LONDER/ Durrsaket nënë e bijë , vrasin në shtëpinë e tyre me thikë.
Arrestohen e dalin në gjyq
Dy shqiptare ekzekutojnë anglezin
Policia ende nuk ka sqaruar rreth motiveve të krimit
Nga Londra
Muhamed Veliu
Dy shtetase shqiptare me banim në Londër, mëmë e bijë, më datë 2
janar 2006 kanë ekzekutuar me thikë 24-vjeçarin anglez Aaron Stokes.
Dy gratë e kanë konsumuar këtë vepër penale në banesën e tyre
në "Centrepoint Hostel", në rrugën Queens SE14, në jug të Londrës.
Policia angleze ka proceduar me arrestimin e 22-vjeçares Renata
Mitre dhe nënës së saj 48-vjeçare Dezdemona Balla, mjekes së njohur
nga qyteti i Durrësit, pasi në banesën e tyre është gjendur trupi i
pajetë i 24-vjeçarit Stokes, i cili ishte goditur me thikë në
kraharor.
VRASJA
Në lidhje me këtë vrasje, një prej zëdhënëseve të Scotland Yard, tha
për "Gazetën Shqiptare" se policia u sinjalizua prej punonjësve
të "Centrepoint Hostel" në mëngjes herët, rreth orës 00.44 të datës
2 janar. "Incidenti kishte ndodhur në dhomën e ndenjes, në të cilën
22-vjeçarja Renata dhe nëna e saj banonin prej disa kohësh",- thotë
zëdhënësja e policisë. Anglezi 24-vjeçar është gjendur i mbuluar në
gjak prej plagëve që i kishte shkaktuar goditja e thikës dhe ka
ndërruar jetë gjatë kohës që u transportua për në spital. Mjeku
ligjor bëri të ditur se i riu anglez ka gjetur vdekjen për shkak të
plagës vdekjeprurëse që ka marrë në kraharor.
Scotland Yard nuk i ka bërë ende të ditura motivet që kanë nxitur
këtë vrasje. Ditën e djeshme, 22-vjeçarja Mitre dhe nëna e saj 48-
vjeçare, u përballën në Gjykatën Magjistrale të Greenwichit, me
akuzën për vrasje. Ato do të qëndrojnë në qeli, derisa policia të
grumbullojë dhe paraqesë prova nëpërmjet të cilave do të vërtetohet
lidhja e tyre me këtë vrasje. Vrasja e Stokes e çon në gjashtë
numrin e britanikëve të vrarë për motive të ndryshme nga shqiptarët
në Britaninë e Madhe, gjatë pesë viteve të fundit.
22-VJEÇARJA
Renata mbërriti në Angli në vitin 2000 si studente. Fillimisht ajo u
vendos me banim në qytetin Middlesboro, në të cilin qëndroi së
bashku me një komshie nga qyteti i lindjes. Renata u prezantua dhe
me kalimin e kohës u dashurua me tropojanin Zamir Aliaj, i cili
ishte kunati i vajzës me të cilën ajo banonte. Vëllezërit e Zamirit
që jetonin po në Londër, e detyruan Renatën që të ushtronte
profesionin e prostitutës. Por shumë shpejt kjo histori, mënyra sesi
vajzat bien në rrjetën e prostitucionit, do të përfundonte në
ekranin e televizionit BBC 1. Renata rrëfeu se Zamiri, i dashuri i
vet, nuk kishte pranuar ta përfshinte në treg, por nuk i kishte
rezistuar dot presionit që i kishin ushtruar të vëllezërit. Por
fjalët e saj ishin në kontradiktë me pamjet që u transmetuan, në të
cilat 22-vjeçarja Mitre detyrohej të prostituonte në Manour Park
Souna,(në lindje të Londrës), duke u qëlluar barbarisht në trup prej
të dashurit të vet, Zamirit. Renata do të shpëtohej nga një
operacion i fshehtë i BBC-së në muajin janar të vitit 2002, pasi ajo
u identifikua si një vajzë në nevojë, që duhej të largohej nga
prostitucioni. Operacioni u udhëhoq nga reporteri investigativ Donal
Macintyre.
BASHKEPUNIMI
Pasi shpëtoi nga tutela e të dashurit, Renata do të bashkëpunonte
gjerësisht me BBC-në. Në saj të deponimeve të saj, u arrit të
zbulohej një rrjet i madh tutorësh nga Tropoja, të cilët në zonën e
Lewishamit kishin ndërtuar "perandorinë" e tyre të seksit. Me detaje
ajo do të rrëfente përfshirjen e katër vëllezërve Aliaj dhe
kushërinjve të tyre në rrjetin e prostitucionit. Por nga frika e
hakmarrjes, ajo refuzoi ftesën e policisë për të dëshmuar kundër
këtij rrjeti trafikantësh.
Pas dëshmive që dha, 22-vjeçares iu sigurua mbrojtje me bodigard dhe
qëndrimi në një shtëpi të sigurt, e cila disa kohë më vonë filloi të
frekuentohej prej Zamirit. Një konsulente shqiptare, e cila
shoqëronte vajzën, u shpreh se vajza filloi të ndiente mall për ish-
të dashurin. Aktualisht Zamiri ndodhet i burgosur për kalim ilegal
me dokumente false jashtë kufirit. Ndërsa Renatës në vitin 2004 do
t'i garantohej leja e qëndrimit në këtë shtet, pas një procesi
gjyqësor në të cilin gazetari Donald Macintyre dëshmoi në favor të
saj.
AZILI
Pas transmetimit të emisionit në BBC, në të cilin Renata paraqitej
duke u keqtrajtuar nga tutorët për të ushtruar profesionin e
prostitutës, 22-vjeçarja mbrohej me badigard dhe u strehua në një
banesë të sigurt.
Britaniket e vrare ne shqiptaret
13 GUSHT 2001
Isuf Kryeziu, për motive rivaliteti vret irlandezin Thomas McAuley,
pasi kishte të dashur gruan e tij. U dënua me burg të përjetshëm.
11 JANAR 2002
Vaso Aliu, për motive xhelozie vret me thikë, ish të dashurën e tij
Margarita Van Compenhahout. Dënohet me burgim të përjetshëm.
13 MARS 2003
Besnik Kume, me të meta mendore, me një thikë në dorë godiste
kalimtarët në rrugë. Ai mbahet i mbyllur në një spital-burg.
9 PRILL 2003
Marjon Semej, vrau pas një grindjeje në Manchester, indianin
Kalvinder Singh. Dënohet me burgim të përjetshëm.
28 SHTATOR 2004
Gentian Molla, Benet Sulkaj, Daniel Bushati dhe Indrit Caka,
ekzekutuan Vincent Swiftin, i cili i provokoi me thirrje raciste.
10 MAJ 2005
Ilir Krasniqi, me një grup gangsterash anglezë, pasi përdhunojnë
Mary Ann Leneghan, e vrasin atë me një plumb në kokë. Krasniqi u
arrestua, por nuk është dënuar ende.
Krijoni Kontakt