Mesazhi i Imzot Nikonit
Fortlumturi,
Kryepiskopi Anastas,
Shkëlqesi, Hirësitë tuaja,
vëllezër klerikë dhe besimtarë,
“Kjo është dita që bëri Zoti, le të gëzojmë dhe ti falemi” (Ps. 118:24)
Çfarë dite të shkëlqyer dhe të lavdishme na ka dhënë sot Perëndia, përurimin e katedrales se re në qendër të Tiranës.
Siç e dimë, kur një pjesë e trupit të Krishtit vuan, ne të gjithë mpakemi dhe kur një pjesë e trupit të Krishtit feston dhe gëzon, gjithë trupi i Krishtit, e gjithë bota Orthodhokse, gëzohet.
Ne jemi më të privilegjuarit për të qenë pjesë e këtij celebrimi dhe unë e sjell tek ju gëzimin dhe lutjet e klerikëve dhe besimtarëve të Arqidioqezës Orthodhokse Shqiptare të Amerikës, ashtu si ne po gëzojmë së bashku.
Vëllezërit tanë hierarkë në Sinodin e Shenjtë të Kishës Orthodhokse në Amerikë gëzohen për këtë arritje të mrekullueshme dhe për përurimin e kësaj katedraleje shumë të lavdishme. E ndërtuar për klerin dhe besimtarët e Shqipërisë dhe Lavdi të Perëndisë.
Ne e dimë se të gjitha gjërat arrihen nëpërmjet Krishtit, Perëndisë sonë dhe nëpërmjet ndërhyrjes së Tij, dhe në shekuj Ai na ka dërguar e dhënë ne shumë burra dhe gra të shenjta, apostuj, mësues, predikues, episkopë, priftërinj, teologë dhe dishepuj, për të qenë duart dhe këmbët e Krishtit në botë dhe për të thënë e shpërndarë Fjalën e Tij të Lajmit të Mirë.
Për Kishën e Shqipërisë, ai na dërgoi ne Fortlumturinë e Tij, Kryepiskopin Anastas. Ai erdhi në Shqipëri me një synim, një detyrë dhe një barrë për të mbajtur: që të ishte mjeti i ringjalljes së Kishës këtu, në këtë vend të shenjtë.
Në 20 vitet e kaluara, një interval relativisht i shkurtër në historinë e çdo kishe, Fortlumturia Juaj e realizuat vërtet qëllimin tuaj për Lavdi të Perëndisë dhe e ngjallët vërtet Kishën e këtij vendi.
Klerikët dhe besimtarët, hierarkët nga gjithë bota, qëndrojnë me nderim duke parë arritjet në një periudhë kaq të shkurtër.
Falë nismave tuaja, duke punuar me klerikët, laikët dhe autoritetet civile, të Krishterët Orthodhoksë, Romanokatolikë dhe Myslimanë, Kisha këtu jo vetëm u riaktivizua, por është me të vërtetë e gjallë në Shqipëri dhe shërben si model i gjallë për gjithë botën. Puna juaj në këtë vend i ka treguar botës rrugën te misioni i vërtetë, përtej të pakapërcyeshmes.
Shpesh në jetën tonë baritore, nuk jemi të privilegjuar të shohim frytet e punës sonë, ndërsa jemi duke punuar tokën e Vreshtit të Tij, por jemi të kënaqur të dimë se kemi hedhur farat për t’u rritur dhe rigjallëruar. Kështu, Fortlumturia Juaj, ju mbollët farat, punuat tokën, duke ushqyer dhe ringritur me dashuri Kishën këtu në Shqipëri, jo si një monument për vetveten a lavdinë tuaj, por për Lavdi të Perëndisë…
Unë sjell tek ju gëzimin dhe lutjet e klerikëve dhe besimtarëve të Arqidioqezës Shqiptare në Amerikë, me rastin e përurimit të Katedrales në Tiranë dhe 20 vjetëve të udhëheqjes suaj plot me besim, vite që kanë parë shumë vështirësi, shumë pengesa, shumë postblloqe, të cilat nuk mundën t’ju pengonin nga thirrja juaj për t’i shërbyer njerëzve, që ishin të etur për të njohur Krishtin.
Kujtoj me dashuri pjesëmarrjen tuaj në njëqindvjetorin e festimeve të Arqidioqezës Shqiptare në Amerikë. Ndoshta ishte rruga juaj nëpër Orthodhoksi apo thjesht dashuria juaj, të cilat bënë që anëtarët e Arqidioqezës sime ende të flasin për këtë vizitë dhe kujdesin plot dashuri.
Për shumë, shumë vjet,
Fortlumturi!
Krijoni Kontakt