore qenësisht, kurse me ato letrare vetëm si formë e jashtme, vetëm për të kënaqur atë. Pra këtu do bërë dallimin e nevojshëm midis pushtetit, politikës si temë e letërsisë dhe pushtetit e politikës në letërsi, që ndryshe quhet politizim i saj. Si temë letrare pushteti e politika janë mjaft frytdhënëse për letërsinë, le të na kujtohen tragjeditë antike dhe ato të Shekspirit, e si politikë letrare, apo letërsi e politizuar shumë vepra të socializimit tradicional dogmatik dhe të shtresave primitive borgjeze të kohëve të mëparshme, apo të komercializmit modern. Me afirmimin e refuzimit estetik ne nuk kërkojmë absolutizimin e letërsisë, artit po vetëm për të forcuar një argument të arsyeshëm mbi vlerën e letërsisë dhe funksionin e saj si qenësi e jo si letërsi në funksion.

    3. Estetika dhe Politika

    Zhvillimi i tezës sonë mbi refuzimin estetik na shpie te raporti i njohur arti, apo estetika dhe politika. Pak histori për kthjellim. Duke u nisur nga tradita letrare evropiane, pra nga antika greke, e në formë më doktrinare nga vepra Politeja (Qyteti, Shteti) e Platonit, do shohim më mirë historinë e raporteve, apo të konflikteve midis artit dhe politikës, apo pushtetit. Etimologjia e fjalës Politikë vjen nga kuptimi i shtetit, si formë e pushtetit. Kështu, titullin e veprës së Platonit, herë e përkthejnë Shtet e herë Republikë me atë latine, në përkthimet moderne, pra me atë latine si res publica, si diçka e përgjithshme, si gjë publike, si gjë e hapur. Pos tjerash, edhe çështjen e artit Platoni e merrte si res publica, si gjë publike, si çështje apo interes të përgjithshëm, thënë me terminologji më moderne. Dhe duke ia shtruar artin interesit të gjësë së përgjithshme, në praktikën dhe në teorinë estetike u ngritën raportet më të precizuara arti-politika, arti-ideologjia, apo estetika-politika në planin teorik e filozofik.
    Pos në këtë vepër, ku Platoni e vënte artin në shkallë më të ulët të botës së ideve duke e lidhur me konceptin e mimesisit, ai këtë e bënte edhe në dialogun për Ijonin, ku poetin omonim endacak nuk e çmonte si njeri të mendjes, po më shumë të ndjenjës, të ekstazës dhe boheminë e tij e lidhte me veprën e tij, me recitimet e tij, pra me artin oral të tij. De facto Platoni e gjykonte artin e tij në bazë të sjelljeve të autorit, të Ijonit. Mendojmë se këtu zë fill përzierja e raportit autori-vepra, që në shoqërinë bashkëkohore mori forma të pazgjidhshme, deri në kohën tonë. Kështu lind gjykimi i veprave për shkak të autorëve apo i autorëve për shkak të veprave, pra çështja e gjykimit të krijuesit. Pastaj Horaci kërkon nga arti të ketë edhe të këndshmen e edhe të dobishmen, dulcei et utilei.
    Çdo shoqëri kërkon idenë e vet, madje edhe artin e vet, po çdo shoqëri nuk mund të bëjë artin e vet, sepse arti krijohet në të gjitha shoqëritë apo sistemet, apo në të gjitha politikat. Mund të themi se çdo shoqëri ka politikën e vet, e artin e vet jo, sepse arti është i të gjitha shoqërive, sepse ngrihet përmes refuzimit dhe aprovimit estetik që përmban në vete.
