
Postuar më parë nga
Llapi
DIELLI NUK MUND TË MBULOHET ME SHOSHË! - Shkruan:Sejdi Veseli
DIELLI NUK MUND TË MBULOHET ME SHOSHË!
Shkruan:Sejdi Veseli
Këtyre ditëve të këtij qershori nëpër të gjitha komunat e Kosovës, përjashtuar enklavat serbijane dhe Kuvendin e saj, në vend se të bëheshin përgatitjet e duhura për shënimin e shtatëvjetorit të një epoke të pakontestueshme të lavdisë kombëtare, në realitet po bëhen veprime përgatitore për shënimin e përvjetorit të shtatë i invadimit të Kosovës nga forcat shumëkombëshe dhe i instalimit të një aparteidi sui generis, nga administrata proserbe e UNMIK-ut.
Lufta heroike e Famëmadhes Ushtria Çlirimtare e Kosovës e bëri të pakontestueshme këtë Epokë të lavdisë dhe krenarisë tonë kombëtare!
Nuk mund të kontestohet edhe nga kalemxhinjtë shpirtshitur, të dreqi dhe i biri, se ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila me luftën heroike që bëri, i detyroi formacionet operative ushtarake, paraushtarake dhe policore të pushtuesit serbo-çetnik , që të largohen me bisht ndër këmbë nga Kosova!
Edhe me këtë rast duhet cekur, se në dy muajt e fundit, kjo luftë e drejt dhe çlirimtare, u mbështet aktivisht edhe nga aviacioni i forcës më të madhe ushtarake të kohës-NATO-s.
Edhe në këtë përvjetor të shatë që nga përfundimi i kësaj lufte heroike, po bëhen veprimet përgatitore për mbajtjen e tubimeve të shumta përkujtimore, në emër të kësaj Epopeje të lavdisë kombëtare shqiptare. Siç e do e drejta, do të duhej të mbaheshin shumë fjalime dhe evokime kujtimesh, nga ish pjesëtarë të ditëve të dhembjes dhe të krenarisë sonë kombëtare. Por, për fat të keq, siç edhe mund të shihet, nuk do të ftohen shumica e atyre të cilët, jo vetëm se kanë çka të thonë, por edhe që e meritojnë ngase kanë qenë pjesëmarrës aktiv të kësaj Epopeje, ngase nuk janë të përshtatshëm nga organizatorët e këtyre tubimeve.
Siç është e ditur, në këto tubime jo pak profiter do të vazhdojnë përpjekjet e tyre për t’u promovuar si bashkëluftëtarë të Atyre, të cilët i shtuan lavdinë dhe krenarinë këtij kombi, duke i kthyer dinjitetin e nëpërkëmbur nga pushtuesi fashizoid serbo-çetnik, me gjakun dhe grykën e armëve të tyre çlirimtare.
Çka është edhe më keq, shumë nga folësit në këto tubim, do të tentojmë të promovojnë veten tyre edhe si drejtues të dëshmorëve të kombit, ndërsa realiteti është diçka krejt tjetër. Ky soj i profiterve të luftës, as që i kanë njohur fare asnjërin nga dëshmorët, por kanë dëgjuar nga të tjerët, për ta dhe për veprat e tyre heroike.
Mjerisht në mesin e këtyre folësve gjendet edhe ndonjëri prej atyre i cili ka kaluar nëpër flakët e luftës çlirimtare, nën uniformën e Famëmadhes UÇK, por që në bazë të sjelljeve të tyre të pasluftës u vetë shndërruan në individ të papërfillshëm, jo vetëm nga luftëtarët e vërtetë të lirisë, por edhe sidomos nga vetë populli i regjioneve të vendlindjes së tyre. Thjesht, ky soj i zhurmaxhinjëve tashmë janë letra të vetëdjeguara. Por, për fat të mirë, numri i këtyre faqëzave është i papërfillshëm.
Çka është edhe më keq, nëpër këto tubime do të shkumojnë para mikrofonave edhe ata të cilët qysh prej fillimit të veprimeve të para çlirimtare, shpifën pa dallim dhe në vazhdimësi vazhdojnë të shpifin kundër luftëtarëve të lirisë, edhe kundër atyre të cilët ranë në altarin e lirisë, se gjoja ata na qenkan “dorë e zgjatur e UDB-së”, se gjoja “këta janë të shitur të dreqi dhe i biri”, se gjoja “këta po na e prishin rehatinë”, se gjoja “këtyre kemi me ua pa sherrin”... ... ...
