Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë miratuar një platformë me të cilën kërkojnë decentralizimin e pushtetit lokal, marrëdhënie të posaçme të Luginës me Kosovën, tërheqjen e ushtrisë dhe policisë serbe si dhe zëvendësimin e saj me polici shumëkombëshe.

Platforma është miratuar të shtunën nga 60 këshilltarë komunalë të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, komuna këto me shumicë shqiptare në pjesën jugore të Serbisë.

Në dokument kërkohet që Lugina e Preshevës të jetë një rajon i decentralizuar tërësisht nga pushteti qëndror serb, përfshirë këtu tërheqjen e ushtrisë dhe policisë serbe dhe zëvendësimin e saj me një polici shumëkombëshe.

Kyetari i Kuvendit Komunal të Preshevës, Ragmi Mustafa, i tha BBC-së se kjo platformë definon zgjidhjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në kuadër të zgjidhjes së statusit të Kosovës:

"Premabula përfundimtare është shumë e qartë, në qoftë se Grupi Negociator i Kosovës i ndërron parimet për mosndryshimin e kufijve të Kosovës që i ka aktualisht, në momentin që do të vijë deri te ndryshimi i kufijve, shqiptarët e Luginës së Preshevës do të kërkojnë t'i bashkohen Kosovës, gjë për të cilën janë shprehur edhe në referendumin e mbajtur në vitin 1992,"- tha zoti Mustafa.

Platforma politike e shqiptarëve të Luginës së Preshevës do t'i dorëzohet Grupit Negociator të Serbisë dhe atij të Kosovës, në mënyrë që, siç thotë zoti Mustafa, "shqiptarët e kësaj ane në mënyrë indirekte të jenë të përfshirë në bisedimet për zgjidhjen e statusit të Kosovës".

Kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës vijnë vetëm pak ditë pasi autoritetet e Serbisë miratuan patformën e tyre e cila parasheh krijimin e entitetit serb në Kosovë në kuadër të planit të decentralizimit dhe lidhjen e komunave serbe me Beogradin.

Naim Maloku nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo që bën pjesë në koalicionin qeverisës, mendon se është e rastit që platforma e shqiptarëve të Luginës së Preshevës është e ngjashme me platformën e Beogradit për serbët e Kosovës:

"Rastësisht po i gjason (platformës së Beogradit për serbët e Kosovës), por kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës janë legjitime edhe me impelementimin e marrëveshjes së Konçulit për çmilitarizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit. Unë mendoj se kjo nuk duhet të lidhet me statusin përfundimtar të Kosovës e as me decentralizimin e pushtetit në Kosovë. Statusi përfundimtar duhet të zgjidhet dhe pastaj të bëhet decentralizimi i pushtetit në tërë rajonin,"- tha për BBC- në zoti Maloku.

Edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike në opozitë, Fehmi Mujota, vlerëson se kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës janë legjitime, por ai u shpreh kundër kushtëzimeve të mundshme të zgjidhjes së problemit të pakicave në Kosovë e në Serbi gjatë procesit negociator për statusin:

"Konsideroj se është e drejtë legjitime e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për të hapur platformën e tyre, ndonëse format për të kushtëzuar, siç ka bërë platforma serbe dhe tash kjo e Luginës së Preshevës, besoj se do të jenë pengesa negociimi,"- tha zoti Mujota.

Ndërkohë, zyrtarët në Kosovë thonë se kufijtë janë të pandryshueshëm dhe sipas tyre pavarësia e Kosovës në kuadër të kufinjëve ekzistues është e panegociueshme në bisedimet statusore.

Ata përjashtojnë cdo mundësi për këmbim territoresh ndërmjet Kosovës e Serbisë apo për ndarjen e Kosovës.