    Në vazhdën e këtij argumenti historik, mesjeta me ideocentralizmin e saj relegjioz, kryesisht përmes krishterimit e kufizoi zhvillimin e ideve dhe të mendimit të lirë, e madje toleroi vetëm atë tip të letërsisë që i përçonte idetë apo ideologjinë e saj, pra vetëm letërsinë religjioze dhe letërsinë kalorsiake. Dominonte utopia teiste pa përjashtim. Renesansa me decentralizimin e saj dhe me ringjalljen e kulturës antike e të gjuhëve dhe popujve të tjerë, pos latinitetit kristian, ngriti vetëdijen e kohëve moderne dhe çlirimin gradual të ideve dhe të artit në përgjithësi. Në frymën e Renesansës do shikuar edhe renesansën në kuptimin teologjik - reformën e Luterit. Thënë ndryshe Renesansa i ngriti në nivel kulturor gjuhët popullore në vetë vatrën e latinitetit, ku vepronte imperializmi i gjuhës latine dhe në viset e tjera të Evropës. Në këtë kohë të Renesansës dhe të reformave teologjike i kemi edhe veprat e para shqiptare nga Barleti dhe Buzuku dhe nga shkrimtarë të tjerë. Konflikti, apo mospajtimet midis artit dhe politikës vijuan edhe në shtetet borgjeze deri në kohën tonë dhe për këto të përmendim dënimin e veprës së Bolderit për shkak të përmbajtjes së saj dhe zhdukjen misterioze të Emil Zolas, si duket për arsye të mbrojtjes së Drajfusit e raste të tjera. Në shoqërinë socialiste që u konstitua pas Revolucionit të Tetorit (1917), me dëshirë që artin ta fusë nën kontrollin e vet sidomos në vitet ‘30 në BRSS u zhdukën dhe u dënuan shumë vepra e shumë shkrimtarë. Në formë tjetër të platformës nacionale-naziste në Gjermaninë e Hitlerit u persekutuan shumë shkrimtarë, dijetarë e filozofë dhe u detyruan të largohen nga vendi. Le ta përkujtojmë Tomas Manin me këtë rast. Do përmenduar se edhe pas Luftës së Dytë në shumë vende socialiste u persekutuan autorë dhe u anatemuan vepra të ndryshme.
    Në historinë e kulturës dhe të letërsisë shqiptare kemi raste të këtij konflikti. Kështu në shek. XVII Budi zhduket në mënyrë misterioze nga Vatikani, meqë kërkonte konstituimin e inteligjencës kishtare shqiptare, pastaj Nezimi zhduket nga autoritetet turke, si duket për popullaritetin e tij dhe për veprën që e bënte në gjuhë të vet. Është sunjifikativ edhe rasti i S. Frashërit, i cili nga fundi i shekullit të kaluar po sillte kulturën evropiane në Turqi, por kur e shkroi veprën, "Shqipëria ç'ka qënë...", u mbyll në burg shtëpiak. Këto të dhëna nga kultura jonë, flasin për konfliktin e intelektualëve shqiptarë me pushtetin pushtues. Në kohën e Monarkisë shqiptare të Zogut, intelektualët shqiptarë u ndeshën me pushtetin e brendshëm, pra të kombit të vet. Kështu një kohë u injoruan Çajupi, Asdreni, Grameno e të tjerë dhe në vitet ‘30 kemi edhe viktimën e parë fizike të këtij pushteti, ekzekutimin me vdekje të intelektualit të ri Ismet Totos, për shkak të pjesëmarrjes në kryengritjen e Delvinës më 1937. Për këtë raport në kohën pas luftës e këndej nuk po flasim në kulturën shqiptare në përgjithësi, por pati raste të mospajtimeve ideologjike dhe estetike, e në Jugosllavi edhe vetëm për shkak të ngritjes së letërsisë shqiptare, e cila para luftës nuk mund të krijohej në gjuhën amëtare.

