Liljana Halilaj u kap në Qafë-Thanë, teksa po ikte në Maqedoni. I mori paratë shqiptaro-kanadezit Hyka për të hapur biznes në Shqipëri

Mashtron biznesmenin nga Kanadaja, i merr 50 mijë euro


Dashamir Biçaku

TIRANE- Mashtroi një biznesmen shqiptaro-kanadez duke i marrë 50 mijë euro, përfundon në pranga 42-vjeçarja. Liljana Halilaj po tentonte të largohej në drejtim të Maqedonisë, nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Qafë- Thanës në momentin që është arrestuar nga policia me akuzën e vjedhjes nëpërmjet mashtrimit, në bazë të një urdhër-arresti të firmosur nga prokuroria e Tiranës. Neritan Hyka, rreth 60 vjeç, biznesmen shqiptar i lindur në Kanada, ka denoncuar Halilajn se e kishte mashtruar, duke i marrë 50 mijë euro me argumentin se do t’i hapte një biznes në emrin e tij në Shqipëri. Sipas kallëzimit, paratë janë tërhequr prej 42-vjeçares nëpërmjet transfertave që Hyka kishte bërë nga Kanadaja në Shqipëri, nëpërmjet “Uestern Union”. Pas ndalimit të saj në pikën e kalimit kufitar në Qafë- Thanë është njoftuar policia e kryeqytetit për kapjen e të kërkuarës. Të martën në mbrëmje, gruaja e ndaluar për vjedhje me anë të mashtrimit i është përcjellë drejtorisë së policisë së Tiranës, ku edhe i është komunikuar urdhri i arrestit. “Vjedhje nëpërmjet mashtrimit në shuma të mëdha”,- kjo ka qenë akuza që i kanë komunikuar hetuesit Liljana Halilajt, e cila nga ana e vet nuk ka pranuar të ketë kryer një mashtrim të tillë.

Mashtrimi

Sipas burimeve të policisë, historia ka filluar rreth një vit më parë, kur e ndaluara, nëpërmjet një të njohuri të saj në Kanada, ka mundur të gjejë një investitor, i cili ishte i gatshëm të hidhte para për ngritjen e një biznesi në vendin tonë. Zgjedhjen e sektorit të biznesit, investitori Hyka ia kishte lënë gruas që i kishte marrë përsipër t’i kryente investimin në Shqipëri. Pasi kishin përfunduar marrëveshjen, Hyka kishte nisur dërgimin e parave në Shqipëri me këste. Burimet e policisë pohuan se e arrestuara kishte mundur të tërhiqte nëpërmjet agjencisë “Uestern Union” shumën prej 50 mijë eurosh, në 7 këste. Burimet e policisë sqarojnë se shumat e kësteve varionin nga 3 deri në 15 mijë euro. Kësti i fundit mësohet të jetë tërhequr prej Halilajt në muajin nëntor të vitit të kaluar, rreth 5 mijë euro. Që prej asaj kohe, Halilaj i kishte prerë komunikimet me “bosin” e saj përtej Atlantikut, për ecurinë e biznesit që ajo duhej të kishte hapur. Tentativat e tij për t’u lidhur apo për të komunikuar me sipërmarrësen e tij kishin shkuar kot. Kjo gjë e ka detyruar Hykën të udhëtojë në drejtim Shqipërisë dhe stacioni i tij i parë është bërë Drejtoria e Policisë së Tiranës, ku ai ka kallëzuar Halilajn për vjedhjen e 50 mijë eurove nëpërmjet mashtrimit.

Arrestimi

Të martën, Lindita Halilaj është nisur për të kaluar në Maqedoni për një vizitë private, nëpërmjet pikës kufitare të Qafë-Thanës. Gjatë kontrollit në pikën e kalimit, emri i saj ka rezultuar mes emrave të shpallur në kërkim nga policia shqiptare. Sistemi i elektronik i instaluar në këto pika ka nxjerrë të dhënat e plota të saj dhe veprën penale për të cilën akuzohej. Menjëherë Halilajt i janë vënë prangat, duke e ndaluar për disa orë në komisariatin e policisë së Pogradecit. Edhe pse ajo është përpjekur të argumentojë se nuk kishte probleme me drejtësinë apo me policinë, blutë e qytetit juglindor kanë njoftuar kolegët e tyre nga Tirana të cilët më pas i kanë komunikuar akuzën. Burime të policisë së kryeqytetit pohuan dje në mbrëmje se ata kishin mundur ta identifikonin gruan e kërkuar për mashtrim nëpërmjet fotove që kishin mundur të siguronin, ndërsa gjatë ballafaqimeve për njohje me punonjësit e sporteleve të agjencisë së transferimit të parave, këta të fundit kanë pohuar se ishte pikërisht ajo që kishte tërhequr në 7 herë shumën prej 50 mijë eurosh.

50 Mijë euro ka mundur t’i marrë biznesmenit shqiptar nga Kanadaja Liljana Halilaj. Kjo e fundit kishte marrë përsipër të ngrinte një biznes në emër të Neritan Hykës në Shqipëri, por pasi kishte tërhequr paratë e kishte ndërprerë komunikimin me të



Liljana Halilaj është paraqitur në sportelet e agjencisë “Uestern Union” 7 herë përgjatë një viti. Ajo tërhiqte shuma parash që varionin nga 3-15 mijë euro. Policia pohoi se këstin e fundit, Halilaj e kishte tërhequr në muajin nëntor të vitit të kaluar