Prishtinë, 29 dhjetor 2005 (Kosovapress) Time: 16 : 51
Akademik Rexhep Qosja në një intervistë ekskluzive për Kosovapress ka thënë se viti 2005 nuk mund të quhet historik për faktin se nuk është marrë vendimi për njohjen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Ai ka deklaruar se Delegacioni i Kosovës nuk shpreh mundësitë politike dhe intelektuale të vendit. Sipas tij ka individ që e meritojnë të jenë pjesë e Grupit Negociator, por ka edhe të atillë që në asnjë mënyrë nuk do të duhej të ishin pjesë e delegacionit. “Disa aty mund të bëjnë punë e disa aty, siç është kryetari i Kuvendit, Nexhat Daci mund të prishin punë me mosdijen e tyre”. Qosja thotë se lëvizja e kufirit Kosovë-Serbi lidhet me zhvendosjen humane të serbëve prej viseve qendrore të Kosovës dhe kjo ide ka për qëllim idealin e ribashkimit të Kosovës me Shqipërinë. “Mjerisht Shqipërisë dhe shqiptarëve iu janë marrë shumë territore. Shqipërisë, kur është bërë shtet, i është marrë më shumë territor se që i është lënë! Kosova nuk i është shkoqur Hënës, po Shqipërisë. Kjo ishte “drejtësia” e dikurshme e Evropës”. Ndërkaq, të ardhmen e Kosovës, Rexhep Qosja e sheh të ribashkuar me Shqipërinë, që pashmangshëm është një proces i natyrshëm i integrimeve gjithëshqiptare.
Kosovapress: Akademik Qosja, viti 2005 nga qarqe të ndryshme është vlerësuar si vit historik për Kosovën. A mund të thuhet se ka qenë historik, sipas Jush, duke marrë parasysh të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur?
Qosja: Viti 2005 nuk mendoj se mund të quhet më historik se, bie fjala, viti 2004, 2003 ose 2002. Ishte vit në të cilin janë vazhduar punë e përpjekje të filluara në vitet përpara dhe ishte vit në të cilin janë trashëguar probleme, vështirësi, të këqija nga vite përpara. E quajnë historik disa për arsye se në këtë vit Këshilli i Sigurimit i OKB-së mori vendim për fillimin e bisedimeve mbi statusin përfundimtar të Kosovës. Ky vendim nuk e bën historik, ndërkaq, sepse ende nuk ua dimë përfundimin atyre bisedimeve. Do të ishte vit historik sikur Këshilli i Sigurimit të merrte vendim për njohjen e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran apo, madje, të merrte vendim për organizimin e referendumit mbi ardhmërinë e Kosovës.
Kosovapress: Për këtë vit çka do të veçonit si suksese e çka si dështime te shqiptarët?
Qosja: Suksese do të quaja vazhdimin e kalimit të kompetencave nga UNMIK-u në institucionet e Kosovës; krijimin e dy ministrive të reja; ndërtimet e reja në qytete e fshatra me një arkitekturë gjithnjë e më të bukur dhe, sidomos, lirimin e Fatmir Limajt dhe Isak Musliut.
Dështime do të quaja, ndërkaq, moszgjidhjen e problemeve në arsim e në shëndetësi, krimin e organizuar, korrupsionin gjithnjë e më të madh, nepotizmin, privilegjet dhe luksin e zyrtarëve, mbajtjen në poste më të larta të disa njerëzve – hapur të korruptuar dhe, sidomos, moszgjidhjen e problemit të Mitrovicës.
Kosovapress: Negociatat për zgjidhjen e statusit të Kosovës tashmë kanë filluar. A mendoni se liderët e ekipit negociator janë të denjë për të realizuar vullnetin e qytetarëve për pavarësi?
Qosja: E thonë edhe të tjerët se nuk është ky delegacion që shpreh mundësitë politike dhe intelektuale të Kosovës. Ka individë që e meritojnë të jenë dhe individë që në asnjë mënyrë nuk do të duhej të jenë në delegacion. Disa aty mund të bëjnë punë e disa aty, siç është kryetari i Kuvendit, mund të prishin punë me mosdijen e tyre.
Kosovapress: Sipas jush cilat do të ishin rezultatet e Ekipit negociator të Kosovës (I ashtuquajturi grup i unitetit) në raport me Serbinë, kur dihet se në këto bisedime Prishtina shkon për të realizuar kompromis?
Qosja: Mbrëmë e dëgjova kryetarin e qeverisë, Bajram Kosumin, kur tha se delegacioni i Kosovës në bisedime nuk do të nënshkruajë asgjë më pak se pavarësi sovrane. Dua t’i besoj. Por edhe në qoftë se do të nënshkruante diçka më pak, besoj se delegacioni e di se në Kosovë do të ketë forca të organizuara që do ta kundërshtojnë vendosmërisht nënshkrimin e tyre eventual për më pak.
Ndër sukseset e delegacionit, përpos premtimit të kryeministrit për pavarësi sovrane, unë do të quaja posaçërisht mospajtimin me decentralizimin e Kosovës ashtu si e kërkon Serbia dhe ashtu si, sado me gjuhë diplomatike, e përkrahte edhe Kai Aide në raportin e tij shumë të lavdëruar nga institucionet tona, por dukshëm të papërshtatshëm për ne! Domethënë: sukses do të quaja mospajtimin e vendosur të delegacionit tonë me kantonizimin e Kosovës dhe krijimin e entitetit serb në Kosovë me lidhje të veçanta me Serbinë, që do të përfaqësonte rrezik për ardhmërinë e Kosovës.
Kosovapress: A besoni në realizimin e plotë të pavarësisë së Kosovës kur dihet se BE dhe SHBA, e lëre më vendet fqinje, nuk janë të disponuara të lejojnë prezencën e dy shteteve shqiptare në Ballkan?
Qosja: Jam i prirë të mendoj se SHBA-të dhe BE-ja janë të interesuara ta bëjnë të pavarur Kosovën: SHBA-të, përpos të tjerash, edhe për t’u dhënë dëshmi myslimanëve në botë se nuk janë kundër tyre, prandaj edhe po e bëjnë të pavarur Kosovën popullsinë shqiptare të së cilës e përbëjnë rreth 95-96 për qind shqiptarë myslimanë; dhe Bashkimi Evropian, përpos të tjerash, edhe për t’i kthyer në Kosovë gjithë ata shqiptarë të cilëve u është dhënë strehim atje.
SHBA-të dhe BE-ja kanë parë se kushtet ekzistenciale dhe interesat historike të popullit shqiptar janë cenuar tmerrshëm në Konferencën e Londrës më 1912-1913 dhe duan ta ndreqin atë padrejtësi aq sa mund të ndreqet ajo vetëm me zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Kam drojë që faktorët ndërkombëtarë do të këmbëngulin që një vegëz kufizimi a kushtëzimi t’ia lënë Kosovës tani, një vegëz kufizimi a kushtëzimi që do të hiqet ndonjë vit më vonë kur Kosova do të njihet shtet i pavarur sovran. Mund të jetë që kushtëzim a kufizim të konsiderohet një mbikëqyrje si më e fortë e BE-së në Kosovë.
Kosovapress: Në këtë kontekst nga disa individë proklamohet ideja që duhet të krijohet një identitet i ri kombëtar. Çka mendoni për këta njerëz dhe sa është e rrezikshme kjo?
Qosja: Kemi disa dukuri këtu në Kosovë, por edhe në Shqipëri, që po atakojnë identitetin kombëtar shqiptar. Dhe, këto dukuri janë të përfaqësuara prej disa individësh dhe prej disa institucionesh: kulturore, politike dhe fetare. Ky është një problem që do shqyrtim më të gjatë se ç’ është shqyrtimi në një intervistë. Do shqyrtim më të gjatë në radhë të parë për arsye se do të duhej të flitej edhe për shkaqet dhe pasojat e një pune të tillë që ne bëjmë kundër vetvetes!
Kosovapress: Po, si mund të ishte nesër një Kosovë e pavarur me këtë gjendje ekonomike e sociale, apo do të ishte një rast social në Evropë?
Qosja: Jo, një vend në këtë botë është bërë shtet i pavarur dhe sovran në gjendje ekonomike dhe sociale shumë më të keqe se ç’ është gjendja e Kosovës sot. Nuk jam pesimist ashtu si ju. Besoj se Kosova e pavarur ngadalë do ta merrte veten ekonomikisht. Unë kam më shumë drojë prej mentaliteteve autoritare, të vrazhda, prej papërgjegjshmërive politike, prej kapadaive politikë, prej të korruptuarve në politikë, prej tribalizmit në politikë. Me të këqija të tilla mund ta pengojmë edhe zhvillimin demokratik, edhe zhvillimin ekonomik e kulturor të Kosovës.
Kosovapress: Si e vlerësoni deklaratën e fundit në Romë të Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Besnik Mustafajt, në lidhje me pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, si dhe mos inkurajimin nga politika e shtetit shqiptar për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë?
Qosja: Nuk e përkrah deklaratën e ministrit Besnik Mustafaj për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, por i çmoj paraqitjet e tij politike: ai nuk flet për t’ia bërë qejfin opinionit shqiptar siç bëjnë zakonisht njerëzit e politikës, edhe në Tiranë edhe në Prishtinë. Kjo nuk do të thotë në asnjë rast se ai nuk do të ishte i lumtur sa të gjithë ne po të njihej Kosova shtet i pavarur sovran, por kjo do të thotë se ai po ka kurajën morale dhe politike që të shprehet për diçka që ia merr mendja se mund të bëhet. Sot, ndërkaq, e dëgjova Besnik Mustafajn kur foli për Kosovën e pavarur pa atë kushtëzimin.
Kosovapress: Pse popullit shqiptar nuk i njihet e drejta për vetëvendosje. Në këtë aspekt si e vlerësoni Lëvizjen Vetëvendosje!, e cila po angazhohet kundrejt subjekteve tjera politike që popullit të Kosovës t’i njihet e drejta për vetëvendosje?
Qosja: Në qoftë se me vetëvendosje e nënkuptojmë të drejtën e popullit shqiptar të Kosovës për ta bërë Kosovën shtet i pavarur dhe sovran atëherë del se Lëvizja Vetëvendosje! po e dyfishon konceptin që e kanë të gjitha institucionet administrative dhe shumica e partive politike të Kosovës. Në qoftë se me vetëvendosje e nënkuptojmë të drejtën e popullit shqiptar të Kosovës për të vendosur për bashkimin me Shqipërinë, atëherë Vetëvendosja po e dyfishon konceptin e LPK-së, e cila në programin e saj ka unionin me Shqipërinë dhe konceptin e LKÇK-së, e cila në programin e saj e ka bashkimin kombëtar.
Mendoj se roli i kësaj Lëvizjeje do të ishte shumë më ndikues, shumë më frytdhënës sikur të shtronte problemet jetësore, problemet e përditshme të qytetarëve dhe të çohej kundër të këqijave të shumta që po ndodhin në administratën tonë, në institucionet tona, në partitë tona, në politikën tonë – në shoqërinë tonë në përgjithësi.
Kosovapress: Ju më parë keni mbrojtur çështjen dhe të drejtën legjitime për ribashkim kombëtar, por kohëve të fundit keni dalë me idenë për lëvizjen e kufirit të Kosovës. A do të ishte kjo zgjidhje më e mirë që tash po e shpallni ju?
Qosja: Kam paraqitur idenë për lëvizjen e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë për rreth 10 për qind të territorit të Kosovës dhe, rrjedhimisht, për zhvendosjen humane të serbëve prej viseve qendrore të Kosovës – në atë pjesë të territorit që do t’i lëshohej Serbisë pikërisht për shkak të idealit të ribashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Domethënë: lëvizjen e kufirit unë e lidh me zhvendosjen humane të serbëve prej viseve qendrore të Kosovës.
Kosovapress: Në idenë tuaj thuhet se tërheqja e vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë do të bëhej brenda kufijve të Kosovës. Kjo i bie se duhet t’i jepen rreth 10 për qind nga territori i Kosovës Serbisë. Është e drejtë kjo kur dihet se shqiptarëve tanimë u janë marrë shumë territore?
Qosja: Po, mjerisht Shqipërisë dhe shqiptarëve iu janë marrë shumë territore. Shqipërisë, kur është bërë shtet, i është marrë më shumë territor se që i është lënë! Kosova nuk i është shkoqur Hënës, po Shqipërisë. Kjo ishte “drejtësia” e dikurshme e Evropës. Por unë jua bëj këtë pyetje: a është më mirë të lëvizet kufiri mes Kosovës e Serbisë për rreth 10 për qind në brendësi të territorit të Kosovës, ku do të vendoseshin serbët prej viseve të tjera të Kosovës qendrore apo të bëhen kantone serbe në Kosovë, që do të lidhen administrativisht mes veti dhe do të krijojnë entitetin serb në Kosovë? Mendojeni Kosovën me dy entitete? Kosova e decentralizuar, me kantone serbe, me entitet serb! Cila do të jetë e ardhmëria e një Kosove të tillë: me dy entitete. Zgjidhni: Kosovën me entitetin serb dhe me të gjitha pasojat që do t’ia sillte ai Kosovës apo Kosovën pa rreth 10 për qind të territorit skajor, por të bashkuar me Shqipërinë. Unë, megjithatë, zgjedh Kosovën e ribashkuar me Shqipërinë.
Kosovapress: Si e shihni zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe në përgjithësi të çështjes shqiptare në Ballkan?
Qosja: E ardhmja e Kosovës është bashkimi me Shqipërinë. Çështjen shqiptare, si çështjen më të rëndë, më tragjike në Ballkan, pashmangshëm do ta zgjidhë procesi i natyrshëm, i pashmangshëm, i integrimeve gjithëshqiptare.
Kosovapress: Duke marrë parasysh situatën në të cilën jemi, a mendoni se Kosova ka nevojë që akademik Rexhep Qosja dhe intelektualë të tjerë të jenë pjesë e proceseve politike?
Qosja: Pa mendimin e intelektualëve gjithmonë ka rrezik që politika të thjeshtësohet shumë, të mbesë pa ide, pa dije, pa vizione, me shikime vetëm deri te kthesa e parë. Komunizmi e ka bërë kompleks, në të vërtetë mentalitet të politikanëve drojën prej intelektualëve – flas për intelektualë e jo për bishta të politikës.
Në politikën tonë ky mentalitet vazhdon të mbahet. Mos të harrojmë: intelektualët nuk kanë nevojë për politikën – politika duhet të ketë nevojë për ta.
Kosovapress: Në këtë rrafsh mendoni se intelektualët më shumë i kanë dhënë Kosovës apo i kanë marrë asaj?
Qosja: Një numër i intelektualëve i kanë dhënë shumë Kosovës. Fatmirësisht në këtë jetë ka dhe do të ketë gjithmonë njerëz që japin duke mos menduar t’u shpërblehet ajo që e japin. E mira është e mirë vetëm kur për të nuk kërkohet shpërblim. Një numër tjetër i intelektualëve, në të vërtetë numri më i madh i tyre, kanë dhënë pak apo, disa, s’kanë dhënë hiç dhe kanë zhvatur shumë. Dhe, disa po zhvatin edhe tani! Po, mirë, ndoshta një ditë na vijnë sytë dhe i shohim qartë të gjitha dhe të gjithë!
Kosovapress: Profesor Qosja meqë jemi në ndërrim të motmoteve, cili do të ishte masazhi juaj për popullin shqiptar?
Qosja: Kemi qenë me shekuj nënshtetas të perandorive të ndryshme, kemi qenë dhe jemi anëtarë a ithtarë të partive të ndryshme, le të bëhemi më në fund qytetarë – qytetarë të Kosovës së lirë e të pavarur, që e pret bashkimin me Shqipërinë./Intervistoi: Kreshnik Llabjani/
Krijoni Kontakt