    4. Kontrollimi i veprave

    Jo vetëm në autorët, të cilët si person publikë u përzien në lëvizjet ideore e kulturore të shoqërive të epokave të ndryshme, po pushteti në kohë të ndryshme, përpjekjen më të madhe e përqëndroi në kontrollimin e prodhimit shpirtëror e sidomos të letërsisë. Kështu për këtë qëllim ai shpiku censurën, metodën e kontrollimit dhe të ndalimit të veprave shkencore, filozofike e letrare. Shenjat e para të censurës në letërsinë evropiane i kemi që në antikë. Këshilli i qytetit të Atinës, vendosi ta përpunojë në shumë pjesë veprën e Homerit, madje t'ia ndryshojë edhe titullin. Vepra e Homerit "Zemërimi i Akilit" u titullua me titull të ri "Iliada" dhe u ndryshua koncepti themelor i saj, ku këndohej në të mirë të trojanëve e jo të grekëve. Këto pjesë u kthyen në të mirë të grekëve. Pastaj nuk u pranua që emri i Akilit të mbetej në titull, meqë ky ishte një trim jo i pastër grek, meqë ishte nga Epiri ilir, që po e paraqesim si tezë të mundshme interpretimi, e që e mbështesim në të dhënat historike për origjinën e Akilit siç njihen në historiografinë e antikës. Censura vazhdoi me të madhe në mesjetë, sa që u kurorëzua me inkuzicionin kishtar që u mor edhe me djegien dhe zhdukjen e veprave të mendimit shkencor e filozofik. Kështu sot, në kuadër të institucionit të censurës, inkuizicioni merret si forma më e lartë, që përfaqësohet nga tipet e sistemeve dhe nga pushtetet e ndryshme. Në epokën moderne, në përsosjen e veprimit të ideologjive dhe të sistemeve shoqërore e politike, nga veprimi i vazhdueshëm i censurës, pra i presionit të shtetit dhe të pushtetit u shfaq edhe autocensura, term i Sartrit, me të cilin kuptohet censurimi nga ana e vetë shkrimtarit. Pra ai vetë e bën kontrollimin e mendimeve dhe të veprës së vet. Kjo, mendojnë shumë studius të këtij fenomeni, është forma më e dëmshme në ngushtimin e lirisë së mendimit dhe të vetë letërsisë, meqë autocensura, siç konstatojnë historianët dhe sociologët e kulturës, madje edhe psikologët, është formë jolegale, e brendshme me një veprim të pakufizuar në personën e autorit, krijuesit.

    5. Shkrimtarët e oborrit

    Historia e kulturës vërteton se të gjitha pushtetet kanë pasur dëshirë dhe kanë bërë përpjekje që shkrimtarët dhe intelektualët t'i kenë për vete. Kështu Aleksandri i Madh që kishte një konsideratë ndaj intelektualëve, se kishte qenë nxënës i Aristotelit, kur takohet me Diogjenin filozof, e pyeti se ç'dëshironte prej tij, Diogjeni vetëm iu përgjegj në mënyrë figurative "Mos ma zë diellin". Në mesjetë në kishë dhe më vonë në oborret mbretërore mbahen shkrimtarë për madhërimin e mbretërve dhe pushtetarëve të ndryshëm. Por do përmendur një të vërtetë historike, se shumë shkrimtarë e shfrytëzuan "oborrin", pra pushtetin për të krijuar vepra jashtë porosive. Le të përkujtojmë me këtë rast Gëten, që jetoi e veproi kryesisht në Vajmar, pastaj piktorin Francisko Goja, i cili si piktor i parë i oborrit spanjoll në fillim të shekullit të kaluar, që porositë i bënte për të mbrojtur artin e vet, krijoi vepra me vlerë të pakalueshme. Kjo mund të shërbejë për një teori, se shkrimtarët që në oborr hyn për hir të oborrit apo thënë me terminologji më moderne, ata që shkruajnë për hir të pushtetit, mbeten shkrimtarë të oborrit, si faktografi e jo si letërsi, e shkrimtarët që janë shkrimtarë, ata edhe në oborr bëhen shkrimtarë. Problem që do thelluar më shumë.
    Pos shembullit të Aleksandrit të Madh në Antikë, që ndaj filozofëve grekë u soll me tolerancë, nga historia moderne kemi shembullin e Napoleonit, i cili, ndërsa po pushtonte Gjermaninë në pushtimet e tij për në Lindje të Evropës kishte urdhëruar që shtëpia e kompozitorit Jozef Hajdni të mos bombardohej dhe kishte caktuar rojë. Ai madje ishte përkulur para tij. Rast i rrallë.
    Në historinë e kulturës shqiptare, shkrimtarët tanë nuk patën mundësi të jenë brenda oborrit, meqë deri vonë nuk e patën oborrin e vet, megjithatë do përmendur rastin e Gjergj Fishtës, i cili gjendej me formim në oborrin kishtar, ai arriti të krijojë vepra me vlerë të rëndësishme që nuk përkojnë shumë me oborrin që i takonte, apo Naim Frashëri, i cili, edhe pse i përkiste sektës së bektashinjve, me veprën e vet u bë poet kombëtar në kohën e Rilindjas kombëtare, sepse vepra e tij kishte etikë edhe estetikë.

