Close
Faqja 6 prej 6 FillimFillim ... 456
Duke shfaqur rezultatin 51 deri 53 prej 53
  1. #51
    e kupton ti bari se egzistojne arkiva ne gjithe boten mbi luften e dyte boterore?!

    vertet mendon se ia vlen te provokohet historia deri ne ate fare feje sa te rremohen arkivat dhe ti dalin petet lakrorit.

    Mendon vertet se eshte e veshtire te gjenden ne ditaret e oficereve dhe ushtareve nazi-fashiste kalime kushtuar bashkepunetoreve te tyre?!

    Ballistet doni te hanin ne te dy krahet. Nese luften e fitonte aksi ata ishin kolaboracionistet dhe qeverisesit e ardhshem. Nese luften do e fitonin aleatat perseri do te dilnin te palagur.

    A ka patur balliste iu bashkuan luftes kunder gjermanit? SIGURISHT QE PO.
    A ishte balli kombetar formacion politik kolaboracionist? SIGURISHT QE PO

    Ta persesis, ARKIVAT BOTERORE KANE REFERIME PER AKTIVITETET E B.K.

    A ia vlen te hapim kete plage duke provokuar veterantet e LANC?! Un them se jo.

    Dhe pikerisht sot nuk ia vlen sepse serbet po e bazojne propoganden e tyre (bej nje kerkim ne google "balli kombetar ss waffen skendebeg") kunder kosovareve ne genocidet qe BK ka bere perkrah nazi-fashisteve gjate l2b.

    Mos i provokoni femijet e deshmoreve dhe veteranet aty ku nuk mbajne se do te humbasim te gjithe

  2. #52
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    gazeta ballkan

    --


    Lajme nga Dosier

    “Takimi i parë me Mehmetin në shtëpinë e Bilbil Klosit”


    Autori i Lajmit: Leonard Veizi

    Këto kujtime janë një nga llojet e letërsisë dokumentare, ku personazhi flet për jetën e ish-komandantit të tij, Mehmet Shehut, si dhe për ngjarje të tjera historike. “Unë e njoha Mehmet Shehun në shtëpinë e Bilbil Klosit dhe që nga ajo ditë nuk i jam ndarë”, rrëfen midis të tjerash 84-vjeçari, Novruz Sulaj. Hekali, ku ka lindur Novruzi, ndodhet fare pranë Çorrushit, ku ka lindur Mehmet Shehu. Jo vetëm ndjenja e përbashkët e krahinizmit, por edhe lufta e përbashkët për të çliruar Shqipërinë nga pushtuesit, kanë bërë që midis Novruzit dhe Mehmetit të këtë patur një miqësi të sinqertë. Nga ana e tij, Novruzi thotë se nuk i është ndarë komandantit Mehmet, që nga çasti që është njohur me të. Përgjatë gjithë periudhës së luftës, ai ka qenë në krah të Mehmet Shehut, ndërsa pas çlirimit, për shkak të detyrës së rëndësishme të kryeministrit, edhe takimet e tyre kanë qenë më të rralla. Nga kujtimet e tij për ish-komandantin e Brigadës së Parë, Novruz Sulaj thotë se, në fund të korrikut 1942 u hap lajmi në gjithë Mallakastrën se kishte ardhur Mehmet Shehu, i cili kishte dalë nga burgu politik i Tiranës. Mehmetin nga Tirana në Mallakastër e sollën dy bashkëfshatarët e tij, Qamil Manja dhe Sulo Hyseni. Me prosi të kolonel Hysni Demës, Mehmeti duhej të paraqitej dy herë në javë në komandën e xhandërmarisë Fratar, i cili e zbatonte këtë urdhër me saktësi. Komandanti i xhandërmarisë Fratar ishte marshalli Abaz Sevrani. Mehmeti komunikoi me Abazin, duke i thënë se duhej të paraqitej tek ata dy herë në javë. Marshalli e pyeti: “I kujt je ti djalë?” Ndërsa Mehmeti i përgjiet. “Jam i Sheh Ismailit nga Çorrushi”. Atëhere marshalli Abaz Sevrani i thotë: “Dëgjo, ore djalë, mos i thuaj njeriu për këtë që do të të them, ti mos u paraqit fare këtu dhe vazhdo punën tënde se unë Sheh Ismailin e kam mik”.

