Janar 7, 06
Plagosen 6, në pranga 15 vetë
Gjashtë persona janë plagosur rëndë dje, pas një shkëmbimi me armë zjarri që ka ndodhur ndërmjet dy grupeve, një grupi shqiptarësh dhe një grupi libanezësh. Policia gjermane ka vënë në pranga rreth pesëmbëdhjetë persona. Qyteti i Bremas, në veri të Gjermanisë, dje është gdhirë nën breshërinë e armëve të zjarrit. Një zëdhënës i policisë, bëri të ditur se po punohet për zbardhjen e motiveve që kanë çuar në konfliktimin e një grupi shqiptarësh me një grup libanezësh. Prej hetimeve paraprake, policia thotë se dyshon që dy grupet rivale janë grindur për larje hesapesh, por ende nuk është zbardhur pista e saktë që ka çuar këto dy grupe të drejtojnë dhe zbrazin armët në drejtim të njëri-tjetrit. Kontradikta ka marrë start rreth orëve të mesnatës së të enjtes, kur disa persona kanë ushtruar dhunë fizike mbi një shqiptar, i cili punonte si badigard në një lokal nate që gjendet pranë stacionit të trenit në Brema. Pas dy orësh, shqiptari i keqtrajtuar, së bashku me një grup miqsh, hapi zjarr me breshëri armësh në drejtim të një grupi libanezësh, të cilët ishin duke qëndruar pranë një klubi nate, që gjendej disa metra më tej. Edhe pjesëtarët e grupit libanez i janë kundërpërgjigjur breshërisë me armë zjarri dhe si pasojë, kanë mbetur të plagosur rëndë gjashtë persona. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, duke bërë arrestimin e rreth 15 personave dhe po punon për zbardhjen e saj.
Krijoni Kontakt