Cdo Kryeqytet i denje e meriton nje Katedrale
Edhe pse debati në lidhje me ndërtimin e Katedrales Orthodhokse ne qendër të Tiranës nuk është i ri, përsëri mund të mbetesh i surprizuar nga argumentologjia që përdoret për të kundërshtuar një ndërtim që për llojin e vet në të ardhmen mund të konsiderohet si një kryevepër arkitekturore dhe shpirtërore për qytetin e Tiranës, por edhe një mburrje e të gjithë shqiptarëve për përmasat e një katedraleje që do te stolisë kryeqytetin tonë, që nuk do të qëndrojë aspak më poshtë kryeqyteteve të tjera europiane që krenohen me katedralet e tyre që kryesojnë qendrat e tyre historike. E kur Tirana të vizitohet nga turistët e shumtë, me siguri që një prej stacioneve të tyre do të jetë edhe vizita në Katedralen e Tiranës, për të cilën do të flasin kur të largohen, e me të cilën ne do të ndjehemi krenarë.
Marr shkas të shkruaj këtë shkrim nga një peticion i botuar dje në gazetën tuaj ku disa ushtarakëve të vjetër ankohen nga lartësimi madhështor e me ritme të shpejta i Katedrales Orthodhokse në qendër të Tianës dhe natyrisht, duke u nisur edhe prej natyrës profesionale përdorin termin e vjetër “rebelim” si një ndjenjë reaguese ndaj këtij ndërtimi. Nuk dua të fsheh faktin që më vjen çudi sesi sot në Shqipërinë tonë mund të ketë njerëz që “rebelohen” për ndërtimin e një ndërtese që sic thashë më lart nuk i mungon asnjë metropoli europian. Ndoshta sipas mendimit të tyre (këtu nuk nënkuptoj vetëm ushtarakët) do të ishte më mirë të mos kishim fare Katedrale ose më e pakta ta ndërtonim diku në periferi. Duket se më shumë shqetësimi i grupit ankues shkon se është marrë vendi ku dikur bënin dy pare muhabet, a thua se trualli për të cilën behët fjalë ishte e vetmja lulishte ne Tiranë.
Në artikullin e djeshëm aludohet edhe për përmasat e mëdha qe ka kjo katedrale krahasuar me murin ndarës me Ministrinë e Mbrojtjes. Por si do qe ta bëjmë Katedrale me përmasa të vogla nuk ka. Disa të tjerë bëjnë thirrje për mosdaljen nga “tradita” e ndërtimit të tempujve duke sjelle si shembull tempujt e vegjël që ndërtoheshin në kohën e pushtimit otoman. Por ndërsa atëherë kishte një arsye për ndërtimin e përulur të kishave, sot nuk ka asnjë logjikë ndërtimi me frikë i kishave sikur të ishim akoma të pushtuar. Për fat të keq jemi akoma të pushtuar nga mendësi të vjetra, por këto nuk do t’i ndalojnë të krishterët e jo vetëm të krishterët por të gjitha komunitetet që t’i ndërtojnë tempujt e tyre madhështorë.
Nuk duhet të harrojnë autorët e peticionit si pasojë e moshës së thyer që dikur Katedralja Orthodhokse ndodhej aty ku sot ngrihet hoteli “Tirana International” qe më pesëmbedhjetë katet e tij kalon në lartësi cdo godinë ministrore që ndodhet përreth, duke u ngritur mbi themelet e nje vendi të shenjtë. Kështu pra, duke bërë ndoshta një nga verpimet më të pjekura të realitetit postkomunist në Shqipëri, autoritetet shtetërore janë kujdesur që me procedura të shpejta të krijonin çdo lehtësim për fillimin sa më të shpejtë të punimeve për ngritjen e Katedrales. E këto veprime të qeverive që nuk bëjnë asgjë më tepër vecse e kompesojnë Kishën Orthodhokse për pronat dikur të konfiskuara, (prona që akoma nuk janë kthyer apo kompesuar plotësisht), duhet të mbështeten nga e gjithë elita intelektuale shqiptare.
Nuk më vjen mirë për prapambetjen e mentalitetit tonë shqiptar që edhe pse jemi një vend që kemi 17 vjet që kemi lënë mbrapa regjimin totalitar, këto vite nuk na kanë mjaftuar për tu çliruar nga ndjenjat “revolucionare” komuniste. Kur nga ana tjetër mund të përmend dy shembuj konkretë të dy shteteve akoma komuniste, por që u kujdesën me ndërhyrjen e vetë udhëheqësve të tyre për ndërtimin e Katedraleve Orthodhokse në zemër të kryeqyteteve të tyre.
Kështu në Kubë, nën interesin e vecantë të vetë Presidentit të vendit karaibian, z. Fidel Kastro, u ofrua një truall në kopshtin e bazilikës minore të Shën Françeskut të Asizit (kubanezët nuk hezituan të ofronin lulishte) në anën portuale të Havanës Koloniale që konsiderohet nën mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që prej vitit 1982. Ndërtimi i Katedrales Orthodhokse të Shën Nikollës me arkitekturë bizantine u ndërtua me shpenzimet e qeverisë si një dhuratë e popullit kubanez për Kishën Orthodhokse. Katedralja u konsankrua nga Patriarku Ekumenik Bartolomeu I, më 25 Janar 2004, ku gjatë të gjithë shërbesës 4 orëshe ishte prezent edhe vetë lideri kuban Kastro. Gjithashtu një habi për opinionin tonë publik, përveç rastit të mësipërm mund të përbëjë edhe ndërtimi për herë të parë të Katedrales Orthodhokse kushtuar Trinisë së Shenjtë në kryeqytetin e Koresë së Veriut, Pyungyang, edhe kjo me kërkesën dhe lejen e autoriteteve.
Ja pra, kjo është e vërteta zotërinj, e ne duhet të marrim shembull pikërisht nga zhvillimet botërore që duam të ndjekim e imitojme përditë e më shumë. Ka ikur koha e letrave dhe e peticioneve në grupe për qëllime të ndalimit të zhvillimeve. Ka ikur gjithashtu koha e prishjes dhe e rishtetëzimit të kishave. Kjo taktikë i përkiste një epokeje tjetër që tashmë duam apo s’duam e kemi lënë pas.
Njerëzit që janë vërtetë përparimtarë dhe që kanë patur edhe mundësinë të udhëtojnë e të shohin më shumë, si dhe njerëzit e kultivuar shpirtërisht me horizont e me vizion për të ardhmen e vendit asnjëherë nuk do të dilnin publikisht kundër një inisiative të tille gjigande si nga ana ekonomike, ashtu edhe nga ana arkitekturale, ndërmarrë nga Kryepiskopi Anastas, i cili do të kujtohet në të ardhmen jo vetëm si Ndërtuesi i Katedrales Orthodhokse në qendër të Tiranës, por edhe si Rindërtuesi i të gjithë Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë që po shënon veç përparim në historinë e saj moderne.
Aleks Curi
Botuar ne Gazeten "Shekulli" dt. 11-05-2007 (me shkurtime)
Krijoni Kontakt