    Gjatë kujtimeve të tij Novruz Sulaj thotë: Unë fotografinë e Mehmet Shehut e mbaj gjithmonë të varur në murin e dhomës sime të shtëpisë, në atë dhomë ku pres njerëzit e mi dhe mysafirët e rastit. Unë jam munduar të hedh shënimet e mia për ata komandantë seriozë, fisnikë e autoritarë”. Por Novruz Sulaj tregohet i gatshëm të flasë dhe për gazetën “Ballkan”:
    Cili ishte Mehmet Shehu për ju?
    Figura e Mehmet Shehut është figurë e shquar në luftën e Spanjës. Në mendjen e çdo shqiptari Mehmet Shehu mbetet heroi legjendar dhe komandanti i lavdishëm. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare tregoi që Mehmet Shehu ishte një ushtarak, politikan e drejtues i zoti. Kryeministër i Shqipërisë për 27 vjet, ku spikati drejtimi kompetent e këmbëngulës i një udhëheqësi largpamës. Mehmet Shehu, ministër i Punëve të Brendshme, drejtoi dhe organizoi grupet për asgjësimin e diversionit në tri shtete, Greqi, Jugosllavi e Itali dhe e bëri dikasterin që më 1949 në Moskë do të zbarkonte një avion amerikan, duke njoftuar kështu Ministrinë e Brendshme sovjetike. Mehmeti, me trimërinë e besnikërinë e tij, e bëri qeverinë për popullin. Mehmeti, me pseudonimin “Vjosa”, i dha tmerr armikut të brendshëm e të jashtëm. Kur gjermanët e ballistët dëgjonin fërshëllimiën e bilbilit të Vjosës iknin nga frika se i mbërtheu Brigada e Parë, duke lënë pozicionet. Më 1932-in Mehmeti mbaroi shkollën teknike “Harri Fultz” dhe shkoi në shkollën ushtarake në Napoli (Itali). Në shkollën ushtarake ishte student i mirë, por kapet me literaturë komuniste, ku përjashtohet nga shkolla si komunist. Mehmet Shehu më 1937-ën shkoi në Francë, nga ku hidhet në Spanjë ilegalisht dhe u ingranua në rreshtat e Brigadës 27 “Garibaldi”. Në fillim nuk pranoi të ishte drejtues, por luftoi si ushtar e më vonë caktohet komandant batalioni. Republika nuk fitoi, kështu republikanët u shpartalluan.
    Si jeni njohur me Mehmet Shehun?
    Unë, shokun Mehmet, e njoha në shtëpinë e Bilbil Klosit në javën e parë të gushtit 1942, ku ma prezantoi i zoti i shtëpisë. Ne u gëzuam shumë për këtë njohje. Mehmeti na tha: A ju vijnë komunikatat dhe nga ju vijnë?
    I përgjigjem: Na vijnë nga dy drejtime: nga Ballshi, që i bie Sali Merkaj në shtëpinë e Eqerem Qamilit dhe nga Selenica na i bie Tahir Llanua në shtëpinë e Qazim Agait.
    Vazhdon Mehmeti: A ka djem të aratisur nga ushtria?
    Përgjigjem: Nga Hekali, dhjetë të armatosur.
    Po studentë? - pyeti ai.
    Kanë ardhur 4 vetë, - iu përgjigja unë.
    Bilbil, - vazhdoi Mehmeti, - atëherë kemi shumë djem të arratisur.
    Në dhjetëditëshin e parë të vitit 1942, Mehmeti mblodhi të gjithë ilegalët civilë e ushtarakë. Ai e pyeti Bilbilin në kishte kusarë?
    -Po, - thotë Bilbli, - deri sot qarkullojnë tri banda.
    -Bilbil, do të bëjmë një organizim dhe këto banda do t’i thërrasim. Po grupe edukative a ka?
    -Po, - thotë Bilbili, - në Hekal janë tri grupe.
    -Kush i drejton, - pyet Mehmeti.
    -Një, Namik Qazimi, një Neshat Hamitaj dhe të fundit, Sami Pashaj, - përgjigjet Bilbili.
    -Ka shumë të rinj, - vazhdoi Mehmeti.
    -Janë tri grupe me nga 15 të rinj, -thotë Bilbili.
    -Posi, - vazhdoi Mehmeti, - paska plot të rinj.
    -Hekali është bazë e këtyre, - përgjigjet Bilbili.
    -Dëgjo Bilbil, do të bëjmë dy mbledhje, atë të qeverisë së Ballshit dhe atë të 5 komunave me patriotët, parinë, etj., thotë Mehmeti.
    Ky ishte fillimi i organizimit. Po më pas?
    Pas këtyre mbledhjeve Mehmeti bashkë me Idrizin e Bilbilin shkuan në komitetin e Partisë Vlorë-Mallkastër. Mehmeti zgjidhet sekretar organizativ i Komitetit të Partisë. Më 15 gusht 1942 u krijua njësiti i parë partizan i Mallakastrës. Që këtu fillloi aktiviteti luftarak i njësitit partizan. Çdo veprim bëhej me urdhër dhe me udhëzimet e Mehmet Shehut. Njësiti filloi aktivitetin e tij duke prerë ndërlidhjen me Beratin, Vlorën, Fierin e Tepelenën. Ndaluan mbledhjen e të dhjetave dhe shpërndanë ato që ishin mbledhur. Vranë një spiun të Ballshit. Mehmeti ngarkoi dy shokë për armatosjen e popullit nga ana e Kërçokut, ku u krijuan dhe tri depo. Mehmeti organzoi rininë Antifashiste Komuniste në këtë zonë. Ai, së bashku me Bilbilin dhe Hysninë, shkoi në Pezë më 16 shtator 1942 për krijimin e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar. Me kthimin nga Peza filloi krijimi i Këshillave Nacionalçlirimtare në Mallakastër.
    (Vijon nesër)

    Ky lajm është publikuar: 28/02/2006
    Urdhri i Partisë: Të zhduket gjithçka që kujton Mehmetin