Nëpër manifestimet e organizuara për shënimin e këtij përvjetori, do të kakarisin edhe të atillët, të cilët jo vetëm se ishin deklaruar publikisht: “se diferencohen dhe distancohen nga prishësit e bashkëjetesës dhe vëllazërim bashkimit”, por që edhe kishin marrë pjesë në fushatat kërcënuese, për ta detyruar popullin që Ai të distancohet nga bijat dhe bijtë e tij më besnik.
Me fjalimet e tyre të përgatitura me mjeshtri, nëpër manifestimet për shënimin edhe të këtij përvjetori, do të përpiqen të promovohen si “patriotë të mëdhenj” edhe larot proserbe, të cilët jo fort moti, nëpër odat e tyre u kanë shtruar sofrat me plotë të mira ekspeditave të policisë kriminale serboçetnike, i kanë ushqyer me informata të gjithanshme dhe të mjaftueshme, dhe u kanë pri për t’i kapur në befasi djemtë e zgjedhur dhe vashat më besnike të popullit.
Nëpër manifestimet për shënimin edhe të këtij përvjetori, do të kakarisin si gjelat qafërrjepur edhe të atillët, të cilët në të kaluarën e afërt, jo vetëm se i kishin bojkotuar (“leqitë”) familjet e atyre të cilët ua rrezikonin “Bashkësinë e kombeve dhe kombësive të vëllazëruara dhe të barabarta të Jugosllavisë” së tyre të dashur, por edhe i patën ndërruar mbiemrat familjar për t’u dëshmuar, se e meritojnë taxhinë që u hidhej në strajca nga xhelatët e popullit.
Në mesin e folësve edhe në këtë përvjetor, do të përpiqen të promovohen edhe ata, të cilët që në fillim të luftës, jo vetëm se e refuzuan uniformën e Lavdisë Kombëtare, atë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por në bashkëpunim me shërbimet inteligjente të dreqit dhe të birit, nuk kursyen mund as mjete për ta penguar fillimin, zhvillimin dhe përfundimin me sukses të luftës së armatosur çlirimtare.
Këta zotërinj, si në përvjetorët e rënieve heroike të Dëshmorëve, ashtu edhe në këtë përvjetor, do të dalin para popullit, sikur manekinet në sfilatat e modës, të veshur dhe të pispillosur sipas trendëve më të reja mondane, për të llomotitur, se gjoja na qenkan të “vendosur” dhe në “angazhim” e sipër, për ta “quar në vend amanetin e Dëshmorëve të Kombit”.
Për këtë soj të shqipfolësve, deri në momentin kur me siguri do të nxirren para organeve të drejtësisë, për t’u përgjigjur për dëmet jo të vogla që i shkaktuan popullit, me gjuhën e të cilit shërbehen, as që e meriton të flitet.
Shumica e organizatorëve të shënimit të këtij përvjetori, mund të thonë çfarë të duanë.
Në shumicën e manifestimeve “kushtuar” këtij përvjetori, nuk i kanë ftuar më të merituarit.
Me këtë gjest shumë primitiv dhe me siguri të frymëzuar partiakisht, po e rishpalosin fytyrën e tyre të vërtetë.
Është momenti fundit që këta zotërinj ta kuptojnë njëherë e mirë, çka është në të mirën e tyre, se:
-pa pjesëmarrjen në manifestimet, sidomos të kësaj natyre edhe e atyre, të cilët me armë në dorë e lanë me gjakun e tyre të njomë, çdo cep të Atëmëmëdheut, për ta çliruar Atë nga thundra e pushtuesve fashizoid;
-pa pjesëmarrjen e bashkëshortëve dhe fëmijëve të dëshmorëve, shkurt pa pjesëmarrjen e Etërve dhe Nënëlokeve të UÇK-së, organizatorët e manifestimeve të tilla mund t’i konsiderojnë si t’u teket, por kurrsesi për nderë të shënimit të epopeve kombëtare!
