Pershendetje,
Ne kete teme do te sillen here pas here te rejat nga fusha e botimeve te librave ne France. Gazeta e madhe e perditshme "Le Monde", çdo te premte ka nje shtese prej 12 faqesh ku flitet per gjithçka nga bota e librit. E pse te mos dime atehere diçka ne lidhje me autore te rinj dhe te vjeter, per botimet e tyre te fundit ? Ma merr mendja qe keshtu do te afrohemi dhe pak me teper me librat, çka per mua mbetet diçka e pazevendesueshme.
Po e hap kete cikel me nje shkrim te shkurter mbi botimin ne frengjisht te disa pjeseve te zgjedhura te Ditarit te Joseph Goebbels. Prezantimi eshte i tepert, besoj.
Shembja e nazizmit e parë nga brenda
Le Monde des Livres, 27 janar 2006
Përkthyer nga frëngjishtja
Oiseau en vol
Kur në tetor 1923 Joseph Goebbels vendos të mbajë një ditar, ai është asokohe veçse një 25 vjeçar, doktor në filozofi, dhe me një të ardhme të pasigurtë. I kompleksuar nga gjatësia e tij e vogël dhe nga ajo këmbë e shtrembër që e ka penguar të luftojë në luftën e madhe 1914-1918, ai nuk do të vonojë për të hequr dorë nga karriera letrare të cilën e ëndërron, në mungesë të botuesve që ia refuzojnë të gjitha dorëshkrimet. Sidoqoftë, ai nuk mundet ta marrë me mend që agjitatori i turbullt mustaqelli i cili përgatitet të tentojë një puç në një birrari të Mynihut, do ta caktojë atë, njëzet e dy vjet më vonë, si zëvendësin e tij në krye të Rajhut të III-të që po jepte shpirt.
Për nga vëllimi i ditarit (42 783 faqe), nga shtrirja e tij kronologjike (17 tetor 1923-10 prill 1945) dhe nga vendi i lartë që autori i tij zinte në parti dhe në shtetin nazist, ky Ditar i Goebbels është një dëshmi si asnjë tjetër. Kjo është të thuash interesin e botimit të tij në gjuhën franceze, edhe pse edicionet Tallandier kanë zgjedhur të botojnë aty veçse copëza të shkëputura, duke përfshirë në katër vëllime pjesët më domethënëse të një teksti i cili, në botimin referencë të Institutit të historisë bashkëkohore të Mynihut (1993-2005), zë njëzet e nëntë vëllime.
Vëllimi që sapo është shfaqur është pra kronika e shembjes ushtarake të Rajhut, që nga disfata e Stalingradit, fillim 1943, e deri në shpartallimin e pranverës 1945. Në këtë vëllim duket qartë vështrimi i dykuptimtë që autori ka mbi atë çka ai do të duhej ta mbante për një katastrofë, por të cilën ai e vëzhgon në fakt me një kënaqësi dinake. Për Goebbels, çdo disfatë është kështu rasti për të vjellur zjarr dhe hekur mbi paaftësinë e shefave politikë dhe ushtarakë – duke filluar që nga Goering, ky "optimist nga natyra" që "shkon tepër shpesh me pushime" dhe "nuk preokupohet aq sa duhet me çështjet thelbësore" — për të nxjerrë në pah më mirë këndvështrimet e tij të veta pranë Hitlerit.
Ministri i propagandës, që është gjithashtu Gauleiter i Berlinit, ka në fakt një qëllim të madh : "luftën totale", dmth sundimin absolut të aparatit të shtetit mbi shoqërinë dhe ekonominë, sundim të cilin ai përpiqet ta paraqesë si "udha e vetme drejt fitores". Një shënim i 4 marsit 1944 na jep një ide mbi vendosmërinë e tij : "Ne kemi përcjellur një politikë kaq radikale vetëm përsa i përket çështjes çifute. Kjo politikë është e drejtë dhe sot ne kemi përfitime nga kjo." Që ai ia del mbanë ta bindë Hitlerin për ta emëruar atë "të plotfuqishëm në luftën totale" pas atentatit të dështuar të 20 korrikut 1944, kjo tregon qartë çmendurinë e një regjimi i cili largohet gjithnjë e më tepër nga realiteti ndërkohë që shthurja shtohet dita-ditës.
Me kusht që ai të lexohet me largësinë që duhet – detyrë kjo e lehtësuar nga shënimet e bollshme të historianit Pierre Ayçoberry —, ky Ditar na ofron një zhytje mbërthyese në misteret e Rajhut të III-të : një sistem njëkohësisht diktatorial dhe polikratik, monolitik dhe anarkik, ku pushteti varet më pak nga privilegjet zyrtare sesa nga besimi i dhënë nga shefi suprem ndaj vartësve të tij. Goebbels e ka kuptuar këtë dhe çdo faqe e ditarit të tij dëshmon mbi servilizmin e tij të pashembullt kundrejt Hitlerit. Lake cinik apo fanatik i sinqertë ? Do të mbetet mister psikologjia e një njeriu i cili, më 1 maj 1945, vrau veten pasi i ka bërë për tu helmuar gjashtë fëmijët e tij nga vetë gruaja e vet.
DITAR 1943-1945, nga Joseph Goebbels. Botim i përgatitur nga Horst Möller dhe Pierre Ayçoberry. Përkthyer nga gjermanishtja Dominique Viollet, Gaël Cheptou dhe Eric Paunowitsch, Tallandier, 798 faqe, 35 €.
Thomas Wieder
Krijoni Kontakt