Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464

    Zhdukja e arkivit dhe e vërteta mbi hebrejtë

    U përkujtua dje 50-vjetori i vdekjes së Mustafa Krujës, një prej figurave të rëndësishme të historisë sonë në gjysmën e parë në shekullit XX. Gjatë konferencës që të afërmit organizuan nuk u pa asnjë përfaqësues i institucioneve kulturore, ndonëse Kruja ka dhënë një kontribut të madh në fushën e gjuhësisë, historisë dhe politikës.

    Gjatë takimit të djeshëm që mund të quhet një paraqitje shumë objektive e disa aspekteve të veprimtarisë së Krujës dhe aspak me tone revanshi kundër përdhosjes që i është bërë për gjysmë shekulli, drejtoresha e Arkivit të Shtetit, Nevila Nika, preku rolin që ai ka luajtur në jetën politike të fillim shekullit XX: firmëtar i aktit të pavarësisë, kryeministër për 13 muaj etj.

    Nika thotë se në arkiv mungon një pjesë e korrespondencës së Krujës në vitet 1925-1939, kur ai u detyrua të emigrojë. Përpos kësaj, qeveria e kohës urdhëroi shkatërrimin e gjithë dokumenteve të kuisling-ut. Aktualisht në arkiv ndodhen 637 faqe dokumente në dorëshkrim dhe të daktilografuara. Ky dokumentacion mbërriti në arkivin e shtetit në vitin 1963.

    Sipas drejtoreshës Nika,një pjesë e dokumenteve të daktilografuara mendohet se nuk i ka shkruar vetë Mustafa Kruja, por janë shkruar nga nëpunës të regjimit, për të provokuar “tradhtarin”. Më tej ajo tregon për dokumentet e tjera që provojnë se Kruja ka ndihmuar rreth 300 hebrenj të ardhur nga Kosova, që refuzoi t’ia dorëzonte gjermanëve.

    Çfarë dokumentesh ruan arkivi nga Mustafa Kruja, Kryeministër i vendit për 13 muaj, në vitet 1942-1943?

    Është i dokumentuar gjithë fondi i Kryeministrisë dhe i Parlamentit. Natyrisht që aty mund të gjenden shumë dokumente që flasin për veprimtarinë e tij. Kush dëshiron të studiojë Mustafa Krujën e ka krejt të lehtë.

    Aty gjendet vetëm veprimtaria zyrtare, po e lëmë mënjanë atë politike. Veprimtaria zyrtare kur ka qenë kryeministër, në qeverinë e Durrësit, drejtor shkolle. Këto janë veprimtari zyrtare krejt normale. Veprimtari politike unë do të quaja momentin kur ka qenë pjesë e parlamentit shqiptar.

    P.sh, debatet, diskutimet fjalimet në parlament. Ne i kemi sepse fondi i Parlamentit gjendet në arkiv dhe në këto dokumente ai shfaq mendimin e tij. Këto kanë të bëjnë me jetën politike.

    Është shfrytëzuar ky fond nga studiuesit?

    Jashtëzakonisht pak. Unë gjykoj që jo vetëm për Mustafa Krujën por edhe për gjërat e tjera, arkivi, dokumenti origjinal është parë shumë pak. Kjo për dy arsye: duhet shumëmundim sepse duke lexuar dokumentet, të duhet shumë më tepër kohë që të arrish në një përfundim.

    Arsyeja tjetër është se para viteve ’90, arkivi ishte i mbyllur, ishte në fuqi censura po edhe autocensura dhe në këto kushte ishte më mirë që të mos shikoheshin dokumentet origjinalë. Pas ’90-s ende vazhdojnë të parapëlqejnë një libër dhe nga libri në libër është shumë më e lehtë se nga dokumenti. Të lexosh një dokument origjinal në dorëshkrim, në gjuhë të huaj, është shumë e vështirë.

    Ju përmendët ndihmën që ka dhënë Mustafa Kruja për shpëtimin e 300 hebrejve që vinin nga Prishtina. A disponon arkivi dokumente për këtë?