    Autori i Lajmit: Mystehak Xhemali

    (Vijon nga numri i kaluar)
    Me vetëvrasje u klasifikua edhe asgjësimi i njërit prej dhëndurrëve të Arshiut. Quhej Llazo Polo. Ishte i martuar me vajzën e madhe të Arshiut, me Verën. Me origjinë ishte nga Lunxhëria, por jetonte dhe punonte në Fier. Me Llazon njiheshim qysh herët. Kishim qenë shokë në shkollën e mesme në Gjirokastër. Ai ishte edhe shkrimtar. Kishte botuar dy libra me tregime humoristike, si dhe bashkëpunonte me estradën e Fierit. Ishte njeri i qetë dhe i patrazuar me të tjerët.
    Instruktori
    Në ato vite Llazua punonte si instruktor në Bashkimet Profesionale të rrethit të Fierit. Pas vrasjes së Mehmet Shehut rrufetë ranë edhe mbi atë, edhe pse ai vetëm njëherë ishte takuar me Mehmet Shehun. Ai nuk kishte patur asnjë përfitim nga ish-kryeministri shqiptar, si burri i mbesës së tij. Llazon e larguan menjëherë nga puna si instruktor në Bashkimet Profesinale. Edhe Verën po e kërcënonin me largim nga puna. Ajo punonte si llogaritare në Ndërmarrjen e Ujrave. Përkohësisht atë e çuan punëtore në ndërtim, ndërkohë që motrën më të vogël, Lirinë, e çuan në prodhim për riedukim, motrën tjetër, Merushen, e hoqën si mjeke nga spitali i Fierit dhe e degdisën në fshat. Në këtë mënyrë situata edhe në familjen Polo u bë mjaft dramatike. Paradoksi arriti deri aty sa edhe fëmija i tyre trevjeçar u akuza nga ana e edukatores së kopshtit, duke u shprehur në një orë bisede edukative, se ata “nuk e donin më Partinë”.
    Propozimi
    Në këto kushte edhe Llazua u flak në rrugë. Por duke qenë se ai ishte krijues dhe bashkëpunëtor i estradës së Fierit, kërkova ta merrja në sektorin e kulturës, me motivin “për ta patur atë sa më afër trupës së estradës”. Propozimin tim e pranuan, por me kusht që ai të punonte në fshat. U emërua në shtëpinë e kulturës të fshatit Kraps, jo shumë larg qytetit të Fierit. Ai mbeti i kënaqur nga kjo zgjidhje. I trembur nga situatat e krijuara, ai përpiqej që të ishte shumë korrekt në punën e tij. Por duket nuk mendonin kështu ata që thurnin intriga e plane djallëzore për ta çuar deri në fund hakmarrjen e tyre shtazarake. Një mëngjes ai u gjend i vdekur, i hedhur nga kati i pestë i pallatit, ku ai jetonte, në lagjen “11 Janari” në qytetin e Fierit. Atë natë ai ishte i vetëm në shtëpi. Edhe në këtë rast raporti i kriminalistëve shënonte vetëm një fjalë: Vetëvrasje.
    Fushata
    Pas këtyre asgjësimeve fizike, Enveri nisi një fushatë tjetër gjuetie, të padëgjuar ndonjëherë. Ajo i ngjante një çmendurie të vërtetë. Për të hequr nga kujtesa e shqiptarëve emrin e Mehmetit, ai urdhëroi që të prisheshin të gjithë simbolet përkujtimorë, që kishin lidhje me emrin e ish-kryeministrit shqiptar. Këto simbole si, pllakat përkujtimore, lapidarët, obeliskët, apo edhe simbole të tjerë, që përkujtonin luftën Antifashiste, duheshin prishur, pasi ato lidheshin me emrin e Mehmet Shehut, i cili dihej që gjatë luftës kishte zhvilluar një veprimtari të gjerë në këtë zonë. Kjo detyrë iu caktua për t’u zbatuar organit të Komitetit të Partisë në Fier. Mbi bazën e kësaj porosie sekrete, një grup pune i sektorit të edukimit u ngarkua që të ndiqte problemin.
    Simbolet
    Fillimisht u kërkua që të përcaktoheshin të gjithë simbolet përkujtimorë, që lidheshin me emrin e Mehmet Shehut. E duke qenë se këta ishin të shumtë e të shpërndarë thuajse në të gjithë fshatrat e Mallakastrës e pjesërisht në zonën e Myzeqesë, u desh një kohë pak a shumë e gjatë për të evidentuar këtë mori simbolesh të shpërndarë nga krahu i Vjosës në jug-lindje deri në grykëderdhjen e Semanit në veri-perëndim të rrethit të Fierit. Të gjithë këta simbole përkujtimorë, të gdhendur në gur e mermer, kishin lidhje me veprimtarinë dhe aktivitetin e Mehmet Shehut gjatë viteve të luftës Antifashiste në zonën e Mallakastrës dhe të Fierit. Duke qenë se numri i tyre ishte shumë i madh, u desh që të ngrihej një skuadër e veçantë punëtorësh, të cilët u pajisën me varre, çekanë e dalta për të shkatërruar gjithçka që lidhej me emrin e Mehmet Shehut.

    Asnjë përkrahje në emër të vëllait

    I pangopur me këto masa represive Enver Hoxha nuk harroi edhe Arshiun, vëllanë më të madh të Mehmetit, i cili jetonte familjarisht në Fier. Ai ishte një burrë i urtë dhe fisnik, i cili shikonte vetëm punën e vet. Edhe pse ishte vëllai i kryeministrit, Arshiu asnjëherë nuk e përdori emrin e tij për të patur përfitime personale. Ai punoi si mekanik i thjeshtë derisa doli në pension. Gjithashtu, Arshiu nuk kërkoi asnjë privilegj për shkollimin e fëmijëve të tij, ndonëse ata dalloheshin për rezultate të shkëlqyera në mësime. Djalin e tij të vetëm, Kujtimin, komiteti ekzekutiv i rrethit të Fierit e çoi në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, në të cilin zakonisht vinin fëmijët e njerëzve pa përkrahje politike, ndërkohë që fëmijët e pushtetarëve të atëhershëm preferonin që t’i çonion fëmijët e tyre, apo edhe të të afërmve të tyre, në fakultete “të zgjedhura”, si në Juridik, në Mjekësi, në Filozofi e tjera. Pasi doli në pension, Arshiu e kalonte kohën në shoqërinë e disa bashkëluftëtarëve të tij të vjetër, të cilët e respektonin dhe e vlerësonin atë për paanshmëri në vlerësimin e situatave të krijuara. Ai bënte pjesë në një organizatë partie pensionistësh të lagjes “Kastrtiot”, në qytetin e Fierit. Ai ishte fjalëpak dhe serioz. I vetmi pasion i Arshiut ishte dëshira e tij për të dëgjuar e mbledhur këngë mallakastriote. I pëlqenin sidomos këngët polifonike të burrave. Me një magnetofon pak të rëndë në krah, atë e shikoje që të asistonte në festivalet folklorike të rrethit të Fierit. Miqësohej me këngëtarët popullorë dhe jo rrallëherë u kërkonte atyre të këndonin edhe njëherë ato këngë, që atij i pëlqenin më shumë, të cilat i regjistronte në magnetofonin e vet. Edhe pse në një moshë pak të thyer, Arshiu nuk përtonte të shkonte edhe vetë nëpër fshatarat e Mallakastrës, ku e prisnin me shumë respekt. Edhe në këto raste ai nuk harronte të merrte me vete magnetofonin, në të cilin regjistronte këngët, që këndoheshin nga fshatarët e zonës.

