Gjyqësori, qeveria “Nano” fshehu rekomandimet e BE
TIRANË- Zbulohet fshehja që ish-kryeministri Fatos Nano dhe qeveria e tij i bëri rekomandimeve të Bashkimit Evropian, për ngritjen e një pushteti gjyqësor të pavarur. Rekomandimet e BE-së kishin në fokus ndalimin e ndërhyrjes së ministrit të Drejtësisë, në kontrollin e pushtetit gjyqësor. Anashkalimi apo fshehja e qëllimshme nga ana e ish- qeveritarëve u zyrtarizua plotësisht me mospërfshirjen në planet afatmesme të shtetit shqiptar të detyrave dhe rekomandimeve të dhëna nga autoritetet e BE-së, të cilat kërkonin zbutjen e rolit të ministrit të Drejtësisë në gjyqësorin shqiptar. E ndërsa Këshilli i BE-së i kërkoi Shqipërisë që të ndërmerren sa më shpejt masa për të reformuar pushtetin gjyqësor, duke dhënë edhe detyra konkrete, qeveria shqiptare jo vetëm që për shumicën e tyre nuk bëri asgjë konkrete, por në mënyrë të mistershme, fshiu fare nga plani i saj i…………………………. përfarimit të legjislacionit pjesën më të rëndësishme për reformimin e pushtetit gjyqësor, rregullimet që kanë të bëjnë me pavarësinë e këtij sistemi. Plani Kombëtar i Qeverisë Shqiptare, i miratuar në 3 maj 2005 nuk ka përfshirë rekomandimin e prerë të Këshillit të BE-së, ku thuhej se: Ministri i Drejtësisë, nuk mund dhe nuk duhet të ketë të drejtën për të filluar procedimet disiplinore apo inspektimin e veprimtarisë gjyqësore të gjykatësve, me qëllim pavarësinë e pushtetit gjyqësor nga politika.
***
Këshilli i Bashkimit Evropian, si organi më i lartë i BE-së, i mbledhur në Selanik në qershor të vitit 2003, i vendosi shtetit shqiptar si kusht kryesor forcimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, si dhe përforcimin e mëtejshëm të sistemit gjyqësor. Në rekomandim thuhej se: “duhet të forcohet më tej pavarësia e gjyqësorit, duke transferuar me efektivitet inspektimin e veprimtarive gjyqësore të gjykatësve nga Ministria e Drejtësisë, drejt Këshillit të Lartë të Drejtësisë”. Të njëjtin problem autoritetet e BE-së e kanë ngritur në të gjitha raportet vjetore për progresin e Shqipërisë. Sipas raportit të vitit 2004 për Shqipërinë theksohet se: “përgjegjës për sistemin e kontrollit të brendshëm të punës dhe sjelljes etike të gjykatësve dhe prokurorëve janë respektivisht Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme. Por edhe Ministria e Drejtësisë ka autoritetin për të kryer inspektime, të cilat mund të përbëjnë rrezik për të cënuar pavarësinë e gjyqësorit”. Po të njëjtin shqetësim autoritete e BE-së e ngritën edhe ne raportin e para një muaji, për vitin 2005, fakt i cili dëshmon për seriozitetin që BE-ja i kushton kësaj çështjeje, duke theksuar se ngritja e një sistemi gjyqësor dhe të pavaruar nga politika, është kryefjala e reformave në drejtësi.
***
“Pushteti gjyqësor është një nga pushtetet më të rëndësishme në shtet, por ende i brishtë në vendet si Shqipëria dhe si i tillë duhet të jetë i pavarur dhe i balancuar me dy pushtetet e tjera, atë ekzekutiv dhe legjislativ”, -theksohet shpesh në raportet e Departamentit Amerikan dhe të BE-së. Por gjyqësori në Shqipëri ka vuajtur sidomos nga ndërhyrjet e politikës, madje në të gjitha raportet e ndërkombëtarëve theksohet ky fakt: nevoja e çlirimit sa më të shpejtë nga kjo varësi. Ajo që është më e keqja, sipas ndërkombëtarëve që monitorojnë progresin e Shqipërisë, është se varësia e gjyqësorit nga politika mbrohet me ligj, ndaj edhe kërkohet amendimi sa më i shpejtë i ligjit, sidomos ai i ndërhyrjes së Ministrit të Drejtësisë në pushtetin gjyqësor. Për nevojën imediate të ndryshimeve në ligjet aktuale “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” dhe “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë” , është shprehur edhe Gjykata Kushtetuese në vendim nr. 11, dt. 27.5.2004. Në këtë vendim thuhet se: “Gjykata Kushtetuese çmon se për të dy ligjet, si dhe për ligjin “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” ekziston nevoja për një përmirësim të tyre. Ekzistenca e dy inspektorateve që duket se dublojnë njëri-tjetrin, përkufizimi dhe përcaktimi i qartë i nocioneve inspektim, kontroll, verifikim, evitimi i ndërthurjes së kompetencave midis dy inspektorateve dhe dy institucioneve të Ministrisë së Drejtësisë dhe KLD-së.
PAPAJTUESHMËRIA
Ligjit nr.8678, datë 14.5.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”
Neni 6
9. “Ministri i Drejtësisë, kryen inspektime dhe bën procedimin disiplinor të gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit sipas ligjit”.
Nenit 11
3/b)“Drejtoria e Përgjithshme e Çështjeve të Drejtësisë kryen inspektime në gjykata dhe gjyqtarë të veçantë, sipas ligjit dhe përgatit rekomandime për Ministrin e Drejtësisë lidhur me marrjen e masave të nevojshme për zgjidhjen e problemeve dhe për shkeljet e konstatuara”.
Ligji Nr.8811, datë 17.5.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”
Neni 31
1. “Ministri i Drejtësisë kryen inspektimin e gjykatave të shkallës së parë dhe të gjykatave të apelit për organizimin dhe punën e shërbimeve gjyqësore, administrimin gjyqësor, si dhe realizon e vendos për procedimin disiplinor të gjyqtarëve të tyre”;
3. “Ministri i Drejtësisë, në përfundim të inspektimit dhe në bazë të rezultateve të tij, propozon procedimin disiplinor të gjyqtarëve pranë KLD-së”.
Neni 16
1/c) “Në rastin kur vërehen shkaqe ligjore për procedim disiplinor, relacioni shpjegues dhe dokumentacioni përkatës, nëpërmjet zëvendëskryetarit të KLD-së, i dërgohen menjëherë Ministrit të Drejtësisë për të gjykuar për procedimin disiplinor”.
Për 100 dit qeverisje te PD-se kan dal ne shesh shum gjana qe Qeveria e Nanos i ka ba ne dem te Shqiptarve.
Qka do t'del ne ditet ne vijim presim te shohim!!
Krijoni Kontakt