    6. Prijës i popullit

    Te popujt dhe kombet më të vogla që pavarësinë dhe lirinë kombëtare e fituan në kohë më të reja, sidomos brenda shekullit XIX dhe më vonë, që quhen periudha të rilindjes së tyre kombëtare, shumë poetë të stilit romantik u bën prijës të popullit në ato momente, e kjo ngjau me të madhe te popujt e Ballkanit, siç vërente Çabej, më 1938. Vërtet ata u bënë prijës të popullit, po mbetën shkrimtarë të mëdhenj edhe më pastaj vetëm ata që patën edhe mjaft estetikë në vepër. Mund të themi se me romantizmin në letërsinë evropiane u afirmua më shumë roli i shkrimtarit, e sidomos i poetit, siç ishin Hugoja në Francë, apo Bajroni e Shelli në Angli, Gëte e Shileri në Gjermani, e te popujt e vegjël, që luftonin për çlirimin kombëtar dhe për formimin e identitetit kombëtar, historik e kulturor, roli i poetëve u bë më i madh dhe më aktual. Kjo ngjau kështu, sepse te këta popuj shkrimtarët ishin intelektualët e parë që përgatitnin platformën për çlirim me veprat e tyre, meqë ishin të pakët apo mungonin fare intelektualët e profileve të tjera si dijetarët, shkencëtarët apo filozofët. Kështu do përmendur në këtë drejtim Mickijeviçin te polakët, Pëtefin te hungarezët, Emineskun te rumunët, Preshernin te sllovenët, Kranjçeviçin te kroatët, Zmajin te serbët e të tjerë. Ndërsa në letërsinë shqiptare këtë rol e barti në masë më të madhe thuajse kryesore Naim Frashëri, pastaj De Rada e të tjerë. Do theksuar se te popujt e vegjël edhe pas rilindjes kombëtare, mbeti ideali i shkrimtarit si prijës i popullit, ku letërsia dhe politika përziheshin, apo përkraheshin e ndihmoheshin në masë të madhe.
    Duke pasur këtë parasysh në historinë e mendimit kritik shqiptar, çështjen e raportit letërsia-politika e shtruan edhe disa shkrimtarë e kritikë si Faik Konica, Asdreni e të tjerë. Konica nuk e pranonte vlerësimin alternativ të këtyre kategorive, kurse Asdreni ishte më fleksibil dhe më i arsyeshëm, i cili konstatonte se në momente të caktuara, për nevoja praktike letërsia dhe politika bashkëpunojnë kurse në situata normale ato zhvillohen pavarësisht, simbas qenësive të tyre.

    7. Shkrimtari i angazhuar - letërsia e angazhuar

    Në botën moderne, e sidomos mbas lindjes së socializmit, u aktualizua çështja e funksionit të shkrimtarit në shoqëri dhe në politikë. Në fillim kjo u bënë forma mjaft prakticiste dhe e tjetërsoi letërsinë dhe shkrimtarin. Mbas Luftës së Dytë ky problem u aktualizua edhe në Perëndim e sidomos në Francë, që është e njohur për zhvillimin e ideve sociale dhe kulturore. Kështu Sartri me një koncept më të zgjedhur kërkonte që shkrimtari të angazhohej në jetën e përditshme edhe si intelektual dhe të bënte një letërsi të angazhuar në kuptim më shumë filozofik e shpirtëror se sa praktik social. Ky koncept si duket e pasuroi këtë çështje. Pra angazhimi modern i shkrimtarit dhe i letërsisë mendojmë se i heq fillimet që nga romantizmi evropian sa që sot është bërë një problem i përgjithshëm. Përkundër kësaj në kohë të fundit sikur është bërë legjitim mendimi se shkrimtarët duhet të angazhohen në zgjidhjen e problemeve të përgjithshme dhe të mos mbeten indiferentë ndaj kohës së vet. Më shumë kërkohet angazhimi intelektual i shkrimtarëve se prakticizmi i tyre. Kështu Sartri, duke folur për tipet e intelektualit bashkëkohor flet për dy kategori intelektualësh: intelektualët e rastit (intellectuels par accident) dhe intelektualët burimorë (intellectuels pas essence). Në grupin e parë i fut intelektualët që vijnë nga fusha e specializimeve si nga shkenca dhe nga teknika, të cilët në një moment të caktuar zënë të mendojnë për çështjen e përgjithsheme humane. Këtë e ilustron me faktin se një shkencëtar që prodhon bombën atomike, është shkencëtar, por kur fillon të mendojë për qëllimin dhe pasojat e përdorimit të saj atëherë kapërcen në fushën e intelektualit. Shkrimtarët i merr si intelektualë burimorë, meqë ata gjithnjë merren me qëllimin dhe kërkesën e me dhënien e jetës dhe të problemeve të njeriut. Prandaj në botën moderne të specializimit dhe të përsosjes së shoqërive e të sistemeve shoqërore, dominon mendimi i përgjithshëm se shkrimtarët dhe intelektualët në ndarjen e punës brenda kombit apo shoqërisë së caktuar kanë vendin dhe zërin e vet, që e realizojnë me mjete të veprës së tyre.