    Ky lajm është publikuar: 25/02/2006
    Pas vetëvrasjes, si rodhën fatkeqësitë e fisit Shehu


    Autori i Lajmit: Mystehak Xhemali

    (Vijon nga numri i kaluar)
    Pasoja të tmerrshme do të pësonte familja Shehu pas asgjësimit të ish-kryeministrit shqiptar, Mehmet Shehu. Ashtu sikundër në gojëdhënat e antikitet, në të cilat Zeusi shfrynte inatin ndaj perëndive të Olimpit, kur ato nuk bindeshin urdhrit të tij, edhe Enver Hoxha e derdhi të gjithë mllefin dhe zemërimin inatçor të papërmbajtur mbi familjen Shehu. Pasojat tragjike të këtij mllefi kanë qenë nga më drithërueset. Edhe fantazia më e ndezur nuk mund të arrinte në këto përfytyrime. Por vetëm një mendje djallëzore, si ajo e Enver Hoxhës, mund të sajonte këto krime nga më monstruozet në historinë njerëzore. Hakmarrja e Enver Hoxhës ndaj ish-bashkëpunëtorit të tij më të ngushtë ka qenë gati-gati jashtëtokësore. Ajo u ngjan historive të klaneve mafioze. E para gjë që bëri Enver Hoxha ishte internimi i familjes së ish-kryeministrit shqiptar, me të cilin ai kishte bashkëpunuar për më shumë se 30 vjet, duke e vlerësuar atë si krahun e djathtë të tij. Me urdhër të Enverit, familja Shehu nisi kështu kalvarin më të egër, që njeh shoqëria njerëzore.
    Heshtja për një vrasje
    I pari, që e pësoi nga ky kalvar, ishte Vladimiri, djali i madh i Mehmetit. Ai u gjend i shkrumbuar në një dhomë të izoluar në qytetin e Gramshit. Burimet zyrtare të kohës heshtën për këtë vrasje, por zërat e përhapur nga agjentura sekrete e sigurimit të shtetit edhe këtë tragjedi e shpalli si vetëvrasje. Për këtë ngjarje nuk pati asnjë hetim. Gjithçka u mbulua nga një heshtje misterioze. Një dorë e stërvitur, pas një organizimi të përsosur mafioz, e asgjësoi djalin e madh të ish-kryeministrit shqiptar, i cili njihej si një inxhinier i zoti në fushën e elektronikës.
    Djemtë e kryeministrit
    Ndërkohë, dy djemtë e tjerë të Shehut, Bashkimi dhe Skënderi, u mbajtën për një kohë në internim në Belsh të Elbasanit, derisa edhe ata përfunduan në burg, të rënë moralisht e të traumatizuar nga organet e sigurimit.
    Një fat akoma më të hidhur pati Fiqiretja, gruaja e Mehmet Shehut, paçka se ajo kishte meritat e saj si gjatë luftës, ashtu dhe në periudhën e pas çlirimit. Ajo u burgos dhe u torturua barbarisht, deri në çekuilibrim të plotë mendor. E katandisur në këtë gjendje, me mungesë totale të vetëdijes, ajo u detyrua të përsëriste atë që i thoshnin hetuesët, të cilët, në të vërtetë, nuk bënin gjë tjetër veç diktonin një tekst të përpiluar nga mendja djallëzore e Enverit, sipas të cilit ajo “rrëfehej”, duke pranuar se së bashku me Mehmetin kishin planifikuar “asgjësimin e tij”, duke përdorur një lloj helmi me veprim të ngadaltë. Ajo pranonte, gjithashtu, se Mehmeti dhe ajo ishin superagjentë të disa shërbimeve të huaja. Ky ishte një lloj teatri mjeran.
    Tragjikomedia mjerane
    Si për ta bërë të besueshëm këtë tragjikomedi mjerane, Enveri shpërndau delegatë të KQPPSH-së nëpër rrethe, të cilët i pajisi me nga një kasetë, në të cilën ishte inçizuar edhe e ashtuquajtuara “dëshmi” e Fiqiretes. Kjo “dëshmi” u dëgjua në mënyrë të organizuar edhe në sallën e teatrit të Fierit. Zëri i Fiqiretes në kasetë ishte shumë i mbytur dhe mezi dëgjohej. Për të justifikuar këtë lloj denatyrimi të zërit të saj, i cili të jepte të kuptoje se fjalët i kishte të diktuara nga dikush tjetër, i deleguari u shpreh se një gjë e tillë shpjegohej ngaqë dëshmia e Fiqiretes ishte marrë nga hetuesit në kushte të vështira teknike. Natyrisht, këtë gënjeshtër shumë pak vetë duhet ta kenë besuar, pasi deklarimet e Fiqiretes ishin anormale. Por këto deklarime i duheshin Enverit sa për formë, pasi mbi këtë bazë ai hartoi “tablonë sinoptike”, sipas së cilës Mehmeti kishte planifikuar asgjësimin e tij.
    Asgjësimi i Fiqretit
    Pasi kapërxeu edhe këtë skenar, Enveri e rrasi Fiqiretin në burg. Por edhe duke e mbajtur aty, ai nuk ishte i qetë. Më në fund vendosi ta asgjësonte edhe atë. Një natë ajo u gjend e vdekur. Edhe në këtë rast, nga njerëzit e sigurimit, alibia ishte e njëjtë: Ajo u klasifikua si një vdekje e papritur në qelitë e spitalit burg të Tiranës. Natyrisht, edhe këtë alibi askush nuk e besoi. Por Enveri nuk u kufizua as me këtë hakmarrje barbare. Ai e hodhi vështrimin tek disa nga njerëzit më të afërt të ish-kryeministrit shqiptar. Në shënjestrën e tij u vunë vëllezërit e Mehmetit. Dy nga ata, Durua dhe Nexhipi, edhe pse ushtarakë me akademi e të specializuar jashtë shtetit, përfunduan në burg, duke çuar kështu në shkatërrimin e plotë të familjes së tyre. Me mjete torturuese ai arriti t’i shkatërronte ata moralisht, t’i përçmonte e t’i degradonte deri në kufijtë e çmendurisë.
    (vijon nesër)

    Ky lajm është publikuar: 24/02/2006
    Vdekja e Mehmetit, Enveri çon Kadriun në Mallakastër


