Qoska,
Evropa i kërkon Microsoft të heqë nga kompjuteri Internet Explorer në kohën që shumica e njerëzve e blejnë kompjuterin pikërisht për të shfletuar internetin. Evropa i kërkon të heqë Windows Media Player pikërisht në kohën kur shumë njerëz i përdorin kompjuterat për të dëgjuar muzikë e për të hedhur këngë në pajisjet dorëmbajtëse. Shpjegoja këtë llogjikë një personi që sapo ka blerë kompjuterin e parë dhe nuk lidhet dot në internet e as dëgjon dot muzikë. Ose më mirë, thuaji të trokasë tek dera e komshiut të tij Evropian që t'i bëjë një kopje të Firefox dhe iTunes.
Evropa nuk e shikon dot me sy Microsoft dhe vret mendjen si ta gjobojë vetëm e vetëm sepse është kompani Amerikane, dhe gjithë ai kapital i Evropianëve po derdhet në Amerikë. Më thuaj ti tani kush po pengon zhvillimin.
Amerika e gjeti në faj Microsoft, e gjoboi rëndshëm dhe i kërkoi që përdoruesi të kishte mundësi të zgjidhte programin me të cilin donte të shfletonte internetin, të dëgjonte këngët, të hapte apletat Java, etj. Kush ka dëshirë, instalon Firefox ose iTunes ose çfarëdo programi tjetër dhe Windows nuk të pengon të bësh këtë gjë.
Nuk i kuptova qëllimin e atyre pyetjeve që ke bërë; tepër të komplikuara dhe jo fort të qarta. Mendimet e mia janë të thjeshta. Në këtë botë kapitaliste njeriu punon për fitim. Kodi-i-hapur nuk është fitimprurës dhe zhvillimi i tij varet tek zemërgjerësia e programuesve. Këta të fundit mund të jenë me shumicë, por ashtu si ty, do punojnë më parë për të nxjerrë bukën e gojës dhe pastaj do punojnë për të krijuar një botë idealiste. Deri tani bukën e gojës e nxjerr më mirë duke punuar për korporata private, prandaj gjithë mendjet e ndritura i ke tek Microsoft, IBM, Google, Yahoo, Adobe, Apple, etj.
Të gjitha këto kompani kanë kontrata me punëtorët e tyre që gjithçka që shpikin gjatë kohës që janë të punësuar është pronë e kompanisë, jo individit. Megjithatë, mendoj se një pakicë e tyre, ata që vërtet e kanë me pasion punën, shkojnë në shtëpi dhe punojnë në projekte me kod-të-hapur. Pra, mund të kesh një inxhinier të Microsoft që atë shpikjen që ai ka mësuar në punë, vete e derdh në internet dhe e kthen në kod-të-hapur. Këtë gjë e bën si anonim sepse nuk do të humbasë punën. Gjatë kohës që Microsoft po përgatit një softuer për ta nxjerrë në treg, komuniteti kod-i-hapur është duke mbretëruar se atë shpikje e ka nxjerrë që para dy-tre vjetësh (koha që i duhej Microsoft për ta nxjerrë në treg).
E njëjta gjë ndodh me komunitetin e softuereve pirate. Tani më thuaj ti mua, kush i bën shpikjet, inxhinieri i diplomuar William Jones i Microsoft-it, apo pseudonimi W.J.SpIUnI i komunitetit kod-i-hapur? Lexo këtë artikull për t'u bindur sa patenta ka shkelur Linux në këtë mënyrë.
Mos kujto se IBM dhe Sun apo çdo kompani tjetër është më pak "gjakpirëse" se Microsoft. Më lart thashë se kodi-i-hapur nuk është fitimprurës, por kur bëhet fjalë për konkurrencën midis korporatave, fitimi i njërës matet edhe me humbjen e tjetrës. IBM dhe Sun po kontribuojnë në komunitetin kod-të-hapur me softueret e tyre që kanë humbur vlerën ose kanë qënë të pasukseshme në treg. Këtë nuk e bëjnë për bamirësi, mos të të gënjejë mendja, por e bëjnë me shpresën se do frenojnë sadopak suksesin e produkteve të Microsoft dhe ndërkohë i bëjnë pak reklamë vetes si korporata "gjakëmbël" që bashkohen në dhimbjen e komunitetit shpirtmire të kodit-të-hapur.
Ky është realiteti, sado i hidhur qoftë. Ti mund ta urresh Microsoft si biznes, por kjo urrejtje nuk mund të jetë argument për të thënë se produktet e Microsoft kanë probleme. Produktet e Microsoft nuk i vlerëson as ti e as unë, ato i vlerëson tregu dhe tregu e ka bërë të qartë që deri më sot Windows është dominues. Ti mbaje ndërgjegjen tënde si njeri i mirë, por mos e lër të të mjegullojë realitetin. Qartësoje mendjen të dallojë midis realitetit dhe ëndrrave.
Krijoni Kontakt