    8. Qenësia estetike

    Vështrimi i çështjes së refuzimit estetik na detyroi ta vështrojmë këtë çështje në plan më të gjerë, me të gjithë ata faktorë që ndërlidhen me artin, me letërsinë. Nga kjo del se letërsia gjatë kohëve vazhdimisht është përpjekur të ruajë karakterin e vet dhe këtë e ka bërë përmes dy formash: përmes subjektit krijues, vetë shkrimtarit, që hyn në historinë e jetës letrare e kulturore të një kohe dhe përmes veprës si formë konkrete e saj. Vendimtare në të gjitha këto raporte mendojmë se ka qenë vepra dhe esenca e saj, qenësia estetike e saj. Kështu veprat që nuk kanë pasur qenësi të mjaftueshme estetike, edhe kanë ndikuar më pak e edhe autorëve të tyre, pra shkrimtarëve u ka dhënë më pak mundësi të ndikojnë në rrjedha e çështje, prandaj kanë mbetur anësorë. Kurse ato vepra dhe ata autorë që janë bazuar në qenësinë estetike e filozofike të veprave të tyre, kanë ndikuar më shumë.
    Duke pasur këtë parasysh, po shtojmë se në bazë të përvojës midis raportit arti-politika, apo pushteti, në vetë politikën e kohës kanë ndikuar më shumë veprat me mvetësinë e tyre estetike dhe autorët e tyre, e madje do thënë se duke ditur këtë, pushteti i kohëve të ndryshme edhe është konfrontuar me ato vepra dhe me ata autorë, sepse nuk ka mundur të manipulojë me ato dhe me ata. Qenësia estetike është fryt i karakterit të lirë e të gjerë të letërsisë dhe garanci për veprimin më të madh dhe jetën më të gjatë të një vepre. Për shembull ndikimi i veprimit praktik i De Radës do të ishte më i vogël në opinionin e Rilindjes kombëtare, sikur vepra e tij të mos kishte qenësi të thellë estetike, apo ndikimi i Naim Frashërit. Por ndikimi i tyre, me qenësinë e tyre, është i pranishëm edhe sot në kontekste dhe në momente të ndryshme. Shkrimtarët e tjerë të Rilindjes, të cilët në veprat e tyre e patën qenësinë estetike më të dobët, ishin aktualë, po kishin ndikim më të vogël, e edhe për kohët e mëpastajme mbeten vetëm si dëshmi veprimi brenda aktualitetit të një kohe.