    Autori i Lajmit: Mystehak Xhemali

    (Vijon nga numri i kaluar)
    Tri ditë pas asgjësimit të Mehmet Shehut në Fier vjen Kadri Hazbiu, në atë kohë anëtar i Byrosë Politike dhe ministër i Mbrojtjes. Ai ishte dërguar nga Enveri për të sqaruar “vetëvrasjen” e Mehmet Shehut, me etiketimin “Armik i Partisë dhe i popullit”. Enveri kishte nisur kështu avazin e vjetër të lojës “macja me miun”, që do të thoshte se edhe Kadriun e kishte vënë në rrethin e kuq të asgjësimit fizik.
    Duke e sjellë Kadriun në Fier dhe Mallkastër, Enveri arrinte kështu dy qëllime: Së pari, ai dinte të maste pulsin e mallkastriotëve se deri ku mund të shkonte “rebelimi” i tyre për këtë ndodhi dhe, së dyti, ai me këtë lëvizje vinte në gjumë Kadriun, të cilit tashmë ia kishte “kënduar këngën e vajit”, që do të thotë se edhe Kadriu do të pësonte të njëjtin fat si Petrit Dumja dhe Hito Çakoja, të cilët Enveri para se t’i vriste i ngriti edhe në funksione të larta shtetërore.
    Misioni
    Edhe Kadriu këtë “mision” të ngarkuar nga Enveri e mori si shenjë se ai tashmë do të ishte krahu i djathtë i diktatorit dhe, pse jo, mund të bëhej edhe kryeministër. Natyrisht që kjo ishte shenjë naiviteti, që, sidoqoftë funksiononte në favor të planeve djallëzore të Enverit.
    Kadriu erdhi në Fier me një lloj kapadaillëku. Ai e filloi bisedën sikur të ishte mëkëmbësi i Enver Hoxhës.
    -Kam ardhur këtu, – tha ai, – me porosi të shokut Enver për t’u thënë ca të vërteta për Mehmet Shehun. Ju kini dëgjuar vetëm trimërira për të, por në të vërtetë ai nuk ka qenë i tillë.
    Dhe nisi të tregonte se Mehmeti gjithmonë kishte qenë frikacak e mburravec. Ai kishte bërë krime të padëgjuara në Shqipëri, duke vepruar me kokën e tij e në kundërshtim me udhëzimet e Enver Hoxhës, të cilin ai e quante shpëtimtarin e kombit nga gjarpërinj të tillë, si Mehmet Shehun me shokë. Ai e quajti Mehmetin burrin më pa karakter në Shqipëri, i cili kishte mbijetuar falë zemërgjerësisë së Enver Hoxhës.
    -Gjithmonë e kemi kritikuar Mehmetin për gabimet e tij të rënda e, megjithatë, shoku Enver e ka mbajtur gjithmonë afër. Por ai ka qenë bukëshkalë i Partisë dhe i shokut Enver. Harram i qoftë buka e Partisë!
    Në pushim
    Pasi foli afro një orë për gabimet e padreqshme të Mehmet Shehut, u bë një pushim i shkurtër, para se Kadriu, si ç’tha ai vetë, të kalonte tek vetëvrasja e Mehmetit. Kadriu doli në korridor dhe, duke e hequr veten mjaft popullor, filloi të bisedonte “lirshëm” me pjesëmarrësit në atë takim. Ai nxorri nga xhepi një kuti duhani dhe filloi të dridhte një cigare. Dikush i tha se pse pinte duhan të dredhur e nuk pranonte paketat “Partizani”, të cilat në atë kohë kishin një linjë për prodhime “ekstra” për anëtarët e Byrosë Politike. Kadriu, si për t’u treguar sa më popullor e babaxhan, tha:
    -Ju nuk e dini atë historinë e atij shkodranit për duhanin. Po ua tregoj unë. Shkodrani thotë se me duhanin arrin tre qejfe: Qejfi i parë është ta dredhësh, qejfi i dytë është ta ndezësh dhe qejfi tretë është ta pish atë. Unë jam si shkodrani: Dua t’i provoj të tre qejfet.
    Dhe qeshi vetë.
    Pjesa e dytë
    Seanca e dytë e takimit nisi me tregimin e Kadriut për mbledhjen e Byrosë Politike të datës 17 dhjetor. Duke qenë se unë i kam ruajtur shënimet e atij takimi, do t’i shkruaj ato pjesërsisht ashtu siç i tha vetë Kadri Hazbiu, pa hequr asgjë nga fjala e tij.
    -Në mbledhjen e Byrosë Politike u diskutua, sipas rendit të ditës, gabimi i rëndë i Mehmet Shehut për fejesën e djalit të tij, Skënderit, me vajzën e Qazim Turdiut, daja i së cilës ishte armik i betuar i pushtetit tonë popullor dhe si i tillë ishte vënë në shërbim të agjenturës amerikane. Fjalën e parë në Byro e mora unë. E kritikova rëndë Mehmetin, duke i thënë: Ti, Mehmet, ke bërë një gabim të rëndë. Dhe nuk është e para herë që bën gabime të tilla. Edhe më parë Partia dhe shoku Enver të ka kritikuar, por ti kritikat e shokëve i ke hedhur prapa krahëve. Ty të është rritur mendja.
    Pasi tha dhe profka të tjera të këtij lloji, që në atë sallë vështirë ta ketë besuar kush, Kadriu tha:
    -Unë propozova vetëm një vërejtje, duke i kërkuar shokut Enver që edhe këtë radhë Partia, për interesat e saj të mëdha e jo për hatër të Mehmetit, t’i jepte edhe njëherë dorën atij. Ky ishte edhe propozimi i shokëve të tjerë të Byrosë, të cilët diskutuan dhe kritikuan ashpër Mehmetin. Atë natë do të fliste edhe shoku Enver, por, duke qenë se vajti shumë vonë, ai e la diskutimin për të nesërmen.
    Pas kësaj “burrërrie” të shokëve të Byrosë Politike, të cilët në atë mbledhje i qenkan drejtuar Mehmetit me “ti”, Kadriu nisi të tregonte të tjera profka.
    -Atë natë, pas mbledhjes së Byrosë, unë shkova për darkë tek një miku im në Laprakë. Po pse të mos shkoja? Ishte një natë e zakonshme pas një mbledhjeje të zakonshme të Byrosë. Atë natë tek miku im piva ca si shumë. E pse të mos pija? Në fund të fundit, isha tek miku im. Në shtëpi u ktheva pas mesit të natës. Njoftova rojen e brendshme, që të nesërmen do të ngrihesha vonë, pasi mbledhjen e Byrosë e kishim lënë në orën 11.00 të ditës. Por aty nga ora tetë e mëngjesit më merr në telefon shoku Enver, i cili më tha të shkoja në zyrën e tij. Nuk u vonova. Sapo shkela në zyrën e shokut Enver e pashë atë mjaft të tronditur. Ai më tha:
    -Kadri, e di se çfarë na ka gjetur?
    -Jo, – i thashë unë.
    -Mehmeti ka vrarë veten.
    Unë nuk e zgjata më tej, por thashë:
    -Shoku Enver ai është armik i Partisë.
    Përshtypja
    Kjo, në vija të përgjithshme, ishte biseda e Kadriut. Nga kjo bisedë, ndoshta jo vetëm unë, arrihej në përfundim se Mehmet Shehu jo vetëm që nuk e kishte vrarë veten, por në këtë vrasje ndoshta kishte gisht edhe Kadri Hazbiu. Kjo qe përshtypja ime e parë. Ndoshta, kam qenë i gabuar, por një gjë mund ta them me bindje: Aq sa e kam njohur unë Mehmet Shehun vështirë të besohet se ai mund të vriste veten dhe aq më shumë të donte të vriste Enver Hoxhën, apo të ishte superagjent. Nëse ai donte të asgjësonte Enverin, një gjë të tillë mund ta bënte fare lehtë, pasi ai kishte shumë kompetenca, kishte shumë mjete në dorë, kishte mundësi të pakufizuara, që edhe nëse ndodhte një gjë e tillë, përgjegjësinë t’ua kalonte të tjerëve.
    Së fundi
    Megjithatë nuk ka rëndësi nëse vrau veten, apo e vranë të tjerët. Një gjë është e sigurtë: Enveri e asgjësoi edhe atë, ashtu siç veproi edhe me bashkëpunëtorët e tij të mëparshëm. Ndoshta, kjo erdhi ngaqë autoriteti i Mehmet Shehut sa vinte dhe po rritej, gjë që nuk mund t’i pëlqente Enverit. Një gjë të tillë ai e ka shprehur hapur në një shënim, ku, ndër të tjera, thotë se për Mehmetin kishin filluar të këndoheshin edhe këngë, që, sipas tij do të thoshte se atij, Mehmetit, po i pëlqente kulti i individit, paçka se për Enver Hoxhën këndohej me detyrim nga mëngjesi deri në darkë, nga jugu deri në veri të Shqipërisë. Në Shqipërinë e asaj kohe peshkaqenët hanin njëri-tjetrin.
    (Vijon nesër)

