Ferizaj, 29 dhjetor 2005 (Kosovapress) Time: 15 : 10
Kryetari i Kuvendit komunal të Ferizajt, Faik Grainca, në një intervistë për Kosovapress, flet për zhvillimet aktuale në komunën e Ferizaj, me theks të veçantë në raportet përbrenda Kuvendit komunal, përfshirë edhe raportet e tij me subjektin politik të cilit i takon, ndryshimet në ekzekutivin komunal, procesin gjyqësor me zv/kryeministrin Adem Salihaj, si dhe për procesin e plotësimit të standardeve. “Salihaj me çdo kusht është munduar që në kreun e Kuvendit komunal ta vendosë një njeri, i cili do të jetë një kukull e tij dhe që de fakto zv/kryeministri të jetë edhe zv/kryeministër, por edhe kryetar i komunës së Ferizajt. Unë këtë e kam pohuar disa herë publikisht dhe prapë e pohoj edhe për lexuesit e Kosovapress-it, një gjë të tillë, mirë apo keq unë nuk e kam lejuar dhe kanë lindur disa probleme rreth zgjedhjes së kryetarit,” thotë Grainca.
Kosovapress: Zoti kryetar si e vlerësoni punën e institucioneve komunale gjatë vitit. Sa jeni të kënaqur me zhvillimet dhe a mendoni se ka mbetur edhe shumë për t’u bërë?
Grainca: Institucioni i komunës, Kuvendi komunal dhe administrata e Ferizajt gjatë këtij viti janë ballafaquar me të njëjtat probleme siç janë ballafaquar edhe institucionet tjera. Fatkeqësisht në Kosovë ekzistojnë institucionet e brishta. Ne kemi bërë përpjekje që vazhdimisht t'i forcojmë këto institucione, kemi bërë përpjekje që të jemi sa më transparentë para qytetarëve. Sfidat kryesore me të cilat është ballafaquar institucioni i komunës së Ferizajt është realizimi i projekteve në infrastrukturë, do të thotë plotësimi i nevojave të domosdoshme për qytetarët e komunës sonë. Kemi arritur që gjatë këtij viti t'i realizojmë 37 projekte, përfshirë edhe 4 projekte për të cilat është bërë zotimi i mjeteve, por që ato ende nuk kanë filluar së realizuar.
Thënë shkurt në komunën e Ferizajt gjatë vitit 2005 kemi bërë investime në vlerë prej 1.2 milion euro, kur kësaj i shtohet edhe shuma prej 970 mijë euro nga projektet e bartura nga viti 2004 në vitin 2005, atëherë mund të themi se ne kemi realizuar projekte në vlerë prej 2 milionë euro dhe nuk qëndrojnë aspak spekulimet që bëhen me qëllime të caktuara, që si pasojë e ndërrimeve që kanë ndodhur në kreun e komunës tonë ka pasur më pak projekte. Ne jemi munduar të realizojmë sa më shumë projekte, por kjo nuk varet vetëm nga ne, por nga shumë faktorë, para së gjithash, nga baza ekonomike, inkasimi i mjeteve vetanake, i taksave dhe tatimit në pronë.
Në këtë vit nuk kemi pasur grande nga Qeveria për investime kapitale dhe këto kanë qenë probleme që ne nuk kemi mundur të bëjmë më shumë. Ka mbetur shumë për t'u bërë. Qyteti i ynë ka shumë probleme, sidomos në sistemin e arsimit. Ferizaj ka mungesë të theksuar të hapësirës shkollore, pastaj kemi shumë rrugë për të bërë, investime në sisteme të ujësjellësit, kanalizimit . Pra, na mbetet shumëçka për t’u bërë në vitin 2006.
Kosovapress: Si i vlerësoni raportet përbrenda Kuvendit komunal të Ferizajt?
Grainca: Siç e dini me shkuarjen e Adem Salihajt në detyrën e zv/kryeministrit të Kosovës, këtu kanë lindur disa probleme, të cilat mendoj se i ka krijuar vetë Salihaj. Ai me çdo kusht është munduar që në kreun e Kuvendit komunal ta vendosë një njeri, i cili do të jetë një kukull e tij dhe që de fakto zv/kryeministri të jetë edhe zv/kryeministër por edhe kryetar i komunës së Ferizajt. Unë këtë e kam pohuar disa herë publikisht dhe prapë e pohoj edhe për lexuesit e Kosovapress-it, një gjë të tillë, mirë apo keq unë nuk e kam lejuar dhe kanë lindur disa probleme rreth zgjedhjes së kryetarit. Megjithatë, unë në seancën e 25 shkurtit janë zgjedhur kryetar me votën e deputetëve të të gjitha partive dhe mund të them se gjatë kësaj kohe ka pasur një stabilitet në KK të Ferizajt.
Unë kam arritur që kuvendin ta shndërroj në një arenë të debateve shumë demokratike ku secili deputet ka pasur mundësi që t'i shprehë opinionet e veta, mendimet e veta dhe në fund kemi vendosur jo si deputet partie por si përfaqësues të qytetarëve. Unë mendoj se kemi arritur që brenda kësaj periudhe 10 mujore t'ua kthej dinjitetin e nëpërkëmbur deputetëve të komunës sonë dhe kam arritur që t'i bind ata apo t'i liroj nga ankthi se ata duhet të vendosin ashtu siç thotë partia. Kemi arritur që të bëjmë një përparim të madh në procesin e vendosjes së çështjeve kur janë në pyetje qytetarët e komunës sonë .
Kosovapress: Si i vlerësoni raportet tuaja me subjektin të cilit i përkisni, pra LDK-së?
Grainca: Po natyrisht që jam anëtar i LDK-së, jam anëtar i organit më të lartë të degës, Kuvendit, i organit më ta lartë të partisë në nivel dege, por natyrisht i kam disa probleme me një pjesë të kryesisë së degës, një klani që udhëhiqet nga Salihaj, i cili bënë përpjekje që të më shantazhojë, që ta shantazhojë punën e kuvendit dhe ta bëjë destabilizimin e komunës së Ferizajt. Por, mendoj se deri më tani ato përpjekje kanë dështuar dhe do të dështojnë edhe në të ardhmen.
Kosovapress: Si i vlerësoni ndryshimet që priten të bëhen në ekzekutivin komunal?
Grainca: Po ato ndryshime janë bërë, Kryeshefi i ekzekutivit nuk është më kryeshef dhe ne prapë do të vendosim edhe njëherë për këtë në seancën e 31 dhjetorit. Të gjitha raportet e revizorit, të gjitha çështjet që unë i kam konstatuar dhe revizoret tregojnë se kryeshefi i ekzekutivit, Sahit Krasniqi, ka menaxhuar keq me buxhetin e komunës dhe kur themi se ka menaxhuar keq mund të thuhet, por edhe dyshohet se ka edhe keqpërdorime dhe si i tillë ai nuk mund të jetë në krye të ekzekutivit.
Më datën 31 dhjetor unë edhe njëherë para kuvendit do të paraqes të gjitha faktet dhe argumentet, do të jetë në ndërgjegjen e delegatëve që ta përkrahin propozimin tim për shkarkimin e kryeshefit.
Kosovapress: Zoti kryetar, cilat janë komentet tuaja rreth procesit gjyqësor me zv/kryeministrin Adem Salihajn?
Grainca: Zv/ kryeministri ka shumë punë me gjykatën, ka filluar shumë procese, shumë padi private dhe njëra nga ato padi private është padia që është bërë ndaj meje. Unë kam thënë publikisht se zv/ kryeministri me këtë gjykim dëshiron t'i arrijë dy efekte. Efekti i parë është që ta frikësojë gjykatën që të vendosin për çdo çështje, të vendosin në favor të tij pasi që ai ka filluar shumë gjykime, dhe efekti i dytë t'i frikësojë anëtarët e partisë, anëtarët e LDK-së dhe qytetarët e Ferizajt, se të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga ai, të gjithë ata që guxojnë t'i kundërvihen mund t'i presin edhe vendimet e gjykatave.
Sidoqoftë unë mendoj se zv/kryeministri do të dalë humbës edhe nga ky proces gjyqësor për arsye se të gjitha argumentet janë në anën time. Për të gjitha ato që unë e kam akuzuar zv/ kryeministrin unë kam fakte dhe dokumente dhe nuk e kam as arsyen edhe më të vogël, as të frikësohem e as t'i mos besoj gjykatës, që ajo do të vendosë drejt.
Kosovapress: Ferizaj ka shënuar rezultate të pashme në përmbushjen e standardeve. Si keni arritur te këto rezultate?
Grainca: Po është vlerësim i të gjithëve se komuna e Ferizajt është një ndër komunat që ka punuar më së tepërmi në implementimin e standardeve, do të thotë në respektimin e ligjit, aplikimin e dy gjuhësisë, në përkthimin e dokumentacionit, në lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe në procesin e kthimit. Por sido që të jetë me plotësimin e standardeve unë nuk mund të jem i kënaqur, ashtu sikurse nuk mund të jetë e kënaqur as Qeveria e Kosovës, për arsye se ne këtë drejtim duhet të bëjmë shumë më tepër.
Standardet siç duket ne i kemi kuptuar keq, i kemi kuptuar si diçka që do të varet statusi i Kosovës, gjë që nuk është e vërtetë, por standardet e një shoqërie tregojnë nivelin e zhvillimit demokratik të institucioneve të atij shteti, prandaj është një proces në vazhdimësi, ku qeveria lokale dhe ajo qendrore duhet të bëjnë përpjekje që këto standarde t'i plotësojnë sa më shumë. Do të thotë, është një proces që do të zgjasë me dekada në Kosovë, pra është një proces që fatkeqësisht shumë shtete ende nuk e kanë përfunduar, prandaj edhe ne nuk mund ta përfundojmë shumë shpejt, por pavarësisht nga kjo ne do të punojmë vazhdimisht që t'i vendosim në baza të shëndosha për të ecur përpara.
Kosovapress: Cilat janë planet për vitin e ardhshëm?
Grainca: Ne kemi aprovuar buxhetin për vitin 2006. Fatkeqësisht është një buxhet jashtëzakonisht i vogël, një buxhet që për investime kapitale parashikon 1.6 milion euro. Ne do të bëjmë përpjekje që këtë buxhet ta menaxhojmë sa më mirë që është e mundur. Unë ju garantoj qytetarëve të komunës së Ferizajt se menaxhimi i buxhetit do të bëhet në mënyrë shumë transparente. Qytetarët do të njoftohen për të gjitha shpenzimet dhe për të gjitha projektet.
Është fat i madh se sivjet jemi pranuar nga USAID-i në programin e tyre"Miss". Presim realizimin e 6 projekteve të tjera dhe gjithashtu nga Zyra zvicerane kemi fituar një grand për realizimin edhe të katër projekteve për ujësjellësin e katër fshatrave të komunës sonë. Natyrisht edhe në vitin 2006 do të ballafaqohemi me probleme për arsye se është një buxhet shumë modest krahasuar me numrin e madh të qytetarëve që ka komuna e Ferizajt.
Kosovapress: Cila do të ishte porosia juaj për lexuesit e Kosovapress-it?
Grainca: Të gjithë vizitorëve të faqes suaj ua uroj Vitin e Ri , duke ju dëshiruar çdo të mirë në jetë dhe suksese në punë me shpresë se ky vit të jetë vit i realizimit të synimeve tona të përbashkëta. Për mua ishte nder që mu dha rasti të flas për Agjencinë e lajmeve Kosovapress, një agjencie të lajmeve që edhe në kushtet shumë më të vështira nga betejat e luftës dhe nga bjeshkët e larta arriti me mund dhe sakrificë ta përcjellë deri te qytetari informacionin e drejtë./Intervistoi: Besim Idrizi/
Krijoni Kontakt