Debate për krimet e regjimeve totalitare pas 15 vitesh, pas rënies së murit të Berlinit
KE: Komunistët vranë 100 milionë njerëz
Komunistët: Eshtë një betejë e humbur. Merruni me terrorizmin
Nga Strasburgu Rezear Xhahiu
Tri orë debat. Mbi 50 oratorë dhe shume pro dhe kundër. Kjo ka qenë ajo çka ka përcjellë seanca kushtuar dënimit të krimeve të regjimeve totalitare, e cila në përfundim të saj doli edhe me një rezolutë.
Me 99 vota pro, 42 kundër dhe 12 abstenime, Këshilli i Evropës ka kryqëzuar 15 vjet pas shembjes së tyre regjimet totalitare dhe krimet e kryera nga to. Pak orë para debatit ishte lideri i Partisë Komuniste të Federatës Ruse, Genadi Zhuganov, i cili gjatë një konference për shtyp për gazetarët deklaroi, se "kjo është një tentativë e pandershme për të ngritur një proces spektakël ndaj ideologjisë komuniste". Me një nuler të Pravdës në xhep, që datonte 1945 dhe me një flamur mbi tavolinë, ku dalloheshin drapri e çekani, Zhuganovi iu drejtua gazetarëve, duke u prezantuar edhe shokët e tij çekë, grekë dhe qipriotë, se "komunistët njihen për frymën kamaradeke të tyre". Por, asgjë nuk ka mjaftuar. Që në orët e pasdites, të djathtët, por edhe shumë parlamentarë që vinin nga vendet ish-komuniste, të ngrinin gishtin kundër Stalinit, Maos, Causheskut dhe gjithë diktatorëve të tjerë, të cilët kanë shënuar në librin e njerëzimit një turp ndërkombëtar. I takoi kristian-demokratit, Goran Lindblad, të raportonte, duke bërë kështu edhe akuzatorin ndaj regjimeve të zeza. Suedezi citoi shifra e fakte tronditëse të detajuara për çdo vend, duke sjellë një pjesë të historisë gjysmëshekullore, që mbretëroi në këto vende. Por, nuk kanë qenë të këtij mendimi të majtët dhe komunistet, sipas të cilëve, "ky raport i turpshëm të sjellë ndërmend luftën e ftohtë dhe teorinë makartiste". Zhuganovi, por edhe deputetë të tjerë të majtë ishin të mendimit, se një tentativë e tillë e Këshillit të Evropës "kërkon sërish të përçajë Evropën" dhe se, nëse sot Perëndimi e ka kapur me komunizmin, këtë e bën vetëm sepse ka dështuar në luftën ndaj terrorizmit. Për komunisten greke, Liana Kanelli, "Këshilli i Evropës ka për detyrë të mbrojë të drejtat e njeriut e jo të ribëjë historinë". Por, nuk kane qenë në këtë linjë diskutimet e të djathtëve të vendeve evropiane, por edhe të atyre të ish-Lindjes. Janë sjellë në sallë dëshmi e fakte, shifra e tmerre, të cilat, sipas oratorëve, duhen dënuar, në mënyrë që historia të mos përsëritet. Oratorë të ndryshëm folën me fakte dhe përmendën depërtimet, burgjet, kampet, vrasjet pa gjyq dhe hoqën paralele mes ideologjisë naziste dhe asaj komuniste. Në raportin e tij, Lindblad renditi shifrën 100 milionë të viktimave që ka shkaktuar komunizmi në të gjithë botën. Seanca ka rekomanduar edhe fillimin e një fushate publike sensibilizimi, në vendet ku ka mbretëruar komunizmi, e cila në fund të saj nuk ka arritur të adoptohet për mungesë të numrit të duhur të deputeteve në sallë. Ka pasur afro 85 pro, 50 kundër dhe 11 abstenime. Por, kërkoheshin 2/3 për një adoptim të rekomandimit, i cili kishte si qëllim ngritjen e komisioneve hetimore në vendet ish-komuniste.
Shifrat e vdekjes
Në raportin e tij, suedezi Goran Lindblad, u mbështet tek libri i historianit, Stephan Courtouis "Libri i zi i komunizmit", i cili ka renditur shifra të frikshme të viktimave në vendet ish-komuniste. Kështu, në Bashkimin Sovjetik numërohen 20 milionë viktima të burgjeve, kampeve të përqendrimit, vrasjeve pa gjyqe, urisë e grevave të urisë etj. Në Kinë numërohen 65 milionë viktima, në Vietnam, 1 milion viktima, në Korenë e Veriut, 2 milionë, në Kamboxhia, 2 milionë, në Evropën lindore, 1 milion, në Amerikën Latine, 150 mijë, në Afrikë, 1.7 milion, në Afganistan, 1.5 milion etj. Gjithsesi, sipas disa analistëve, një shifër e tillë duhet marrë me rezervë, sepse ende Kremlini, por edhe shumë vende të tjera ish-komuniste nuk kanë hapur të gjitha arshivat. Për komunistin Zhuganov "shifra të tilla janë false".
--Panorama--
Krijoni Kontakt