Nano do të rikthehet në krye të PS-se!
Ish-kreu i Partisë Socialiste Fatos Nano, ka vendosur të rikthehet edhe njëherë në krye të selisë rozë dhe sulmi i tij për të mbërritur drejt kupolës do të fillojë në muajin janar. Burime të sigurta afër Nanos, thonë se për këtë gjë kanë filluar që tani të riaktivizohen të gjitha strukturat e bazës, si edhe 25 deputetët e PS-së, të cilët do të bashkohen me të në muajin e parë të vitit të ardhshëm. Në këtë mënyrë duket se dorëheqja e Nanos ka qenë një tërheqje e përkohshme taktike, për t’u dhënë mundësi konkurrimi pretendentëve të tjerë të kësaj selie.
Por tanimë pritja e ish-kryetarit ka mbaruar dhe duket se menaxhimi problematik i Partisë Socialiste, prej Ramës e ka nxitur Nanon të kërkojë reformimin e plotë nga baza e deri lart në grupin parlamentar.Sipas këtyre burimeve, bëhet e ditur se vendimi përfundimtar i Nanos është marrë pas dobësive të shfaqura nga Rama dhe grupi i tij, të cilët po realizojnë një opozitë të dobët dhe me mungesa të dukshme të protagonizmit. Gjithashtu, këtu ka ndikuar edhe loja e ngadaltë dhe e dobët e Ramës me reformat e premtuara brenda PS-së, të cilat deri tani nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme.
Vetë Rama, i cili ka shpalosur në platformën e tij një spastrim nga xhaketat e vjetra të Partisë Socialiste, aktualisht jo vetëm që nuk e ka bërë këtë gjë, por ai ka krijuar me këta individë një bashkëpunim tepër të ngushtë. Aktualisht njerëzit më të besueshëm të Nanos janë në fazën e rigrupimit të individëve dhe strukturave në bazë, disa prej të cilëve pas largimit të ish-kryetarit kanë qëndruar larg Partisë Socialiste. Ndërsa, grupi parlamentar i përbërë prej afro 25 deputetësh, është i ngritur dhe pret vetëm rikthimin e ish-kryetarit. Bëhet e ditur gjithashtu, se Nano në prag të festave të Krishtlindjeve do të udhëtojë jashtë shtetit, ku do të qëndrojë deri pas festave të Vitit të Ri. Dhe menjëherë pas kthimit në Tiranë, ish-kreu socialist do të nisë sulmin për kupolën e selisë rozë.
Gazeta "SOT".
Krijoni Kontakt