75-vjetori i kishës orthodhokse shqiptare të “Shën Thomait” në Farmington Hills Michigan U.S.A.

Ajo u ngrit me kontributin e të gjithë besimtarëve

Më 16 tetor 2005 u zhvillua ceremonia me rastin e 75-vjetorit të kishës orthodhokse shqiptare të shën Thomait. Kjo kishë u ngrit me kontributin e kolonisë shqiptare që jeton në shtetin e Michiganit.
Shkëndinë e parë të krijimit të kishave shqiptare në Amerikë e dha mesha e parë shqip, që u mbajt në Boston Ma. në Tremont st. nr. 227, më 22 mars 1908, në sallën e kalorësve të Nderit, të cilën e bëri Fan Noli, i cili u dorëzua prift atë muaj. Mesha shqip ndikoi shumë në shqiptarët e atëhershëm. Për këtë më ka treguar babai im, Vangjel Laço, i cili kishte marrë pjesë në të. Pas leximit të Ungjillit në gjuhën shqipe, përkthyer nga Noli, unë thoshte babai, lexova po në shqip apostolin. Për këtë ngjarje na u mbushën sytë me lot, kur dëgjuam meshë shqip dhe për Nolin filloi karriera e tij e shkëlqyer, që dha ndihmesë të madhe në formimin e kombit të ri shqiptar. Në fillim u ngrit kisha e shën Gjergjit në Boston Ma. e pastaj me radhë dhe kishat e tjera dhe kështu nga ndikimi i kësaj ngjarje para 75 vjetëve u ngrit dhe kjo kishë këtu në Michigan, që iu vu emri “Kisha e shën Thomait”. Për të festuar këtë 75-vjetor erdhi Dhespoti Nikon i dioqezës së Bostonit e i kishave të tjera shqiptare, si dhe Mitropoliti Theodhosius i dioqezës së Miçiganit, priftra që i shoqëronin dhe prifti i kishës At Dimitrie Vincent.
Ceremonia e liturgjisë fetare u zhvillua në mënyrë madhështore, ku himnet kishtare u lexuan si në gjuhën anglisht dhe në shqip. Kori i kishës e shoqëroi gjatë gjithë meshës me himnet fetare për Zotin dhe himne të tjera. Në fund të ceremonisë, duke dalë para altarit dhespotët dhe priftërinjtë që i shoqëronin uruan me ceremoni për shumë vjet gëzuar në dy gjuhët, këtë e kënduan në kor dhe gjithë pjesëmarrësit që ishin në kishë. Pastaj filloi kungimi nga të dy dhespotët e pastaj u nda nafora po nga këta. Pas ceremonisë u shtrua një drekë në sallën e kishës per nder të këtij përvjetori të 75-të. Salla ishte zbukuruar rreth e rrotull me kurora, tavolinat ishin shtruar me mbulesa të bardha, me në mes një tufe lulesh e një qiri të ndezur, në krye ishte tavolina kryesore për autoritet e kishës dhe rrotull kishte stenda me fotografi, që tregonin për jetën e kishës që nga fillimi i krijimit e deri në ditët e sotme.
U bë bekimi i drekës lexuan dhe thanë të gjithë lutjen në këmbë edhe pastaj u ulën për të ngrënë drekën e 75-vjetorit të kishës së Thomait.
Mbas drekës, u mbajtën fjalime përshëndetëse për urimin e këtij 75-vjetori. I pari e mori fjalën dhespoti Nikon, i cili foli për ngjarjet dhe për historikun e kishës, mbasi ai dinte shumë sepse kishte shërbyer prift për 17 vjet në këtë kishë. Ai para se të bëhej dhespot mbante emrin At Nikolla Liolin, dhe në këtë kishë kishte parë shumë raste gëzimi kur pagëzonte fëmijët e vegjël, kur u vinte kurorë çifteve të rinj ose me raste emrash e festash të ndryshme fetare, por kishte parë dhe raste hidhërimi, kur kishte përcjellë për në banesën e fundit njerëz që kishin lënë mbresa të thella në familjet e tyre. E pra, ai herë gëzohej dhe herë ngrysej për të gjitha këto ngjarje, por ai ishte i gëzuar dhe i lumtur që ishte midis këtyre njerëzve, që u kishte shërbyer.
Pastaj përshëndeti Mitropoliti Thodhosius, i cili uroi për përvjetorin e kishës dhe i dhuroi kishës një konizmë të Shën Thomait, e punuar me një stil dhe ngjyra të bukura. Pastaj e mori fjalën kryetari i grupit organizues të këtij 75-vjetori Filip Grameno (i nipi i patriotit korçar Mihal Grameno). Ai foli për historinë e kishës, për mundin dhe djersën që kanë derdhur patriotët e atëhershëm shqiptarë që nga krijimi i kishës e deri në ditët e sotme, sa punë kanë bërë, baballarët e tyre e sa bëjnë ata tani dhe fëmijët e tyre për ta mbajtur e ruajtur këtë kishë. Kjo kishë na ka mbajtur të bashkuar për të mbajtur gjallë traditat dhe zakonet shqiptare, këtu kemi ndarë dhe gëzimet, dhe hidhërimet, këtu jemi pagëzuar ne dhe fëmijët tanë, këtu kemi vënë kurorë ne dhe fëmijët tanë dhe kemi qenë gjithmonë orthodhoksë të mirë e të dashur me njëri-tjetrin dhe nga kjo kishë kemi përcjellë për në banesën e fundit të dashurit tanë. Pra kanë kaluar 75 vjet dhe ne brezi i vjetër dhe brezi i ri duhet ta ruajmë, ta zhvillojmë e ta ndihmojmë këtë kishë të shenjtë me të gjitha mënyrat; kështu do të ruajmë brez pas brezi traditat e zakonet tona e do të qëndrojmë gjithmonë të bashkuar.
Kryetarja e këshillit të kishës Loreta Gates përshëndeti gjithë pjesëmarrësit. Kisha jonë, vazhdoi ajo, ka një eksperiencë shumë të madhe për këto vite. Kjo ka filluar që me gjyshërit tanë, prindërit tanë, që bënin mbledhje për të mbledhur fonde që të ngrinin një ndërtesë që të vinin njerëzit e të luteshin.Tani ne, fëmijët, nipërit e mbesat e tyre, si dhe emigrantët e rinj që kanë ardhur nga Shqipëria pas viteve 1990-të, mund të mblidhemi të gjithë e të lutemi.
Gjithashtu folën edhe mjaft besimtarë të tjerë, të vjetër, por dhe të rinj, të ardhur në vitet e fundit. Të shkruash për aktivitetet e kësaj kishe gjatë 75 vjetëve duhet shumë, por unë shkruajta këto radhë që edhe besimtarët orthodhoksë në Shqipëri të mësojnë se këtu në shtetin e Michiganit ekziston një kishë shqiptare - kjo është kisha e Shën Thomait, e cila festoi përvjetorin e saj.

Sotiraq Laço