Kjo formë e organizimit të shënimit të një përvjetori kaq të rëndësishëm, mund ta quajnë si t’ua do shpirtngushtësia e tyre, por kurrsesi të ngadhënjimit fitimtar të luftës të armatosur çlirimtare. Zaten, shumica e manifestimeve edhe e këtij qershori nuk mund të quhen ndryshe, pos edhe një maskaradë lajkatare e servilëve shqipfolës ndaj atyre qarqeve ndërkombëtare, të cilat me veprimet e tyre administrative-politike-diplomatike dhe ushtarako-policore, po përpiqen në vazhdimësi për ta larguar popullin tonë, nga liria e fituar nga bijat dhe bijtë e tij besnik, me shumë gjak dhe sakrifica.
Shumica e organizatorëve të manifestimeve të këtij qershori (në vigjilje të dt.12 dhe menjëherë pas saj), s’janë tjetërkush, pos të mandatuarit nga verdikti i votës së popullit. Siç edhe dihet, këtë besim të elektoratit shqiptar e fituan duke e mashtruar atë, se do t’i prijnë me vetëmohim dhe paanësi, drejt ditëve më të mira. Por ndodhi diçka tjetër, një numër jo i vogël i të mandatarëve të popullit, në vend se të përpiqeshin për t’i përmbushur premtimet që i kishin dhënë elektoratit, ata që prej fillimit të mandatit e shfrytëzojnë kontratën me zgjedhësit, në shërbim të përçarjes brendashqiptare, të pasurimit të shpejtë (me siguri jo të ndershëm), si të vetes, ashtu edhe të klaneve dhe akraballëkut të tyre.
Injorimi i qëllimshëm nga të mandatuarit e votës së lirë të popullit i atyre të cilët i ofruan çfarë patën të shtrenjtës Liri të Atëmëmëdheut, edhe gjatë shënimit të këtij përvjetori të shtatë të ngadhënjimit fitimtar të UÇK-së, kundër pushtuesit fashizoid, kam bindjen, se këto veprime të pahijshme i bënë, sipas direktivave nga partitë e tyre mëmë. Kjo është për çdo keqardhje. Por, mos të mashtrohen këta zotërinj, se me këto gjeste primitive, thjeshtë antikombëtare do t’i përdhosin veteranët dhe invalidët e luftës, familjet e dëshmorëve, familjet e viktimave të luftës dhe ish të burgosurit politik.
Jo!
Ata, me këtë gjest e kanë ritreguar vetëm primitivizmin dhe shkallën e “patriotizmit” të tyre!
Mos të mashtrohen, se më në fund populli ka filluar ta kuptojë një të vërtetë të madhe, se falë punës së “suksesshme” të shumicës prej folësve nëpër përvjetorë (kryesisht njëpartiake), qofshin ata të mandatuar apo të pamandatuar, sot:
-shumica e çlirimtarëve, jo vetëm nuk kanë kulm mbi kokë, por janë të papunë dhe pa asnjë mbrojtje sociale;
-pensionistet pa pensione;
-fëmijët e moshave të ndryshme, jo vetëm të luftëtarëve të lirisë, invalidëve të luftës dhe të punës, të dëshmorëve dhe të viktimave civile të luftës, të ish të burgosurve politik dhe të pensionistëve, si të atyre të plaçkitur nga pushtuesit, ashtu dhe të atyre të nxjerrur në pension pas luftës, me rroba të shqyera bredhin rrugëve. Ata bredhin edhe nëpër shi dhe acar, prej kafiterie në kafteri dhe para firmave të “shokëve”të baballarëve të tyre, ashtu të zbehët, në vend se të shkonin në shkollë, të detyruar nga kënga e mjerimit të zorrëve të tyre të njoma dhe të zbrazëta, me refrenin tronditës:”doni cigare, mbushje telefoni...”, “doni të bleni një çamçakëz...”, “ju lutem më ndihmoni”... ... ...
-edhe gratë e dëshmorëve dhe të viktimave civile të luftës, edhe Baballarët dhe Nënëloket e UÇK-së, shëtisin me qeska në duart e vyshkura nga pesha e moteve plotë dhembje, prej një kontejneri deri te kontejneri tjetër i mbeturinave, në kërkim të një kothere buke për të shuar urinë e jetimëve që rrisin.
Mos të mashtrohen këta zotërinj, se nuk e ka thënë populli rastësisht: “Më së ëmbli qeshët ai i cili qeshet i fundit!”
Me siguri, përfituesit aktual në kurriz të popullit, nuk do të jenë ata të cilët do të qeshën të fundit!
Me 12 qershor 2006, Prishtinë
Krijoni Kontakt