--------------------------------------------------
Nuk do të ketë më shërbim të detyrueshëm ushtarak njëmujor për studentët që kanë përfunduar shkollimin universitar brenda apo jashtë vendit. Këtë ndryshim të thjeshtuar ligjor ka vendosur dje Këshilli i Ministrave, duke bërë shfuqizimin e vetëm një fjalie të një neni të ligjin “Për shërbimin ushtarak në Republikën e Shqipërisë”.
Qeveria vendosi dje që nëpërmjet disa pikave të ndryshuara studentët të mos kenë më asnjë detyrim ushtarak ndaj shtetit, duke saktësuar se këtë përfitim e kanë të gjithë shtetasit që kanë përfunduar një shkollë të lartë qoftë brenda, qoftë jashtë Shqipërisë, pra që nuk do të kryejnë atë shërbim të paraparë vetëm prej 1 muaji në Forcat e Armatosura. Në mbledhjen e djeshme, qeveria vendosi ta shfuqizojë fjalinë e dytë të pikës 1 në nenin 10. Kjo pikë në ligjin e mëhershëm thoshte: “Shtetasit shqiptarë që kanë përfunduar shkollat e larta universitare me shkëputje nga puna, brenda ose jashtë vendit, në përshtatje me diplomimin e tyre dhe sipas përcaktimeve që bën ministri i Mbrojtjes kryejnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak aktiv ose alternativ për një periudhë 1-mujore”
Pas kësaj, përcaktimi i ri ligjor do të “lehtësojë” nga shërbimi ushtarak studentët. Nisma ligjore për të bërë këtë shfuqizim ka qenë ndërmarrë nga ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, që në ditët e para në detyrë të qeverisë së kryeministrit Sali Berisha.
Ndryshime në të njëjtin ligj, “Për shërbimin ushtarak në Republikën e Shqipërisë”, janë bërë edhe për rastet e neneve mbi lirimin përpara kohe. Nisma e Ministrisë së Mbrojtjes, e shndërruar në vendim në mbledhjen e djeshme, përcakton dy ndërhyrje në ligj; përkatësisht në nenin 14. Së pari, vendimi i ri saktëson ndryshimin në pikën “b”. Kjo pikë thotë tanimë, pra përcakton, se kur lirohet përpara kohe një shtetas që është ndërkohë në shërbimin ushtarak të detyrueshëm apo alternativ: “Për rastet e fatkeqësive familjare dhe kur personat në ngarkim të ushtarit mbeten pa përkujdesje”. Më parë, ligji thoshte, për të njëjtin përcaktim mbi lirimin përpara kohe: “Për fatkeqësi familjare të rënda, kur prindi ose bashkëshortja bëhet invalid ose vdes dhe fëmijët mbeten pa përkujdesje”. Por, një pikë tjetër është shtuar (pika “ç”) dhe që parasheh mundësi lirimi për shtetasit në shërbimin ushtarak të detyrueshëm apo alternativ, sipas këtij saktësimi: “Shtetasi kryefamiljar, i cili gjatë kohës së kryerjes së shërbimit ushtarak bëhet me dy a më shumë fëmijë”. Ndryshimet qëndrojnë se për të gjitha rastet që parashikojnë pikat "a", "b" dhe "c" të këtij neni, urdhri i lirimit, lëshohet nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura). Ndërkaq, në ndryshimet e djeshme bën pjesë edhe rasti për pranimet e studentëve në shkollat e larta ushtarake apo në Akademinë e Policisë.
Nenet
Neni 10
Kohëzgjatja e shërbimit
Fjalia e dytë, e pikës 1, të nenit 10, shfuqizohet.
1. Kohëzgjatja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak aktiv ose alternativ është 12 muaj. Shtetasit shqiptarë që kanë përfunduar shkollat e larta universitare me shkëputje nga puna, brenda ose jashtë vendit, në përshtatje me diplomimin e tyre dhe sipas përcaktimeve që bën ministri i Mbrojtjes kryejnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak aktiv ose alternativ për një periudhë 1-mujore.
Neni 14
Lirimi para kohe
Shtetasi në shërbimin e detyrueshëm ushtarak aktiv ose alternativ lirohet para kohe nga ky shërbim në rastet kur:
a) Shkronja “b” ndryshohet, si më poshtë vijon:
b) Për fatkeqësi familjare të rënda, kur prindi ose bashkëshortja bëhet invalid ose vdes dhe fëmijët mbeten pa përkujdesje;
Shtohet pika “ç“:
b) Pas shkronjës “c”, shtohet shkronja “ç”, me këtë përmbajtje:
(ISHTE: c) Pranohet student në shkollat e larta ushtarake ose në Akademinë e Policisë).
“ç) Shtetasi kryefamiljar, i cili gjatë kohës së kryerjes së shërbimit ushtarak bëhet me dy a më shumë fëmijë”.
c) Në paragrafin e fundit shprehja “...shkronjave “a”, “b” dhe “c”...”të bëhet “...shkronjave “a”, “b” dhe “ç”....”.
(ISHTE: Për rastet e parashikuara në shkronjat "a", "b" dhe "c" të këtij neni, urdhri i lirimit lëshohet nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura).
--------------------------------------------------
Krijoni Kontakt