Dy skuadrat e Bundesligës janë përballë sfidave delikate në Kupën UEFA
Festivali "i çmendur" i golave në Bundesligë duhet të pasohet me një festë në UEFA për skuadrën e Shalkes. Gjithsesi, trajneri i skuadrës, Mirko Slomka, paralajmëron të tijtë për kujdes, në prag të ndeshjes së parë kundër Espanjolit në Kupën UEFA. "Mendoj se skuadra shfaqet e çliruar pas asaj breshërie golash në ndeshjen e fundit. Por normalisht që një takim europian nuk mund të konceptohet si një ndeshje kampionati dhe prandaj duhet të hyjmë në fushë me një tjetër angazhim," - shprehet pasardhësi i Rangnikut, që në fakt kundër Espanjolit të vendit të 14 të në Spanjë, do të debutojë në Europë. Pas eliminimit të pafat nga Liga e Kampioneve, Shalke luan tashmë në UEFA, me synim përsëritjen e suksesit të vitit 1997. Gjithsesi, në takimin kundër Espanjolit, Shalke dhe trajneri Slomka duhet të bëjnë pa disa elementë të rëndësishëm të formacionit. Përkrah Hamit Altintopit, Dario Rodriguezit, Tomasz Valdohut dhe Kristian Panderit, skuadrës gjermane i mungon edhe një tjetër element i rëndësishëm si Levan Kobiashvili, që duhet të pushojë për shkak të tre kartonëve të marrë në Ligën e Kampioneve. Në anën tjetër, trajneri i Espanjolit, Lotina, është i pezulluar për këtë ndeshje. Në një tjetër ndeshje është e angazhuar edhe skuadra gjermane e Hertës së Berlinit, e cila do të ketë shumë probleme dhe mungesa për sfidën me skuadrën rumune të Rapidit të Bukureshtit. Berlinezët luajnë në fushën e tyre, aty ku për gjashtë ndeshje rradhazi kanë koleksionuar barazime. Sigurisht që synimi i këtij takimi do të jetë padyshim fitorja, për të bërë një hap deciziv për në turin tjetër. Gjithsesi, për trajnerin Gëtc ka shumë dyshime në lidhje me formacionin. Eshtë e qartë që Josip Simuniç dhe Oliver Shrëder do të mungojnë, ndërkohë që Andreas Neuendorf dhe Marko Panteliç janë të skualifikuar. Mbetet e paqartë gjendja shëndetësore e lojtarëve të tjerë titullarë të Hertës, si Gilberto, Dik van Burik, Marselinjo dhe Bastyrk, ndërkohë që dy lojtarët që morën karton të kuq në Bundesligë, Fati dhe Fridrih, do të kenë mundësi të luajnë në Europë.
Tifozët e Njukasëllit kërkojnë Hicfeldin
Pas largimit të trajnerit, Graeme Sounes, tifozët e Njukasëllit urojnë që pasuesi i tij të jetë Otmar Hicfeldi. Mbështetësit e klubit kanë firmosur që tani një peticion me 1400 firma në favor të trajnerit gjerman. Sipas informacioneve të britanikes "The Independent", Hicfeldi është një nga kandidatët kryesorë për t'u ulur në stolin e Njukasëllit. Gjithsesi, vetë 57 vjeçari duhet të ketë dyshime, nëse një trajner gjerman do të paguhet apo jo nga klubi anglez. Përkrah Hicfeldit përfliten edhe emrat e Martin O'Neillit dhe francezit Zherard Hulier.
Rudi Asauer, dorëheqje në vitin 2008
Edhe dy vjet dhe Rudi Asauer do të japë dorëheqjen nga bota e drejtuesve të futbollit. Gjithsesi, menaxheri i plotfuqishëm i Shalkes ka bërë me dije se do të vazhdojë të mbajë deri në fund të mandatit postin e presidentit. "Jam menduar për këtë punë gjatë javëve të fundit. Mendoj se në vitin 2008 duhet të tërhiqem nga biznesi i futbollit," - është shprehur 61 vjeçari, duke shtuar se "në një moshë të tillë, unë nuk mund të punoj më për 14 deri në 16 orë." Gjithsesi, Asaueri ka konfirmuar se do të vazhdojë të mbajë postin e presidentit të klubit.
Hanoveri rigjen mbrojtësin Per Mertesaker
Per Mertesakeri i Hanoverit është rikthyer të stërvitet normalisht me skuadrën e tij. Lojtari i kombëtares, që kishte munguar për shkak të një dëmtimi në këmbën e djathtë, ka zhvilluar dje seancën e parë stërvitore në këtë vit 2006 dhe nuk ka pasur asnjë problem. Mertesakeri ka shumë mundësi që të rikthehet në formacionin titullar të skuadrës, që në ndeshjen e radhës në Bundesligës, kundër Bajernit të Mynihut. "Unë jam i bindur që Peri do të arrijë të luajë kundër Bajernit," - konfirmon trajneri Peter Noirurer.
Krijoni Kontakt