    Dokumentacioni në arkiv është mëse i mjaftueshëm për të arritur në një përfundim apo për të gjurmuar një të dhënë që thuhet gojarisht. Mund të shkosh dhe të gjesh në të vërtetë historinë siç është ajo e kalimit të komuniteti hebre të Prishtinës për në Shqipëri. Natyrisht që do vuanin internime në Berat, në Kavajë, por që në të vërtetë nuk ishte internim sepse rrinin në qytet. Ekzistojnë dokumente të mjaftueshme për të konturuar një figurë si ajo e Mustafa Krujës.

    Nga lënda arkivore që ruhet tek kjo, çfarë ka interes të dorës së parë për historianët për një ndërtimin objektiv të figurës së tij?

    Ajo që i karakterizon gjithë atdhetarët e asaj kohë është fakti i të qenit shqiptarë me SH të madhe. Kjo do të thotë se e donin këtë vend ashtu siç ishte me të mirat dhe me të këqijat e tij. Ishte atdheu i tyre dhe nuk vinin asgjë përpara tij.

    Mendimet dhe bindjet e gjithsecilit për të arritur atë që kërkohej në shekull, që do të thotë pavarësinë. Ai është nënshkruesi i aktit të pavarësisë, ishte vetëm 25 vjeç dhe një nga më të rinjtë që merrnin pjesë atje, ishte punonjës i administratës së parë shqiptare në qeverinë e Ismail Qemalit, ishte në qeverinë e Durrësit.

    Kjo tregon se ai ishte një figurë aktive. Ai mundohet të shërbejë si shtetar, si nëpunës, si politikan, si shkencëtar sepse duke u marrë me gjuhën shqipe, duke bërë të pamundurën për gjetjen e shkollave, për përhapjen e gjuhës dhe të shkrimit shqip dhe duke bërë gjithë atë punë të madhe si gjuhëtar, tregoi që po i shërbente atdheut maksimalisht. Dhe që të veçosh në arkiv është e vështirë sepse ka shumë.

    Ju thatë që një pjesë e korrespondencës së Mustafa Krujës mungon. Çfarë boshllëku krijon kjo?

    Ai ka një periudhë të zbrazët me dokumentacion te ne, që i përket periudhës nga viti 1925 deri në 1939.Janë vitet e mërgimit të detyruar. Si ai pati edhe shumë personalitete të tjera që u larguan të cilët nuk e pranuan një diktaturë apo një regjim që shkonte afër diktaturës, siç është ai i mbretit.

    Çfarë mund të na thoni për “kuislingun” Mustafa Kruja, përcaktim që nuk i ndahet as sot?

    Trajtimi i tij si kuisling, si tradhtar, çdo epitet i keq që iu vu atij edhe të tjerëve, unë e gjykoj sot me gjakftohtësi dhe duke pasur në zotërim dokumentet. Nuk ka asnjë gjë të keqe të themi: Zoti Kruja, këtë nuk e bëri mirë. Gaboi kur mendoi që duke qenë me italianët do të ishim mirë.

    Duhet thënë këtë e bëre mirë dhe këtë e bëre keq, nuk ka asgjë të keqe sepse në fund të fundit ai bëri maksimumin e mundshëm që të ndihmonte në atë tollovi të madhe të Luftës së Dytë Botërore. Duhet të kemi parasysh që Shqipëria ishte një pikë uji në oqean. Ai u mundua, pati dhe simpatitë e tij personale. S’ka asgjë të keqe, Italia ishte një vend i zhvilluar dhe mund të na ndihmonte.

    Duke pasur parasysh që dy fqinjët e tjerë kishin pretendime tokësore ndaj Shqipërisë, kurse Italia jo. Ka arsye, por të gjitha këto ia vlejnë për tu studiuar. Jo vetëm për të thënë “kuisling” dhe këtu mbyllet historia. Sikur edhe “kuisling” ta gjykosh nga fillimi në mbarim je i detyruar të gjykosh mbi dokumente, mbi atë që është e shkruar jo mbi fjalë.

