Toleranca fetare në shënjestër
Nga Ferdinand Dervishi
Pasi i përzumë me mendjen dhe duart tona pothuaj të gjithë biznesmenët e huaj, të cilët nuk qenë të paktë pas rrëzimit të komunizmit... Pasi i bëmë gropën vetes duke qenë më shumë të zellshëm se duhet për të përgojuar, amplifikuar, zmadhuar, publikuar e stërpublikuar, -pa u vetëpërmbajtur në asnjë moment, -të gjitha të zezat që na pjell krimi i organizuar apo ordiner, politika e shteti i korruptuar... Pra pasi çuam për lesh më të mirat që kishim, MIKPRITJEN dhe EMRIN E MIRË, përfundimisht duket i jemi qepur të shkatërrojmë me duart tona, të fundit mburrje që na ka mbetur –TOLERANCËN FETARE.
Ideja e zgjatimit të kryqeve gjigandë në disa zona të njohura si bastione të besimit të linjës të fortë apo përjashtues fetar, si në Elbasan, Xarë të Sarandës dhe në Shkodër, përfundimisht duket të jetë vepër e një mendjeje të djallëzuar. Shumëkush nga ne ka vizituar vende fqinje, ku besimi fetar dhe institucionet përkatëse janë më të mirëorganizuara se vetë shteti, si për shembull Greqia, por edhe në Itali e gjetkë, dhe nuk ka parë pothuaj gjëkundi kryqe gjigande. Pra prania e tyre në këto shtete nga jemi duke marrë “përvojë të përparuar fetare”, nuk ka qenë dhe nuk është një tendencë, siç është duke ndodhur në vendin tonë. Në këto shtete, apo dhe në të tjerë, -nëse do të përjashtojmë Izraelin dhe Palestinën, për shkaqe që dihen, - nuk ka ndodhur kurrë që për 3-4 familje muslimane të ngrihet një xhami e kushtueshme më vete, apo një kishë për të njëjtët sasi besimtarësh ortodoksë apo katolikë, siç ka ndodhur dhe po ndodh në Shqipëri.
Pra të tilla zhvillime lënë gjithsesi një shije të keqe dhe pikërisht kjo shije e keqe nuk kapërdihet njëlloj në gojë të ndryshme. Për rrjedhim kryqet gjigande ditën përshahen, -jo gjithmonë pa të drejtë, -nga gojët e hidhëruara dhe natën bëhen viktima të sharrave apo tritolit, në ndonjë rast, si në Sarandë, me përfshirjen e vetë shtetit.
Dhe kjo ndodh në një shtet ku hollë - hollë besimtarët realë të të gjitha feve nuk përbëjnë më shumë se 1-10 përqind të popullsisë (një rezultat nisur nga besimtarët që njohim e që janë përditë mes nesh).
Në këtë pikë duket se roli i shtetit përballë problemeve që pjellin komunitetet fetare është shumë larg të qënit i pranueshëm. Ndërsa pasojat, si në rastin e fundit të dëmtimit të kryqit në Bushat të Shkodrës, të paparashikueshme. Nëse do të funksiononte në këtë krah, vetë shteti mund të kishte parandaluar gjithçka që në ide, para se kryqi të vendosej. I thinjur në komunikim, rasti mund të ishte zgjidhur ndryshe duke shmangur pasojat e së ardhmes.
Por tani kemi një kryq të rrëzuar përtokë, besimtarët katolikë të zonës gati për sherr, ata muslimanë nën presionin e akuzës, por që nuk u prek aspak dëshirën... Nga ana tjetër policia dhe SHISH hetojnë me vrull dhe premtojnë zbulimin e autorëve, -një zhvillim që do të ishte idiotësia më e madhe po të ndodhte dhe të bëhej publik.
Përfundimisht, të gjitha këto ngjarje së bashku, shtuar zhvillimet e bujshme të viteve të fundit në Komunitetin Musliman, po errësojnë me shpejtësi të kënaqshme një nga mburrjet e pakta të mbetura ndër shqiptarët, -TOLERANCËN FETARE. Më keq akoma kur pas rastit të fundit në Shkodër, për lojën dyshohet se nuk është me emër shqiptar.
Krijoni Kontakt