    9. Përfundime

    Qenësia estetika e veprës letrare apo e letërsisë është imanencë e vetë letërsisë, e që në rastet e imponimit të jashtëm, ajo e realizon këtë përmes refuzimit. Njëherësh edhe refuzimin estetik e konsiderojmë si imanencë të letërsisë, sepse sipas ligjeve të natyrës, e madje edhe të atyre sociale, çdo gjë që krijohet duhet edhe të mbrohet dhe të mbahet në jetë. Në momentet e çrregullimeve të caktuara sociale e sistemore brenda një kombi a shoqërie, funksioni më i mirë i letërsisë, pos angazhimit të saj të drejtpërdrejtë, po më pak, realizohet përmes refuzimit estetik, si më efikas dhe më burimor. Përmes refuzimit estetik letërsia ndikon në vetëdijen kulturore të kohës, e kjo në vetëdijen dhe në aksionin politik, apo të pushtetit, duke krijuar inferioritetin e tij ndaj saj.
    Si do që ta marrësh edhe në bazë të argumentit historik të raportit arti-politika, e edhe në bazë të teorisë si rezultat i këtij argumenti dhe si rezultat i të menduarit mbi mundësitë e realizimit, letërsia apo arti dhe politika janë dy karaktere apo dy fusha të kundërta, të ndara, sepse ndryshojnë mjetet e formimit dhe të veprimit. Dhe sa herë që politika e kufizon letërsinë, ajo përmes refuzimit estetik dhe realizimit të qenësisë së vet, e refuzon politikën. Dhe gjithmonë politikë apo pushtet më i mirë ka dalë ai pushtet që nuk e ka kufizuar dhe nuk i është mbivënë letërsisë, sepse dihet se letërsia, për nga natyra e vet, ka vlerë mbijetuese e politika vlerë aktuale dhe merret si dëshmi e veprimit në momente të caktuara historike.
    Edhe një çështje praktike: te kombet e mëdha, ku rreziku politik është më i vogël, apo nuk është i pranishëm fare, refuzimi estetik i letërsisë është më i madh, më autonom dhe më veprues. Zatën këto kombe janë çliruar më parë nga kompleksi i rrezikut nga letërsia dhe arti. Kurse te kombet e vogla, ku rreziku politik i jashtëm është më i madh dhe ku bëhet identifikimi i të gjitha potencialeve kulturore me pushtetin, mundësia e refuzimit estetik del më e vogël, por në epokën moderne, kjo mundësi është ngritur më shumë te ata popuj që e kanë siguruar ekzistencën e vet më stabile. Në shtetet shumënacionale shfaqet rreziku tjetër, që nga apetiti i dominimit nacional të dalin tendenca të eleminimit të kulturave dhe të letërsive të tjera, sepse mbështeten në teoritë e kapërcyera të shekullit të kaluar mbi kombin shtetëror: një komb një shtet. Në botën bashkëkohore ku dominon vetëdija e të drejtës së zhvillimit kulturor e ekonomik të kombeve e të kombësive, kulturat e kombësive mbajnë integritetin e vet kulturor e nacional brenda kombit.
    Do thënë, se edhe në kulturat e mëdha, e edhe në ato më të vogla, sot është bërë legjitime vetëdija se imponimit të jashtëm që i bëhet artit dhe letërsisë duhet kundërvënë me refuzimin estetik. Pra duhet krijuar letërsi të mirë, të qëndrueshme me qenësi të fortë estetike, në mënyrë që të mbahet zhvillimi i saj, se ky është rezultat më i rëndësishëm në aktualitetin e një kohe dhe në rendin historik kulturor. Ky do të ishte efekti praktik i refuzimit estetik kundër çdo veprimi dhe diskursi represiv. Vetëm kështu letërsia mbetet letërsi dhe ndikon në pushtet dhe në shoqëri. Çdo formë tjetër mbetet diçka tjetër, me veprim tjetër.
    Prishtinë, shkurt 1987

Tema të Ngjashme

  1. Kështu foli Tahir Zemaj
    Nga Nice_Boy në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 123
    Postimi i Fundit: 01-01-2014, 18:52
  2. Tahiraj: Rrefime mbi luften ne Kosove
    Nga Kuksjan_forever në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 22
    Postimi i Fundit: 09-11-2010, 14:42
  3. Vrasja e Kolonel Ahmet Krasniqit..
    Nga Brari në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 47
    Postimi i Fundit: 04-10-2010, 04:41
  4. Kushtetuta e Republikës së Kosovës
    Nga YlliRiaN në forumin Kulturë demokratike
    Përgjigje: 12
    Postimi i Fundit: 01-04-2009, 19:17

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •