Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 4
  1. #1
    Larguar.
    Anëtarësuar
    30-11-2004
    Postime
    1,506

    Çështja Debray : Lufta e Kosovës 1999

    Kjo teme eshte disi e veçante. Behet fjale per nje çeshtje e cila nuk ka kaluar pa rene ne sy asokohe ne France dhe me gjere. Le te bejme pak historik thjesht per tu futur ne atmosferen e kohes.

    Me 24 mars 1999, NATO godet Serbine. Qellimi : shpetimi i popullsise shqiptare te Kosoves, ndalja e spastrimit etnik.
    Ne France, fill pas goditjeve te para u ndez nje debat i ashper ne lidhje me legjitimitetin e ketij aksioni. Menjehere u krijuan rreshtimet : krahu pro dhe krahu kunder sulmeve.

    Ne krahun kunder, u shqua veçanerisht nje filozof i degjuar francez Régis Debray i cili, dy here me rradhe, shkroi ne "Le Monde" dy artikuj ku fshikullonte mentalitetin simplist te Amerikaneve dhe mefshtesine e Europianeve. Por persa i perket Shqiptareve te Kosoves, duhet thene qe keto dy shkrime te Debray kane sjellur shume dem. E para sepse Debray njihet si filozof mjaft i degjuar, te pakten ne nje fushe te cilen e ka themeluar dhe pagezuar vete me emrin "mediologji". Ideja eshte studimi i nderveprimeve midis imazhit, transmetimit, teknikes dhe shoqerive tona. E dyta sepse ai futi ne rradhet e intelektualeve franceze njefare dyshimi mbi vertetesine e spastrimit etnik dhe te masakrave ne Kosove.

    Ne krahun pro, si gjithmone nje dore intelektualesh, filozofesh, kineastesh, me te shumte ne numer, ku nder to shquhen Antoine Garapon (magjistrat), Alain Finkielkraut (filozof) (perkatesisht president dhe zv/president i Komitetit Kosova ne Paris).

    Duke marre persiper te çudis ndonje, mund te them qe ne pergjithesi perkrahesit e çeshtjes shqiptare ishin me prejardhje çifute. Vetem nje numer i vogel me kete prejardhje u rreshtuan ne krahun tjeter. Do te sjell ketu disa shkrime te tyre, si dhe dy shkrime te Debray nga ku ka lindur debati dhe "çeshtja Debray", duke vene ne dukje perkrah emrit te autorit dhe perkatesine e tij etnike, psh per Çifutet nje "Ç".

    Ideja ime eshte kjo : disa ne kete forum kane shkuar mjaft larg ne mendimet e tyre duke marre nen mbrojtje disa kauza qe nuk jane te tyret, dhe duke iu kundervene disave qe une i konsideroj si ndihmues te çeshtjes sone. E kam fjalen qe ne kete forum hidhet mjaft vrer mbi USA per çeshtje qe nuk na perkasin fare : kujt i hyn ne pune si shqiptar ç'ben USA ne Irak apo ne Kore ? Cili shqiptar eshte aq internacionalist dhe zemerdhembshur saqe akoma pa rregulluar punet e veta del neper bote te gjeje kauza nga me te ndryshmet ? Lexoj ne kete forum simpatizante te Che Guevares. Ok, ishte i pashem, e pastaj ? Po flasim per llulla ketu apo per çeshtje qe kane te bejne me mishin tone ? Thjesht per kureshtje, por jo vetem per kaq : filozofi Debray shkrimin e te cilit do te sjell ketu, ka qene bashkeluftetar i Guevares dhe madje ka qene burgosur ne Bolivi per disa kohe, ku eshte liruar pas nderhyrjeve te shumta te shtetit francez. Pires llulle dhe ai, ka qene keshilltar i Mitterrand qe siç e dime mire, mendonte "shume bukur" per shqiptaret.

    A nuk ka ardhur koha ketu per ne, qe para se te hidhemi ne luftime qe nuk jane tonat te hapim syte mire per te pare ku qendron raporti i fuqive dhe si mund te behet qe fuqite me te medha te jene ne krahun tone ? Kujt i hyjne ne pune "ndjenjat e pastra internacionaliste" kur ai qe po vritet eshte femija yt ? E ç'me hyn ne pune mua çeshtja palestineze kur keta palestineze kane kritikuar nga i pari tek i fundit nderhyrjen e amerikaneve ne Kosove ? Mos u hidhni perpjete duke me thene qe "ju nuk keni dhembshuri per ata, edhe ato jane njerez...". E di shume mire qe edhe ata jane njerez por perpara se te jene ata, jemi ne. Mjaft me me lote te tepert per te tjeret dhe per veten tone, koken lart dhe pa dhimbje, se helbete... duhet duruar si burrat.

    Me vjen ndermend nje shpjegim i Primo Levit (vetevrare ne vitin 1987), i cili tregonte mbi vitet e tij ne kampet e perqendrimit. Dhe shpjegimi i tij mbi poshterimin deri ne hiç te çifuteve nga nazistet behej "ngaqe keta te fundit do te kishin me pak brejtje ndergjegje per zhdukjen e çifuteve". Se pari poshterohet viktima, e pastaj vritet. Dhe mu kujtua Kanuni i Leke Dukagjinit ku ekziston pothuaj nje shenjterim i pengut, i viktimes. Viktima nuk poshterohet por nderohet siç i takon. Vritet por ai kthehet ne anen e duhur. Kufoma nuk preket, e plot e plot rregulla te tjera "fisnike". Por si i behet hallit qe vetem shqiptaret mendojne keshtu ? Dhe te tjeret jo ? A nuk mundemi dhe ne njehere te behemi si te tjeret ?
    Per shembull, nqs une po vuaj shume, dhe dikush mund te me shpetoje, atehere une do bej çmos te terheq vemendjen e tij edhe sikur ta di qe ky dikushi ka nen vete dike tjeter te cilit po i merr frymen. Ketu flasim per popuj dhe jo per individe. Individi mund te zgjedhe parime te larta morale dhe te jape dhe jeten per to, por nje populli nuk i lejohet kjo. Mire apo keq, duhet mbijetuar. Me drejtesi apo me hile, qellimi eshte te mbijetohet dhe te sigurohet vazhdimesia.

    Ma merr mendja qe do kem mjaft kundershtime sepse ua di mire mendjen disave, "kallot" e tyre ne trup te te tjereve jane teper te ndjeshme, dhe shpejt do hidhen perpjete pse e qysh.

    Mua s'me mbetet gje tjeter veçse tu kerkoj atyre te lexojne mire çka shkruhet me poshte dhe te nxjerrin perfundimet e tyre. Pastaj, do te shihet mire ku futet njeri e ku futet tjetri. E kote te qendrohet ne midis, ne mjegull, as kendej as andej. Secili e zgjedh mire kampin e vet. Ne nje popull ne rrezik nuk ka vend per "as mish as peshk". Manikeizmi eshte ne fuqi : ose me ne, ose kunder nesh. Rruge tjeter ska. Ah, ne kohe paqeje, atehere kemi luksin te sperdridhemi "jo po keshtu e jo po ashtu", e te nxjerrim gjithfare lloj arsyesh per te mbrojtur kauza shpendesh, e gjitaresh ne zhdukje e siper.

    Kaq, me poshte vjen artikulli i gjate i Regis Debray. Lexim te mbare.

  2. #2
    Larguar.
    Anëtarësuar
    30-11-2004
    Postime
    1,506
    Régis Debray

    Europa somnambulë

    Le Monde, e enjte 1 prill 1999
    Përkthyer nga frëngjishtja
    Oiseau en vol


    « Të mos kesh tjetër përveçse ide të sugjeruara dhe t’i besosh ato si të vetvetishme, vëren autori gjenial i Ligjeve të imitimit, i tillë është iluzioni i veçantë i somnambulës, dhe gjithashtu i njeriut shoqëror. » Pa dashur ta thjeshtoj më aktualin ndër sociologët francezë në teoricienin maniak të « infektimit imitues », askush më mirë sesa Gabriel Tarde (1843-1904) nuk mund të na bëjë për të hyrë në zemrën e një ingranazhi idiot, më 1999, ku Europianët inteligjentë por imitues na tërheqin në mirëbesim.

    Në përiudha lufte është kjo që gjendja shoqërore përafrohet më tepër me një gjendje hipnoze të përgjithshme. Dhe nga kjo dilet përgjithësisht siç kur zgjohemi nga një ëndërr e keqe, madje dhe nga e mirë – paksa me përtim, sytë të zgurdulluar, tepër vonë (« Por qysh dreqin kam mundur ta besoj këtë ? »). Ajo çka e cila, në këto drithma, përshkon trupin shoqëror, thekson Tarde, « kjo është një ëndërr urdhërimi dhe një ëndërr në veprim ». Sa më turbullues të jetë realiteti, aq më shumë kemi ne nevojë për ta mbështjellur atë me mite, dhe nuk njohim konflikt të armatosur ndërmjet interesash të kundërta që të mos ketë qenë kthyer i pranueshëm, në mos i dëshirueshëm, nga konflikti i entiteteve imagjinare që ëndrra kolektive ia mbivendos atij nga të dyja krahët (E Drejta kundër Barbarisë, thoshim ne për tonin, më 1914-1918, luftë e vogël ballkanike e shtrirë në perëndim dhe në veri).

    Me masakrat e Kosovës dhe luftën në Serbi, mediologu, profesionalisht i lidhur pas teknologjive të të-bërit-për-të-besuar, do të interesohet fillimisht për mjetet e urdhërimit të ëndrrës natoniane, mjete të cilat e kanë kthyer të besueshme aventurën. Shpjegimi nëpërmjet dredhive të komunikimit nuk mjafton. Akoma më pak komploti i një Big Brother hipnotizues të ulur në regji, në Washington apo në Bruksel, dhe duke na bombarduar me imazhe dhe fjalë të qëmtuara.

    Ne nuk jemi viktima të një intoksikimi, ne bashkëpunojmë aktivisht, me imazhet dhe fjalët tona, në një ndërmarrje kundër-prodhuese. Ajo përshpejton atë çka ajo dëshironte të shmangte, siç është rregull në strategji ku e zeza del nga e bardha dhe e bardha nga e zeza (ja përse ndjenjat e pastra nuk bëjnë kurrë strategji të mira).

    Problemi nuk është teknik as dhe politik. Ai është mendor dhe kulturor. Le të mos denoncojmë manipulimin, le të përpiqemi të kuptojmë akulturimin. Akulturim që na lejon të bëjmë tonat, të tillë si somnambulë të mirë, imazhe dhe fjalë të ardhura nga një tjetër histori, nga një tjetër traditë.

    « Mbrojtja e popullsive civile dhe e vlerave të përbashkëta të demokracive perëndimore ». I tillë është justifikimi zyrtar i këtyre sulmeve, humanitare (ndalje e masakrave) dhe moralizuese (idealet tona). Kush mund të jetë kundër ? Kjo është gramatika e zbutur e erës post-historike. Zëdhënësit tanë nuk flasin politikë dhe akoma më pak histori. Diskutimi natonian bën ecejake ndërmjet krimit të përpiktë të siguruar nga ekrani (çatia që digjet, gruaja që ikën, fëmija që qan), dhe lartësisë së parimeve universale.

    Ky kombinim i paqortueshëm mbart vulën e modelit amerikan të politikës së jashtme që Europa e ka bërë të sajin : idealizmi moral dhe superioriteti teknik – le të themi wilsonizmi, shto tomahawk. E drejta dhe makinat. E drejta cakton normën, makinat e bëjnë atë për tu respektuar. Ikja nga politika në teknikë, dhe shkëputja nga rëndesat dhe ndërlikimet e së kaluarës nëpërmjet pushtimit të hapësirës, nga një kufi në tjetër (kalë, automobil, avion, raketë) – janë dy mitet shtytëse të Odisesë amerikane. Historia dhe gjeografia nuk kanë qenë kurrë problem për këtë tokë të premtuar, e cila pati qysh në nisje një fat, por jo një të kaluar. Të nguliturit e saj të parë kanë zënë vend në një hapësirë të zbrazët, ose, kur kjo hapësirë nuk ishte e mjaftueshme, të pastruar tip Winchester – spatrim etnik të lartësuar nga imazhi në pushtim të Perëndimit. Nuk ka fqinj kërcënues. Territoret fqinje, ato blihen – Louisiane, Alaska, Oregon, Floride.

    Përsa i përket fesë së të drejtës, atje kemi një nderim me vend të origjinës. Kushtetuta ka paraprirë Federatën amerikano-veriore, e cila mbahet nëpërmjet kësaj Kushtetute – nga ku rrjedh shenjtërimi i saj. Në Europë, kodi dhe historia është dashur të kalojnë nga kompromisi, sepse historia ishte aty përpara ; në SHBA-ës, është kodi, kontrata e nënshkruar me Zotin, ajo që ka paraprirë dhe bërë historinë e njerëzve. Mirëpo dihet që për një të krishterë (dhe cili shtet është me tepër i tillë ?), ndërmjet ringjalljes dhe gjykimit të fundit, nuk ndodh tekefundit asgjë serioze.

    Mund të themi që një kokë është amerikanizuar kur kur ajo ka zëvendësuar kohën nga hapësira, historinë nga teknika dhe politikën nga Evangjili. Kështu paraqiten « popullsitë » - siç i quajmë popujt e shtypur, të shkëputur nga e kaluara e tyre (armiq të trashëguar, epope themelimi, gjuhë dhe fe) – dhe pra nga identiteti i tyre. Popullsitë shpërbëhen në viktima dhe në refugjatë, kur ato janë në krahun e drejtë, në krahun tonë, dhe në elementë të fanatizuar dhe keqbërës, në rastin e kundërt. Nga këtej rrjedh një vizion i botës i parë nga lart, nga ku është zhdukur çdo kontekst sociopolitik. I thjeshtueshëm në një hartë me ngjyra, siç ajo që Clinton u ka treguar të zellshmëve të tij për tu shpjeguar atë për çka bëhej fjalë në Jugosllavi. Kjo gjeografi njëpërmasore sepse pa thellësi kohe është abstraksion i kulluar. Ai do të kishte bërë më mirë, për të qenë konkret, të tregonte kronologjinë rajonale – një mijëvjeçar betejash, mitesh, shizmash dhe përplasjesh. Por televizioni nuk është bërë për të paraqitur historikun e gjërave. Një rapsodi flashesh emocionale, pa fill përçues, shërben aty si lidhje logjike.

    SHBA-ës besojnë që ajo çka ka qenë e mirë për to, morali dhe teknika, do të jetë e mirë dhe për të tjerët. Kjo është normale : ato nuk e kanë mbërthyer kurrë si duhet dallimin ndërmjet tyre dhe pjesës tjetër të botës. Si të gjitha perandoritë, ato e besojnë veten e tyre në mes. Më e çuditshmja është që Europianët përqafojnë tashmë e tutje këtë supersticion. Tashmë informacioni u shërben atyre si njohje, imazhi si sintezë analize, dhe Halloween si dita e të vdekurve. Dhe është e vërtetë që të bindur në Manifest Destiny të tyre, Amerikanët kanë ditur gjithmonë ta bëjnë përmirësimin moral një armë sulmuese dhe të ndërtojnë makinat më të mira.

    Por nëse ka një rajon ku pajisja thjeshtësuese e New World Order del krejt jashtë përdorimit, nëse mund të themi kështu, kjo është pikërisht Europa tragjike dhe pesimiste ku janë kryqëzuar të gjitha kulturat e botës së lashtë. Manikeizmi puritan shkon me business, jo me Ballkanin. Problemi është që me hiper-hapësirën nuk ka më pengesa mendore ndërmjet botës së lashtë dhe asaj të re, kjo e fundit duke qenë e bazuar gjithnjë e më tepër për ta besuar veten kudo në shtëpi të saj. Me CNN, planeti hyn në Amerikë, dhe politika e jashtme e metropolit përfundon së përfshiri në politikën e saj të brendshme ; dhe, në brendësi në McWorld, Amerika, duke u furnizuar të gjithëve zërin dhe imazhin, në ekran të vogël dhe të madh, vesh me kushtet e saj pavetëdijen kolektive – që nga të rinjtë e periferive e deri tek qeveritë.

    Ky infektim me kritere dhe referenca, shqisore dhe të vetvetishme, ndonëse e mirëmbajtur qëllimisht nga administrata perandorake, prek pothuaj narkozën. « Endrra jonë për veprim », kjo është ajo e spektatorit të ulur në kolltukun e tij. Vetëm që kinemanë, « uzinë ëndrrash », e pason televizioni, punishtja e pasqyrimit. Është më pak sajuese, dhe kjo detyron për të thjeshtuar akoma më shumë.

    Për t’ia shitur një luftë opinionit, dhe « make a long story short », Shtëpia e Bardhë duhet, sigurisht, të garantojë padëmshmërinë, shpejtësinë dhe raportin e mirë ekonomik, por fillimisht asaj i duhet të tregojë një histori të bukur. Një film aksioni modern, i eksportueshëm ngado sepse i çliruar nga çdo kontekstualitet historik të aftë për të kufizuar numrin e shikuesve. Vendasi, shfaqje kalimtare të shpejtë, duke u kufizuar në ngjyrat lokale, si çifti i Francezëve të tmerruar nga frika, në Ushtari Ryan, apo Meksikanët tërë yndyrë tek John Ford. « Good guy », i vendosur por duke mos i shpëtuar gjendjeve shpirtërore, nën barrën e vendosësit të drejtësisë dhe i dalluar si Demokrat, kundër « Bad guy », syrin të shtrembër dhe turiderr. Psikopat, pervers, nacionalist i tërbuar.

    Skenar tautologjik (i keqi është i keq, « a rose is a rose is a rose »), që nuk mëson asgjë por kënaq figurantët dhe ndihmësit e periferisë. Krahu kalorës i bardhë, pra, Demokracia, entitet teologjik, ajror, e panjollosur (e jashtme nga natyra e saj ndaj kulturës së dhunës – siç e dinë këtë mirë Algjerianët, Vietnamezët dhe Irlandezët). US Army është krahu i saj shekullar, OKB-ja, një kartë vizitë e heqshme, « bashkësia ndërkombëtare », një emër i rehatshëm dhe presidenti i SHBA-ës, tutori i përpiktë.

    Nga krahu i doktor No, të rrasur në bunkerët e tyre, barbarët dhe diktatorët. Rrëzimi i tyre do të nënkuptojë rikthimin e menjëhershëm në qytetërim, në moralin ndërkombëtar, në qarkullimin e lirë të kapitaleve. Nasser, Kadhafi, Castro, Assad, Khomeiny, Milosheviç : e tërë e keqja vjen nga këto përbindësh. Sepse çdo duel është më i fundit, dhe i përbindshmi për tu rrafshuar përtokë, i fundit i dinosaurëve. Pengesa e fundit ndërmjet popullsive të prapambetura dhe globalizimit të lirisë, pa taksa pa doganë (Arabia saudite nuk ka pra asgjë të një diktature, ajo është në zonë të lirë). Këta Hitlerë të njëpasnjëshëm nuk janë të lidhur me popuj, tradita, ndjeshmëri që u paraprinin dhe që do tu mbijetojnë atyre : përbindshi është vetëm, përbindsh pa votues as pasues.

    Sidomos, ska flash back, një foto do të mjaftojë. Drita e shuar në zonat e operacioneve, do të ndezim ekranet në shtëpitë tona, ku procedime të reja infografike do të jenë të mrekullueshme. Ska imazhe ? Ç’rëndësi ka ? Shenjat do ta bëjnë punën, nisur nga një dokument çfarëdo. Themi nganjëherë që teknologjia e fshin forcën e fjalëve. Në fakt, mitet dhe makinat qëllojnë njëra-tjetrën. Një mit nuk është një koment në off, ai është një mënyrë të ndërtuari të vetë imazhit. Në këto kriza të verbëra, nuk pritet asnjëherë zëri dhe diskutimi mbi aktualitetin, nga prapa, shndërrohet në vetë aktualitetin.

    Produktin mund ta lakojmë në varësi të funksioneve. Skenari origjinal, stuhi mbi të ligjtë, është publiku i gjerë, tip Tim Burton, Luc Besson ose Cameron. Nëse ai është në burim të Fun-Military-Industrial Complex (adhuruesit e New York nuk besojnë më tepër përveç kësaj), ai mund të marrë tek ne një rëndesë konceptuale, patetike dhe metafizike që ngërdhesh fytyrat dhe ngjir zërat. Fati i shekullit, do të na thuhet, është në lojë. Shenjave-klishe, intelektualët francezë mendojnë tu shtojnë shenja-kujtesë, të nxjerrura në rezervuarin e simboleve antifashiste dhe antitotalitare – gulag, Stalin, luftë e Spanjës, Oradour-sur-Glane – sinjaletikë frikësuese, por e dobishme sepse na kursen nga çdo analizë rrethanore. Aty ku mbretërojnë gërmat kapitale, saktësia nuk këshillohet.

    « Lufta e dytë botërore, kanë thënë, qe filmi i parë në të cilin çdo Amerikan mund të kishte një rol… » Ne i detyrohemi shumë, ne Europianët, këtij aktori të paparashikuar të Normandisë dhe Ardeneve – pothuaj po aq sa dhe atij të Stalingradit. Ndoshta sepse një kauzë e drejtë e imponuar nga Historia nuk paraqitet dhe nuk mendohet kurrë si një film qysh në nisje. Nuk kemi pse të shtrëngohemi mbi sedrën. Është më pas, jo përgjatë, kjo që sillen spote dhe trukime.

    Luftrat e Irakut dhe të Serbisë kanë të paktën këtë pikë të përbashkët që nevojat e rrëfimit ka përcaktuar dhe ritmuar aty intrigën, në kohë reale. Në rastin e dytë, me njëfarë bezdie skenaristike. Një krah i fortë kundër cubit – kjo ishte megjithatë një skenar që ia vlente. Por qysh të bombardohet një popullsi pa bërë një popull martir, kur palma e martirit – le të mendojmë Vietnamin – vlen dafinat e fitimtarit ? Qysh të transformohen në heronj pilotët profesionistë më të mbrojtur të botës ? Qysh të distilohet një luftim i bukur i veçantë, një duel nderi, kur raporti i forcave, i GDP-ve, është njëmijë me një ? Qysh të quhet madje « luftë » - situatë që mpleks një minimum reciprociteti, unë të godas, ti më godet – një operacion ndëshkimor me zero të vdekur, ku xhelati është vënë fare mirë nën torturë (duke qenë kuptuar që ai varet vetëm nga të ndalurit e mjerë të gjeneratorit elektrik të torturës nën rrymë, duke bërë veçse një shenjë të thjeshtë që tregon se ai pranon të dorëzohet apo të flasë – në vend që të këmbëngulë në iracionalen).

    Perëndimi di të veprojë, përsa i përket lojërave të shpejtësisë. Ai i ka në dorë rrjetet. Ai mund të mbështetet dhe mbi Z. Milosheviç i cili, i vetëdijshëm për vështirësitë e xhirimit, i shërben kauzës më së miri, duke masakruar dhe dëbuar paturpësisht Shqiptarët. Ja ajo çka e vë dhembshurinë nga krahu i drejtë, i yni. Por le t’i lëmë ironitë. Çështja do të duhej të ishte : qysh të ndalet më së miri e mundshme « katastrofa humanitare », dhe jo qysh të shfrytëzohet ajo në terma komunikimi ?

    Forcë e vendosur, forcë idiote ? Greqia e kishte pushtuar pushtuesin e saj duke e derdhur atë në kallëpin e saj të kulturës. Dhe riprogramuar me zgjuarsi forcën romake (greqishtja, le ta përmendim këtë, ishte la lingua franca e Perandorisë romake). Provë që perandoritë pasojnë njëra-tjetrën dhe nuk ngjajnë : Amerika deprogramon Europën që kthehet po aq e ndrydhur dhe miope sa dhe leader i saj. Më kot mburret Europa për që nuk merr instruksione nga metropoli i saj. Më kot diplomatët e saj mprehin mendjet për të ndërmarrë iniciativa, të rigjallërojnë grupe kontakti, të nxjerrin mësime, të bëjnë mimika.

    Amerika nuk ka madje nevojë më të jetë sunduese. Ajo është kthyer për ne e pahedhshme tej, dmth e brendshme. Tani e tutje thuhet, por pa menduar mbi këtë : « Perëndimorët ». Alergjik ndaj ndërlikimeve të tij të veta, i sunduari e mendon veten sipas veçorive të sunduesit, nëpërmjet imazheve dhe parullave (Shtet i së drejtës, Demokraci, Liri). Ajo çka e bën të besueshëm këtë western, kjo është një krizë e përgjithshme e transmetimit europian – krizë e shkollës, e shtypshkronjës, e spektaklit, e të gjitha udhëve të kujtesës. Duke patur humbur zotërimin intelektual të së kaluarës sonë, e tashmja jonë politike na bëhet e huaj në atë pikë që ne mundemi ta bëjmë sinqerisht tonin simplizmin e virtytshëm të Hollywood. Dhe të ngatërrojmë në hullinë e saj idealizmin historik, i cili qëndron për të vënë forcën e gjërave në shërbim të një ideali, dhe mediatizmin jo-historik, i cili qëndron për të zëvendësuar peshën e realitetit me tronditjen e imazheve, për të zëvendësuar arsyetimin politik me ndjenjën morale, dhe përfundimisht, siç thoshte Barthes, për « t’i dhënë një realiteti cinik garancinë e një morali të lartë fisnik ».

    Kështu imponohet si « e pashmangshme » kukulla populiste e Luftimit të Thelbeve (Demokracia kundër Forcave të së Keqes), aty ku do të kishim nevojë për një peshore argjendari dhe një njohje të imët të plagëve shekullore për të pajtuar hap pas hapi drejtësinë dhe saktësinë. Rezultati : një perandori stop and go por arrogante, e çastësishme dhe pa kujtesë por e sigurtë në vetvete, me mitologji manikeiste, e sheh veten të veshur me summa potestas, pushtet jete dhe vdekje, mbi një rajon fatkeqësisht të sëmurë siç asnjë tjetër nga tepria e kujtesës. Ku e kaluara tejpërcakton çdo vend, në mënyrë nevrotike, dhe ku do të jenë të qëndrueshme, sot sikur dje, vetëm vlerësime të shtrembëra, me të parë e me të bërë, pa formalizëm dhe fjalë të mëdha.

    Ndërmjet supersticionit të historisë që bën kërdinë në Ballkan dhe fshirjes së historisë që vepron njëlloj në Lindjen e Mesme, ndërmjet paranojës dhe përciptësisë, do të kishim mundur të dëshironim që Kontinenti i Vjetër të vendosë një masë të drejtë, pasiqë, në Beograd apo në Prishtinë, është akoma me të kaluarën e tij të vet kjo që ai është i ndeshur : pushtim osman, çështje e Orientit, traktat i Versailles. Pa u ringjitur deri tek 1389, në mitin themelues të romanit kombëtar serb, a nuk i kërkonte Clemenceau-së kryeministri serb Pashiç, më 1918, dëbimin e Shqiptarëve të Kosovës ? Historia nukë shtë kodi ynë, sigurisht, por t’i ndash ato nuk ka dhënë rezultate të qëndrueshme.

    Për t’i ringjitur copëzat, Europës do t’i ishte dashur një de gaulle, dmth një mendjekthjelltësi e shoqëruar me një karakter, i aftë për t’i dalur përpara së ardhmes sepse duke i kthyer aktualitetit thellësinë e vet të kohës. Do t’i duhej një kokëfortë, ose disa, duke guxuar për t’i menduar çështjet europiane në një gramatikë europiane, në vend që tu përulen vështrimeve të një burokracie perandorake endacake dhe të kursyer, e cila i trajton dosjet periferike jo ditë pas dite dhe në vazhdimësi, por emision në emision, me ritmin e mediave, makinë e çmendur. Dhe që dëshiron sundimin absolut pa paguar çmimin e kësaj.

    Sfida nuk është e vogël, nëse është e vërtetë që në gjykatën e konformizmit, e cila i jep vendimet e saj të përditshme në tituj dhe në lajme, kokëforti më i pakët është i mënjanuar si delinkuent (i kuq, brun, ose të dyja së bashku). A do të na duhet atëherë të heqim dorë nga çdo projekt trimërie, dhe të ëndërrojmë si estetë mbi bukurinë e civilëve që vdesin ? Dija objektive e grumbulluar në tekste të palexueshme në thellësi të kancelarive tona, shekuj traktatesh, konferencash dhe kongresesh të rrasura nëpër biblioteka, kilometra të tëra pragmatizmash të zgjuara, masakrash të ndalura, urrejtjesh stërgjyshore të zbutura apo mposhtura – vijnë të japin shpirt në këmbët e një reportereje të bukur të CNN, model i një sekretari të përgjithshëm të State Department me sytë të mbërthyer në ekranin e vogël… Pikë kulmore e përkryer për një kryevepër melankolike të titulluar Muzgu europian, të cilën do të kishte mundur ta nënshkruante Spengler, dhe ta sillte në ekran, mrekullisht, Visconti.

  3. #3
    Shqiperia eshte Evrope Maska e iliria e para
    Anëtarësuar
    24-04-2002
    Vendndodhja
    Cunami ne Indonezi zgjati per disa minuta, kurse ne trojet tona 500 vjet.
    Postime
    4,907

    .................................................. ..

    Citim Postuar më parë nga oiseau en vol

    .
    Gabim ...mod. fshije kete timin
    Ndryshuar për herë të fundit nga iliria e para : 02-01-2006 më 09:15
    Lumi ka ujin e paster ne burim


    Kombi mbi te gjitha

  4. #4
    Larguar.
    Anëtarësuar
    30-11-2004
    Postime
    1,506

    Përgjigje e Alain Finkielkraut

    Alain Finkielkraut
    filozof (me prejardhje çifute)

    Verbimet e zgjuarsisë

    Le Monde, e diel – e hënë, 4-5 prill 1999
    Perkthyer nga frengjishtja
    Oiseau en vol


    Kur i mençuri tregon hënën, mediologu naiv i paqenë tregon gishtin. I përforcuar nga ky princip revolucionar, Régis Debray sapo ka kryer (Le Monde, 1 prill) një mrekulli që të lë pa mend : të denoncojë mbërthimin imagjinar të westernit mbi luftën e cila zhvillohet qysh prej dhjetë vjetësh në ish Jugosllavi pa thënë qoftë dhe një fjalë të vetme mbi vetë ngjarjen. Specialist i mjeteve të komunikimit dhe i transmetimit simbolik, ai nuk ka sy tjetër përveçse për mbështetësit, qarqet, rrjetet dhe mediat. Anti-amerikan, ai nuk sheh tjetër përveç Amerikën fitimtare jashtë nesh por dhe brenda nesh, në Bruce Willis e vogël intim i cili programon pa dijeninë tonë mendimet më vetjake dhe reagimet tona më të vetvetishme.

    Europian nostalgjik, ai është tepër i zënë me hartimin e fjalimit funebër të Kontinentit të Vjetër përpara se të interesohet konkretisht për çka ndodh aty. Pamfletist i pamëshirshëm dhe tepër i zgjuar, ai u qorton të gjithëve mosnjohjen e një realiteti nga i cili ai nuk dëshiron as vetë të njohë ndonjë gjë.

    Shkurt, ndërmarrja e tij për demistifikim e pushton aq shumë Régis Debray-in saqë ai humbet nga vështrimi botën në emër të së cilës ai është megjithatë i mbajtur për ta përcjellur këtë ndërmarrje.

    Të pa-mashtruarit enden, thoshte Lacan. Nëse ai do të donte t’i kushtonte pak më tepër vëmendje së tashmes sesa ai i kushton paraqitjes së tij në CNN, mediologu do ta dinte që Serbia i ka futur në darë të gjitha Republikat dhe provincat e tjera të ish Jugosllavisë, ndërmjet këtyre dy varianteve të imperializmit : hegjemoninë e Beogradit ose Serbinë e madhe etnikisht të pastër, gjunjëzimin kombëtar ose dëbimin dhe masakrimet e popullsive civile.

    Emrat e Vukovarit, Sarajevës, Prishtinës japin shtjellimin e këtij skenari monoton. Srebrenica është emri i disfatës sonë tepër reale. Larg së marruri poza përfituese duke e nxjerrë kuptimin e tyre të ngjarjes në arsenalin epik apo tragjik të betejave të mëdha të shekullit, ata të cilët, në Europë, janë ngritur kundër agresionit të pandalshëm mbronin njëkohësisht principet e së drejtës (ku është e keqja ? ku është simplizmi ? ku është Bruce Willis ?) dhe të vërtetat e brishta faktike. Ato kanë qenë, vit pas viti, militantë të vendosur për saktësi. Sepse mospërfillja ndaj së drejtës është mbështetur, qysh në fillim të konfliktit, mbi një manipulim faktesh që nuk i detyrohet asgjë Hollywood-it, por vetëm aleancës, kaq në përputhje me gjeninë tonë, të kujtesës historike dhe refuzimit për tu mashtruar.

    Lajm i mirë për mediologjinë : telespektatorët nuk janë më trungje, ato sjellin mbi lajmet televizive një vështrim zhbirues dhe qytetar. Të nxehur nga gënjeshtrat përvëluese të luftës së Gjirit dhe të Timishoarës, ato dinë tani t’i vënë të gjitha masakrat ndërmjet thonjëzave. Raçak ? Një montazh. Bombardimi i tregut të Sarajevës ? Një kasaphanë, sigurisht, por kush përfiton nga krimi ? Dhe meqë sot e dimë që ushtria e Saddam Hussein nuk u ka hequr prizën e rrymës bebeve të sapolindura të Kuvajt City, mjafton të përmendet ky episod për tu vënë njëherë e mirë mënjanë erës dhe lajmeve të këqija.

    Syçeltësia u jep kështu ngjarjeve që të shqetësojnë dhe që të detyrojnë një « do not disturb » shumë më efikase sesa besimi i çiltër apo fanatizmi i verbër. Shqetësimi përballë mashtrimeve, shtirjeve, mizanskenave, shkon drejt së drejtës së qetë për mohim. Gjendja e gatishmërisë së përhershme kthehet në alibi të një rehatie të patundshme. Ky de-konstruksion sipas dëshirës e kërcënon gjykimin e përgjithshëm shumë më tepër sesa filmat e trashë. Në emër të rezistencës ndaj dezinformimit, tani e tutje mund të formojmë vetë menynë tonë informuese, t’i shmangim lajmet që nuk kapërdihen dhe të ruajmë vetëm ato që nuk vënë në pikëpyetje paragjykimet historike. Sepse Régis Debray e ka gabim të provojë dhimbje : automatizmat e kujtesës, në këtë çështje, kanë funksionuar më së miri. Nuk janë rrëfimet moralizuese dhe të paqëndrueshme të dajë Samit ato që kanë hipnotizuar elitat tona, por janë lugetërit dhe fantazmat e tyre. Ato janë dorëzuar jo nën tufën e imazheve amerikane por nën peshën e së kaluarës franceze.

    Sapo që është shqiptuar fjala Ballkan, aktualiteti është zhdukur nga skena. Të kapur papritmas në rrethana të ngutshme, përgjegjësit, ekspertët dhe mjaft editorialistë kanë kërkuar mjerisht rastet e mëparshme. Në vend që t’i përgjigjen nga mendja e tyre origjinalitetit të situatës, ato kanë zgjedhur të kujtohen së pari, sipas ligjit të veprimit më të vogël të formuluar dhe të vajtuar nga Paul Valéry në Vështrime mbi botën aktuale.

    Për çfarë janë kujtuar ata ? Për aleancën franko-serbe dhe për Rajhun gjerman. Akoma sot, pas gjithë ketyre vitesh krimi, kundërshtarët e egër të NATO-s thonë që Gjermania e ka copëtuar më qëllim Jugosllavinë për ta rifutur Kroacinë dhe Slloveninë nën zonat e saj të ndikimit, njëlloj sikur të mos kishte asgjë atje që të justifikonte dëshirën për shkëputje dhe njëlloj sikur Sllovenët të mos kishin parë, në vënien nën tutelë të Kosovës, parashfaqjen e fatit që i priste nëse ato do të zgjidhnin të qëndronin në Federatën jugosllave.

    Shkurt, është e përjashtuar, megjithë referendumet, që Sllovenia dhe Kroacia të kenë zgjedhur pavarësinë. Sepse, për frymën historike e cila përpunon akoma aq e aq sjellje, këto popuj ballkanikë nuk janë subjekte të së drejtës së plotë, ato janë ushtarë shahu, kukulla, marioneta në duart e fuqive. Sigurisht që ato ekzistojnë, por njëkohësisht ato nuk ekzistojnë. Pas rënies së murit, siç dhe përpara, ato mbeten objekte të Historisë dhe, kur ato shprehen, është gjithmonë zëri i patronit të tyre ajo që zbulohet nga veshi i ushtruar nga njohja e kohës.

    Historia në të cilën e fut veten Régis Debray është një instancë e tmerrshme mosrealizimi. Ja përse ata të cilët flasin në emër të tij mund të thonë që Gjermanët e kanë shkatërruar Jugosllavinë duke njohur Kroacinë pas shkatërrimit të Vukovarit : asgjë nuk ndodh e pandreqshme atje ku ndeshen njerëz që nuk ekzistojnë. Nëse një racizëm i tillë i qetë nuk do t’i kishte infektuar kancelaritë, ne nuk do të ishim sot të thjeshtuar në këtë operacion « forcë e tetanizuar » e cila vë përballë njëra-tjetrës duke i barazuar ato, obsesionin për « zero të vdekur », dhe vullnetin për ta gjunjëzuar Beogradin. Qysh të bëhet ballë ? Për të mbajtur angazhimet tona të nevojshme, qysh të dilet nga kjo kontradiktë ? Ja çështja që shtrohet tani. Për tu zgjidhur, ajo do të kërkojë tjetër gjë sesa mësimin e vjetër të përçmimit dhe artin krejt të ri të të shikuarit vetëm televizion.

Tema të Ngjashme

  1. Fatmir Limaj
    Nga ARIANI_TB në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 295
    Postimi i Fundit: 07-02-2015, 16:09
  2. Historiku i shkurtër i LDK-së, 1989-2004
    Nga Arb në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 29
    Postimi i Fundit: 20-07-2012, 08:58
  3. Tahiraj: Rrefime mbi luften ne Kosove
    Nga Kuksjan_forever në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 22
    Postimi i Fundit: 09-11-2010, 14:42
  4. Shpërthen dhuna ndëretnike në Kosove
    Nga mitrovicalia_81 në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 334
    Postimi i Fundit: 12-05-2004, 00:26

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •