Në gjuhën shqipe do të jenë letërsia, historia dhe kultura. Pollo: Mësuesit të paguhen nga vendi ku emigrantët derdhin taksat
Greqi, shkolla shqipe në qytetet me më shumë shqiptarë
Fëmijët e emigrantëve shqiptarë në Greqi do të kenë mundësi të mësojnë në gjuhën shqipe. Sipas ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo, në shtetin fqinj do të hapen shkolla në gjuhën shqipe në 5 qytete kryesore. Qytete që rezultojnë edhe me numrin më të madh të emigrantëve shqiptarë. “Jemi në tratativa për të krijuar mundësinë e hapjes së shkollave shqipe aty ku përqendrimi i shqiptarëve është më i madh”, - thotë Pollo, duke shtuar se, ndonëse nuk ka një kohë të përcaktuar për këtë nismë, synimi është që shkollat që çelen në vitin 2006. Sipas ministrit Pollo, ende nuk është saktësuar nëse ato do të jenë shkolla, kurse të posaçme apo klasa ku do të mësohet shqip, por gjithçka pritet të përcaktohet gjatë takimit të tij me ministren e Arsimit të Greqisë, Janaku-Kucikum. “Këtë çështje pres ta trajtoj edhe me ministren e Arsimit të Greqisë, zonjën Janaku-Kucikum, një mike e vjetër për mua, me të cilën pres të takohem së shpejti. Ajo ka bërë shumë për hapjen e shkollave të para në gjuhën shqipe në Greqi”, - theksoi Pollo. Mes qyteteve të Greqisë pritet të zgjidhen Athina, Selaniku, Vollos, Patra e të tjerë. Por gjithçka do të saktësohet pas bisedimeve dypalëshe.
Shqip, histori e letërsi
Jo të gjitha lëndët që do të mësojnë fëmijët shqiptarë do të jenë shqip. Por në gjuhën amtare do të jenë aq sa emigrantët e vegjël të dinë gjuhën shqipe, letërsinë, historinë dhe kulturën. Sipas ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo, këto lëndë do të bëjnë që këta fëmijë të njohin rrënjët e tyre, historinë dhe kulturën shqiptare. Ndërsa lëndët e tjera do të jenë në gjuhën greke, pasi synimi është që këta fëmijë, pas përfundimit të shkollës, të integrohen plotësisht me jetën e atij vendi që kanë zgjedhur të jetojnë. “Në vëmendje të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës është edhe mësimi i gjuhës dhe i kulturës shqipe nga fëmijët e emigrantëve shqiptarë. Numri më i madh i të cilëve është në Itali dhe Greqi”, - tha ministri, duke shtuar se për këtë ka pasur kërkesa nga vendet ku janë përqendruar emigrantët.
Problemi i pagesës
Një nga pikat që kërkon më shumë debat lidhur me hapjen e shkollave shqipe mbetet pagesa e arsimtarëve. Pra, cili shtet (Shqipëria apo Greqia) do të sigurojë pagesën e tyre. Për këtë, ministri Pollo ka pohuar se kjo pagesë duhet bërë nga buxheti i vendit ku derdhin taksat emigrantët. “Ne synojmë që këto shkolla të jenë publike, pra të paguhen nga buxheti ku derdhin taksa edhe emigrantët”, - theksoi ministri. Ai ka pranuar kufizimet financiare të vendit tonë, megjithë shtimin e parashikuar për arsimin. Por, pavarësisht kësaj pranon se Shqipëria gjithsesi është e gatshme të ofrojë në një bashkëpunim të tillë. “Ne kemi mundësi që të ofrojmë tekste. Ne librat e arsimit të detyrueshëm në Shqipëri i japim falas. Edhe komunitetet e emigrantëve, ku në disa vende janë të mirorganizuar, mund të kontribuojnë, por ndonjëherë kanë nevojë për koordinim, kërkojnë ndihmën e shtetit”, - shtoi më tej Pollo.
Edhe në vende të tjera
Kërkesa të mëdha nga vetë emigrantët për mësim në gjuhën shqipe ka edhe në vende të tjera. Vetë ministri Pollo ka përmendur interesimin e madh që ka ardhur nga emigrantë në Itali e Angli. “Para disa ditësh takova në zyrë prof De Mauro-n, i cili kur ishte ministër i Arsimit Publik para disa vitesh inicioi mësimin e shqipes në qytetet italiane, ku kishte përqendrim kompakt dhe të organizuar të komuniteteve shqiptare. E falënderova për sa ka bërë”, - tha Pollo. Ai ka përmendur edhe raste të tjera kur shqiptarët jashtë interesohen që fëmijët e tyre të mësojnë shqip. “Një shqiptar me banim në Londër më foli në një aeroport në fundjavën e shkuar, kur po shkoja në një mbledhje të UNESCO-s, për arsimin. Ai më kërkoi vetëm t’ju dërgojmë librat shkollore. “Nëse libri kushton 1 stërlinë, ne paguajmë 3 për copë vetëm të mund t’i marrim në ambasadë”,- më tha ai. Me pak vullnet e vëmendje bëhen shumë gjëra të mira”, - përfundoi Pollo.
Marre nga Shekulli
Krijoni Kontakt