Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 3
  1. #1
    "Në fillim ishte Fjala" Maska e toni77_toni
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    4,534

    martirët tanë

    IMZOT GJERGJ VOLAJ - IPESHKËV I SAPËS (1905-1947)
    (nga arkivi i Kishes Katolike Shkoder)

    Gjergji, në mësime gjithmonë i dalluar mbi të gjithë, vlerësohej me medalje të arta të Kolegjit.

    Në fshatin Shirokë, në atë shpat të malit Tarabosh, në freskinë e ajrit, qartësinë e liqenit dhe në kundërmimin e blerimit të maleve, përgjithësisht ndër familje peshkatarësh brez pas brezi kanë lindur fëmijë, pasardhës të mirë, të zgjuar që në gjurmët e jetës kanë mbetur emra në zë, KOLIQI, HARAPI, VOLAJ, RAKAJ, NOGA, RADOVANI, KOKAJ, etj.

    Në familjet e këtij fshati bëhej një jetë e brendëshme me të vërtetë e shenjtë me edukim, punë dhe lutje.

    E kesaj natyre ishte familja e peshkatarit Cuk (Lazër) Volaj. Në thjeshtësinë e një jete të varfër dhe të zgjuar, në këtë familje më 21 shtator 1905 lindi fëmija i parë, Gjergji. Shtëpia u mbush me dritë, jeta në familje u bë më e gëzueshme, gjithmonë duke e falenderuar Zotin për këtë dhuratë të bukur.

    Më vonë një gëzim i ri gëzoi prindërit. Në vitin 1910 një ndriçim i ri, lindi djali i dytë Kola. Familja u plotësua për mrekulli, por krahas gëzimeve, dalin përpara edhe vështirësi që duhen përballuar. Babai, kryefamiljar, vdiq i ri dhe fëmijët e vegjël mbetën jetimë. Nëna Tone, nënë tipike katolike, grua e bekuar, që çdo gjë ia kushtonte vullnetit të Zotit, e gjendur ngusht në varfëri, gjen mbështetje për të rritur jetimët në famullinë e Leonard Shajakaj në Bishkas, Theth e Shosh.

    Gjergjin, djalin e madh, e dërguan që të vazhdonte mësimet në Kolegjen Saveriane, pasi ato fillore i kishte kryer në shkollën e Shirokës.

    I lutej nënës që ta bekonte për t'u bërë meshtar.

    Në mësime gjithmonë i dalluar mbi të gjithë, vlerësohej me medalje të arta të Kolegjës.

    Më 1916 ishte 11 vjeç. Gjergji krejt i vogël, provoi thirrjen e Shpirtit të Shenjtë. I lutej nënës që ta bekonte për t'u bërë meshtar. Nëna Tone, gruaja me shpirt mirësie, me virtyte të rralla, nëna iu përgjigj, ia dha bekimin, e uroi me zemër për rrugën e meshtarisë. Kështu bindemi se ditët e lindjes së fëmijëve në këtë familje ishin aq të ndritshme dhe të gëzueshme, kishte hyrë brenda Shpirti i Shenjtë me thirrjen e vet. Edhe djali i dytë Kola (P. Viktori) provon në vetvete një thirrje shpirtërore, t'i kushtohet jetës rregulltare të meshtarit.

    I lutet nënës dhe nëna aq e mirë, aq bujare, i bekoi duke i thënë: “U bëftë mbi ju vullneti i Zotit!”. Ishte shembulli i përvujtërisë i një nëne katolike.

    Atëherë kur ishin të vegjël, megjithëse me hallet e jetës, nëna e vet u këndonte:
    “Flej qetësisht n'at djep moj njome,
    pusho n'paqe me ej e zana,
    si ma t'mirin nder gjithë kombe
    për Shqipni tash t'rritë ty nana.”
    (Nga D. Ndre Zadeja)




    Të ndjekim jetën e Gjergjit

    Në vitin 1926 rrugën e përgatitjes për meshtar e plotësoi me mësimet e larta në Padovë në Itali. Edhe atje i respektueshëm u dallua në mësime. Kardinali Dalla Costa, Ipeshkëv i Padovës, i prezantoi me përgjegjësin Delegatit Apostolik në Shqipëri Della Pietra, studentin Gjergj Volaj, si ekzemplar të veçantë.

    Më 26 korrik 1930 u shugurua meshtar nga Imzot Lazër Mjeda. Ishte 25 vjeç.

    Fillimisht u emërua në Malin e Jushit, por shërbeu gjatë si famullitar në Shkrel. Dom Gjergj Volaj, meshtar i ri, në natyrë i përshpirtshëm, me aftësi të madhe gojtarie, me hapin e misionarit shpateve të maleve, i ëmbël pranë vuajtjeve, ngushëllues në jetën e ashpër të malësorëve, fitoi admirimin e besimtarëve dhe vlerësimin e hirearkisë kishtare.

    Në vitin 1936, kur ishte vetëm 31 vjeç, me hijeshinë e meshtarit të devotshëm, me pjekuri dhe dinjitet, u shugurua ipeshkëv për dioqezën e Sapës, me qendër në Nënshat. Ishte më i riu ipeshkëv, por me aftësi dhe kulturë të lartë. Krahas me kryeipeshkvin Imzot Gaspër Thaçi, Imzot Nikollë Deda, Dom Ndre Zadeja, Dom Jak Ceka, Dom Luigj Prendushi, Dom Lek Dredha, Dom Nikollë Mazrreku, Dom Loro Nogaj, etj, ishte organizator i Kishës në të gjithë Zadrimën. Punoi si shembull i shkëlqyer i jetës katolike. Mbante të gjallë (me letrat baritore, shprehje gojëtarie e shembuj frymëzues veprimtarie) zemrat e besimtarëve, duke ia forcuar besimin në Zotin.

    Mbahet mend, në Shkodër më 26 maj 1946 ndërroi jetë Imzot Gaspër Thaçi. Procesioni i përmortshëm nëpër rrugët e qytetit, megjithëse ishin marrë masa tepër të rrepta nga pushteti që të pengonte në çdo mënyrë procesionin, ai u bë aq madhështor dhe masiv, saqë u vlerësua si manifestim i papërsëritshëm kundër komunizmit.

    Në meshën e përshpirtshme ceremoniale, fjalën e rastit e mbajti Imzot Gjergj Volaj. Ende i mbetur në veshët tanë fjalimi i paharrueshëm prestigjoz historik, madje i guximshëm, nga podi predikatar në Katedrale mbushnin si asnjëherë, brenda e jashtë me popull besimtar e Shkodrën mbarë. Paraqitja e Imzot Volaj si prijës me shkopin baritor në dorë, me gojëtarinë e rrjedhshme të predikatarit me forcë fjale, i prekur thellë nga dhimbja dhe trazimet e kohës, ka mbetur shprehja gojore e një fjalimi më të fuqishëm i predikatarit, ku respektohej dhe naltohej figura fetare dhe atdhetare e Imzot Thaçit, kur thirri me zë të lartë:
    I paharrueshmi kryeipeshkëv Imzot Thaçi!
    Ti përgjithmonë shqiptar!
    Ti përgjithmonë meshtar, katolik, apostolik romak!

    Ishte ky fillimi i fjalës plot zë e forcë që ushtoi edhe jashtë katedrales dhe u përhap kudo si një definicion paralajmërues i një vije të palëkundshme të të gjithë klerit katolik që do të vazhdonte rrugën e mundimeve në kalvarin e madh deri në martirizim.



    I dënuar me vdekje Imzot Gjergji

    Nuk harrohet edhe jehona e fjalës në shpatin e kështjellës Rozafat në ditën e festës së Zojës së Këshillit të Mirë më 25 prill 1946. Shtegtim i vërtetë masiv i një populli besimtar në këtë Shenjtërore, të ardhur e të grumbulluar nga qyteti e të gjitha katundet e Shkodrës për festën e Zojës. Mesha e kremtua nga Imzot Volaj. Predikatari i njohur Volaj, me ngulm, aftësi e zgjuarsi, foli për devocionin e Zojës, për besën e shpresën e qëndrueshme te Mbrojtësja e Shkodrës dhe e Kishës Katolike në këto kohë të vështira. Ishte predikimi i fundit... Porosi për lutje, thirrje për besim në Zotin. Ky fjalim paralajmërues i fundit të shpejtë. Tek shkruaj, më duket se afrohen bashkë me mua të gjithë ata që e njohën dhe ia dëgjuan zërin, duan të flasin për ipeshkëvin Imzot Gjergj Volaj, por edhe lotojnë sepse ia morën jetën krejt të pafajshëm. Ishte koha e luftës së djallit kundër Krishtit. Në rrethana poshtërimi u arrestua Imzot Gjergj Volaj. Për akuza të pavërteta e torturua mizorisht. U dënua me vdekje. Për çudi (ndoshta edhe për të lehtësuar fajin e dënimit të padrejtë) u lejua një takim special për nënën e tij një ditë para pushkatimit të të birit. Ishte me të edhe ndonjë familjar tjetër. U duk ky takim si ndonjë nga ndalesat në rrugën e mundimshme të Kalvarit: Ndalesa e Katërt Jezu Krishti i dënuar për vdekje takon nënën e vet. Sa dhimbje të mëdha kanë provuar këto dy zemra të pastra e të dashura.

    I dhimbshëm dhe i ngjashëm takimi me nënën e vet Tone, i të dënuarit me vdekje Imzot Gjergj Volaj një ditë përpara pushkatimit. Ai e ngushëlloi nënën e vet tek e pa aq të rrënuar. “Nënë, mos vajto atë që tani sheh tek unë. Qaj ditët më të vështira që do të vijnë”. Ia shtrin dorën mbi kokë dhe i thotë: “Qofsh bekuar nënë!”. Të therura zemre, lot, por bekim për amshim. “Qofsh i bekuar, biri i nënës!” iu përgjigj nëna.

    Krismat në orët e para të mëngjeseve të atyre kohëve ishin gjithnjë ogurzeza. 3 shkurt 1947 pas vorreve, aty tek zalli i Kirit, u pushkatuan pesë veta të hedhur në një gropë. Bashkë me Imzot Gjergjin ishin Cin Serreqi, Dulo Kali, Xhelal Hardolli, Bilbil Hajmi.Në atë mëngjes Atë Viktori dhe Nëna e vet Tone ishin në kishë. Po luteshin, askush nuk pat guxim që t'i tregonte gjëmën, por krisma e armëve ua kishte shporuar zemrat. Ata shpirtërisht luteshin dhe kërkonin forcën e Zotit që t'i qëndronin dhimbjes.Por nuk u mbyll këtu dhimbja për nënën e goditur rëndë nga vuajtjet. Atë Viktori, ai gjuhëtar dhe atdhetar, ai studiues, etnograf, përkthyes dhe autor i sa e sa shkrimeve e studimeve, bashkëpunëtor i ngushtë i Atë Justin Rrotës (gjuhëtar i madh i letërsisë shqipe) dhe Atë Gjergj Fishtës, ishte sekretar dhe komentator i të gjitha veprave të poetit të madh, nuk i shpëtoi dënimit për vite në internimet komuniste dhe nëna e vet krejtësisht e vetmuar kalonte jetën e mbështetur në forcën ë Zotit, pranë familjes së Shan Kolë Kuçit. A ishte “haraç” ky dhumin i kësaj familje të shenjtë? Po kështi ishte e vërteta. Kështu ndodhi dhe vdiq nëna e tramvajeve, vdiqën dy vëllezër të martirizuar.

    A thua familja u shua? Në dukje po, mbetet pas tyre një ndriçim i përjetshëm familjar tamam si në ditën e lindjes. Lindën dhe nuk vdesin. Kanë fituar amshimin. Mbesin shembuj të rrallë të kishës. Mbesin për të gjithë frymëzim virtytesh, dëshmie, guximi dhe sakrifice. Janë përgjithmonë familje martire e ndriçuar e kishës katolike në Shqipëri!

  2. #2
    "Në fillim ishte Fjala" Maska e toni77_toni
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    4,534
    At Donat Kurti O.F.M.

    Prof. Dr. Norbert Jokli e cilëson At Donat Kurtin: "Një ndër prozatorët ma të mëdhaj shqiptarë".
    nga Fritz Radovani

    Ka lé në Shkodër më 3 shtator 1903. Në vitin 1937 nga Universiteti "San'Antonio" i Romës, i jepët titulli "Doktor i Shkencave". Asht i njoftun ndër françeskanët ma të ditun dhe rreshtohët ndër shkenctarët që kanë dalë prej asaj vatre të pashterrëshme të kulturës sone shqiptare. Thëmelet e vueme prej At Gjeçovit u ngritën nalt nga At Donat Kurti, At Bernardin Palaj, At Benedikt Dema etj. me veprat e mëdha që i lanë trashigim Atdheut, tue i përjetësue ato në "Visaret e Kombit".

    Prof. Dr. Norbert Jokli e cilëson At Donat Kurtin: "Një ndër prozatorët ma të mëdhaj shqiptarë".

    Në vitin 1946, At Donat Kurti asht drejtor i Gjimnazit të Fretënve "Illyricum" të Shkodrës. Asht drejtor i atij Gjimnazi, që asht cilësue vatra prej ku përhapeshin shkëndijat e atij atdhetarizmi dhe të asaj kulture shqiptare, mbi të cilat u ndërtue përjetësisht binomi "Fé e Atdhé".

    Prof. Simon Pepa, shkruen: "Dhe tani, në 55 vjetorin e botimit të "Iliadës" shqiptare të gjithë ata që e mblodhën dhe e botuan nuk janë më. Edhe Kuvendi Françeskan ku punuan, është këthyer në gërmadhë."(Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare. 1944-1990. fq. 30).

    Asht pragu i ngjarjëve të zeza që dukej se po vinin. At Donati, shkon në Tiranë aty nga gjysma e tetorit të vitit 1946, për me takue Nako Spiron, dhe me bisedue në lidhje me problemet financiare të shkollës. Jo vetëm që nuk takohet me té, por edhe mërrinë me kuptue se jo vetëm shkollës por edhe mësuesve po u vinte fundi. Me të ardhun në Shkodër At Donati, kryen aktin burrnor tue thye vulën e ftohët të shkollës, për mos me u ra në dorë komunistëve kështu, që, i pret mundësinë me falsifikue dokumenta të atij Gjimnazi. Dhe nuk asht larg 11 nandori 1946, kur merr fund shkolla, kuvendi, muzeu, fretnit dhe Kisha, vendi ku Sigurimi komunist futë armët dhe akuzon Fretnit për këtë akt të ultë që u krye në Kishën Katolike Shqiptare, në të gdhimë të datës 17 nandor 1946, nga vetë ata. Me datën 12 nandor asht ndër të parët që arrestohet At Donat Kurti, me akuzën e formimit të Partisë Demokristjane, të futjes së armëve në Kishë, edukator i rinisë me frymën fashiste, një ndër bashkëpuntorët e "Hyllit të Dritës", që ka lavdëruar fashizmin etj. Akuzat e rreshtojnë ndër ata klerikë që nuk pritej prej askujt shpëtimi i kokës së tij. Ai ishte i sëmurë me një ulçëra kronike, nga e cila ka vuejt gjithë jetën. Ndoshta, gjendja shëndetësore e randë në birucat e Sigurimit, u ka krijue përshtypjen xhelatëve se "nuk e ka të gjatë", prandej po e lamë të vdesin ndër burgjet e mnershme që ka vuejt dënimin e përjetëshëm, mbas pretencës së prokurorit që kërkoi pushkatimin e tij.

    Hetohët nga kriminelët Nesti Kopali, Zoi Shkurti, Qako Prokopi, Hysni Ndoja etj. Qëndron kokfortë, ashtusi kishte edhe natyrën e tij para armiqve, nuk thehët as nga frika, as nga torturat por asht ballhapët dhe trim para të gjithë presionëve. Asht i vetëdijshëm se e pret plumbi.


    At Donat Kurti deklaron para Trupit Gjykues, i përbamë nga: Kryetar, Misto Bllaci, antarë, P. Alizoti, A. Koroveshi dhe prokuror, Namik Qemali: "Nuk kam punue për fashizmin asnjëherë... tek Hausdingu kemi shkue me At Mati Prennushin për me kërkue lirimin e kuvendit që na kishte zanë ushtria gjermane... herët tjera At Matia ka shkue vetëm tek gjermanët, mbasi dinte vetë gjermanishten e merrësh vesht direkt.... Me zbritjen e partizanëve në Shkodër, kemi mbajtë qëndrim të ftoftë për 4-5 muej mbas vëndosjes së Pushtetit, unë për vehten teme e kam kuptue se ky Pushtet ishte komunist dhe, se po bahej rrezik për Fenë... Monsinjor Gjini, me t'u emnuem Delegat vitin e kaluem i ka drejtue një memorandum delegatit françeskan, ku kërkohej të respektohën të drejtat e katolikëve nga qeveria, mbasi ato të drejta që i takojnë po shkeleshin çdo ditë... Për armët në Kishë nuk dij gja... Me rastin e 2 dhetorit 1945, unë kam dalë për votime, por votën e kam hjellë në arkën boshe. Natyrisht, këtë e kam ba si kundërshtar i rregjimit komunist... një mikroskop, një aparat fotografik, 20 filma, një makinë shkrimi, një gramafon dhe një arkë me libra e dorëshkrime i kam mëshef në një odë e cila asht nalt pa shkallë, dhe po të mos të të çojë kush, nuk e gjenë dot... Për né, e quej ma të rrezikëshëm qenjen e këtij Pushteti këtu, sesa okupacionin italian e gjerman... Letrën e Padër Gjon Shllakut me pseudonim "Forca Atomike", e kam ruejt për dokument, mbasi ajo tregon qëndrimin e Padër Gjon Shllakut, në burg.... Nuk e ndiej vedin fajtor..."(Dosja 1303, Arkivi M.M.Tiranë)

    Kështu edhe At Donati, me këtë grup ku bante pjesë Don Anton Muzaj, Don Mark Hasi, Viktor Kujxhija, etj. ku, spikatë qëndrimi i Anës Daja dhe Liza Palit para prokurorit katil Aranit Çela njëditë para gjyqit, e vazhdon skenarin e filmit jugosllav "Dosja 1302/2-A", dhe kjo asht e kuptueshme edhe nga vazhdimi i numrit "Dosja 1303 At Donat Kurti...".

    Ai edhe pse ishte në burg vazhdoi punën shkencore, nga e cila e ndau vetëm vdekja. Atje ai njihej me të burgosun të krahinave të ndryshme të Shqipnisë, dhe mblidhte fraza gjuhësore që përdornin ndër ato krahina. I shkruante ndër fletore dhe pregatiste "Fjalorin Frazeologjik të Gjuhës Shqipe". Ky fjalor kishte 45000 (katërdhet e pesëmijë) fraza. Asht kenë i shkruem në dy kopje me dorë, një për Universitetin, dhe një do ta merrte me vedi kur të lirohej. Kjo punë nuk ishte ilegale mbasi dihej edhe nga komanda e burgut të Burrelit. Ditën që asht lirue, komandanti i burgut ia ka mbajtë në zyrën e tij edhe kopjen që kishte të veten At Donati, tue i thanë: "Me që janë shumë fletore dhe nuk i lexojmë dot tani, këto do ti merrni pasi të kontrollohën nga ana e jonë. Do të ua dërgojmë në Degën e Punëve të Mbrendshme të Shkodrës, nuk ua humbim, por, është një formalitet që do të bëhet, mbasi kështu kemi urdhër nga lart." Këto fjalë mi ka tregue vetë At Donati, kur ishte për drekë në shtëpinë tonë më 13 qershor 1964, ditën e Shna Ndout, bashkë me Don Mark Hasin, Prof. Gaspër Ugashin, Prof. Petro Fundon etj.

    Atë ditë ai erdhi ma vonë se të tjerët. Kur hyni mbrend na kërkoi të falun për vonesën. Mbasi u ul në krye të vendit në sofër tregoi sesi e kishte pritë tek dera e Kuvendit Jup Kastrati, të cilin deri atë ditë nuk e njihte fare, as për fëtyrë... Ndërsa, Dh. Shuteriqi, Sh. Demiraj etj. që kanë pasë në dorë fjalorin e tij nuk dij nëse e kanë takue ndonjëherë, mbasi për vite të tana ata kanë vjelë frutin e punës së tij.

    At Donati, ishte njoftue nga një fratel i kuvendit se pritej nga Jupi dhe i kishte nxjerrë fjalë se nuk mund të takohemi, se, sot jam i zanë, por Jupi kishte vazhdue me qëndrue, tue zanë rrugën e kalimit. Jupi, aty, i dinte mirë skutat, mbasi gati ka kenë ba edhe ky "fratel" dikur. At Donati, për mos me na lanë me pritë né në sofër kishte dalë dhe, ka gjetë Jupin aty. Jupi me servilizmin e tij karakteristik, me kokë të përulun dhe tue fërkue duert me zgërdhimjen e tij hipokrite, i kishte dalë pak përpara At Donatit tue i tregue emnin. Me që, At Donati ishte tue dalë e nuk kishte mundësi me e pritë, Jupi i kishte kërkue një takim në një ditë tjetër, kur të kishte kohë të lirë ky. At Donati, me natyrën e tij autoritare si para një nxanësi rrugaç, i kishte përgjigjë: "Sot ke ardhë dhe të fola, për mue këtu mos u duk ma mbasi nuk due me të takue. E dij mirë kush jé, ke marrë çka ke marrë nga At Justin Rrota, ajo asht kenë puna e tij. Tek unë nuk merr gja, prandej mos u duk ma në këtë Kuvend, se ia ke pa hajrin boll këtij vendi!" dhe kishte kalue pa i dhanë edhe dorën... Nuk dij nëse Jupi e ka shkrue këtë takim në kujtimet e tija!... Por, unë atë ditë kam pij me gëzim të madh kur ndigjova nga goja e At Donatit, përgjigjën që i kishte dhanë kusarit të Fretënve.

    At Donat Kurti bani ma shumë se 17 vjet burg dhe u kthye në vendlindje tue u mbledhë në sofrën e të vobegtëve të Asizit, që kishin mbetë në Kuvendin e Arrës së Madhe. Aty nuk shkoi gjatë, mbasi 1967-ta e shkatrroi edhe "këtë qendër me thëmel", por këtë herë jo nga rusët, po me porosi nga kinezët.

    Populli i Shkodrës nuk e pau asnjëherë që nga viti 1946 tue thanë meshë ose me ndigjue fjalën e tij në ndonjë predikatore, mbasi ai nuk ishte dakord asnjëherë me Statutin e Kishës së vitit 1951. Këtë Statut ai e kishte kundërshtue që në Burrel, por edhe mbasi doli nga burgu ai nuk u pajtue me qëndrimin e klerit "të lirë" në atë kohë. At Donati, nuk ishte i vetëm në këtë qëndrim, me té ishte At Meshkalla, At Gjolaj, Don Nikoll Mazrreku, Don Pashko Muzhani etj. Mos aktivizimi legal i tyne ishte fatkeqësi kryesisht për edukimin e rinisë.
    Koha bani të veten.

    At Donat Kurti, njëditë u gjet në një barakë me llamarina pa kurrgja mbas shpirtit, vetëm me pak libra, mbasi pjesën ma të madhe i kishte të mëshefun si shumë shokë të tij, me një dyshek për vedi e një për motrën, murgeshën e nderueme .... të spitalit të Tiranës, e cila nuk e la vetëm deri atë ditë, më 10 nandor 1983, që u bashkue me shokët e vet, eshtnat e të cilëve i kishte nën brinjë.
    At Donat Kurti O.F.M. ruejti me dinjitet deri në vdekje të gjitha cilësitë që i përkisnin Urdhnit të tij tue jetue fukara, tue vuajtë me fukara, tue punue me edukue fukaratë dhe tue vdekë si fukara, i nderuem prej fukarave të mbarë Shqipnisë, të cilëve, në këtë jetë të mjerueme, u la trashigim një thesar shumë të çmueshëm nga mendja e Tij e ndritun: "VISARËT E KOMBIT".

  3. #3

Tema të Ngjashme

  1. Martiret e Kishes Katolike
    Nga NoName në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 23-03-2012, 03:24
  2. Therren tre të krishterë në Turqi
    Nga Albo në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 83
    Postimi i Fundit: 25-12-2008, 12:07
  3. Perkujtimore Martiret E Shkodres 2 Prill 1990
    Nga engjulli_peje^ në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 03-04-2007, 09:16
  4. Martiret e Kishes Katolike
    Nga NoName në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 13-08-2006, 09:56
  5. Muhamedi, Nje Perpjekje Perendimore Per Te Kuptuar Islamin
    Nga forum126 në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 06-02-2006, 10:44

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •