Nga Alban Ymeri
- Që diplomacia është përdorur gjithnjë nga politika shqiptare për interesat e saj të ngushta dhe personale është e qartë për këdoqë ka vëzhguar sadopak mënyrën e emërimeve nëpër përfaqësitë tona diplomatike gjatë kësaj periudhe tranzicioni të gjatë. Rotacioni i partive në pushtet është shoqëruar gjithnjë me rotacion ambasadorësh, por thjeshtë me emra, kurse praktikat kanë qenë gjithnjë abuzive. Spontaniteti, klanizmi, miqësitë dhe interesat kanë qenë tipare themelore të politikës së emërimeve. Kur partia socialiste ishte në pushtet, ajo nëpërkëmbi në ekstrem ligjin për shërbimin me jashtë, duke mos respektuar asnjë lloj kriteri për emërimet politike dhe të karrierës, ku në vend të 20%, emërimet poltike zinin të paktën 60%. Nuk u respektua asnjë lloj afati ligjor për shërbimin me jashtë, që është deri në katër vjet. Mjaft ambasadorë mbushën dy mandate, pra rreth tetë vjet.
Githçka zhvillohej edhe nën monitorimin e presidentit të Republikes, i cili tani po tregohet shumë i zellshëm në verifikimin e procedurave të emërimeve të reja. Presidenti deklaroi në fillim të mandatit të tij për t’u ndërprerë rrugën abuzimeve politike në diplomaci, duke arritur deri në deklaratën ekstreme të ekstradimit të diplomatëve që nuk kthehen në atdhe pas përfundimit të shërbimit. Sado ekstrem, ky deklarim fshihte një shqetësim real. Por koha provoi se jo vetëm nuk u kërkuar kthimi i tyre, por pati raste te riemërimit të tyre përseri nepër përfaqësi, pasi kishin qëndruar ilegalisht në ato vende ose si emigrantë. Të lë shije të hidhur shqetësimi hipokrit i disa përfaqësuesve të opozitës së sotme kur qirren për emërime politike e të pamotivuar që po bën sot qeveria aktuale, pas dhunimit flagrant që i bënë shërbimit me jashtë sa kohë ishin në pushtet.
Mirëpo duket se edhe qeveria e tanishme nuk po u shpëton, jo se nuk do, abuzimeve. Të gjitha emërimet e deritanishme dhe ato të pritshme vijnë si emërtesa politike. Ministria e Jashtme nuk përfillet fare. Katër muajt e kësaj qeveria treguan se të paktën në fushën e diplomacsë ajo nuk ishte e përgatitur për të bërë rotacion normal dhe për të korrigjuar praktikat abusive të qeverisjes socialiste. Përsëri në plan të parë janë interesat politike, miqësitë, njohjet, shpërblimet dhe jo interesi i vendit. Si është e mudnur te kishte aq amatorizëm në gjetjen e një kandidati për në SHBA? Nga dolën gjithë këta emra ambasadorësh që nuk janë dëgjuar ndonjëherë të thonë dy fjalë për politikën e jashtme? Pse duhej shkaktuar përplasje me presidentin për kandidatura të pastudiuara? Pse nuk merret parasysh raporti politikë-karrierë? Edhe sa kohë do të vazhdojmë të dëgjojmë mrekullitë e partive politike në emërimet nëpër përfaqësitë diplomatike dhe të bëhemi gazi i botës me skandale që tashmë janë bërë të njohura?
Nuk e di si do procedojë më tej kjo qeveri, por shija e deritanishme është te paktën e pakëndshme. Dhe kjo shkon drejt se hidhurës, nëse është e vërtetë se qeveria ka në plan të caktojë në Nju Jork një ish-diplomat që ka braktisur punën dhe jeton si emigrant në SHBA. Ai ka shërbyer për disa kohë në Ministrine e Jashtme dhe në një ambasadë. Pasi është kthyer në Tiranë dhe ka filluar përsëri punë ne ministri për pak kohë, është larguar për në Amerikë, duke shfrytëzuar pashaportën diplomatike, për interesat e tij dhe qëndron atje si emigrant. Është e drejta e tij të shkojë ku të dojë për arsye ekonomike apo çfardo arsyeje,. Po, përse u dashka që shteti shqiptar ta shpërblejë, thjesht sepse ka braktisur punën dikur, apo sepse paska një të njohur pranë kryeministrit?! Përse u dashka të përfaqesohemi me një emigrant pranë OKB-së? Përse u dashka ta stabilizojë atë për disa vite në mes të Nju-Jorkut me paratë e taksapaguesve shqiptarë, me apartament, makinë, me sigurim shendetësor për vete e familjen, kur ai nuk paguan asnjë lloj takse për shtetin shqiptar? Apo nuk i del hesapi të përballojë shpenzimet e jetesës sic i do dhe me punën që kryen dhe kërkon t’ia plotësojë shteti që ai e ka braktisur? Dhe sigurisht pas kryerjes se mandatit si nuk do të kthehet në Shqipëri por do qëndrojë atje për ku u larguar dhe për të cilën braktisi punën para disa vitesh.
Çfarë shijeje lë një gjë e tillë të diplomatet që kanë vite që punojnë pa u shkëputur nga puna, apo duhet që edhe ata të braktisin punën e të shkojnë emigrantë nëpër botë, me shpresën se një ditë do të shpërblehen nga ndonjë forcë politike që vjen në pushtet? Urojmë të jenë vetëm përshpëritje gazetash, megjithse deri tani çfarë kanë përshpëritur ato, janë vërtetuar. Edhe qeveria socialiste pati raste kur thërriti refugjatë që qëndronin në vende të ndryshme me leje policie dhe i emëroi ambasadorë. Opozita e athershme klithte kundër këtyre praktikave, por sigurisht nuk ia vuri kush veshin. Dhe tani nxiton të imitojë praktikat negative.
O burra diplomatë, në ministrinë e jashtme apo në përfaqësi jashtë vendit, ikni nga vendi e merrni status emigranti, se shpejt vjen një ditë që t’u thërrase shteti për t’ju bërë ambasadorë, se po qëndruat në punë dhe të shërbeni sipas ligjit, askush nuk do të kujtohet për ju, madje në kuadrin e ristrukturimeve, mund edhe të flakeni në rrugë. Nuk mbeten bosh vendet, sa të ketë refugjatë rrugëve të botës që përgjojnë të bëhen ambasadorë, pasi kanë punuar nëpër piceri, larje enësh nëpër restorante, e ku di unë çfarë.
Krijoni Kontakt