    Shekulli
    Sui generis

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Të Drejtët; Hebreja drejt familjes që i shpëtoi jetën në Shqipëri

    Të Drejtët; Hebreja drejt familjes që i shpëtoi jetën në Shqipëri

    XHIM AKSELROD, CBS


    Nesër është një përvjetor i dhimbshëm për shumë nga ata që i mbijetuan sulmit gjatë Luftës së Dytë Botërore, Kristallnachtit. Ajo gjithashtu shënon edhe një mundësi për të kujtuar trimërinë e Të Drejtëve ... qytetarët e një vendi të vogël që riskuan jetët e tyre për të mbrojtur refugjatët e dëshpëruar. Xhim Akselrod tregon një pjesë të këtyre historive mbresëlënëse.





    Johana Njuman është në një udhëtim prej më shumë se 70 vjetësh, një udhëtim që nisi në Gjermani. Ajo iku nga Hamburgu kur ishte vetëm 8 vjeç.

    Ajo e kujton këtë çast, pasi sipas saj, “kjo ishte një përvojë shumë e tmerrshme”.

    Jeta e saj ndryshoi në errësirën e egër të 9 nëntorit 1938, përgjatë Kristallnachtit, Natës së Xhamave të Thyer. Ishte periudha kur nazistët nisën një sulm të gjerë kundër komuniteteve herreje, duke vjedhur shtëpitë, shkatërruar bizneset, bombarduar sinagogat. Por kjo, ishte thjesht një paralajmërim për horronin që do të vinte.

    Babai i saj, duke iu frikësuar rrugës që kishte nisur vendi i tij, nisi përgatitjet për të ikur. Johana e re rrinte së bashku me të në një cep të tmerrshëm në bazamentin e pallatit të tyre.

    “Ai kishte me vete të gjitha korrespodencat dhe fotografitë, fotografi të rinisë së tij, të jetës së tij, – tha ajo, – dhe ai bëri marrëveshje me kaldajistin e pallatit të tij për t`i djegur të gjitha. Dhe e keni parasysh, çdo pjesë e tyre duke u djegur ishte si një copë e jetës së tij e hedhur dëm. Është sikur e gjithë jeta jote të jetë duke marrë flakë”.

    Pak muaj më vonë, Johana e vogël dhe prindërit e saj kishin ikur, duke lënë një herë e përgjithmonë Gjermaninë. Por sot, udhëtimi i Johanës nuk do ta çojë më në vendin e saj. Krejt e kundërta, ajo do të shkonte në një “parajsë të sigurt” që shumëkujt nuk do t`i shkonte në mendje dhe në një ribashkim të pazakontë me familjen.

    Edip Pilku po pret me ankth të përshëndesë gruan që nuk e ka parë për 62 vjet, por që qartësisht nuk e ka harruar: “Kujtimet jetojnë përgjithnjë”.

    “Do të qajmë apo jo? Do të puthemi apo jo”, – thoshte ai.

    Mund të thoni se Edipi është vëllai i Johanës ... të paktën, kështu i thanë ata nazistëve.

    “Familjet rreth e qark nesh nuk e dinin se ne po mbanim në shtëpi hebrenj, - thotë Pilku. - Mamaja ime kishte përhapur lajmin se ata janë të afërmit tanë nga Gjermania”.

    “Kjo është historia jonë kryesore?”, – pyeti Akselrodi.

    “Kjo ishte historia kryesore: Ne jemi gjerman nga Gjermania dhe ne jemi familja e tyre”,

    Ka një numër të madh të shembujve të njerëzve në botë të cilët riskuan dhe disa herë humbën edhe jetët e tyre duke ruajtur familjet hebreje, përgjatë pushtimit nazist. Por familja Pilku ishte në Shqipëri, një vend me shumicë 70% myslimane në Evropën Juglindore.

    “Pjesa e bukur e historisë është se në Shqipëri shkuan refugjatë hebre”,– thotë Deborah Duork, që ka shkruar një libër mbi refugjatët hebrenj përgjatë Luftës së Dytë Botërore.

    “Evropa e viteve 1938, `89, `40, akoma edhe `41, shihet tërësisht si një univers i mbyllur, - thotë ajo, - dhe hebrenjtë në këtë univers të mbyllur ishin duke kërkuar disa vrima, disa hapësira. Njerëzit filluan të pëshpëritnin ‘kam dëgjuar se nëse shkon në Shqipëri, do të jesh i sigurt’”.

    Të sigurt, sepse guri i themelit në shoqërinë shqiptare është Besa, premtimi për të trajtuar të huajt sikur të ishin pjesë e familjes ... dhe ruajta e tyre akoma edhe me jetën tënde.