    Ky lajm është publikuar: 23/02/2006

  3. #53
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    Si perfundonin ish partizanet ne kohen kur ne pushtet ishte vetem Partia Partizane..pra kur Azem e Sali .. Jozefin e kompani..ishin vec frymore .. pa asnje rendesi..:


    shekulli

    Eprorët, shokët dhe miqtë e mi ushtarakë që u pushkatuan


    Veli Llakaj

    Beqir Balluku, gjenerali që më dha diplomën e oficerit
    Tre nga emrat më të njohur të luftës e më pas në drejtimin e ushtrisë shqiptare, përkatësisht gjeneralët Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako, që do të pushkatoheshin dekada më vonë, ashtu si për shumë bashkëmoshatarë e kuadro të rinj ushtarakë, edhe për mua ishin, në një farë mënyre, idhuj. Edhe më pas, kur unë isha vartës i tyre, kur ngjita shkallët e karrierës deri në strukturat më të larta të ushtrisë, edhe kur m’u desh të përplasesha apo të dënoja veprimtarinë e tyre “armiqësore“, për mua kanë qenë dhe mbeten jo vetëm model si ushtarakë, por edhe si njerëz.
    Beqir Balluku ka qenë një nga gjeneralët më të vjetër dhe më me reputacion, i njohur në publik me shumë udhëheqës të tjerë kryesorë të kohës, deri atje sa në dasma e festa të caktuara atij i ngriheshin shëndete, bile duke e krahasuar dhe me ndonjë objekt të rëndësishëm industrial të vendit. Ja p.sh njëra prej tyre: “Në Fier, fabrika e pambukut, shëndeti Beqir Ballukut!”.
    Por unë si Veli, kisha dhe një kujtim tjetër me Beqir Ballukun, në kohën që kisha mbaruar shkollën e sapo isha diplomuar oficer. Në përfundim të studimeve në shkollën e Bashkuar të Oficerëve, ai më dorëzoi diplomën dhe me vendosi gradën e togerit. Beqiri ishte për mua një burrë babaxhan, i thjeshtë, i dashur, i komunikueshëm dhe shoqëror. Por pak operativ në njësi e reparte.
    Kudo, në të gjitha funksionet që kam qenë, unë kam pasur marrëdhënie mjaft të mira pune; asnjëherë nuk jam konfrontuar për asnjë lloj problemi. Kam pasur vetëm një përplasje me të në vitin 1974, në muajin prill, ku siç e kam thënë, nuk firmosa një dokument që më afroi, atë që më vonë do të quhej „Tezat e zeza“, të përgatitura nga „puçistët“.
    Petrit Dumja dhe operativiteti i tij
    Petrit Dumen e kam njohur që kur isha kursant. Ai në aparencë tregohej tepër kapadai, mendjemadh, arrogant e prepotent. Në fakt, me këto veti në dukje, nuk ishin pjesë e karakterit të tij, por veçse kërkesë llogarie. Unë ruaj kujtimet më të mira dhe respektin më të lartë për këtë kuadër të devotshëm e tepër të nevojshëm për ushtrinë shqiptare. Petriti, po të mos gaboj në shprehje, do ta quaja shqiponjë, zemra, truri, motori dhe shpirti i ushtrisë. Ai ishte shumë i dashur me kursantët, skënderbegasit,
    ushtarët, e pse jo dhe me oficerët e të gjitha kategorive. Mund të fliste vrazhdë, por asnjëherë nuk të bënte keq; pra ishte shpirt mirë.
    Kujtimet e mbresat e mia për të janë të shumta; që nga jeta e kursantit gjer në komandant Korpusi e deri në dënimin e tij. Petriti, për mua, ishte modeli i karrierës ushtarake. Ai më ndoqi mua kudo si kursant, si oficer i rangjeve të ulëta, si komandant toge në shkollën e bashkuar të oficerëve. Ai më mori në Ministrinë e Mbrojtjes në Drejtorinë e Përgatitjes Luftarake, ai më çoi në Akademinë Ushtarake. Jam i bindur se ai, me të mbaruar Akademinë Ushtarake, më emëroi shef shtabi brigade një vit, më pas më mori pranë Shtabit të Përgjithshëm si oficer drejtimi për dy korpuset e veriut. Petriti më propozoi në organizatën e partisë (pasi e bënim bashkë jetën e partisë) për komandant të Brigadës së Parë menjëherë pas agresionit të Çekosllovakisë. Ai me Hito Çakon miratuan e më kanë propozuar pranë udhëheqjes për komandant korpusi në Burrel e më pas në Korpusin e Parë të Mbrojtjes Bregdetare të Fierit, një nga korpuset më të mëdhenj të ushtrisë.
