NBA: Bryant tejkalon shifrën e 20 mijë pikëve

Kobe Bryant ka shënuar 39 pikë, gjatë ndeshjes që Los Angeles Lakers fitoi ndaj New York Knicks me rezultat 95-90, duke u bërë kështu ylli më i ri i NBA që arrin 20 mijë pikë në karrierë.

Bryant e përfundoi ndeshjen duke arritur 20.019 pikë në karrierën e tij, me 29 vjet dhe 122 ditë, duke tejkaluar yjet e NBA-së, Wilt Chamberlain (29 vjet, dhe 134 ditë) dhe Miachael Jordan (29 vjet dhe 326 ditë).

“Është e veçantë të arrij këtë këtu në Madison Square Garden. Ky është vendi im më i pëlqyer për të luajtur”, ka thënë Bryant i cili shënoi 14 herë nga 28 tentimet nga fusha, përfshirë edhe 5 nga 12 tentime për treshe. Ai po ashtu bëri 11 kërcime dhe 8 asistime.

Bryant tejkalon 20 mijë pikët në 811 ndeshje, duke u bërë lojtari i 31-të në NBA që arrin këtë shifër. Chamberlain pati nevojë vetëm për 499 ndeshje, për ta arritur këtë numër.

TELEGRAFI