    “Ka të bëjë me një sens të caktuar të nderit, një kod nderi që ata e marrin mjaft seriozisht, - thotë Duorku. - Nuk është thjesht t`i japësh dikujt diçka - një krevat për një natë apo një ushqim të ngrohtë. Është që të ofrosh realisht siguri, siguri të plotë. Ata vlerësojnë veten e tyre në bazë të këtij kodi e si pasojë e dinë se edhe fqinjët e tyre i gjykojnë në bazë të këtij kodi”.

    Ashtu si edhe fqinjët e tyre, edhe familja Pilku respektonte mjaftueshëm Besën ... dhe në besimin e tyre mysliman kjo do të thotë edhe mbrojtja e të tjerëve.

    “Roli i kulturës dhe traditave shqiptare dhe influenca e tyre fetare erdhën së bashku”, - thotë Duorku.

    Megjithëse mamaja e Edipit ishte me origjinë gjermane, ajo e përqafoi Besën dhe Islamin, sidomos pasi nazistët pushtuan Shqipërinë.

    Edipi tregon me krenari historinë kur mamaja e tij, duke folur me një theks të fortë gjerman, hidhte poshtë nazistët që dyshonin për Johanën dhe familjen e saj, jo vetëm një herë, por dy herë. “Mamaja ime u acarua shumë atë ditë, ajo u nervozua dhe tha: “Është hera e dytë. Jeni kaq dyshues sa të mos besoni se një grua gjermane nuk mban hebrenj në shtëpi? Unë nuk njoh hebrenj. Po humbisni kohën kot këtu dhe nëse vini sërish, do të ankohem. Është turp për ju që erdhët këtu!”

    “Ata e përshëndetën dhe ikën!”.

    Ndër gjithë këtë, mos harroni, Johana dhe prindërit e saj po fshiheshin përpara syve të të gjithëve.

    “Dhe këtu ju jeni takuar, keni kontaktuar me ushtarë gjermanë. A ishit të frikësuar? A ishte e vështirë për ju t’i shihnit në sy dhe të flisnit? - pyet Akselrodi. - Ju duhet të kujdeseshit gjithashtu që ata të mos kuptonin që ju ishit hebrenj”.

    “E saktë. Atëherë, mendoj se frika është fjala e duhur, – thotë Njuman. – Unë me siguri isha shumë e frikësuar përgjatë pushtimit, frikë se nuk do të mund të jetoja ditën pasuese”.

    Sipas Shkollës Ndërkombëtare të Studimeve për Holokaustin, Shqipëria nuk u ka dhënë asnjë hebre të vetëm nazistëve.

    Përkundrazi, kur gjermanët u kërkuan shqiptarëve që të jepnin një listë me identifikimin e hebrenjve në vend, qeveria shqiptare jo vetëm që nuk e hartoi këtë listë, por edhe paralajmëroi hebrenjtë që të fshiheshin dhe nxiti qytetarët që t`i ndihmonin ata.

    Në fakt, pas luftës, në Shqipëri jetonin më shumë hebrenj sesa përpara saj. Bëhet fjalë për një rekord të jashtëzakonshëm. Por, si ka mundësi që kaq pak veta dinë për këtë histori?

    “Për shkak të rënies së vendit në Shqipëri shumë pak pas vitit 1945, me regjimin drakonian komunist, – thotë Duork. – Për gjysmëshekullin në vijim, Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet me të gjithë, akoma edhe me vendet e tjera komuniste. Dhe në kohën kur zinxhirët u këputën, ajo çka ndodhi gjysmëshekulli më parë, nuk ishte aq urgjente sa nevojat emergjente të kohës”.

    Këtë e tregon edhe dokumentari që do të publikohet pak kohë më vonë “Shtëpia e Zotit” e fotografit Norma Gershman, i cili udhëtoi në Shqipëri, për të dokumentuar të gjithë anëtarët e gjallë të familjeve që mbrojtën hebrenjtë përgjatë Holokaustit.

    Gershan thotë: “Duhet të gjeja se çfarë bënë këta njerëz”.

