Qeveria amerikane ka pranuar ekzistencën e një programi sekret për të monitoruar ndërtesa mysliane në qytetet amerikane për shenja të mundshme të radioaktivitetit.
Qeveria amerikane e justifikon këtë masë me parandalimin ndonjë përpjekjeje të Al-Kaidas për sulme duke përdorur armë radiologjike apo bërthamore.
Për katër vjet që pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, sipas programit, janë marrë mostra të ajrit rreth shtëpive, bizneseve të myslimanëve apo xhamive në kryeqytetin Uashington, dhe disa qytete të tjera.
Programi i fshehtë i monitorimit të radiacionit u zbulua në publik të premten në një lajm të revistës US News and World Report.
Në pikun e tij programi monitoroi 120 vende në ditë rreth Uashingtonit, si dhe objektiva në të paktën pesë qytete të tjera, përfshirë Nju Jorkun, Çikagon e Detroitin - dhe gati të gjitha ato ishin vende myslimane, si xhami, ndërtesa zyrash apo shtëpi private.
Një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë tha se ky program ishte i nevojshëm meqë Al-Kaida mbetet e angazhuar për të siguruar armë bërthamore.
Një zyrtar tjetër në Departamentin e Drejtësisë tha se meqë monitorimi bëhej nga vende publike si rrugë apo sheshe parkimi nuk nevojitej leje gjykate.
Ky program është dënuar nga udhëheqësit myslimanë në SHBA duke thënë se përsëri myslimanët ishin objekt i veprimeve të qeverisë thjesht se ishin myslimanë.
Ky është zbulimi i dytë këtë javë për survejim nga administrata Bush, pas njoftimeve për përgjim të telefonave të personave që dyshohen se kanë përfshirje në terrorizëm.
BBC.co.uk/albanian
Krijoni Kontakt