Për kafshën e çuditshme banorët e zonës thonë se është një ogur i keq
Vlorë, lind një qengj me tri këmbë
Ermal SIKA
VLORE – Një qengj me tri këmbë. Kjo është çudia që është shënuar në fshatin Sherisht të Vlorës. Qengji i sapoardhur në jetë ka vështirësi në të ecur, ndërsa nuk mund të vrapojë për t’u ushqyer si qengjat e tjerë drejt deles që e solli në jetë. Kjo gjë e rrallë ka ndodhur pikërisht në fshatin Sherisht të Vlorës, disa kilometra larg nga qyteti, ndërsa aktualisht qengji, i cili tashmë është pagëzuar me një emër të marrë nga telenovelat, është vetëm pesë ditësh. Banorët e zonës thonë se ky është një lajm tepër i rrallë për këtë zonë, madje dhe për të gjithë vendin, por është gjithashtu dhe një ogur jo i mirë, pasi gjëja e gjallë është me gjymtyrë të përgjysmuar. Me gjithë këtë, për familjen Gjondedaj ku është pritur qengji, ai është një fat, pasi mund të kushtojë goxha para për ata që mbledhin koleksione dhe padyshim ky është dhe qëllimi i kësaj familjeje. E zonja e shtëpisë, Liljana Gjondedaj, për gazetën “Tirana Observer” ka folur për momentin që e priti me duart e saj qengjin që lindi. Por ajo nuk e mohon faktin se qengjin mund ta përdorë edhe për qëllime përfitimi, duke e kthyer kështu qengjin në më të privilegjuarin e tufës. Në një intervistë për gazetën, Liljana Gjondedaj tregon se madje i ka vendosur dhe një emër shelegut. Ai tashmë do të gëzojë një emër të një aktori të telenovelës, Luisi.
Si e pritët lindjen e këtij qengji?
Në fakt është një gëzim dhe diçka e rrallë për familjen tonë, për fshatin, por mendoj dhe për gjithë vendin. Këto janë gjëra të rralla, nuk janë të shpeshta. Isha duke pritur qengjat dhe kur shoh se ky sheleg nuk ishte si të tjerët, ai nuk kishte një këmbë. E kam marrë në dorë shelegun dhe nuk dinim se çfarë t’i bënim, madje ziheshim kush ta mbante më tepër në krahë, megjithëse ai ishte i vogël. Kam pasur dhe shumë vizitorë, pasi lajmi u hap shpejt, madje mund të them se u shkul gjithë fshati dhe erdhi këtu.
A keni menduar për emrin e shelegut?
Po, e kemi pagëzuar me emër, ia kemi vënë Luis. Eshtë emri i një telenovele që ne kemi ndjekur.
Çfarë do të bëni me këtë sheleg?
Nëse do të na dalë ndonjë që mund ta marrë për studim, atëherë do ta shesim, nëse jo do ta mbajmë vetë. Nuk do ta therim, por do ta mbajmë në pëllëmbë të dorës, ashtu si mbahen fëmijët e vetëm.
Mendoni se do të ketë probleme, meqë i mungon njëra këmbë?
Them se nuk ka problem, kjo pasi ai do të rritet dhe do t’i forcohen shpatullat. Kështu që Luisi do të jetë si të gjithë të tjerët.
Në fshat thonë se ky është një ogur i keq?
Për ne ky është një fat, nuk di çfarë të them më tjetër.
Sa ditësh është Luisi?
Ai është pesë ditësh, ka lindur në datën 10 dhjetor. Unë e ushqej atë me qumësht me duart e mia, të gjithë e adhurojmë, pasi është i veçantë.
1. Mushka pjell dy herë
Në zonën e Elbasanit është shënuar edhe një rast tjetër i veçantë, kur një mushkë ka pjellë dy herë. Një gjë e tillë natyrisht që shpjegohet nga ana e specialistëve si një prishje të ekuilibrave biologjikë.
2. Lepuri me 2 kokë e 6 këmbë
Një lepur me dy kokë e gjashtë këmbë është një nga kafshët e çuditshme në qytetin e Elbasanit. Një gjë e tillë është shënuar në familjen Gogunja në Elbasan, e cila ka mbetur e shtangur kur ka konstatuar lindjen e një lepuri mostër.
3. Një viç me dy kokë
Një viç me dy kokë ka lindur në fshatin Gjocaj të Peqinit. Viçi kishte dy kokë të ngjitura në qafë dhe ushqehej me dy gojë, me buzët, nofullat dhe gjuhët e veçanta. Ai kishte katër sy, dy hundë dhe katër veshë.
4. Dash me katër brirë
Çudia e radhës është shënuar në një fshat të Cërrikut, kur kishte lindur një qengj me katër brirë. Por çudia nuk mbaron këtu, pasi kohë më pas në fshatin Gjonme erdhi në jetë një viç, i cili nuk kishte organe gjenitale.
5. Pula me katër këmbë
Një pulë me katër këmbë, kjo ka ndodhur në një fshat të Librazhdit. Këmbët e “tepërta” pula i kishte në pjesën e sipërme të trupit. Ndërsa një zog me dy koka është çudia e radhës në një familje që banonte në periferi të Librazhdit.
Krijoni Kontakt