    “Johana dhe familja e saj dhanë dëshminë e tyre: ‘Po, kjo familje shpëtoi jetët tona’”.

    Dhe Johana thotë se prindërit e saj, të cilët vdiqën që të dy në vitin 1961, gjithnjë dëshironin të riktheheshin në rrugën që i ndau nga familja Pilku përgjatë gjithë këtyre viteve.

    Edipi thotë se ndarja ishte shumë e rëndë për të. “Unë nuk e di se si ata ikën. Mamaja ime më shtyu në anën tjetër, sepse nuk donte që unë të mërzitesha, duke mos e ditur. Ata ikën ... fshehurazi”.

    Aleatët nxorën 14-vjeçaren Johana dhe prindërit e saj nga Shqipëria në shtator të vitit 1945.

    “Na thanë se ne nuk mund të shkonim dhe të thoshim lamtumirë, – thotë Johana, – sepse ekzistonte rreziku që të na arrestonin. Për prindërit e mi ishte një peng i vërtetë. Peng i tmerrshëm ... Asnjë mundësi për të thënë ‘faleminderit’”.

    Përfundimisht, disa dhjetëvjeçarë më vonë, ajo e pati këtë mundësi. Ky ishte udhëtimi i Johanës.

    “Kur e pe atë përsëri, gjashtëdhjetedy vjet më vonë, a mund të na përshkruash ribashkimin?”, – pyeti Akselrodi.

    “Atëherë, në njëfarë mënyre ishte paksa e çuditshme, - thotë Johana duke qeshur, - sepse kur unë ika, ai ishte thjesht një fëmijë i vogël dhe shikoje tashmë, një burrë të plakur! Ishte vërtet emocionuese, për këtë nuk ka pikë dyshimi”.

    Pas luftës, familja e Johanës qëndroi e sigurt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por në Shqipërinë e sapokthyer në komunizëm, një fat tërësisht i veçantë i priste anëtarët e familjes Pilku. Shumë shpejt ata shkuan prej stadit të të qenit mbrojtës, në atë të të qenit të diskriminuar. Dhe jeta e tyre si familje e bashkuar përfundoi në tragjedi, kur babai i Edip Pilkut u arrestua dhe u ekzekutua nga regjimi komunist.

    “Ai ishte një njeri shumë i mirë, - thotë Johana. - Për se u gjuajt ai? Nuk e di përse”.

    Johana Njuman harxhoi vite të tëra duke u përpjekur të nderonte familjen që shpëtoi të sajët. Kënaqësia e saj më e madhe erdhi vetëm përpara pak kohësh, gjatë një bisede me të bijën e Edip Pilkut.

    “Mora dhuratën time, – thotë Njuman. – Ajo tha: ‘Jam shumë krenare të di se çfarë kanë bërë gjyshërit e mi’. Dhe ky ishte realisht qëllimi im, sepse ai ishte ekzekutuar nga komunistët, kështu që ‘çfarë do të mendonin nipërit dhe mbesat e tij për të?’”

    Një vështrim në fytyrën e Edip Plakut na tregon gjithë historinë:

    “Unë shoh një bir shumë modest, shumë krenar për atë që ka bërë familja e tij dhe shumë krenar për faktin që ata nuk kërkuan asgjë për atë që bënë, asgjë përveçse të shpëtonin njerëz që ishin të dëshpëruar”, – thotë Gershman.

    “Ata njerëz ishin jashtëzakonisht kurajozë, – thotë Njuman. – Ata ishin me të drejtën dhe ishin thjesht njerëz të mrekullueshëm”.


    21/11/2009

    standart.
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

Tema të Ngjashme

  1. Bibla Kur'ani Dhe Shkenca
    Nga Florim07 në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 8
    Postimi i Fundit: 15-04-2009, 21:26
  2. Berisha: Disa prej mediave, hanxharë të mafies
    Nga Shijaksi-London në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 203
    Postimi i Fundit: 16-05-2007, 02:27
  3. Përgjigje: 18
    Postimi i Fundit: 16-07-2006, 00:50
  4. Beratasit dhe çifutët
    Nga Brari në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 18
    Postimi i Fundit: 27-06-2003, 10:12
  5. E verteta ne Histori
    Nga Brari në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 21-05-2003, 11:23

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •