"Pushtet tjetër, tjetër dije"

IRDD- Instituti i Kërkimeve për Demokracinë dhe Zhvillimin, një qendër kërkimesh politike dhe shtëpia botuese ORA kanë lajmëruar këtë projekt të përbashkët . Bëhet fjalë për një cikël debatesh sociologjiko - politike, me emrin "Tjetër dije" sipas një maksime të filozofit të njohur francez Michel Facault "Pushtet tjetër, tjetër dije". Ky program debatesh synon të ketë një periodicitet të përmuajshëm dhe të sjellë para një auditori të zgjedhur, lektorë të shquar të fushës akademikë ose studiues, sociologë, filozofë për të referuar rreth një argumenti të debatit bashkëkohor shqiptar dhe europian. IRDD dhe shtëpia botuese ORA synojnë me këtë program të krijojnë një hapësirë për debatin e kualifikuar dhe akademik, i cili e tejkalon zënkën dhe thashethemnajën e përditshme politiko- mediatike. Debatet do të zhvillohen në sallën e vogël të "Black Box" në Akademinë e Arteve, e cila në fakt për nga konstruksioni i ngjan një "forumi antik" me platenë dhe shkallët ku ulet auditori. Po ashtu debatet do të regjistrohen dhe do të përpunohen edhe për t'u transmetuar në televizion. Ditën e martë u mbajt edicioni i parë i ciklit të debateve sociologjiko- politike "Tjetër dije" në të cilin ishte ftuar lektori Artan Fuga. Drejtori i shtëpisë botuese ORA, Besnik Mustafaj, dhe drejtori i IRDD, Henri Çili prezantuan ciklin e debateve "Tjetër dije" dhe lajmëruan auditorin për hollësitë e edicioneve të ardhshme. Gjatë debatit ndërhynë dhe diskutuan pedogogët e fakultetit të shkencave sociale Hysamedin Feraj, Aleksandër Kocani, Teuta Starova, publicistët Preç Zogaj, Besnik Mustafaj etj. Tema e debatit të parë ishte "Shqipëria mes totalitarizmit dhe arsyes fragmentare". Gjatë debatit profesor Fuga ka folur rreth "dijes së demokracisë" , e cila asesi nuk është e kundërta e dijes së diktaturës. Ky është kurthi i parë nga ai cili ai na lajmëron të mos biem. Dija e demokracisë është diçka e hapur, diçka jopërfundimtare dhe diçka jokategorike. Ajo është "heterogjene" dhe e lëvizshme dhe e larmishme, dhe jo "homogjene" e kategorike e përjashtuese si dija e totalitarizmit. Profesor Fuga e ka përshkruar rrugëtimin e tij dhe të kolegëve të tij të mjedisit akademik shqiptar të shkencave sociale, nga materializmi dialektik tek e kundërta e tij me ardhjen e demokracisë. Por as ky kalim tek e kundërta nuk është një përgjigje ndaj asaj çka mendimi filofizik ngre pikëpytjet dhe paradigmat e veta. Atëherë "dija e demokracisë" - ishte diçka tjetër, "midis" , "e ndërmjetme", ishtë një rrugë e tretë. Pikërisht në këtë hapësirë mes ekstremeve, përqëndrohet kërkimi për t'i dhënë shoqërisë një vizion për të shprehur dhe realizuar në një lloj harmonie relative vetveten.