Dy muaj më parë, dy adoleshentë, fqinjë të familjes Topuzi, janë futur të maskuar brenda shtëpisë së tyre

Familja Topuzi varroset, policia shoqëron disa bashkëfshatarë


Besim Dybeli

Elbasan–Policia e Elbasanit ka shoqëruar disa persona të dyshuar për tragjedinë që ndodhi tre ditë më parë në fshatin Shelcan por ajo nuk ka pranuar të publikojë emrat e tyre dhe pistat ku po hetohet.
Ndërkaq dje është zhvilluar edhe ceremonia e katër viktimave e familjes Topuzi për vdekjen e të cilëve, versioni zyrtar i deritanishëm është mbytja nga monoksidi i karbonit, çliruar nga gjeneratori që familja e mbante ndezur brenda në dhomë.
Dje, rreth orës 13.30, kortezhi i përmortshëm përcolli për në banesën e fundit gati të gjithë pjesëtarët e familjes Topuzi, përveç Josifit dhe Diles, babai i fëmijëve të vdekur dhe gjyshja e tyre. Përveç qindra të afërmëve e banorëve të fshatit Shelcan, në varrim morën pjesë edhe dy kryetarët e komunave të Gjinarit dhe Shushicës, Gani Hida dhe Lutfi Lala. Kortezhi numëronte rreth 200 burra dhe të katër të vdekurit janë varrosur në kopshtin jo shumë larg shtëpisë, pikërisht pranë varreve të gjyshërve të Josifit, rivarrosur disa vite më parë pasi u hoqën nga varrezat e lagjes Bodurr në fshatin Shelcan. Gjatë ceremonisë jo pak nga të afërmit dhe bashkëfshatarët, në biseda mes tyre, kanë hedhur disa dyshime rreth ngjarjes, dyshime që edhe mund të jenë depozituar nga policia, por kjo e fundit nuk ka pranuar të bëjë publike asnjërën prej tyre.
Dyshimet
Dy muaj më parë, sipas burimeve dhe dosjeve të depozituara në policinë e Elbasanit, dy adoleshentë, fqinjë të familjes Topuzi, janë futur të maskuar brenda shtëpisë së tyre në momentin që 80-vjeçari Jorgji Topuzi po numëronte lekët e të birit. Ky i fundit, sapo ia kishte dërguar nga Greqia ku punonte prej 11 vjetësh. Ata i kanë rrëmbyer të moshuarit rreth 5 milionë lekë të vjetra dhe nje dele. Të gjitha këto janë të depozituara në policinë e Elbasanit dhe përbëjnë një nga pistat e saj të hetimit. Por gjithsesi versioni i vjedhjes së parave dhe më pas i lënies ndezur të bombulës së gazit duket se është rrëzuar pasi përveç 1 milionë lekëve të vjetra, në sëndukun ku familja mbante paratë e emigracionit të Josifit nuk mungonte gjë tjetër. Ekspertët mendojnë se 1 milion lekët, të denoncuara si të vjedhura nga kryefamiljari Josif Topuzi, mund të jenë harxhuar për të blerë ndonjë gjë nga familja. Përveç kësaj, në qafën e babait të tij, Jorgjit, është gjetur çelësi i sëndukut ku edhe mbaheshin lekët.
Ndërkaq, sipas fqinjëve të Josifit , ditët e para të dhjetorit, ky i fundit është rrahur në Greqi me vëllanë e tij, Bashkimin. Ky i fundit banon në Sarandë, por emigron prej më shumë se dhjetë vitesh në shtetin grek ku dhe i ka vdekur bashkëshortja me kombësi greke, por me shtetësi shqiptare. Mendohet që grindja mes vëllezërve është bërë konflikti i pronësisë mbi tokën ku aktualisht Josifi ka ndërtuar shtëpinë.
Policia
Ekspertët nga kryeqyteti nuk kanë dhënë asnjë version përfundimtar nga konkluzionet e tyre pas analizave. Po ashtu dhe ekspertët e policisë së Elbasanit. Madje kjo e fundit nuk ka pranuar të bëjë publike asnjë version dyshues. E vetmja gjë që mësohet zyrtarisht mbetet shoqërimi në polici i disa personave nga fshati Shelcan. Policia e Elbasanit është duke hetuar në një pistë të gjerë dyshimesh për të dalë në një version bindës.


Dyshimet e të njohurve të Topuzajve
“Gjyshja ka vrarë me pagesë tre burra”
Ndërkaq një tjetër dyshim është hedhur dje gjatë varrimit të 4 pjesëtarëve të familjes Topuzi. Bashkëfshatarët të cilët dyshojnë se ata janë ekzekutuar, kujtojnë një histori shumë të vjetër. Sipas tyre, gjyshja e Josif Topuzit, babait të fëmijëve të vdekur tre ditë më parë, ka paguar njerëz për të vrarë 3 burra nga fshati Shelcan. Këto vrasje të ndodhura 50-60 vjet më parë, sipas tyre, janë bërë për motive pronësie. Historia nuk ka mbetur shumë e pastër në kujtesën e fshatit dhe policia nuk e di nëse ajo figuron në ndonjë dokument, por njerëzit e afërm të Topuzajve këmbëngulin se tragjedia e ndodhur tre ditë më parë mund të ketë qenë një hakmarrje e mundshme për vrasjet e supozuara të stërgjyshes.



Shekulli
23/12/2005