    Për mua që u ngjita më pas në krye të Shtabit të Përgjithshëm, nuk ka asnjë qelizë të ushtrisë që të mos jetë mendja e dora e Petrit Dumes; nuk ka asnjë copë toke shqiptare që të mos ketë shkelur ai, nuk ka asnjë repart që të mos ketë firmën e tij, nuk ka asnjë oficer apo ushtar që të mos e ketë takuar ai kudo, në çdo majë lartësie, në çdo vijë kufiri, në çdo vijë uji bregdeti etj. . . Ushtria shqiptare ka pasur shumë shefa Shtabi të Përgjithshëm, por me përjashtim të Mehmet Shehut, asnjeri nuk mund t’i afrohej Petrit Dumes. Ndërsa fati i tij tragjik, është shumë më tepër se një absurditet dhe për atë kohë!
    Takimi im i fundit me Petrit Dumen e Hito Çakon
    Sis e kam thënë më parë, ishte dhjetori 1974 kur zhvilloi punimet Plenumi i 6-të i KQPPSH-së për dënimin e grupit “puçist“. Nga ky “tërmet“ u goditën edhe kuadro të tjerë (mes tyre edhe Rrahman Parllaku, Dilaver Poçi, Halim Ramohito, por tehu i goditjes fatale që çoi në pushkatim ishte për Beqirin, Petritin dhe Hiton.
    Analiza filloi me ashpërsinë më të madhe, ndryshe nga ç’pritej. Them kështu se raporti i Byrosë Politike të KQPPSH-së, i lexuar një natë më parë, nuk parashikonte akuzat që lëshoi Enveri në sallën e Plenumit ndaj “armiqve“ e „puçistëve“. Raporti që ne lexuam natën e mëparshme, në vija të përgjithshme, ishte ai i datës 14 dhjetor, mbajtur me kuadrot kryesore të ushtrisë. Në këtë raport të Byrosë Politike thuhej përafërsisht kështu: “Beqir Balluku në veprimtarin e tij armiqësore kundër partisë nuk ka qenë vetëm, po kështu dhe puçin ushtarak nuk mund ta bënte vetëm. Prandaj Byroja Politike, duke analizuar me hollësi këtë veprimtari konstaton se ai është më i gjerë se sa kaq. Ju Hito Cako, jini një revizionist i gjallë, kurse ju Petrit Dumja, nuk mund t’u vëmë në një shenjë barazimi me Hiton, se ju e keni dashur ushtrinë dhe keni punuar me përkushtim për të, por jo sipas mësimeve të partisë, por si pas kokës suaj!”.
    Kurse në analizë në plenum këta të dy u paraqiten si bashkëpunëtor të Beqir Ballukut, në një grup me të, për të përgatitur e kryer „puçin“ por që dështoi nga vigjilenca e partisë. . të mundshëm kundër partisë, po te mos kishte qene kaq vigjilente partia. Anëtarët e Komitetit Qendror, diskutuan me ashpërsi dhe i cilësuan armiq!!
    Unë në këtë diskutim Petrit Dumen e kisha një karrige para, kurse Hitua pak më majtas. Nga goditjet e ashpra dhe të papritura në këtë analizë Petrit Dume si duket e humbi fare toruan dhe filloi të dërsijë nga sikleti. Edhe shaminë si duket nuk mundi ta gjente ose e kishte harruar në shtëpi, ndaj në një moment u kthye prapa dhe më kërkoi shaminë të fshinte djersët. Ia dhashë me kënaqësi, por edhe me dhimbje për pozicionin e tij në atë situatë. Pasi i fshiu djerset, tentoi të ma jepte, por unë i thashë: “Të lutem, mbajeni se kam tjetër, kur në të vërtetë nuk kisha. Gjatë diskutimeve, ai, Petriti, u zu gafil (ngushtë) dhe nuk ishte në gjendje të reagonte ndaj pyetjeve provokuese e të paqena. Ai tha: “Nuk mund të diskutoj mbi këtë bazë që diskutohet e trajtohet problemi këtu, pasi unë jam përgatitur me shkrim, por sipas raportit të Byrosë Politike dhe fjalës së shokut Enver në Byro!“
    Të gjithë iu vërsulën e nuk e lejuan jo vetëm t’u përgjigjej pyetjeve, por as të shtonte fjalët se këto akuza nuk i pranonte se nuk qëndronin. Atëherë iu vërsulën e nuk e lejuan fare të diskutonte apo t’u përgjigjej pyetjeve, por u propozua të arrestohet. Ai menjëherë u paralajmërua të dalë jashtë nga mbledhja dhe u urdhëruan njerëzit e sigurimit që ta arrestonin. Arrestohet dhe dënohet pas pak kohësh me pushkatim. Pra kjo qe ndarja ime e fundit me gjeneralin e talentuar e të dashur Petrit Dume.
    Pas tij radha i erdhi Hito ÇCakos, i cili, si duket, ishte përgatitur shpirtërisht sipas asaj që ishte diskutuar më parë për të, e për probleme që u ngritën aty. Hitua mbajti një qëndrim shumë me kurajoz se Petriti. Ai iu drejtua Enver Hoxhës: “Nuk jam aspak revizionist, por një komunist i vendosur deri në fund të jetës sime. Revizionistët shiko se mund t’i kesh aty pranë vetes dhe duhet t’i përcaktosh!“. Se ku e gjeti këtë kurajo dhe se për cilin e kishte, nuk dihet. Kaq u desh dhe të gjithë u vërsulën mbi të, duke thënë: “Të arrestohet!“ Dhe ky u arrestua po në sallën e mbledhjes. Kujtoj një detaj ku pas leximit të raportit në plenum, u bë një pushim i vogël dhe si zakonisht aty shtrohej dhe një lloj banketi, me kafe dhe ndonjë mollë. Hitua po qëndronte në sallë i vetmuar. Unë i shkoj pranë dhe e ftoi të pimë një kafe. Ai më thotë: “Të lutem, largohu, shiko punën tënde, nuk po e merr vesh se ne po shkojmë si qeni në vreshtë dhe po e mbyllim me ***!…“
    Pas tij e mori fjalën Rahman Përllaku, i cili ishte kritikuar shumë ashpër dhe në kohën e Beqir Ballukut kur u dënua dhe u përjashtua nga KQP-ja dhe partia, por Rahmani atëherë mori vetëm një vërejtje. Tani, në këtë analizë ai bëhej bashkëpunëtor i të njëjtës “llogore“ me Beqirin, Petritin dhe Hiton. Prandaj në pak minuta edhe ai arrestohet.
    Pas tij fjala iu dha Sadik Bekteshit, në atë kohë drejtor i Institutit të Studimeve Ushtarake e një ndër të akuzuarit po në këtë grup, i cili kishte futur e shtypur materiale revizioniste, se dhe shumë kuadro me të Sadikun në krye ishin marrë me materialet e “zeza” të Beqir Ballukut. Dhe ky e pësoi si të parët me masën përjashtim nga KQP-ja dhe partia. Më vonë internohet prej disa vitesh. Pasi u bënë këto arrestime, e pas një pushimi të shkurtër, filloi prapë mbledhja.
    Fjala iu dha Dilaver Poçit. Për të ishte parashikuar nga udhëheqja e lartë e partisë që të kthehej nga anëtar në kandidat të KQP-së. Pas shpjegimeve që dha Dilaveri për gjendjen e krijuar në udhëheqjen e lartë të ushtrisë, gabimet e tij në përbërje të kësaj udhëheqjeje nuk munguan përsëri sulmet nga më bajatet. Në këto kushte, Hysni Kapo ngrihet dhe bën një forme diskutimi të shkurtër, duke propozuar kthimin e Dilaverit nga anëtar në kandidat të KQP-së. Por turma që donte të merrte flamurin, u sul duke këmbëngulur se ai kishte gabime të mëdha në punën e ushtrisë. Iu drejtuan shumë pyetje, ku ishte shumë e vështire t’u përgjigjej, pasi nuk qëndronin e mohimi i tyre do ta çonte te shokët e sapoarrestuar. Megjithë përpjekjet që bëri, nuk i shpëtoi dot masës më të rëndë; përjashtimit nga KQP-ja. Më vonë u përjashtua dhe nga partia dhe kaloi në internim për gati 15 vjet, nga viti 1975 deri në vitin 1991.
    Pas tyre fjala i erdhi Halim Ramohtos, ish-zëvendësdrejtor politik i Ushtrisë. Halimi i shkretë nuk u lejua fare të diskutonte, pasi i pari e sulmoi Enveri, sapo doli në podium për të folur. Menjëherë u bë propozimi për përjashtim nga të gjithë funksionet partiake, pra dhe ky u përjashtua nga KQP-ja dhe partia. Më vonë u internua dhe u fut në burg. Sot qëndron solid i idealeve kombëtare shqiptare.
    Mbaruan të gjithë ish-anëtarët e KQP-së në udhëheqjen e lartë të ushtrisë në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore. Pra 6 vetë të cilët u cilësuan se kishin krijuar një KQP të vogël me vete në ushtri. Por kishte ngelur dhe një ish-kandidat i KQP-së në një njësi operativo -strategjike, pra një komandant korpusi që isha unë Veli Llakaj. Pas gjithë asaj trazire të madhe, nuk e kisha të lehtë t’i shpëtoja kësaj katastrofe, por mendova qe si të gjithë shokët edhe unë. Nuk ndodhi kështu. Kur disa filluan të më sulmonin, duke më bërë dhe pyetje provokuese, ndonëse jo të asaj shkalle si paraardhësit. Ndërhyjnë me radhë e japin sqarime tepër të zbutura disa anëtar të Byrosë Politike si Haki Toska, Hysni Kapo, Ramis Alia dhe në fund Mehmet Shehu. E kalova me një autokritikë, për shkak se më kishte munguar vigjilenca revolucionare etj. Ndërhyrja e Nexhmijes bëri që të më shtonin dhe një masë tjetër; atë të shënimit në kartën e regjistrimit.





    10/03/2006

Faqja 6 prej 6 FillimFillim ... 456

Tema të Ngjashme

  1. Izraeli
    Nga ORIONI në forumin Historia botërore
    Përgjigje: 29
    Postimi i Fundit: 19-11-2010, 16:22
  2. Dalja nga ndarja e fese - Vizita e Papes fillim historik.
    Nga DYDRINAS në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 02-12-2006, 08:25
  3. Universiteti i Tetovës kurorëzoi një 10-vjeçar historik
    Nga Studenti-Te në forumin Mentori akademik
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 07-03-2005, 15:59
  4. Zhvillimi historik i diftongjeve të shqipes
    Nga Fiori në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 23-04-2002, 00:29

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •