Prishtinë, 31 dhjetor 2005 (Kosovapress) Time: 14 : 50
Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK) gjatë vitit 2005 kanë shënuar suksese të shumta, sidomos në plotësimin e standardit të tetë që i është parashtruar nga bashkësia ndërkombëtare. Në këtë aspekt TMK është bërë shembull për të tjerët dhe ka ndihmuar edhe në plotësimin e standardeve tjera, ka thënë në një intervistë për Kosovapress, zëdhënësi i TMK-së, Shemsi Syla. Ai thotë se roli i TMK-së në procesin e definimit të statusit të Kosovës do të jetë i dukshëm dhe do të kryesojë sektorin që ka të bëjë me sigurinë. Ai gjithashtu thotë se TMK pas zgjidhjes së statusit do të jetë ushtria e Kosovës.
Kosovapress: Si e përmbyllën Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK) vitin që po lëmë pas?
Syla: Viti 2005 ishte vit i suksesshëm për Trupat Mbrojtëse të Kosovës, sepse gjatë këtij viti TMK-ja luajti një rol të rëndësishëm në ndërtimin e një Kosove me të ardhme të sigurt për të gjithë qytetarët e saj. Duke falënderuar kontributin dhe angazhimin e pjesëtarëve të TMK-së, gjatë gjithë vitit kemi marrë lëvdata të shumta për kontributin që i kemi dhënë Kosovës, popullit të saj dhe së ardhmes.
TMK, veçanërisht është lavdëruar për rolin pozitiv në procesin politik të Kosovës, si forcë efektive dhe si faktor stabiliteti. Mund të them se ka qenë shembull për të tjerët, sepse pjesëtarët e saj kanë treguar devotshmëri, përkushtim, dinjitet dhe nder në ofrimin e shërbimeve popullit të Kosovës, duke kontribuar kështu pozitivisht për të ardhmen e Kosovës. Angazhim dhe përkushtim i njëjtë do të jetë edhe në vitin e ardhshëm dhe TMK të japë kontributin e saj për Kosovën, popullin dhe për të ardhmen.
Kosovapress: Cilat kanë qenë sukseset e TMK-së për këtë vit?
Syla: TMK ka shënuar suksese të shumta dhe të njëpasnjëshme gjatë vitit 2005. por do të veçoja forcimi e rolit të saj si institucion në të mirën e vendit dhe faktor me rëndësi në ruajtjen e stabilitetit. Në këtë kuadër hyn edhe forcimi i besimit dhe respektit të qytetarëve të Kosovës, por gjithnjë edhe më shumë edhe i bashkësisë ndërkombëtare, duke ndërtuar konceptin dhe strategjinë për të ardhmen e vendit tonë. Njëherit është shtuar edhe bashkëpunimi dhe kemi një forcim të partneritetit me NATO-n dhe KFOR-in. Për të gjitha këto suksese të TMK-së është dhënë edhe vlerësim pozitiv në raportin e Kai Aides, i cili i hapi rrugë procesit të definimit të statusit. Për këtë ne jemi krenar që kemi prirë në implementimin e standardeve dhe kemi ndihmuar veten dhe Kosovën në këtë proces.
Kosovapress: Keni pasur detyra shtesë të reja në krahasim me vitet e mëparshme?
Syla: Marrja e detyrave të reja është e dukshme dhe këtë vit përfshihen detyra të rëndësishme në sigurimin e vendbanimit të ashkalinjve në Vushtrri. Një detyrë tjetër të rëndësishme që TMK-ja ka marrë gjatë këtij procesi është edhe ceremonia e pritjes, përcjelljes dhe rivarrimit të kufomave të personave të zhdukur gjatë luftës. Përveç këtyre edhe gjatë vizitave të komandantit të TMK-së, gjenerallejtënant Agim Çeku në SHBA (Departamentin e Shtetit dhe Pentagon), ka shprehur gatishmërinë e vet për të ndihmuar edhe zonat e goditura nga cunami në Azinë Juglindore, po ashtu ka ofruar shërbimet e veta për të ndihmuar zonat e goditura nga uragani Katrina në SHBA. Po ashtu kemi pasur edhe krijimin e njësive të reja në përputhje me konceptin strategjik të TMK-së, ku përfshihen krijimi dhe funksionimi i BMC-së, ngritja dhe funksioni i njësitit ceremonial, etj.
Kosovapress: Sa keni arritur t’i plotësoni standardet që janë parashtruar nga bashkësia ndërkombëtare për TMK-në?
Syla: Trupat Mbrojtëse të Kosovës janë lavdëruar për sukseset në implementimin e standardit të tetë. TMK-ja, jo vetëm që ka plotësuar në mënyrë të kënaqshme standardin e saj, por gjithashtu ka kontribuar në implementimin e standardeve tjera, posaçërisht standardin 3 dhe 4, në lirinë e lëvizjes dhe kthimin e qëndrueshëm. Ndërkaq TMK ka arritur që tani në strukturat e saja të ketë 185 pjesëtarë të minoriteteve, përfshirë 47 serbë, që në përgjithësi përbëjnë 6.1 për qind dhe përbërja e minoriteteve në pjesë rezervë është përfshirë në 3 për qind.
Gjatë gjithë vitit TMK-ja ka bërë përpjekje të vazhdueshme në të gjitha departamentet e shtabit dhe zonat mbrojtëse për të rekrutuar, mbajtur dhe mbështetur minoritetet, posaçërisht minoritetin serb.
Në kuadër të kësaj kemi bërë edhe emërtimin e kazermave në tri gjuhë, faqet e internetit në tri gjuhë, fushatën e bilbordeve në gjithë Kosovën dhe shpërndarjen e broshurave në tri gjuhë për të inkurajuar rekrutimin e minoriteteve. Kjo edhe ka dhënë sukseset e saja, sepse kemi një integrim të minoriteteve dhe fitim të besimit të tyre.
Kosovapress: Sa keni ndihmuar qytetarët e Kosovës me projekte humanitare?
Syla: Kemi pasur mjaft projekte humanitare. Implementimi i shumë projekteve humanitare për të gjitha komunitetet në gjithë Kosovën dhe kjo ka ndikuar pozitivisht në ndërtimin e besimit, lirinë e lëvizjes dhe kthimin e të zhvendosurve. Shumica e këtyre projekteve janë të përqendruara posaçërisht në kthim, në komunitet minoritare dhe të përzier, dhe përfshirë ndërtimin e sistemeve të ujësjellësit, kanalizim, ura kanale të ujitjes, stacione zjarrfikëse, rindërtimi i shkollave dhe rregullimi i rrugëve.
Kosovapress: Në TMK ka edhe pjesëtarë të gjinisë femërore, sa është e barabartë femra me gjininë e kundërt në TMK?
Syla: Gjatë vitit 2005 TMK-ja ka bërë përpjekje në garantimin e barazisë gjinore brenda saj. Në këtë aspekt jemi krenar për faktin se që të gjithë pjesëtarët e TMK-së janë të trajtuar drejt dhe në mënyrë të barabartë. Sot në TMK-së janë 88 femra si pjesëtare aktive që do të thotë se përbëjnë 2.9 për qind të numrit të përgjithshëm. Po ashtu kemi edhe 65 femra si pjesëtare rezervë, të cilat mbajnë edhe poste të rëndësishme.
Kosovapress: Pjesëtarët e TMK-së bëjnë edhe çminimin, sa keni përmbushur këtë mision?
Syla: Më 22 qershor TMK-ja ka marrë përgjegjësinë nga KFOR-i dhe të detyrave të EOD-së. TMK-ja ka përmbushur me shumë sukses këtë mision të rëndësishëm, duke u përgjigjur 120 thirrjeve që nga qershori. Vetëm gjatë vitit 2005, TMK-ja ka pastruar mbi 1.7 milion metra katror sipërfaqe, duke gjetur dhe shkatërruar 213 mina, 128 bomba kasetë dhe mjete tjera të pashpërthyera. TMK-ja ka kryer shumë operacione në kërkim –shpëtimin, EOD, zjarrfikje dhe mbrojtje kundër mjeteve të rrezikshme kimike dhe biologjike dhe në këtë mënyrë ka shpëtuar shumë jetë në Kosovë gjatë këtij viti.
Pjesëtarët e TMK-së kanë pasur edhe intervenime emergjente dhe janë shënuar 53 intervenime në zhbllokimin e rrugëve nga bora, 16 në raste vërshimesh, 10 në kërkim-shpëtim, 8 në largimin e helmeve dhe materive të rrezikshme, dhe 8 intervenime të rasteve në zjarre.
Kosovapress: Si keni qëndruar financiarisht gjatë këtij viti?
Syla: Buxheti i TMK-së për vitin 2005 ka qenë 14.955.768 euro dhe ky është shpenzuar proporcionalisht sipas nevojave. Vetëm në paga dhe në mëditje janë shpenzuar 8.375.483 euro në mallra dhe shërbime 4.174.000, kurse në investime kapitale 2.406.285 euro.
TMK është mbështetur dhe ka marrë vlerësime pozitive si në Kosovë ashtu edhe jashtë Kosovës dhe kjo ka rezultuar me një mbështetje gjithëpërfshirëse për TMK-në, ku janë dhënë donacione të rëndësishme nga SHBA, Britania e Madhe, Holanda, Austria, etj.
Kosovapress: Tanimë kanë filluar negociatat për zgjidhjen e statusit të Kosovës, cili do të jetë roli i TMK-së në këtë proces?
Syla: Ne si institucion që kemi arritur të krijojmë një besueshëm dhe një ngritje profesionale në të gjitha fushat, besoj se nuk do të jemi larg procesit për zgjidhjen e statusit. Roli ynë do të jetë i dukshëm dhe gjeneral Çeku do të jetë kryesues i një sektori që ka të bëjë me sigurinë, këtu TMK do të ketë rol dominues, sepse dihet që kemi bërë shumë në këtë drejtim deri tani.
Kosovapress: Kur pritni që TMK të jetë ushtria e ardhshme e Kosovës?
Syla: Ne besojmë se jemi të gatshëm që t’i marrin përgjegjësitë. Kemi plotësuar standardet dhe kemi kaluar me sukses këtë fazë të quajtur të transicionit, me një profesionalizëm të mirë. Shpresojmë se pas zgjidhjes së statusit politik të Kosovës edhe TKM do të jetë ushtria e ardhshme e Kosovës, si forcë mbrojtëse, e cila do të jetë në mbrojtje të vlerave demokratike, paqes dhe në mbrojtje të territorit dhe gjithë popullatës në Kosovë./Intervistuan: M. Dervishi& K. Llabjani/
Krijoni Kontakt